OpEd

Lajçak duhet t’i thotë të njëjtat gjëra në Prishtinë dhe në Beograd

Ambiguiteti i BE-së rreth qëllimeve të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është bërë pengesë e madhe për arritjen e suksesit. Kur qëllimisht krijohet hapësira që secila palë të interpretojë gjërat sipas këndvështrimit të vet, e BE-ja nuk e sqaron se cila është e vërteta, atëherë rriten iluzionet dhe zvogëlohen gjasat për pranimin e realitetit. Lajçak e tha një gjë të duhur dhe jashtëzakonisht të rëndësishme në Prishtinë: “Dialogu nuk është për statusin, por për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë”. Problemi është se të njëjtën gjë nuk e tha në Beograd, ndonëse u pyet në mënyrë direkte nga gazetarët. Kështu Serbia mund të vazhdojë ta përdorë dialogun si argument kryesor kundër njohjeve të Kosovës dhe për tërheqjen e tyre, siç ka bërë me sukses edhe deri tash

Një vizitë disaditëshe, shumë e rëndësishme, e përbashkët e të dërguarit të posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak, dhe të dërguarit amerikan, Gabriel Escobar, në Kosovë dhe Serbi, mund të ketë ndihmuar që të shpëtohet dialogu i Brukselit.

Ky dialog është në një rrugë qorre, pa marrë parasysh se nga BE-ja mundohen ta bindin opinionin se “takimet në kuadër të dialogut kanë vazhduar tërë kohën” dhe se “BE-ja ka të dërguarin për dialog, Lajçak, që është në dispozicion 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë”.

Nuk mund ta fajësojmë Lajçakun për dështim. Sepse ai është i dërguar i posaçëm i BE-së, e cila nuk ka dhe nuk mund ta ketë qëndrimin e qartë unik për epilogun e këtij dialogu. Pohimet formale në BE se qëllimi i dialogut është “arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese për normalizimin e raporteve” është më pak dëshmi e unitetit dhe e qëllimit të qartë e më shumë ambiguitet, i cili qëllimisht nuk dëshiron ta përkufizojë qëllimin e dialogut. Por Lajçak nuk ka faj për këtë, megjithëqë po bëhen dy vjet prej kur me pompozitet të madh BE-ja e kishte emëruar ish-ministrin e Jashtëm të Sllovakisë si të dërguar të posaçëm për dialog. Atëherë u tha se “marrëveshja finale duhet të arrihet brenda muajsh e jo vitesh” dhe se “status quoja është e paqëndrueshme dhe e papranueshme”. Kjo e dyta nuk është asgjë e re. Prej kur kanë filluar të merren me Ballkanin Perëndimor, në BE nuk ka çështje për të cilën nuk e kanë thënë të njëjtën gjë; “status quoja është e papranueshme”. Nuk kanë arritur të gjejnë diçka më origjinale sesa kjo. E thonë për reformat zgjedhore dhe kushtetuese në Bosnjë-Hercegovinë, e thonë për raportet mes Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë, edhe për dialogun mes Kosovës e Serbisë.

Por ja se status quoja u konvenon shumë qarqeve. Para së gjithash Beogradit, i cili përmes dialogut tash ka fituar shumë e nuk ka humbur asgjë. Që nga nisja e dialogut, presioni për ta pranuar realitetin se Kosova është shtet i pavarur është zvogëluar e jo rritur. Ndërkohë Serbia ka liberalizimin e vizave, ka marrë statusin e kandidatit, ka nisur dhe po i vazhdon negociatat e anëtarësimit dhe ka vazhduar të mbështesë forcat që nuk janë më partnerë të BE-së në botë. Kosova nuk ka fituar asgjë, pos një Marrëveshje Stabilizim-Asociimi.

E dëmet e Kosovës nga dialogu janë të mëdha. Dëmi më i madh është se Serbia e ka shfrytëzuar me shumë sukses dialogun si dëshmi se statusi i Kosovës nuk është çështje e kryer. Dhe BE-ja nuk e ka mohuar asnjëherë këtë. Përfaqësuesit e Serbisë u kanë thënë shteteve nëpër gjithë botën se për “çështjen e Kosovës” po zhvillohen bisedime në Bruksel dhe se, në rastin më të keq, duhet pritur. Shumë shtete e kanë parë këtë qëndrim të Serbisë si logjik. Sidomos kur e kanë pyetur BE-në dhe nga zyrtarë të saj kanë dëgjuar se “BE-ja nuk ka qëndrim rreth statusit” ose se “BE-ja ka qëndrim neutral ndaj statusit të Kosovës”. Nuk ka asgjë që ka penguar njohjet e Kosovës dhe ka ndihmuar tërheqjen e njohjeve sesa dialogu i Brukselit. Nuk ka nevojë të shkojmë më larg, le t’i shohim edhe vetë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, të cilat presin “rezultat nga dialogu” para se të shqyrtojnë ndonjë ndryshim të qëndrimit të tyre.

Për të qenë edhe më i rëndë ky realitet, ai erdhi pas mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare e as në kundërshtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-ë. Nuk ka pasur, dhe vështirë se do të ketë moment më të përshtatshëm për të bërë presin ndaj shteteve që nuk e kishin njohur Kosovën sesa pas shpalljes së mendimit të GJND-së. Sepse ajo kishte hedhur poshtë argumentin e këtyre shteteve për të mos e njohur Kosovën si shtet, pra thirrjen në të drejtën ndërkombëtare. Por në vend të kësaj fokusi u kthye nga dialogu dhe u harrua njohja. Tash iu dha Serbisë një mundësi që të vendosë edhe për çështjet e brendshme të Kosovës, edhe për çështjet e jashtme të saj.

Edhe Ministria e Jashtme e Sllovakisë nisi menjëherë pas mendimit të GJND-së të gjejë arsye për të mos e njohur Kosovën, në kohën kur Lajçak ishte shef i diplomacisë së këtij shteti. Nuk u prit fare mirë së pari vendimi i Sllovakisë që në GJND të dërgojë opinionin e saj kundër pavarësisë së Kosovës, siç bëri edhe Spanja. Nuk ishte e këndshme për vendet e BE-së si Gjermania, Holanda, Finlanda, Sllovenia dhe shumë të tjera që për një çështje aq të rëndësishme të kishte shtete anëtare që dilnin në anën e Rusisë kundër shumicës së BE-së. Kur doli opinioni i GJND-së, nga Ministria e Jashtme e Sllovakisë thoshin se “kjo ka qenë vetëm një përgjigje e ngushtë në një pyetje të ngushtë” (të njëjtën gjuhë e përdorte edhe ministri i Jashtëm i atëhershëm i Serbisë, Vuk Jeremiq). Bile jozyrtarisht, nga Ministria e Jashtme e Sllovakisë thoshin se “gjykatësi sllovak në GJND, Tomka, kishte votuar kundër vendimit këtij mendimi”. GJND-ja me rezultat 10 në favor dhe 4 kundër kishte pohuar se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk shkel të drejtën ndërkombëtare. Sllovakia, edhe pse në argumentimin e saj me shkrim, të dorëzuar nga ambasadori i saj në Hagë, kishte thënë se do ta merrte parasysh mendimin e GJND-së në qëndrimet e saj politike, akoma nuk e ka njohur Kosovën.

Sot nuk duhet parë këtë sjellje të atëhershme të Sllovakisë si shkak të sjelljeve të tashme të të dërguarit të posaçëm Miroslav Lajçak, e as të shefit të tij nga Spanja, Josep Borrell. Por është një situatë në të cilën BE-ja e ka gjetur veten dhe nuk ka tentuar të dalë nga ajo, ndërsa Kosova ka rënë në një kurth, nga ku nuk mund të dalë.

Mendimi i GJND-së është një rast i humbur, sikur një penallti e huqur në ndeshje futbolli, që nuk mund të kthehet më. Nuk shohim fare reagime nga BE-ja kur përsëriten nga Serbia, Spanja, Rusia apo dikush tjetër se ato duke mos e njohur Kosovën “respektojnë të drejtën ndërkombëtare”. Kjo i bie se, sipas mendimit të tyre, shumica e vendeve të BE-së e paskan shkelur të drejtën ndërkombëtare duke e njohur Kosovën. Ka qenë gabim i madh i BE-së që ka neglizhuar faktin se ka një shumicë të madhe që e ka njohur Kosovën, me të drejtë, duke e respektuar edhe të drejtën ndërkombëtare, dhe politikën e tyre e kanë përshtatur me nevojat e shteteve që nuk e kanë njohur. Kur Lajçak kishte thënë se “vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën do të pranojnë çfarëdo që pranon Beogradi”, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kishte thënë se “kjo është një qasje e papranueshme dhe e subordinon politikën e BE-së ndaj Serbisë dhe Rusisë”.

Prej që ka nisur dialogu, Kosova ka pasur nevojë që të thuhet qartë se ai nuk është për statusin e Kosovës. Sepse vetëm atëherë ky dialog nuk do të shihej më si i dëmshëm për Kosovën. Por BE-ja nuk e tha këtë. Prandaj liderët e Serbisë vazhdojnë të thonë me mburrje se: “Sikur të ishte statusi çështje e kryer, pse vijnë atëherë në dialog përfaqësuesit e Prishtinës?”.

Kur u nis dialogu u tha se ai është “teknik” dhe se “çështja e statusit është çështje e kryer”. Tash thuhet se “asgjë teknike nuk është në dialog, sepse gjithçka është politike”.

Qasja e tashme duket më e saktë, sepse mes Kosovës dhe Serbisë problemet “teknike” janë rezultat i mospajtimeve politike për statusin. Dhe nuk duhesh ta kesh përvojën e Miroslav Lajçakut për ta ditur këtë. Prandaj nuk duhet përqeshur Lajçakun dhe Borrellin me përmendjen e rastit të stikersave në tabelat e veturave si nivel të mundësive të tyre. Sepse edhe këto targa të veturave janë të lidhura me statusin e Kosovës dhe me pyetjen “është apo jo Kosova shtet”.

Pak pa i mbushur dy vjet në këtë mandat, Lajçak në Prishtinë e tha më në fund se negociatat janë për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë e jo për statusin e Kosovës. I porositi kosovarët që të mos kenë frikë nga dialogu.

Problemi është se të njëjtën gjë nuk e tha në Beograd, ndonëse u pyet në mënyrë direkte nga gazetarët. Sipas raporteve të mediave nga Serbia, një gazetare e pyeti Lajçakun se “a është dialogu vërtet vetëm për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që është interpretim i përfaqësuesve të Kosovës”? Nuk ka mundur ta keqkuptojë Lajçak pyetjen, sepse ai e flet rrjedhshëm serbishten. Në vend që ta thotë të njëjtën gjë që e tha në Prishtinë, Lajçak u kthye nga ambiguiteti i BE-së duke thënë se “mandati i tij është për të punuar në marrëveshjen gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese, dhe këtë është duke e bërë”. Kështu Serbia mund të vazhdojë ta përdorë dialogun si argument kryesor kundër njohjeve të Kosovës dhe për tërheqjen e tyre, siç ka bërë me sukses edhe deri tash.

Ndoshta sikur Lajçak, dhe përfaqësues të tjerë të BE-së t’i thonë të njëjtat gjëra në Prishtinë, Beograd e Bruksel, do ta ndihmonin më shumë dialogun. Sepse me këtë “ambiguitetin” e tyre të famshëm vetëm po krijojnë më shumë konfuzion. E kështu pas 2 vjetëve të mandatit të Lajçakut në vend të përparimit shohim vazhdimin e së njëjtës praktikë, palët thonë të veten, takimet herë mbahen e herë jo, aty-këtu bëhet ndonjë marrëveshje, ndonjë pak edhe implementohet, por përparim konkret në dialog nuk ka.

Ambiguiteti i BE-së rreth qëllimeve të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është bërë pengesë e madhe për arritjen e suksesit. Kur qëllimisht krijohet hapësira që secila palë të interpretojë gjërat sipas këndvështrimit të vet, e BE-ja nuk e sqaron se cila është e vërteta, atëherë rriten iluzionet dhe zvogëlohen gjasat për pranimin e realitetit.