Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
OpEd

Kosovës i duhen zgjedhjet

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit shkatërroi diplomacinë e motivuar politikisht të muajve të kaluar

Zgjidhja ishte rregulluar. Thaçi dhe Isa Mustafa ishin marrë vesh ta zaptonin politikën në Kosovë, ta dëbonin Albin Kurti nga pozita që e kishte fituar me zgjedhjet e fundit dhe të arrinin me Beogradin një marrëveshje të tmerrshme për Kosovën, por të rëndësishme për ambiciet e tyre politike. Thaçi dhe Avdullah Hoti, kryeministri i përulur i përzgjedhur nga shefat politikë, do të lejonin një të dërguar agresiv amerikan ta orkestronte një rezultat, që kishte më shumë të bënte me politikën në SHBA, sesa me interesat e kosovarëve të gatshëm ta luanin rolin e klientëve të Washingtonit. Rezultati do t’u bashkëngjitej Marrëveshjes së Daytonit dhe Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit si triumfe të diplomacisë serbe.

E pastaj, gjykata ndërkombëtare e krijuar për hetimin e krimeve të pretenduara të luftës nga ish-ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës vendosi që ta thërrasë Thaçin, para se ai ta zhvillonte edhe një bisedë kundërthënëse me mikun e tij, Aleksandar Vuçiqin. Ky veprim ishte disi logjik. Të gjitha palët në takimin e thirrur në Washington më 27 qershor po vepronin sipas interesave të tyre. Përse Gjykata duhej ta humbiste mundësinë që t’u përgjigjej kritikave se ajo – ngjashëm si Tribunali ndërkombëtar për krimet e luftës në ish-Jugosllavi – ishte e përfshirë në masë të madhe në koreografinë që të merr kohë dhe që është e sigurt se do të rezultojë në një performansë të dobët?

Heshtja nga Prishtina, Beogradi dhe Washingtoni të bëjnë të mendosh se Gjykata veproi mirë. Askush nuk do të sulmonte pacenueshmërinë e asaj që përbën proces ligjor. Madje edhe një administratë amerikane që ka qenë, pak a shumë, skeptike rreth aktiviteteve politike, diplomatike, tregtare dhe ligjore që nuk ndërmerren nga Amerika nuk pa arsye që të reagojë rreth një ngjarjeje me pak rëndësi për politikën e brendshme amerikane. Edhe Vuçiqi nuk kishte nevojë fare për një takim të tillë. Ai mund ta rrokte vëmendjen në mundësitë që i ofroheshin në Moskë dhe Bruksel.

Dhe, udhëheqësia e shkapërderdhur kosovare mbeti në qorrsokak. Përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje me Vuçiqin ishin pjesë e një përpjekjeje të përgjithshme të Thaçit që të mbetet me ndikim në politikën në Kosovë edhe pas fundit të mandatit të tij si president. Nga ana tjetër, Mustafa do t’i mund t’i afrohej Thaçit si njeri që zgjidh probleme politike dhe do ta përdorte atë nam për t’u bërë edhe më me ndikim, pas largimit të Thaçit. Në Kosovë, si edhe në shumë shtete tjera, institucionet e tilla si kushtetutat, partitë politike dhe parlamentet kanë më pak rëndësi sesa performansat personale dhe reputacioni i figurave të caktuara politike. Një marrëveshje me Serbinë, nën bekimin e amerikanëve, do ta linte anash aritmetikën parlamentare që e kishte sjellë qeverinë e harrueshme Hoti.

Vendimi i Hotit për të mos shkuar në Washington më 27 qershor – me gjithë pretendimin fillestar të SHBA-së se ai do të shkonte – ishte lehtë i parashikueshëm. Ai assesi nuk do të mund ta gjente veten në një “lojë të mëdhenjsh”, pa mbikëqyrje.

Kosova i “shpëtoi fishekut”. Vuçiqi e kishte bërë të qartë se nuk do ta njihte Kosovën – dhe palët tjera as që u munduan ta bindnin. Një marrëveshje e mundshme, me ç’rast Kosova do t’i hiqte tarifat e Ramush Haradinajt në shkëmbim me pëlqimin e Beogradit për pezullimin e fushatës së çnjohjeve të Kosovës nuk do të zgjidhte kontestin rreth sovranitetit të cunguar të Kosovës. Edhe po ta fuste Serbia në kombinim tërheqjen e kundërshtimit të saj për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, marrëveshja do të vazhdonte të ishte e keqe për Prishtinën.

Madje edhe një ulëse në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së do ta ndihmonte Kosovën po aq sa i ndihmoi Tajvanit anëtarësimi në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, që nuk arriti kurrë ta heqë statusin si pjesë e Kinës.

Vëmendja e Kosovës duhet të kthehet brenda tani. Thaçi mbetet president, por telashet ligjore të tija s’do të jenë të njëjta me gjykimet e shumëfishta të Haradinajt, nën akuza për krime lufte. Ndonëse shqiptarët në Kosovë dhe përtej i janë vënë në krah dhe në mbrojtjen e ish-luftëtarëve të UÇK-së të marrë në cak nga Specialja, Thaçi ka pak gjasa ta ndalë rënien e tij politike. Të rinjtë duan ta zëvendësojnë gjeneratën e luftës në të tijën dhe në rrjetet tjera të patronazhit në vend/ partitë politike.

Me gjithë dëbimin e qeverisë së tij, Kurti dhe Vetvendosje e kanë shumicën e përkrahjes popullore. Gjatë mandatit të shkurtër si kryeministër, Kurti pati fokusin e duhur mbi sovranitetin e Kosovës. Ai dëshmoi se kishte më shumë gjasa sesa kundërshtarët e tij politikë që t’i shmangej gabimit të pranimit të një marrëveshjeje të shpejt, të orkestruar nga Washingtoni apo ta pranonte kërkesën e BE-së që Kosova të nënshtrohej përballë insistimit për “normalizim” që do ta shtynte si çështjen e sovranitetit, ashtu edhe premtimin bosh se Kosova një ditë mund t’i bashkohet “Evropës”.

Mustafa do të tentojë që Hotin ta mbajë në pushtet përderisa ta përcaktojë hapin e radhës. Një marrëveshje me Haradinajn është e mundur, nëse ata dytë mund të vendosin se si do të përfitojnë, njëjtë si kishte ndodhur edhe në rastin e Thaçit dhe Mustafës. Gjëja e parë që do të duhej të bënin është cenimi i Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes.

Një gjë e tillë nuk duhet të lejohet të ndodhë. Kurti ka kërkuar zgjedhje të reja para se Hoti të vinte në pushtet dhe ka të drejtë t’i kërkojë ato tani pas aktakuzës ndaj Thaçit. Prova e fundit e demokracisë në Kosovë e vuri Kurtin dhe partinë e tij në krye dhe zgjedhjet e reja duhet të vendosin nëse ai duhet të kthehet atje. Nëse është ashtu, atëherë ai do të bëhet sërish kryeministër. Nëse jo, atëherë Kosova do ta shohë se në cilin drejtim duan ta shohin qytetarët e saj – e jo vetëm disa shefa politikë.

(Autori është profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Johns Hopkins dhe ish-analist i inteligjencës për Agjencinë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA). Komenti është publikuar në “TransConflict”)

Artikuj të ngjashëm