Për 4250 pajisjet që nuk iu dhanë të paralizuarve ndonëse për to u paguan 6 milionë euro nga buxheti i shtetit; për zhurmën e qenve të Barilevës; dhe për ndërgjegjen kolektive që zgjohet nga ulërimat, por jo nga padrejtësia institucionale që u bëhet fëmijëve në karrocë dhe të rriturve të lidhur për shtrati
Një familjari iu mbushën sytë lot kur, pas operimit, e vendosëm në shtratin e dhomës së klinikës. Meqë e kaloi një ndërhyrje kirurgjikale me anestezion spinal, ishte me vetëdije, por këmbët nuk i ndiente dhe as nuk i bënin punë. Ishin në gjendje paralize. Dhe, kur e shtrimë në shtrat pasi që ndërhyrja përfundoi, sytë i shkëlqyen.
E pyeta mos pati shqetësim a dhimbje derisa e vendosëm aty, por përgjigjja që dha ishte prekëse. Tha se mendjen nuk e pati te vetja, por te të paralizuarit. Tek ata që gjithë jetën nuk i ndiejnë gjymtyrët dhe as nuk mund të mbështeten në to.
Kam bërë katër vjet shkollë të mesme për mjekësi, kam kryer gjysmën e studimeve universitare për mjekësi, kam dëgjuar, lexuar e mësuar për paralizën si diagnozë, si gjendje e si pasojë, por asnjëherë nuk e kam ndier peshën e saj sa në atë çast. As ndjeshmërinë për jetën e shumë njerëzve që kufizohen brenda shtratit, dhomës e karrocës.
***
Javën që shkoi ndjenja të forta m’u rikthyen tek redaktova një hulumtim të gazetares Vlerë Mehmeti. Paralelisht rreshtave që lexoja, rritej një shtëllungë mllefi brenda dërrasës së kraharorit. Sepse ata rreshta përshkruanin jetën e njerëzve me paralizë: atyre paraplegjikë, pra që kanë humbur në formë të përhershme mundësinë e lëvizjes së ekstremiteteve të poshtme; si dhe personave me status tetraplegjikë, që kanë humbur në formë të përhershme mundësinë e lëvizjes së gjymtyrëve të poshtme dhe të epërme. Por, në ta më shumë lexova paralizën e ndërgjegjes institucionale në raport me këta njerëz.
Gjetja kryesore e hulumtimit është shokuese: Ka rreth një vit që dy kompani kanë fituar nga shteti kontratën prej 6 milionë eurosh për të siguruar 4 mijë e 250 pajisje për personat e ngjitur për shtrati a karroce, por deri sot asnjë nuk ka mbërritur te ta.
Lexova për Violetën që prej gati dhjetë vjetësh mundohet ta mbajë trupin mbi një pajisje që mezi mbahet vetë. Ai mekanizëm metalik me rrotë, më shumë i ishte kthyer në barrë, sesa në mjet mbështetjeje që ia lehtëson lëvizjen.
Si ajo janë shumë. Rreth 4 mijë. Por, zëri i tyre nuk dëgjohet, edhe kur pajisjet që me buxhetin e shtetit kontraktohen për ta, nuk u shpërndahen.
Prandaj, askush nuk çan kokën pse prej një viti nuk shkuan aty ku duhen karroca speciale për fëmijë, karroca elektrike, karroca tualeti, lloje të ndryshme të patericave, tavolina ushqimi, ashensorë elektrikë për pacientë, shtretër elektrikë, jastëkë e dyshekë antidekubitues.
***
Shërbimi Spitalor Klinik Universitar (SHSKUK) ka mjekët më të mirë në Kosovë. Elita e profesionistëve të shëndetësisë do të duhej ta njihte më mirë se kushdo tjetër peshën e sëmundjeve. Së këndejmi, është e natyrshme të pritej që pikërisht edhe menaxhmenti i këtij institucioni ta kuptonte më së miri çfarë do të thotë paraliza. Çfarë do të thotë kur gjymtyrë apo trupi si i tërë nuk lëvizin më. Kur një fëmijë nuk ec. Kur një i rritur mbetet përjetësisht në shtrat.
Është pikërisht SHSKUK-ja ai institucioni shtetëror që kontraktoi dy kompanitë për të siguruar 4250 pajisje për personat me aftësi të kufizuara. Por, për një javë menaxhmenti i këtij institucioni nuk tregoi pse nuk u ndanë pajisjet nga të cilat është i varur kualiteti i jetës së të paralizuarve.
Ky institucion nuk mori mundin t’i shkruajë dy fjalë në formë përgjigjeje, në pyetjet e KOHËS për këtë tender, por me vrap iu kundërpërgjigj reagimit të vetëm që u bë pas publikimit të hulumtimit. Iu kundërpërgjigj shoqatës “Handikos”, e cila në reagim shprehu shqetësimin për bllokimin e pajisjeve dhe alarmoi se një pjesë e tyre ka afat të kufizuar përdorimi, dhe se ekziston rreziku që ato të dëmtohen ose të bëhen të papërdorshme nëse nuk shpërndahen në kohë.
Sikur SHSKUK-ja, heshti edhe Ministria e Shëndetësisë, e shumë pyetjeve nuk iu dhanë përgjigje as kompanitë që fituan tenderin prej 6 milionë eurosh.
Para së gjithash, kjo sjellje është tregues i mungesës së ndjeshmërisë në raport me rreth 4 mijë qytetarë me status paraplegjik e tetraplegjik. Është tregues se kemi një sistem të papërgjegjshëm, jo veç në raport me këtë kategori qytetarësh, por që s’jep llogari as ndaj taksapaguesve për 6 milionë eurot që iu dhanë dy kompanive.
***
Të njëjtën ditë kur u publikua hulumtimi për pajisjet ndihmëse që nuk iu dhanë asnjërit prej mbi 4 mijë qytetarëve me paralizë, në KOHË u publikua edhe një tjetër storie. Ajo mban titullin: “Banorët në hall nga zhurma që vjen nga ferma e qenve në Barilevë”.
Qëllojani, si u soll publiku!
Hulumtimi për 6 milionët që u dhanë për pajisjet të cilat nuk mbërritën te të paralizuarit ka 11 herë më pak shikime në YouTube, sesa ky për zhurmën e qenve. Në Facebook diferenca është shumë më e trishtë: Deri të mërkurën, storia për personat me paralizë u komentua nga 3 qytetarë, e ajo për zhurmën e qenve nga 174; për hulumtimin pati gjithsej 16 reagime, e për storien me të lehurat më shumë se 1,100; storia me qentë u pa rreth 300 mijë herë në rrjetin social më të përdorshëm në Kosovë.
Këto shifra na tregojnë se çfarë e prek njeriun e ditëve tona. Çfarë e zemëron. Pra, halli që banorë të një fshati kanë me zhurmën e qenve na mërzit më shumë se papërgjegjësia shtetërore në raport me fëmijët në karrocë e me të rriturit e lidhur për shtrati.
Me të drejtë akuzohet Shërbimi Spitalor Klinik Universitar për vonesën e zbatimit të kontratës dhe për sqarimet që nuk i jep për këtë. Edhe Ministria e Shëndetësisë që hesht. Edhe kompanitë që nuk përgjigjen.
Por, çfarë duhet thënë për sjelljen e publikut? Për qytetarët?
Është për frikë që empatinë tonë e zgjon bezdia që shkaktojnë të lehurat e qenve, e jo padrejtësia që shteti u bën njerëzve me aftësi të kufizuara.
***
Realiteti kaq brutal matet me vuajtjet e të paralizuarve që janë në pritje të pajisjeve që do t’ua lehtësonin jetën. Mosofrimi i karrocave, shtretërve dhe pajisjeve të tjera ndihmëse është dënim për ata që jetën e kanë të varur nga to. Të paralizuarit që nuk ka dyshek antidekubitues, çdo ditë i shtohen plagë të reja në trup, shkaku që jetën e ka në shtrat. Atij që nuk ka karrocë, dhoma i kthehet në burg.
Por, matet edhe me mungesën e përgjegjësisë institucionale e edhe me mënyrën se si ne sillemi në situata si kjo me kontratën 6-milionëshe.
Sot reagimi publik nuk e ndjek peshën e dramës, por e ndjek ulërimën. Dhe, ky realitet brutal është tregues se vuajmë nga paralizë e ndërgjegjes kolektive.