OpEd

Kujtesa dhe tri mbresat e 2 Korrikut

Si sot më kujtohet 2 Korriku i vitit 1990, dita kur duke shkuar në punë, pashë se para Kuvendit të Kosovës kishte filluar grumbullimi i deputetëve për të mbajtur mbledhjen historike për shpalljen e Deklaratës Kushtetuese. Më kujtohet atmosfera e krijuar atë ditë nga pritja e gjatë e popullit shqiptar, nga shpresa se më në fund po realizohet ëndrra e tij dhe se Republika e Kosovës po bëhej realitet. Por, më kujtohet edhe atmosfera e tensionuar e krijuar nga ndjenja e një terrori të paralajmëruar nga ana e policisë serbe. Më kujtohet gëzimi dhe euforia që shpërtheu atë ditë nga përjetimi i ngjarjes historike, nga përjetimi i ndjenjës së mëvetësisë dhe i çastit të fillimit të një epoke të re në historinë e Kosovës. Mbresën e asaj dite, e ditëve dhe viteve që pasuan, nuk e harroj dot.

Për 30 vjet rresht, plot ngjarje tjera dramatike, heroike, e për fat të keq edhe tragjike, ndodhën në Kosovë. Për tri dekada rresht, shumë ngjarje dramatike dhe për fat të keq edhe ironike, ndodhën edhe në Universitetin e Prishtinës. Të gjithë e dimë se Kosova dhe Universiteti i Prishtinës kanë histori të përbashkët. Të gjithë e dimë se pa këtë Universitet nuk do të kishim shtet dhe po ashtu të gjithë e dimë se shteti dhe Universiteti, viteve të fundit, kanë problem serioze. Por, t’u kthehemi mbresave të 2 Korrikut.

Prej atëherë e deri sot pati shumë përvjetorë të 2 Korrikut, por për mua dy përvjetorët e fundit ishin ngjarje biografike, njëri për të mirë e tjetri për të keq. Më 2 korrik të vitit 2019, në Ambasadën e Kosovës në Paris, hapa ekspozitën personale “Arterren”. Nuk ishte kjo një shënim përvjetori, por vetëm një koincidencë rasti me datën historike. Kurrë nuk do ta harroj atë nder, atë ngjarje të bukur, atë pritje të mirë që mu bë, atë kënaqësi dhe përjetim njerëzor e artistik, jo vetëm të ambasadorit dhe personelit të Ambasadës, por edhe shumë mysafirëve të tjerë të pranishëm, përfshirë edhe familjen time. Atë ditë në mjediset e Ambasadës u shfaq një pamje ndryshe e Kosovës dhe trashëgimisë së saj natyrore dhe kulturore. Eventi la mbresa shumë të mira te të gjithë, e sigurisht se edhe te unë.

E çka sa i përket 2 Korrikut të vitit 2020? Për këtë mund të them lirisht se kjo ishte dita e dytë e një ngjarje ironike për Universitetin e Prishtinës në përgjithësi dhe për Fakultetin Filozofik në veçanti. Kjo ishte një ngjarje e hidhur jo vetëm për mua, por edhe për disa miq e kolegë të tjerë të Fakultetit. Në zgjedhjet e rregullta që u mbajtën një ditë më parë, d.m.th. më 1 korrik 2020, unë dhe disa kolegë tjerë nuk fituam votat e nevojshme për të qenë pjesë e Këshillit të Fakultetit. Domethënë shtatë profesorë dhe tre asistentë, të gjithë persona me kredibilitet akademik, tetë prej të cilëve jemi me diploma MA dhe PhD të fituara në universitetet perëndimore, si New York, Londër, Paris, Vjenë, Grenobël, Zagreb dhe Strasburg, mbetëm jashtë Këshillit të Fakultetit. Mbetëm jashtë jo për shkak të bindjeve ose preferencave votuese të kolegëve tjerë, por për shkak të një “inxhinieringu social” ose një “teknike modelimi” të përdorur nga pala tjetër, e cila paraprakisht fabrikon rezultatin e dëshiruar. Pra, krejt kjo më shumë i përngjau një komploti të organizuar, sesa një procesi zgjedhor në Universitet. Nuk bëhet fjalë për parregullsi në kuptimin e procedurës formale dhe as për keqpërdorime të Komisionit Zgjedhor. Përkundrazi, në këtë aspekt mendoj se çdo gjë ishte në rregull dhe i falënderoj komisionarët për këtë. Këtu bëhet fjalë për një orkestrim të votës individuale, për një kolektivizim të saj, për një ndrydhje vullneti personal, për shkelje dinjiteti, për një nënshtrim ndaj autoritetit, si me qenë në një shoqëri totalitare. Kjo ishte mbresa ime në ditën e 2 Korrikut të sivjetmë, për atë që ndodhi një ditë më parë në Fakultet.

Si u bë kjo? Pjesa dërmuese e stafit akademik të Fakultetit Filozofik, sidomos profesorët nga Departamenti i Psikologjisë, Historisë, Punës Sociale, disa nga Shkencat Politike dhe Sociologjia nuk na votuan. Nuk na votuan jo për tjetër, por për të thënë të drejtën dhe pa pikë modestie, pikërisht pse jemi të përgjegjshëm, pse jemi të pavarur dhe sepse nuk jemi “vegël” e bosave politikë, partiakë ose atyre të grupeve të interesit. Nuk na votuan sepse kemi kualitetin intelektual dhe kredibilitetin akademik e njerëzor për të qenë të lirë në mendim dhe të pavarur në veprim; kemi dijen dhe guximin e nevojshëm për të bërë ndryshimin e duhur. Nuk na votuan sepse nuk jemi prej atyre që drejtohen nga interesi personal, material dhe karrierist, por prej atyre që janë parimorë, ndjekin interesin e përgjithshëm dhe institucional. Nuk na votuan sepse nuk jemi prej atyre që grabisin diploma për të marrë poste në universitet, por prej atyre që punojnë ndershëm dhe me dinjitet.

Mua personalisht nuk më votuan edhe për diçka tjetër. Në këto zgjedhje, unë shpreha haptas dëshirën dhe kandidaturën time për t’u bërë dekan. Duke pasur frikën se kjo edhe mund të realizohet, ngase kisha përkrahje të fuqishme nga kolegët e disa departamenteve; pastaj, duke kuptuar se kandidatura ime ishte plotësisht legjitime, si nga aspekti i profilit tim njerëzor dhe akademik, ashtu edhe nga fakti se Departamenti i Sociologjisë, njëri prej tri departamenteve më të vjetra në fakultet, nuk kishte pasur dekan që prej vitit 1978, ndërkohë që dy departamentet e tjera kanë pasur për disa mandate radhazi. Kjo ishte një shqetësim për një pjesë të stafit akademik e menaxherial, sidomos për kundërkandidatin. Por edhe për strukturat dhe konjukturat jashtuniversitare, që vëzhgojnë Universitetin si me qenë ky ndonjë bazë partiake, e jo qendër edukimi e hulumtimi shkencor. Kandidatura ime ishte jo vetëm legjitime, por edhe e motivuar sidomos nga brezi i ri profesorëve dhe asistentëve, të cilët në mua shihnin shpresën për ndryshim, për udhëheqje të mirë dhe të pavarur nga politika, për një udhëheqje të pastër, të besueshme, të paanshme dhe të drejtë për të gjithë. Për këtë, edhe vetë isha i bindur se kam dijen, vullnetin dhe energjinë për një udhëheqje reformuese, efikase dhe kreative që do të mbahej në mend. Kundërshtarët e mi, në krye me ish-prodekanin dhe prorektorin aktual të UP-së, duke i parë dhe kuptuar të gjitha këto zhvillime, por edhe duke qenë lakmitarë të pangopshëm për pushtet, duke qenë shërbëtorë të dëgjueshëm të bosave politikë, u mobilizuan duke thirrur në ndihmë parti të vogla e të mëdha, njerëz të “rëndësishëm”, organizata dhe shërbime fantome, struktura dhe konjuktura të stërkequra, vetëm për të mos ndodhur çlirimi i Universitetit nga prangat që e mbajnë lidhur krejt shtetin dhe shoqërinë kosovare. Ata, me makinacione, bënë komplot mbi kandidaturën time duke më eliminuar që në fillim të garës, akoma pa e shfaqur programin, idetë dhe vizionin tim. Ashiqare u tutën shumë, sepse atyre u intereson me çdo kusht kontrolli dhe pushteti mbi Universitetin, mbi këtë Universitet duarlidhur e frymënxënë.

Pra, nuk më votuan dhe më luftuan duke më vënë mua dhe mbështetësit e mi më të zëshëm në listat përjashtuese për anëtarë të Këshillit të Fakultetit. Nuk më votuan thua se jam ndonjë armik i këtij Universiteti, e jo miku i tij i përjetshëm dhe profesori shumëvjeçar i Sociologjisë së kulturës, Sociologjisë së memories kolektive, Metodave kualitative në sociologji dhe Praktikumit sociologjik; ai i cili së bashku me studentët ka bërë hulumtime, disa prej të cilave i ka prezantuar në vende të ndryshme të botës, kurse disa të tjera i ka shpërblyer ose përdorur për vete edhe vetë UP-ja.

Nuk më votuan dhe më luftuan thua se jam ndonjë përfitues ose shpërdorues fondesh, e jo një profesor i cili ka mbajtur mësim edhe pa pagesë, ka bërë hulumtime edhe pa buxhet, ka bërë prezantime me logon e UP-së nëpër konferenca, simpoziume dhe kongrese ndërkombëtare, në tri kontinente të botës, dhe atë krejtësisht me shpenzime personale.

Nuk më votuan dhe më luftuan thua se jam i papjekur a injorant, e jo një njeri mendjehapur që ka përgatitje profesionale interdisiplinare, ka diploma ndërkombëtare, shpërblime kombëtare, ka libra, tekste shkollore dhe punime profesionale; ka dije teorike dhe shkathtësi metodologjike për lloj-lloj hulumtimesh; njeh fusha të reja studimore dhe ka gjetje të reja të panjohura më parë në Kosovë.

Nuk më votuan dhe më luftuan thua se jam ndonjë ego-maniak ose lakmues pushteti, e jo personi i cili është i njohur për sjellje të mira, për gatishmëri dhe vullnet për ndihmë të çfarëdollojshme dhe ndaj çdokujt, për përgjegjësi në punë, për pjesëmarrje aktive në mbledhjet dhe aktivitetet e Fakultetit, e mbi të gjitha për qëndrime parimore, raporte miqësore, përbashkuese dhe kolegiale me të gjithë, pa marrë parasysh dallimet gjinore, gjenerative, përkatësitë, bindjet, pikëpamjet, ideologjitë dhe botëkuptimet jetësore.

Nuk më votuan, thua se jam person i papërvojë ose i sapoardhur, e jo ai i cili është i lidhur me Universitetin, që prej kohës kur ky Universitet i ka pasur vetëm 10 vjet. Pra ai i cili dy të tretat e jetës së vet i ka të lidhura me UP-në dhe i mban mend hjekat dhe të arriturat e tij për hiç më pak se katër dekada; ai i cili në kohën e terrorit serb, ka qenë në situatë për t’i lënë edhe kockat në vendin e punës, në këtë Universitet.

Është e qartë se qëllimi kryesor i mosvotimit tim ishte pamundësimi i paraqitjes së kandidaturës time për dekan. Për veten time kjo do të thotë pamundësim i ofrimit të një vizioni, të një shembulli të mirë të përkushtimit ndaj punës, ndaj studentëve dhe stafit akademik, ndaj Fakultetit Filozofik i cili prej themelimit të tij sivjet i mbush 60 vjet. Kjo do të thotë humbje e një rasti për ndryshim, për zhvillim të Fakultetit, për integrimin e tij të brendshëm dhe të jashtëm. Kjo do të thotë humbje e rastit për përmirësimin e cilësisë së studimit, debatit, hulumtimit dhe shërbimit për shoqërinë dhe komunitetin. Për më tepër, kjo për mua do të thotë humbje e rastit për çlirimin e mendjes dhe punës akademike dhe intelektuale prej robërisë shumëvjeçare nga strukturat dogmatike dhe injorante, nga konjukturat ndërpartiake, grupet e interesave meskine, autoritetet e rrejshme dhe pseudointelektualët profiterë.

Atyre që më mbështetën u falënderohem përzemërsisht. Nderi i tyre do të më përcjellë tërë jetën. Me ta, edhe humbja më bën nder. Atyre që nuk më mbështetën, po ashtu u falënderohem, sepse mendimi ndryshe është vlerë. Ata që më mashtruan duke u shtirë si përkrahës, e në fund u tretën, ata qofshin të tretur dhe të mashtruar vetë! Ata që më luftuan me çdo mjet dhe me çdo kusht, ata kurrë mos dalshin nga kurthi i ndërgjegjes së vrarë! Ata janë fatkeqësi për Universitetin dhe brezat që do të vijnë. Qëllimi i tyre nuk është zhvillimi i Universitetit, por dobësimi i tij, brishtësia dhe rënia përtokë deri në nivelin e një kolegji privat, i cili prodhon diploma ekspres.

Në fund, çka përjetova dhe çka mësova prej krejt kësaj? Pashë me sytë e mi mjerimin akademik dhe intelektual ndër ne! A ka mjerim më të madh sesa profesorët e shkencave sociale dhe humaniste, ata të cilët janë të thirrur për vlera humane dhe intelektuale, të mos jenë sovranë të votës së vet? A ka mjerim më të madh intelektual e human sesa kur profesori universitar pret nga bosi për t’i treguar se kë duhet ta votojë? Si mund të ligjërojnë këta profesorë për votën e lirë, për demokracinë, lirinë, të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit, institucionet dhe shtetin, pastaj për mendjen, vullnetin, karakterin dhe personalitetin njerëzor, për etikën dhe integritetin, kur me sjelljen e vet e dëshmojnë të kundërtën e të gjitha këtyre? Shkurt, e pashë me sy se intelektuali është i zënë peng jo vetëm nga veset e këqija, por edhe nga konjukturat e mbivendosura që e ngufasin mendimin e lirë, vullnetin e lirë, votën e lirë. E pashë se nuk mund të kultivojnë dhe promovojnë vlera akademike e demokratike ata të cilët akademizmin e kanë maskë mashtruese. E pashë varshmërinë e tmerrshme të personelit akademik nga “personeli politik”. E pashë varshmërinë e tmerrshme brenda vetë hierarkisë së titujve në Universitet. E pashë lakminë e sëmurë, materialitetin brutal, hipokrizinë, shtirjen, intrigat e ulëta dhe shpirtin vasal të profesorit universitar. Mos m’raftë me i pa më!

Shpresoj se 2 Korriku i ardhshëm të na sjellë fat. Tashmë duke lënë anash mbresën e hidhur nga ky i fundit, mezi po pres t’u kthehem pasioneve të mia: kulturës, kujtesës, natyrës dhe trashëgimisë, pasione këto të cilat tashmë janë çliruar nga ankthi se isha duke i tradhtuar duke synuar të bëhem dekan. Mezi po pres t’i kthehem edhe artit, kësaj dashurie të moçme që kurrë s’e kam harruar; t’u kthehem shkrimeve, hulumtimeve, analizave, interpretimeve dhe publikimit të të dhënave që i kam mbledhur me vite.

Për studentët, asistentët dhe profesorët e ri, kam një mesazh: bëhuni vetja juaj, sepse pushteti mbi vetveten qëndron mbi çdo lloj pushteti.

Krejt në fund, atyre pak të zgjedhurve me votë të ndershme, i përgëzoj për zgjedhjen dhe u dëshiroj punë të mbarë dhe suksese!

Prishtinë, 4 korrik 2020.

Autori Shemsi Krasniqi është profesor i Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës