Fitorja me gati 50 për qind e Lëvizjes Vetëvendosje mund të konsiderohet se ishte befasuese në shifra, por jo assesi në thelb. Kur ish-opozita dështon të ofrojë vizion, program dhe unitet, votuesi nuk ka shumë dilema. Në këto rrethana, vota për pushtetin bëhet më shumë një refuzim i kaosit sesa një miratim i qeverisjes
Zgjedhjet e 28 dhjetorit nuk ishin vetëm një test për Qeverinë Kurti, por mbi të gjitha një pasqyrë e zymtë e opozitës kosovare. Rezultati i tyre nuk duhet lexuar si entuziazëm i jashtëzakonshëm për qeverisjen aktuale, por si dështim i plotë për të ndërtuar një alternativë politike të besueshme.
Qëndrimi i LDK-së, nën udhëheqjen e Lumir Abdixhikut, për të refuzuar çdo bashkëpunim pas zgjedhjeve të 9 shkurtit – qoftë me fituesin e zgjedhjeve apo me partitë e tjera opozitare – u perceptua nga qytetarët si kokëfortësi e pakuptimtë. Ky refuzim nuk u shpjegua kurrë bindshëm dhe, për pasojë, u ndëshkua në mënyrën më demokratike të mundshme: me votë. Sot, pas këtij rezultati, edhe vet pozita e Abdixhikut në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës është seriozisht e lëkundur.
Fitorja me gati 50 për qind e Lëvizjes Vetëvendosje mund të konsiderohet se ishte befasuese në shifra, por jo assesi në thelb. Kur ish-opozita dështon të ofrojë vizion, program dhe unitet, votuesi nuk ka shumë dilema. Në këto rrethana, vota për pushtetin bëhet më shumë një refuzim i kaosit sesa një miratim i qeverisjes.
Një rol të rëndësishëm në këtë epilog e pati diaspora. Mobilizimi i saj masiv në fund vit dhe përkrahja e qartë për Lëvizjen Vetëvendosje treguan se mërgata mbetet një faktor i fuqishëm elektoral në Kosovë. Frika e ish-opozitës nga ky mobilizim ishte e dukshme qysh në kundërshtimin për datën e zgjedhjeve, por frika nuk zëvendëson strategjinë politike.
Partitë ish-opozitare, siç duket, u ndëshkuan edhe për faktin se, ndonëse kishte mundësi reale për ta krijuar shumicën parlamentare, nuk arriti të koordinohej mes vete. Kjo i dha sërish shansin partisë së Albin Kurtit që të fitojë bindshëm dhe të formojë Qeverinë vetëm me votat e partive joserbe, duke siguruar edhe një mandat të ri katërvjeçar.
Opozita pagoi çmim edhe për sjelljen e saj bllokuese në Kuvend. Refuzimi për të votuar marrëveshje ndërkombëtare, buxhetin për Komunën e Prishtinës me të cilin udhëheq vetë Lidhja Demokratike e Kosovës, atë të Gjilanit dhe Zubin Potokut si dhe zgjidhjen e financimit për Televizionit Publik me sa duket u lexua nga qytetarët jo si qëndrim parimor, por si pengesë për funksionimin e shtetit. Në një vend me institucione ende të brishta siç është Kosova, kjo qasje mund të themi lirisht se u vërtetua që është politikisht vetëvrasëse.
Paradoksi më i madh i këtyre zgjedhjeve qëndron në faktin se Qeveria Kurti fitoi bindshëm, pavarësisht kritikave të forta për dështime në arsim, shëndetësi dhe sidomos në ekonomi, si dhe akuzave të shumta që pati për korrupsion e nepotizëm. Kjo tregon se votuesi kosovar shpesh nuk voton për performancën, por kundër pasigurisë politike dhe mungesës së alternativës.
Viti 2025 do të mbahet mend si viti i zgjedhjeve. Katër herë qytetarët iu drejtuan kutive të votimit: më 9 shkurt në zgjedhjet e përgjithshme, më 12 tetor në zgjedhjet lokale, më 9 nëntor në balotazhin e zgjedhjeve lokale si dhe më 28 dhjetor në zgjedhjet e parakohshme dhe këto katër herë dhanë një mesazh se në nivel lokal mund të eksperimentohet, por pushtetin qendror qytetari nuk ia beson kujtdo, rëndësi të madhe këtu ka Lideri.
Megjithatë, një vijë e përbashkët i lidh të gjitha këto zgjedhje: përkundër kritikave dhe pakënaqësive, votuesi shpesh zgjedh vazhdimësinë përballë pasigurisë politike.
Për shembull: Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, dhe ai i Gjilanit, Alban Hyseni, ndonëse të kritikuar për mosrealizimin e një pjese të madhe të premtimeve të tyre, arritën të fitonin mandatet e dyta.
Mesazhi i këtyre zgjedhjeve mund te them lirisht se është i thjeshtë: sipas mendimit tim në Kosovë, pushteti nuk humb sepse dështon, por vetëm nëse përballë tij del dikush më i mirë.