OpEd

Kurthet në liberalizim - prej demarkacionit deri tek ETIAS-i

Argumenti i Francës se hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave për Kosovën duhet të lidhet me futjen e plotë në funksion të sistemit ETIAS është i padrejtë. Sepse i bie se Kosova është e gatshme për liberalizim, por BE-ja nuk është, sepse nuk e ka në funksion këtë sistem. Pas gjithë përvojës me zvarritjen shumëvjeçare të liberalizimit të vizave, nuk ka më argumente për t’i bindur qytetarët e Kosovës se prapa kësaj kërkese nuk janë qëllimet për të vonuar së paku për një vit liberalizimin, sikur ishte koha kur përmendej si arsyetim demarkacioni, e që ishte vetëm një kusht i shpikur

Pa asnjë faj të vetin ETIAS-i u bë tashmë emërtim i urryer në Kosovë. Duhet të ketë qenë fjala kryesore e javës së shkuar, kuotimi i së cilës duhet të ketë qenë më i kërkuari në Google nga qytetarët e Kosovës. Kureshtja e tyre duhet të ketë qenë që të kuptojnë se çfarë na qenka ai sistem që një fuqi e madhe evropiane, kush tjetër pos Francës, ta lidhë me procesin aq shumë të pritur e aq shumë të vonuar të vizave për Kosovën.

Sipas burimeve diplomatike, Franca në takimin e parë të një grupi punues në Këshillin e BE-së në Bruksel ka propozuar se liberalizimi i vizave me Kosovën duhet të lidhet me funksionalizimin e plotë të këtij sistemi.

Të mësuar me kushtëzimet e mëhershme, që i janë vënë vetëm Kosovës e askujt tjetër, qytetarët kanë mbetur të zhgënjyer, e këtë zhgënjim nuk e ka zbutur as sqarimi se takimi në Bruksel ishte vetëm takim i parë pune në këtë temë. Aty vendet anëtare shprehën vetëm qëndrimet e tyre fillestare, dhe se, për herë të parë, asnjë shtet i BE-së nuk u shpreh kundër liberalizimit të vizave për Kosovën. Dhe tash, sipas diplomatëve në Bruksel, do të duhej kuptuar këtë takim më shumë si pozitiv sesa negativ.

Por, me gjithë respektin për Francën, nuk ka vend anëtar të BE-së që ka humbur më shumë besimin sesa ky shtet. Jo vetëm në rastin e Kosovës, por më herët edhe në procesin e zgjerimit në përgjithësi. Menjëherë pas tyre, në mënyrë shumë dinake, mbetet Holanda. E prapa tyre fshihen disa vende të tjera. Jo vetëm atyre që nuk dinë shumë për BE-në, por as ekspertëve nuk mund t’iu paraqiten argumente bindëse se pse hyrja në fuqi e një sistemi teknik që është krejtësisht në duart e ekspertëve të BE-së duhet të jetë e lidhur me fatin e një vendimi për liberalizimin e vizave me një shtet evropian, i vetmi në rajon që nuk gëzon liberalizimin e vizave.

Kur ratifikimi i marrëveshjes mes Kosovës dhe Malit të Zi për demarkacionin e kufirit u vu si kusht, nga Qeveria e Kosovës nuk kishte kritika ndaj Komisionit Evropian. Madje menjëherë filluan ta përdorin si argument kundër opozitës dhe fajin pse Kosova tash e sa vjet ndodhet e izoluar sa i përket lirisë së lëvizjes t’ia hedhin opozitës, e cila kundërshtonte ratifikimin e kësaj marrëveshjeje. Ish-kryeministri Isa Mustafa përsërit edhe këto ditë se “po të mos ishte Vetëvendosja, e cila kundërshtonte demarkacionin” Kosova do ta kishte tashmë liberalizimin. Për shkak të harresës apo për diçka tjetër, ai nuk i përmend AAK-në dhe Ramush Haradinajn që ishin kundërshtarë edhe më të mëdhenj të demarkacionit.

Se demarkacioni nuk ishte kusht i vërtetë u pa pasi ky kusht u përmbush nga Kosova. Kanë kaluar katër vjet prej atëherë dhe akoma nuk ka liberalizim. E se ishte kusht i padrejtë dëshmon fakti se akoma ka vende të rajonit që nuk e kanë përmbyllur çështjen e demarkacionit të kufirit me vendet fqinje, e kanë liberalizim të vizave tash e sa vjet. Marrëveshjet për demarkacionin e kufirit nuk kanë qenë kushte për asnjë nga këto shtete për liberalizim vizash. Ato nuk kanë qenë kushte për asgjë. Nuk kanë qenë kushte as për dhënien e statusit të kandidatit, as për nisjen e negociatave të anëtarësimit, madje, në rastin e Kroacisë, as për vetë anëtarësim në BE. Liberalizimin e vizave e morën edhe Ukraina, Gjeorgjia dhe Moldavia, vende të cilat edhe në kohën kur BE-ja ua hoqi vizat nuk kontrollonin fare pjesë të territorit të tyre.

BE-ja dhe vendet anëtare kanë mundësi të caktojnë kushte, pa marrë parasysh se a është e drejtë një gjë e tillë apo jo. Por ajo që nuk do të duhej të na thoshin është se Kosova nuk po diskriminohet. Diskriminim është kur nga një vend kërkohet diçka që nuk është kërkuar nga të tjerët, dhe kushti i ratifikimit të marrëveshjeve për demarkacion nuk i është vënë askujt tjetër, pos Kosovës. As hyrja në fuqi, apo futja në përdorim të plotë e sistemit ETIAS nuk ka qenë kusht për asnjë vend e nuk do të duhej të ishte as për Kosovën.

Argumenti i Francës se hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave për Kosovën duhet të lidhet me futjen e plotë në funksion të sistemit ETIA është i padrejtë. Sepse i bie se Kosova është e gatshme për liberalizim, por BE-ja nuk është, sepse nuk e ka në funksion këtë sistem. Pas gjithë përvojës me zvarritjen shumëvjeçare të liberalizimit të vizave nuk ka më argumente për t’i bindur qytetarët e Kosovës se prapa kësaj kërkese nuk janë qëllimet për të vonuar së paku për një vit liberalizimin, sikur ishte koha kur përmendej si arsyetim demarkacioni, e që ishte vetëm një kusht i shpikur.

Është krejt normale që në një takim në nivel pune në Këshillin e BE-së, e ky ku u diskutua propozimi për liberalizimin e vizave për Kosovën ishte një i tillë, të paraqiten qëndrime të ndryshme. Në fakt, rrallë ndodh që opinioni të kuptojë se çfarë ndodh në takime të tilla. Por kësaj radhe interesi ishte aq i madh, saqë i tërë një shtet ishte në pritje. Për shkak se ka pritur shumë dhe ka filluar të besojë se procesit i ka ardhur fundi. Dhe ky diskutim dëshmoi se tash vërtet procesi është në fillim të fundit. Pasi shumica e madhe e vendeve dëshmuan se duan liberalizim pa asnjë rezervë dhe askush nuk ishte kundër liberalizimit, sipas mënyrës së punës së BE-së do të vazhdojnë konsultimet dhe, nëse ka vullnet nga shtetet që janë në favor, mund të bindet edhe Franca që të mos insistojë në diçka që pakkujt i duket logjike dhe e drejtë. Dhe liberalizimi vërtet të ndodhë brenda disa muajsh. E kur të hyjë në fuqi ETIAS-i tashmë i pafamshëm për të tjerët, të vlejë edhe për kosovarët.