Historia më e re politike në Kosovë veçse ka treguar shembuj kur parti të caktuara kanë manipuluar me tema populiste, duke e përdorur si mjet varfërinë e një pjesë të kosovarëve për ta ngritur dhe ulur flamurin e nacionalizmit në funksion të betejave të politikës ditore. E kësaj mendësie të re të kryengritësve politikë të Kosovës i është bashkuar edhe LDK-ja, partia më e madhe opozitare, e cila mburret vazhdimisht për karakterin shtetformues të saj
Mediat botërore këto ditë kanë vërshuar me artikuj në të cilët flitet për një gjeneratë të re politikanësh të rinj në Evropë që kanë zgjedhur rrugën më të lehtë për të ardhur në pushtet – populizmin. Befasia e këndshme e këtyre artikujve, pos analizës interesante për Evropën që po përballet për herë të parë me një recesion politik pas atij ekonomik në vitin 2008, është emërtimi me të cilin po thirret kjo armatë e re politikanësh – kryengritës politikë.
Ky lloj grupimi që nuk është vetëm ideologjik, luan thjesht dhe mirë me ndjenjat e më të varfërve duke u premtuar mrekulli ekonomike. Prezanton zëshëm qëndrime kundër establishmentit, ndaj elitave të tyre kombëtare apo kundrejt Bashkimit Evropian. Mbi të gjitha, turren në thirrje raciste kundër emigrantëve. Kur të kenë mbaruar me këto tema, kjo kastë e kryengritësve politikë do t`i sulen gradualisht tjetërsimit të demokracisë, kufizimit të lirisë së shtypit dhe sulmit të krijesës politike më në modë për një gjë të tillë – Bashkimit Evropian.
Me këtë trend që ka hyrë Evropa në vitet e fundit, ka një frikë të madhe brenda demokracive liberale perëndimore se zgjedhjet e ardhshme për institucionet e BE-së do të prodhojnë më shumë parti të vogla të ekstremit të djathtë, anarkiste e populiste.
A ka arsye për frikë në Kosovë?! Padyshim që po. Ja disa prej skenarëve të rrezikshëm me të cilët Kosova mund të përballet në gjysmën e vitit 2019.
Skenari i parë është pamundësia e elitës politike në Kosovë, qeveri- opozitë, për të ndërtuar një politikë nacionale konsensuale për disa tema shtetërore, siç është dialogu Kosovë-Serbi. Nëse hyjmë në muajt e ardhshëm pa e pasur të qartë platformën dialoguese dhe strukturën udhëheqëse, atëherë i rrezikojmë marrëdhëniet kontraktuale me BE-në, ndaj rrjedhimisht me shumë gjasa mund të përfundojmë vitin tjetër edhe me të izoluar e fajësuar nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Me shumë të drejtë, Kosova do të cilësohej si një vend që nuk është i interesuar t`i përmbyllë armiqësitë shekullore historike me Serbinë, që nuk ka vullnet për të marrë përgjegjësi ndërkombëtare dhe si ‘fajtori kujdestar’, i cili po e pengon Serbinë të ecë drejt anëtarësimit në BE. Fakti që Serbisë i është vënë kusht normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën nëpërmjet një marrëveshjeje të obligueshme ligjore do të mundë të kishte një interpretim inverziv nga burokratët e rinj në Bruksel, në stilin: ‘Serbia nuk mund ta pretë në pafundësi Kosovën për të dialoguar në mënyrë që të lëvizë në agjendën evropiane”.
Skenari i dytë ka të bëjë me një nxitim të theksuar brenda strukturave udhëheqëse në BE për ta përfunduar brenda një viti marrëveshjen finale Kosovë-Serbi për shkak të zgjedhjeve të brendshme për institucionet e BE-së që mbahen më 2019. Këtë proces duan ta ndërlidhin me emra konkretë dhe mandatet e tyre, meqë në të kundërtën askush nuk e di si do të gdhihet BE-ja pas zgjedhjeve të brendshme. Me shumë gjasa do të ketë rritje të përqindjes së partive politike që janë kundër zgjerimit të BE-së, madje kundër vetë projektit të BE-së si të tillë. Kjo frikë brenda Evropës është plotësisht e kuptueshme dhe shembulli më i mirë i saj u manifestua këto ditë në Gjermani, ku kancelarja Angela Merkel e tejkaloi një krizë brenda koalicionit qeverisës, duke u detyruar të arrijë një marrëveshje me aleatët e saj bavarezë, për të kufizuar hyrjen e emigrantëve përmes kufirit me Austrinë. Polonia sërish po e sfidon BE-në përmes një ligji të ri që u kërkon një të tretës së gjyqtarëve të Gjykatës Supreme të pensionohen. BE-ja po ankohet se ka një përpjekje për ta kontrolluar gjyqësinë dhe për t`i minuar standardet e demokracisë. Vetëm imagjinojeni për një moment çfarë përkrahje mund të kishte Kosova një vit më vonë, nëse ky trend politik çoroditës në Evropë të vazhdojë me këtë ritëm.
Skenari i tretë, madje më i rrezikshmi, është përpjekja për t`i imituar dhe projektuar lëvizjet populiste brenda Kosovës. Historia më e re politike në Kosovë veçse ka treguar shembuj kur parti të caktuara kanë manipuluar me tema populiste, duke e përdorur si mjet varfërinë e një pjesë të kosovarëve për ta ngritur dhe ulur flamurin e nacionalizmit në funksion të betejave të politikës ditore. E kësaj mendësie të re të kryengritësve politikë të Kosovës i është bashkuar edhe LDK-ja, partia më e madhe opozitare, e cila mburret vazhdimisht për karakterin shtetformues të saj.
Logjikën e veprimit politik populist, ky subjekt po e shfaq me kundërshtimin e dialogut me Serbinë, jo shkaku i përmbajtjes, por formës.
Këta institucionalistë të paketuar si populistë po e përdorin një formulë të tillë, sa për të ardhur më shpejt në pushtet. Kjo, ngase e kanë nuhatur terrenin më të favorshëm për të bërë karrierë, dhe eventualisht për të ardhur në pushtet duke i fryrë dështimit eventual të dialogut për t`u zbrazur pastaj me kundërakuza apo fushata linçuese, dhe duke shitur moral politik se si nuk mund të normalizohen kurrë marrëdhëniet me Serbinë, se si disa parti politike e kanë shitur qëmoti Kosovën dhe se si ndërkombëtarët janë këtu për ta ndihmuar Serbinë, por jo Kosovën! Ky diskurs populist, fatkeqësisht është dominues këto ditë.
Prandaj, në vend të tre skenarëve aspak të favorshëm, nëse politika në Kosovë i lë anash vetëm për pak ambiciet ditore politike, mund të prodhonte tre apo më shumë skenarë pozitivë. Fillimisht të gjendet gjuha e përbashkët për ta udhëhequr dhe përmbyllur dialogun me Serbinë në të mirë të Kosovës, të nisë transformimi i FSK-së në ushtri të Kosovës, të arrihet pajtueshmëria për reformën zgjedhore, si parakushte për agjendën e përbashkët evropiane, e cila fillon me liberalizimin e vizave këtë vit.
Nuk mund të kundërshtohet në pafundësi me logjikën populiste. Nëse shtetet demokratike të Evropës me një traditë qindravjeçare politike, e kanë luksin të bëjnë eksperimente të tilla, edhe populiste. Kosova s`e ka njërën për t`i hyrë një aventure të tillë. Edhe ashtu boll kryengritës ka përjetuar kjo shoqëri në këto njëzet vjet!
(Autori është këshilltar i lartë i zëvendëskryeministrit Enver Hoxhaj. Opinionet e shprehura janë personale dhe nuk reflektojnë domosdo qëndrimin e institucionit ku punon)