Në orët e hershme të mbrëmjes, para se të perëndonte dielli, isha duke ecur rrugëve të qendrës së Brukselit. Ndalova në sheshin “Grand Place”, një prej shesheve më të bukura të botës dhe pa dyshim njëri prej më të frekuentuarve në botë në kushte normale. Ishte i boshatisur, pa asnjë njeri. Mungonte vetëm që në atë ditë me diell nga qielli të nisnin të binin bretkosa,për t’u kompletuar një pamje e një qyteti pas apokalipsit. Ishte i mbyllur lokali ku punon Beni, një prej shumë kosovarëve që me vite shërben në sheshin kryesor të këtij kryeqyteti. I mbyllur është edhe lokali i Vetonit aty afër. Po të mos ishte koronavirusi, ai pub i tij do ishte përplot, ndërsa ai vetë, si menaxher, do të ishte duke rezervuar tonelata birra për t’u furnizuar në prag të Kampionatit Evropian të Futbollit. Ngjarjet e tilla për atë pub janë tejet fitimprurëse, sepse me qindra njerëz mblidhen aty për të ndjekur ndeshjet në dhjetëra ekrane. Do të ishte përplot edhe për të parë finalen e Championsit. Pas Evropianit, do të ishin Lojërat OIimpike.
I mbyllur është edhe lokali i Kandit, Benit dhe Bukit, po ashtu sikur të gjitha lokalet në Bruksel. I mbyllur është edhe restoranti i Bakit. Kaloj pran hotelit “Metropol” dhe nuk shoh asnjërin prej diku rreth 20 shqiptarë që punojnë aty. Nuk punon më as Kujtimi që furnizon restorantet. Gati të gjithë shokët në një mënyrë kanë mbetur pa punë, apo punojnë nga shtëpia. Shumë punë kanë vetëm Dani dhe Arjani. Por kur ata kanë shumë punë, punët nuk janë mirë. Sepse ata punojnë në spital. E punëtorët në spital janë sot sikur luftëtarët në vijën e parë të frontit që na mbrojnë, dhe çdo mbrëmje në orën 20 dalim në dritare dhe duke duartrokitur i falënderojmë për punën që po bëjnë.
Nuk punon as qebaptorja “Drini” e as ajo “4 Sezona”. Edhe garazhi i Albanit dhe ai i Aliut janë mbyllur. I mbyllur është edhe Agimi. Sa më afër qendrës të jenë, aq më vështirë e kanë. Pamjet e rrugëve të boshatisura zgjojnë ndjenja frike.
Shumë kosovarë nuk janë duke punuar këto ditë në Bruksel. Njëlloj është edhe në Shtuttgart, Munih e Berlin. Sikur edhe në New York, Detroid, Melburn, Londër, Helsinki, Zurich e Gjenevë, Zagreb e Poreq. Shqetësimin e parë e kanë se si të mbrohen që të mos infektohen, apo nëse infektohen si të shërohen dhe t’i mbrojnë të tjerët. Pra, shëndetin. Por shqetësimi i dytë është e ardhmja e punëve të tyre. Dhe këtu shihet një shqetësim i madh. Pikërisht bizneset ku shumica e shqiptarëve të diasporës janë të punësuar, apo kanë biznese të veta, janë më të goditurat nga kriza e shkaktuar nga koronavirusi. Restorantet, hotelet, kafeteritë, agjencitë e udhëtimit, ndërtimtaria. Në kushte normale, në këtë kohë shumë prej tyre do të ishin duke kursyer pak më shumë se zakonisht për të rritur një buxhet kur të shkojnë në Kosovë gjatë verës. Do të ishin duke punuar edhe ekstra jashtë orarit të punës për këtë qëllim. Do të ishin duke bërë plane se a është më mirë të fluturojnë nga Duseldorfi i Gjermanisë për Prishtinë apo nga Eindhoven i Holandës për Shkup. A është më mirë të udhëtojnë me veturë përmes Kroacisë e Malit të Zi apo t’i bien nëpër Serbi, e le të bahet çka të bahet! Do të ishin duke shkëmbyer përvojat nga më të çuditshmet, përfshirë edhe ato se si t’i japin bakshish ndonjë polici nëpër vendet e Ballkanit për të mos humbur kohë, sepse rruga është e gjatë dhe “nuk ia vlen” t’iu mbash ligjërata morali atyre.
Asgjë në këtë moment nuk dihet. As a do të kenë punë pas një muaj, as a do të mund t’i shohin shokët që janë vetëm disa qindra metra larg, e lëre më a do të mund të shkojnë në Kosovë këtë verë. Sikur edhe e tërë bota, edhe diaspora e Kosovës është duke u mësuar se sa të vlefshme janë disa gjëra të vogla që i kemi marrë shpesh si të garantuara, siç janë një kafe apo birrë me shokët, një orë futbolli apo një vizitë për darkë. Ndjenjën e largësisë nga vendlindja e kanë zbutur duke takuar njëri- tjetrin në mërgim. E tash as atë mundësi nuk e kanë, prandaj e ndiejnë dy herë më rëndë këtë situatë.
Nuk e ka pasur lehtë diaspora as më parë, por punët, megjithatë, nuk i ka pasur keq. Nuk u ka pëlqyer asnjëherë kur nga familjarët në Kosovë apo nga shokët kanë dëgjuar në stilin e ankesave thënien “hajt se kollaj e kini ju atje jashtë. Çka me ba na këtu?”. Por gjithmonë kanë ndihmuar në çdo mënyrë. Dhe tash do të ndihmojnë, por nuk do të jetë njësoj. Sepse edhe diaspora është sot në nevojë. Nuk është sikur koha e luftës dhe e dhunës serbe kur Kosova ishte e okupuar dhe në luftë, por Evropa ishte e lirë dhe në lëvizje. Tash edhe Evropa është ndalur. Do të ndihet këtë vit mungesa e ardhjes së diasporës në Kosovë, apo e ardhjes në numër më të vogël në rastin më të mirë. Do të ndihet kjo në punën e restoranteve, në bakshishet për këngëtarë nëpër dasma, në mbushjen e benzinës nëpër pompa dhe gjithsesi edhe në buxhetin e shtetit.
Për vete do të gjenden disi. Nëse asgjë tjetër, do të marrin ndihma sociale në shtetet ku jetojnë. Por sa shpejt dhe në cilin nivel do të rimëkëmbën bizneset e tyre është vështirë të thuhet tash. Dhe në këto rrethana nuk është reale të pritet që kontributi i tyre për vendlindjen të jetë sikur të mos kishte ndodhur kjo e keqe.
Diaspora e Kosovës kurrë nuk ka qenë në gjendje më të vështirë se sot. Jetojnë në ankth se çfarë do të sjellë e nesërmja si në vendin ku jetojnë, si në vendlindje. Kanë nevojë për solidaritet dhe mirëkuptim edhe nga Kosova. E kanë vështirë të kenë një stabilitet emocional. Do ta ndihmojnë Kosovën, sepse atje kanë familjen, të afërmit dhe shokët, dhe ndiejnë obligim edhe ndaj vendlindjes. Por shumë prej tyre edhe vetë do të duhet të jetojnë nga ndihmat. Më së paku që u është dashur ka qenë zhgënjimi me situatën politike në Kosovë, e cila ua ka krijuar edhe një ankth shtesë në këto ditë të vështira.
“Çka jan tuj ba bre ata. As s’po ju vjen marrë!” është pjesë e pashmangshme e shumë bisedave që shkëmbejnë kosovarët nëpër diasporë këto ditë menjëherë pasi t’i ankohen njëri-tjetrit se sa vështirë është të qëndrosh i mbyllur, e sa nervoz i bëjnë konfliktet politike në Kosovë në kohën e pandemisë. Dhe të gjithë luten që në Kosovë të mos ndodhë ajo që tashmë ka ndodhur në Evropë. Belgjika, për shembull, ka nivelin më të madh në botë të vdekjeve nga koronavirusi. Kanë vdekur afro 6000 veta. Kjo, sa për ilustrim, nëse krahasohet me numrin e banorëve, do të ishte sikur në Kosovë deri tash të kishin vdekur mbi 1000 persona. E Belgjika është një prej shteteve me sistemin më të mirë shëndetësor në botë. Nuk është mirë të bëhen gara kush po e kalon më mirë e kush më keq këtë pandemi. Sepse shumë varet edhe nga fati. Prandaj edhe luten që Kosova të ketë sa më pakë pasoja.
Pa marrë parasysh hallet që kanë në vendet ku jetojnë shqiptarët e diasporës, mendjen dhe zemrën i kanë edhe në Kosovë. Kjo është një situatë në të cilën sikur kurrë më parë edhe Kosova, edhe qytetarët që jetojnë në Kosovë të mendojnë edhe për diasporën dhe të solidarizohen po ashtu. Sepse solidariteti tash duhet të jetë dydrejtimësh.