OpEd

Kush do të duhej ta merrte sivjet Nobelin për letërsi?

Për shkak të skandaleve të shumta dhe dorëheqjeve, çmimi Nobel për letërsi për vitin 2018 nuk do të ndahet. Një rast i mirë për disa propozime - nëse do te ndahej kjo mirënjohje.

Gjatë kësaj jave do të ndahen çmimet e Nobelit për mjekësi, fizikë, kimi. Të premten ndoshta Angela Merkel do të marrë çmimin Nobel të Paqes. Për shkak të politikës së saj humanitare ndaj refugjatëve, për shkak të qëndrimit stoik ndaj autokratëve të botës, e sidomos ndaj Vladimir Putinit, me të cilin, për dallim nga shumë krerë të shteteve perëndimore, ajo mund të flasë rusisht, për shkak të udhëheqjes së Gjermanisë pa histeri dhe shndërrimit të Gjermanisë në kampion evropian të eksportit të mallrave, Angela Merkel e ka merituar çmimin Nobel për Paqe.

Dorëheqje dhe polemika

Të enjten do të duhej të ndahej çmimi Nobel për letërsi. Si çdo vit. Fiks në orën 13:00. Kjo nuk do të ndodhë sivjet. Kështu ka vendosur Akademia Suedeze në Stokholm. Arsyet janë të neveritshme: në kuadër të debatit MeToo u ngritën akuza kundër burrit të një anëtareje të Akademisë. 18 gra e akuzuan atë për ngacmim seksual. Në të vërtetë, fjala ngacmim në gjuhën shqipe nuk e përshkruan si duhet këtë poshtërsi. Më shumë është maltretim, dhunë psikike dhe fizike që burra të papërgjegjshëm, të frustruar apo psikopatë ushtrojnë ndaj grave. Si pasojë e këtij debati brenda Akademisë pasuan disa dorëheqje dhe polemika.

Shtatë autorë

Nëse Nobeli do të ndahej, atëherë janë disa emra që e meritojnë të merren parasysh si laureatë të denjë.

1. Ian McEwan, shkrimtar britanik, autor romanesh, skenarësh filmi, tregimesh, i shpërblyer me Booker Prize. Një autor i temave të frikshme.

2. Japonezi Haruki Murakami, i lindur më 1949 në Kyoto, është shkrimtar global. Mbi 30 romane e vepra të tjera të tij janë dëshmi jo vetëm e një autori produktiv, por edhe cilësor.

3. Andrzej Stasiuk, shkrimtar polak me sensorë të shquar politikë, autor romanesh mbi botën mrekullisht depresive të Evropës Lindore. Legjendare janë udhëpërshkrimet e tij nga Ballkani. Sidomos nga Shqipëria.

4. Elena Ferrante, shkrimtare italiane, të cilën nuk e njeh askush. Romanet e saj mbi Napolin janë ciceroni më i bukur që mund të shkruhet për një qytet. Në vitin 2016 magazina “Time” e numëronte Ferranten në mesin e 100 personaliteteve më të rëndësishme të botës.

5. Javier Marias, shkrimtar spanjoll. Në të vërtetë viteve të fundit nuk është dëgjuar shumë për këtë autor, por romanet e tij mbi kurthet e jetës janë ndër veprat më të mira të letërsisë bashkëkohore spanjolle dhe evropiane. Marias u lind në vitin 1951. Babai i tij ishte kundërshtar i regjimit të Frankos, mbi mbetjet mortore të të cilit aktualisht në Spanjë është duke u zhvilluar një debat i zjarrtë. Marias u rrit pjesërisht në SHBA, nga 1959 familja e tij jetoi sërish në Spanjë.

6. Elif Shafak, autore turke, do të ishte po ashtu një laureate e denjë. E rritur në Evropë, bijë e një diplomati, ajo simbolizon Turqinë që po perëndon, Turqinë që drejtohej nga elitat (paksa arrogante) properëndimore, të cilat jetonin në lagjet e mira të Stambollit dhe kohën e lirë e kalonin duke pirë uiski dhe duke shpotitur "turqit e zinj", ardhacakët nga provinca, si familja e Rexhep Taip Erdoanit, për shembull. Shafak është tepër e mençur për t'u tallur me "turqit e zinj". Në romanet e saj ajo përshkruan botën e dervishëve vallëzues, spirtualitetin e tyre që reflektonte në shoqëri, por edhe personalitete të Perandorisë Osmane si Mimar Sinanin, pa e lënë anash Turqinë moderne (romani: Era e parajsës).

7. Nga Ballkani një autor fantastik është Xhevad Karahasan, i lindur në Duvno më 1953. Autor romanesh, dramaturg dhe eseist, Karahasan ka bërë emër sidomos në botën gjermane me "Ditarin e shpërnguljes", "Sara dhe Serafina", "Unaza e Shaharies", "Këshillat e natës" - të gjitha këto vepra ku përshkruhet ose lufta në Bosnjë ose e kaluara e këtij vendi si urë lidhëse mes Orientit dhe Oksidentit. Karahasan jeton në Graz të Austrisë dhe në Sarajevë. "Jam i gatshëm ta mbroj Perëndimin e krishterë" - kështu tha Karahasan para një viti në bisedë me gazetën "Frankfurter Allgemeine Zeitung". Me mbrojtje ai kupton ruajtjen e vlerave që Evropën e kanë bërë të madhe: liria e mendimit, e fesë, toleranca, zhvillimi ekonomik, kreativiteti.

Në vitin 2019 Akademia Suedeze do të ndajë çmimin edhe për vitin 2018. Ai që e merr këtë çmim do të ketë arsye ta mbajë mend edhe për këtë kuriozitet.