OpEd

Krenare

Përderisa të vazhdojë të jetë prodhuesja më e madhe e lajmeve, të cilat në formë sistematike vidhen nga të gjitha mediumet e tjera të shtypura dhe elektronike këtu dhe jashtë - KOHA Ditore do të vazhdojë të jetë më e madhja. Dhe për aq sa do të vazhdojmë të paditemi, e të mos e humbim asnjë kontest gjyqësor, do të dimë se jemi duke ecur shtegut të duhur. Se po u përmbahemi parimeve tona për ta thënë të vërtetën. Ani që kjo mund t’i dhembë dikujt

Kremten e njëzetvjetorit të gazetës e kishim paramenduar si një ngjarje të pazakontë. Si një shënim të një jubileu të madh, me një grup të madh talentesh të lindur e të formuar në Kosovë dhe me një sërë veprash të shquara klasike. Donim t’i shënonim dy dekadat e mediumit, që prej fillimit u bë themel i gazetarisë së pavarur këtu. Mediumit që, sikurse edhe vera, me kalimin e kohës bëhet më i mirë, dhe më i veçantë. Klasik. Dhe, nuk është jomodestia ajo që më shtyn ta them këtë. Është krenaria. Është mburrja e motrës me vëllanë dhe e botueses me të gjithë ekipin që e bën gazetën.

* * *

Kur e kthej kujtesën në fëmijëri, e kuptoj se fillet e KOHËS Ditore do t’i gjej në një fotografi të Vetonit dyvjeçar, teksa i shfleton me gishtërinjtë e njomë e të trashë librat arkivorë të Zānit të Rinis’. Thuajse ajo foto bardhezi e pasqyron çastin kur e kishte bërë zgjedhjen se çka do të bëhej kur do të rritej: gazetar dhe botues. Sepse ajo fotografi, më mirë se cilado tjetër, ia reflekton shprehjen përherë serioze të fytyrës dhe sytë vezullues plot kërshëri.

Prej asaj fotografie e deri te dita kur vendosi të bëhej gazetar, kishin kaluar rrafsh njëzet vjet. E poqi zanatin në “Rilindjen” historike, të vetmen që dikur na e kishte mësuar shprehinë e leximit të një ditoreje shqip. Nga ajo u nda kur Serbia ia imponoi terrin informativ Kosovës, që e shihte tek-tuk ndonjë dritë me ndonjë gazetë të improvizuar që nuk mund t’i ikte inercisë nga e kaluara. Si kalorës i vetëm, i gatshëm të ballafaqohet me stuhi të çfarëdollojshme, e nisi një revistë javore dhe e quajti KOHA, me dëshirën më të madhe që t’i ngjasonte TIME-it amerikan, për ndikimin që do të mundë ta kishte në krijimin e opinionit publik.

Nuk u dorëzua as kur ia bënë të pamundur të vazhdonte me të. E rinisi atëherë kur tashmë ishte betonuar mendësia politike e konferencave të përjavshme të së premteve – aty ku nuk ekzistonte e vërtetë tjetër pos asaj që thuhej aty. Kurse e vërteta e realitetit që jetohej nuk ishte ngjyrë rozë. Ajo po shkonte përherë e më shumë nga e zeza.

Dhe mbase në këto çaste do të ketë vepruar instinkti i pasqyruar në fotografinë e lartpërmendur. Sepse harrova t’jua them, një pjesë e arkivit të librave të Zānit në fund mbetën pa një pjesë të përmbajtjes — sepse Vetoni mjeshtërisht ia kishte dalë t’i shqyente jo pak fleta.

Vendimi për ta nisur një gazetë ditore në kohën kur Kosovës po i kanosej lufta ishte figurativisht, shqyerja e të gjitha atyre faqeve që nuk kishin kuptim tjetër pos amortizimit të së vërtetës. E atëbotë Kosova, më shumë se kurrë, kishte nevojë ta kuptonte të vërtetën.

Punoi gjashtë muaj për të krijuar një bërthamë gazetarësh, me të cilët do të niste një projekt, të cilin jo pak veta e kishin përqeshur dhe i kishin parashikuar jetë të shkurtër. Ishin vajza e djem të papërvojë, por jashtëzakonisht të zgjuar dhe të dijshëm për moshën që kishin. Por, mbi të gjitha, ishin të rinj që nuk e njihnin ndjenjën e frikës, sepse ajo u ishte bërë pjesë e jetës së jetuar nën represion e aparteid. Dhe që për udhëheqës kishin dikë që nuk mund ta quanin as axha Veton, sepse edhe ky ishte vetëm 35 vjeç atëherë.

Vendosi ta nxirrte numrin e parë më 31 mars, vetëm që t’i shmangej ditës së rrenave. KOHA Ditore do të ishte gazeta e së vërtetës, sado e mundimshme që dëshmohej përgatitja e vetëm 16 faqeve gazetë gjashtë herë në javë. Së bashku me ekipin fillestar, do ta kalonte gjithë muajin e parë duke qëndruar mbi 20 orë në punë. Dhe kështu deri në çastin kur gazeta mori hovin, të cilin nuk e lëshon edhe tash pas 20 vjetësh.

Për një ndërmarrje të këtillë janë dashur mend, entuziazëm, vizion dhe guxim. Është dashur një ekip të rinjsh që e kanë përqafuar idenë dhe kanë pasur besim se ky do të jetë projekti më afatgjatë në gazetarinë e Kosovës. Se do të jetë më i dalluari nga të gjithë të tjerët, sepse e cilësojnë shpirti rinor, pavarësia dhe profesionalizmi.

Dhe sot, nuk do të ishim mbledhur këtu po të mos ishte Vetoni.

Prandaj Veton, sot këtu dhe para kësaj audience të nderuar, dua të të them se të gjithë ne që jemi pjesë e shtëpisë mediale që e nise me një projekt sa të vogël, aq edhe vigan, ndihemi të privilegjuar që mund ta çojmë tutje vizionin tënd. Ndihemi krenarë që pavarësia në të cilën aq shumë besove, arriti të krijojë kaq shumë ndikim në shoqërinë e Kosovës. Aq sa nuk janë të rrallë ata që do të përsërisin dita më ditë: “Nuk e dimë se çka do të ishte bërë me ne, po të mos ishte KOHA Ditore”.

Pavarësisht që e dimë që nuk ka vend për vetëkënaqësi, prapëseprapë fjalë të këtilla përkrahjeje e bëjnë luftën tonë për lirinë e shprehjes edhe më të vendosur.

Kështu pra, përshkrimin e emocioneve do të mund ta vazhdoja gjatë e më gjatë. Megjithatë, të gjithën do ta përmbledh me një fjalë të vetme: Faleminderit!

* * *

Ka më shumë se 12 vjet që Vetoni nuk është më as në krye të kompanisë e as të gazetës. Porse themelet që i ka vendosur janë aq të forta, saqë edhe kritikuesit më të mëdhenj të KOHË-s e pranojnë këtë si fakt të pamohueshëm.

E se gazetaria në Kosovë mund të bëhet plotësisht e pavarur nga çfarëdo ndikimi, presioni, shantazhi a kërcënimi – këtë e ka dëshmuar KOHA Ditore. Sepse atë Vetoni e ka nisur për së mbari, duke lënë pas një grup njerëzish që e përjetojnë gazetarinë profesionale me shumë pasion dhe përgjegjësi.

Kjo e bëri ardhjen time të paplanifikuar në krye të kompanisë më të lehtë, me gjithë sfidat dhe befasitë që do të më prisnin me të mbërritur aty. Që në javën e parë e kuptova se nën çfarë trysnie punonte i gjithë ekipi – merrja telefonata nga më të ndryshmet, për ta ndalur botimin e këtij apo atij teksti, nën kërcënimin e padive dhe të tërheqjes së shpalljeve dhe të reklamave. Por atë që bashkëbiseduesit e mi të paftuar nuk e dinin, ishte se përm bajtja e gazetës varet ekskluzivisht nga redaksia, dhe se kot ma humbnin kohën duke më udhëzuar si ta bëja punën time.

Me t’u bërë botuese e gazetës, ekipi tashmë kishte krijuar përvojë dhjetëvjeçare të punës në kushtet më të rënda të mundshme. Kur nisi gazeta, represioni ndaj shqiptarëve kishte mbërritur kulmin, dhe punohej gjithmonë nën kërcënimin e mbylljes së dhunshme të saj. Pa u mbushur viti, gazetarët e rinj u përballën me raportimin nga lufta. Fëmijët e rritur në qytet e mësuan gjithë gjeografinë e fshatrave të Kosovës duke sjellë informata nga dora e parë për atë që po ndodhte. Me të nisur bombardimi, shumica e ekipit u dëbua në Maqedoni – dhe aty, në një ëmbëltore, e rinisi gazetën – për t’u dhënë shpresë refugjatëve të ngujuar nëpër kampe.

Pas luftës, pjesa më e madhe u bashkua në Prishtinë për të vazhduar me misionin e vet. Çlirimi kishte sjellë një situatë të re, të panjohur për të gjithë. Kishte sjellë edhe korrupsionin, edhe krimin, edhe keqmenaxhimin – që të gjitha brumë më se i ardhur për zhvillimin e gazetarisë hulumtuese. Gazetari të cilën KOHA Ditore e ka zhvilluar dhe perfeksionuar me efekte mbresëlënëse.

Me të ardhur në krye të gazetës, Kosova tashmë e kishte zgjedhur Qeverinë e vet të dytë, që u tregua edhe më kaotike sesa e para. Aq, sa nuk kalonte asnjë ditë e vetme pa shpërthyer ndonjë skandal që do të përfundonte gjithherë në ballinën e KOHË-s.

Në heshtje përcillja se çka po ndodhte në redaksi. Gjithçka do të niste me një mbledhje telegrafike dhe me daljen e zhurmshme dhe të menjëhershme të gazetarëve për t’i ndjekur temat që i kishin zbuluar e propozuar për realizim. Nga mesdita do të shpërthente gazi i papërmbajtur i të gjithëve në bufenë e vogël të mbushur tym, kurse pasdite do të dëgjohej ritmi i pandërprerë i tastierave në kërkim të zënies së afatit për dorëzimin e shkrimit. Nata do të përfundonte me vizatimin e formave të thyerjes grafike dhe me dorëzimin në shtyp. Mëngjesi i ardhshëm do të agonte me numrin e ri të gazetës, nën përkujdesjen e ekipit të palodhshëm të shtypshkronjës dhe të djemve të shpërndarjes.

Nga ajo kohë, ritmi nuk ka ndryshuar. Ka ndryshuar përbërja – disa kanë shkuar, disa të tjerë kanë ardhur. Porse gazeta ka mbetur po ajo që ka qenë nga fillimi: burimi më i besueshëm i informatës që mund të gjendet në Kosovë. Sepse në këtë shtëpi kultivohet gazetaria e mirëfilltë profesionale, dhe tashmë ka shumë kohë prejse është shndërruar në shkollën më të mirë të gazetarisë në Kosovë.

Dhe, përderisa të vazhdojë të jetë prodhuesja më e madhe e lajmeve, të cilat në formë sistematike vidhen nga të gjitha mediumet e tjera të shtypura dhe elektronike këtu dhe jashtë – KOHA Ditore do të vazhdojë të jetë më e madhja.

Dhe për aq sa do të vazhdojmë të paditemi, e të mos e humbim asnjë kontest gjyqësor, do të dimë se jemi duke ecur shtegut të duhur. Se po u përmbahemi parimeve tona për ta thënë të vërtetën. Ani që kjo mund t’i dhembë dikujt.

Të jesh botuese e një gazete me një ekip kaq profesional, kaq të përkushtuar, të pakompromis, të patrembur dhe të pashantazhueshëm, të mbush me krenari. Të bën të vazhdosh luftën kundër së keqes me më shumë vullnet, e edhe me më shumë shpresë që ky vend do të bëhet më i mirë në një të afërme jo të largët.

Vitet do të vijnë e shkojnë, njësoj si njerëzit. Por KOHA Ditore do të vazhdojë të jetë kjo që është. Themeli dhe shembulli më i mirë i gazetarisë së pavarur ndër shqiptarë.

Urime ditëlindja!

(Fjala e mbajtur me rastin e kremtimit të 20-vjetorit të KOHËS Ditore, me koncertin Sopranot)

[email protected]