Sikur që NATO-ja ndryshoi në 22 vjetët që kur nisi misionin në Kosovë, ashtu do të ndryshojë dhe tash e tutje. Sepse edhe sfidat e reja të sigurisë kërkojnë ndryshime. Kush do ta kishte ditur para 22 vjetësh se një prej sfidave kryesore të sigurisë do të jenë sulmet kibernetike dhe se edhe NATO-ja, si organizatë ushtarake do të merret me ndryshimet klimatike
Një lehtësim i madh ndihet në NATO kur në Samitin e shefave të shteteve anëtare vjen Josep Biden, presidenti i ri amerikan, i cili synon forcimin e Aleancës me shtetet evropiane. NATO-ja ishte në ankth gjatë katër vjetëve, sa në Shtëpinë e Bardhë ishte Donald Trump. Kur ai e vizitonte Brukselin (qytet të cilin e quajti si “shpellë ferri”) të gjithë ishin në pritje se çfarë do të thoshte dhe si do të vepronte. Ai nuk ishte i parashikueshëm. Herë fliste se “NATO-ja është vjetruar” e herë se “Aleanca është e fortë”, por kërkonte që “anëtarët e tjerë të paguajnë më shumë e jo të presin që amerikanët t’u dalin në mbrojtje”.
Sikur edhe çështjet e tjera në botën e Trumpit, edhe NATO-ja kuptohej si një organizatë ku “të tjerët përfitojnë nga Amerika dhe e keqpërdorin Amerikën”. Në planet e tij “Amerika së pari” shpesh përfshihej edhe mosangazhimi ushtarak amerikan nëpër botë, kthimi i ushtarëve në Amerikë. Por përkundër të gjitha sfidave, NATO-ja mbijetoi edhe mandatin e Trumpit pa u shquar me ndonjë veprim konkret.
Tash në Samitin e parë në të cilin në cilësinë e presidentit merr pjesë Josep Biden, situata është krejtësisht tjetër. Biden jo vetëm se nuk e vë në dyshim ekzistimin e NATO-s dhe gatishmërinë e Amerikës që t’u dalë në ndihmë aleatëve kur të ketë nevojë, por dëshiron, po ashtu, që kjo Aleancë edhe të forcohet. Të reformohet për t’u përballur me sfidat e reja në botë. E në të njëjtën kohë të forcojë edhe bashkëpunimin dhe koordinimin me Bashkimin Evropian, i cili në mënyrë paralele forcon edhe identitetin e vet të mbrojtjes dhe sigurisë. Për Bidenin dhe administratën e tij, nuk ka dyshim se fati i Evropës dhe i Amerikës është i ndërlidhur dhe, pa marrë parasysh sa është i fortë cili vend anëtar, së bashku janë të gjithë më të fortë dhe do ta kenë më lehtë të përballen me sfidat e botës moderne.
Në periudhën e Trumpit, kur duhej të sigurohej që të mos vihej në rrezik ekzistimi i NATO-s, nuk ishte e mundur për aleatët që të ndërmerrnin ndonjë nismë ambicioze të reformës. Tash NATO-ja hyn në përgatitjen e strategjisë për vitin 2030, për përballje me sfidat e reja dhe realitetin e ri në botë.
Para pikërisht 22 vjetësh NATO-ja hyri në Kosovë, pasi ajo u çlirua, dhe nisi operacionin paqeruajtës të KFOR-it. Atëherë NATO-ja përmes Kosovës edhe kishte gjetur një arsye të ekzistimit në kohën kur kishte thirrje që ajo të shuhej, pasi “kishte përfunduar lufta e ftohtë”. Por vetë hyrja në Kosovë ishte një vërejtje se sa të pasigurta janë rrethanat. Ndonëse në Prishtinë si ditë e çlirimit festohet 11 qershori, NATO-ja në kryeqytetin e Kosovës kishte hyrë vetëm në mbrëmjen e 12 qershorit 1999 dhe atë me një numër shumë të kufizuar të ushtarëve. Në Prishtinë kishin hyrë më 11 qershor forcat ushtarake ruse që kishin ardhur nga misioni i SFOR-it nga Bosnjë-Hercegovina. Dhe ishin pritur me eufori nga popullata serbe që kishte mbetur në Prishtinë e që besonte se Rusia hyri para NATO-s dhe ashtu do të mbetet. Ka shumë tregime për atë ngjarje. Ka mundur edhe të nisë ndonjë konflikt serioz, sepse gjenerali Wesley Clark, atëherë komandant i forcave të NATO-s për Evropë, kishte kërkuar që KFOR-i ta merrte me forcë kontrollin e Aeroportit të Prishtinës, ku ishin vendosur forcat ruse. Komandanti i parë i KFOR-it Michael Jackson, kishte refuzuar. Citohet të ketë thënë madje se “nuk dëshiron të nisë luftën e tretë botërore”. Gjithçka përfundoi mirë dhe forcat ruse u vunë në shërbim të misionit të KFOR-it nën komandën e NATO-s.
Për një kohë pati raporte të mira mes NATO-s dhe Rusisë. Partneritet dhe bashkëpunim edhe përmes një këshilli të përbashkët NATO-Rusi. Por tash gjithçka ka ndryshuar. NATO-ja më nuk e sheh Rusinë si partnere, por agresivitetin e saj, sikur edhe të Kinës, Aleanca e sheh si kërcënim të sigurisë. Pikërisht për këtë NATO-ja ka forcuar praninë në vendet baltike dhe në Poloni.
Sikur që NATO-ja ndryshoi në 22 vjetët që kur nisi misionin në Kosovë, ashtu do të ndryshojë dhe tash e tutje. Sepse edhe sfidat e reja të sigurisë kërkojnë ndryshime. Kush do ta kishte ditur para 22 vjetësh se një prej sfidave kryesore të sigurisë do të jenë sulmet kibernetike dhe se edhe NATO-ja, si organizatë ushtarake, do të merret me ndryshimet klimatike.
Krejt këto është më lehtë tash të bëhen kur në Shtëpinë e Bardhë është një administratë e arsyeshme. Por edhe aleatët evropianë duhet ta dinë se ekziston një gjë rreth së cilës kjo administratë, sikurse dhe shumë para saj, pajtohen me Trumpin. E kjo është se aleatët evropianë vërtet duhet të ndajnë më shumë nga buxheti i tyre për mbrojtje në mënyrë që të zvogëlohet hendeku mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve evropianë. Edhe pse, siç pohoi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në vitet e fundit buxheti për mbrojtje në të gjitha 30 vendet anëtare të NATO-s është rritur për 260 miliardë dollarë, ka shumë shtete të cilat nuk e respektojnë cakun e vendosur nga NATO-ja për të investuar së paku 2 për qind të bruto prodhimit vendor për mbrojtje.