Në shekullin e 19-të shumë njerëz në Zvicër vuanin nga uria. Mijëra të tillë kishin vetëm një cak: Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Atje disa gjetën parajsën, të tjerët u kthyen të dëshpëruar. Fate mërgimtarësh, gati të ngjashme me shumë histori shqiptarësh
Perandori Jozefi i Dytë pasi e kishte dëgjuar dhe parë operën “Rrëmbimi nga Saraji”, i kishte thënë Wolfgang Amadeus Mozartit: “Jashtëzakonisht shumë nota, i dashur Mozart”. Mozarti ishte përgjigjur: “Lartmadhëri, aq nota sa janë të domosdoshme”.
Historia ka shumë nota.
Në fillim të viteve 1960-të në Zvicër erdhën punëtorët e parë shqiptarë nga Jugosllavia e atëhershme. Qeveria në Bern lidhi marrëveshje me qeverinë jugosllave për rekrutimin e punëtorëve nga “parajsa socialiste” në parajsën kapitaliste. Zvicra kishte nevojë për fuqi punonjëse, Jugosllavia largonte nga vendi të papunët që potencialisht mund të rrezikonin paqen e brishtë sociale. Pas punëtorëve të krahut, erdhën kundërshtarët e regjimit komunist jugosllav. Pastaj erdhën të përndjekurit nga regjimi, ata që nuk shihnin më perspektivë në atdhe, të papunët, të cilët kishin mbetur të papunë për shkak se i kishte përzënë Serbia nga puna, pasi ia kishte hequr Kosovës autonominë e vitit 1974. Miliona fate njerëzish. Miliona rrëfime që presin të rrëfehen. Miliona tregime plot vuajtje e shpresë. A janë të vetëm shqiptarët me këso historish? Aspak. Siç e tregon një ecje që nisi si ecje në natyrë në kantonin e Bernit dhe përfundoi me shumë reflektime mbi historinë e dikurshme zvicerane. Nga t’ia nisim? Ndoshta kështu.
Sipas kalendarit të krishterë të enjten që shkoi u festua “Ngjitja e Krishtit në Qiell”. Ishte ditë feste në Zvicër dhe mijëra njerëz atë ditë po ngjiteshin jo në qiell, por në kodra. Në mëngjes, në trenin nga Zürichu në Bern, pothuaj asnjë vend nuk ishte i zbrazët. Njerëz të ngarkuar me çanta të rënda shpine me mendje tashmë ndodheshin në kodra. Disa të rinj jo bash të rinj që para orës nëntë hapën një shishe Jägermeister, likeri i famshëm klasik nga Gjermania. Ka njerëz të guximshëm edhe në mëngjes, të tillë që nuk e çajnë kokën për lukthin.
Nga Berni shpejt e shpejt në trenin tjetër për në Langenthal – dhe nga aty me autobus në Lüderenalp (1141 metra lartësi mbidetare), nëpër një rrugë frikshëm të ngushtë. Nga Lüderenalp në Napf dhe tutje në Mettlenalp shtegu është mahnitshëm panoramik – me alpet e Bernit, vargmalet e Juras, platonë zvicerane (Mittelland). Pamja rreth e rrotull është gjigante. Nuk mungojnë as restorantet malore (Bergbeizli, siç i quajnë zviceranët në dialektin e tyre), të cilat ofrojnë ushqime tradicionale. Në ditë festash dhe kur moti është me diell, mijëra njerëz ia mësyjnë kësaj treve.
Por idili mashtron. Sepse s’ka qenë përherë idil.
Në shekullin e 19-të, Zvicra dhe sidomos rajoni i Emmentalit në kantonin e Bernit ishin ndër më të varfrit në Evropë. Shumë njerëz vuanin nga uria dhe kishin një cak për të emigruar: Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për këtë kapitull të historisë njoftojnë disa tabela në shtegun në drejtim të Napfit. Mes viteve 1843 dhe 1855 nga kantoni i Bernit emigruan 9400 banorë, kryesisht në shtetet amerikane Ohio, Illinois dhe Indiana. Këto janë të dhënat zyrtare. Supozohet se numri i të mërguarve ka qenë shumë më i lartë.
Disa nga mërgimtarët zviceranë dërgonin letra nga atdheu i ri në vendlindjen e vjetër. Letrat lexoheshin me interesim të madh. Disa nga këto letra janë të ekspozuara përgjatë shtegut afër Napfit. Më 1852 Johann Ernst Weber shkruante se pas një udhëtimi prej 40 ditësh, më në fund, kishte arritur në New York... Weberit i bënin përshtypje natyra e bukur amerikane, shtëpitë, godinat, anijet e shumta me direkët e tyre, “na dukej se po hynim në parajsë”, “nuk mund të përshkruhet gëzimi kur dolëm nga anija, edhe të sëmurët u shëndoshën”. Weber përfundon në Ohio, ku e gjen bashkëvendësin Jakob Wyss, i cili kishte emigruar 4 vjet më parë, me profesion ishte zdrukthëtar. Kur na pa, shkruan Weber, ai u gëzua aq shumë, saqë preu një derr dhe një viç dhe na shtroi drekë thua se ne ishim princër. Pasi hëngrëm, dolëm për gjah. Histori mërgimtarësh zviceranë. Jo të gjitha patën fat si Jakob Wyss. Të tjerët u kthyen të dëshpëruar në Zvicër. Por shumica mbetën në SHBA. Madje, ka qyteza e fshatra në SHBA ku banorët ende flasin dialektin e tyre të gjermanishtes zvicerane.
J.J. Eduard, emigrant zviceran, shkruante në letrën e tij të dërguar në vitin 1850 se kishte pritur 11 ditë në Le Havre në bregdetin francez derisa anija “Orlando” ishte nisur drejt Amerikës. Para se të nisej anija, mërgimtarët, raporton J.J. Eduard, kishin blerë bukë, tëlyen, oriz, miell, patate, kripë, sheqer, çaj dhe 6 shishe verë, plus një shishe uthull. J.J. Eduard shkruan se kishte bërë mirë që kishte marrë ushqime nga shtëpia në Zvicër. Ai këshillonte çdo mërgimtar të ardhshëm që, kur të nisej, të merrte me vete ushqime, si djathë, sallam, pemë. Disa njerëz i mundonte lundrimi, ndonjëri përpëlitej në tokë, ndonjë tjetër villte. Pastaj njerëzit e morën veten, u adaptuan në kushtet e reja, “ia nisëm të përgatisim ushqim, madje aq shumë, saqë në ditët e para e mori zjarri kuzhinën tonë prej druri”.