OpEd

Kosova nuk duhet ta presë pajtimin e NATO-s për krijimin e Ushtrisë

Kundërshtimi për krijimin e Ushtrisë së Kosovës, qoftë nga Serbia apo nga shtetet e NATO-s që nuk e njohin Pavarësinë e Kosovës, nuk është për shkaqe ushtarake, por vetëm politike. Kjo ushtri nuk do të paraqesë rrezik për askënd, por i jep Kosovës elemente të shtetësisë. Prandaj, edhe është e papranueshme. NATO-ja e ka çliruar Kosovën dhe e ka ruajtur paqen. Por NATO-ja nuk e trajton Kosovën si shtet e madje në raportet formale politike ka një qëndrim edhe qesharak ndaj Kosovës, për t’ua bërë qejfin katër shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën. Pasi në NATO të gjitha vendimet merren me konsensus, Kosova nuk do ta ketë mbështetjen për asnjë hap që forcon shtetësinë, përfshirë edhe transformimin e FSK-së në Ushtri. Por Kosova duhet ta bëjë këtë hap me pajtimin dhe ndihmën e atyre aleatëve që e njohin Kosovën si shtet

Javën e shkuar NATO-ja njoftoi se sekretari i përgjithshëm i saj, Jens Stoltenberg, kishte folur përmes telefonit me “presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq” dhe me “zotërinë Ramush Haradinajn e Kosovës”. Jo nuk ka qenë asnjë gabim i ndonjë nëpunësi të NATO-s gjatë shënimit të këtij njoftimi me shkrim në vebfaqen e Aleancës që nuk e kanë shkruar “kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj”, por është shkruar kështu qëllimisht. Dhe tash e sa vjet NATO-ja në komunikimin formal nuk ua përmend zyrtarëve të Kosovës fare funksionet. Stoltenbergu kështu kishte biseduar edhe me “Hashim Thaçin e Kosovës”, me “Isa Mustafën e Kosovës”, ndërsa me ta në Prishtinë ishte takuar gjatë “vizitave të misionit të KFOR-it”.

Në precizitetin për të mos lënë asnjë shenjë se Kosova po trajtohet si shtet, NATO-ja ia ka tejkaluar edhe BE-së. Edhe se të dyja këto janë neutrale ndaj statusit të Kosovës në BE së paku ua përmendin funksionet presidentit të Kosovës, kryeministrit apo ministrave. Ndërsa NATO-ja jep njoftime sikur të ishin takuar me ta në cilësi private, me disa persona e jo përfaqësues të institucioneve.

Është e nevojshme të dihet ky fakt për të pasur mundësi që të bëhet dallimi i kontributit të NATO-s për Kosovën në aspektin ushtarak dhe në atë politik. Nëse kuptohet ky fakt atëherë askush nuk do të befasohet, e as të shqetësohet, pse sekretari i përgjithshëm i NATO-s nuk e ka mbështetur krijimin e Ushtrisë së Kosovës.

Kundërshtimi për krijimin e Ushtrisë së Kosovës, qoftë nga Serbia apo nga shtetet e NATO-s që nuk e njohin Pavarësinë e Kosovës, nuk është për shkaqe ushtarake, por vetëm politike. Kjo ushtri nuk do të paraqet rrezik për askënd, por i jep Kosovës elemente të shtetësisë. Prandaj, edhe është e papranueshme. NATO-ja e ka çliruar Kosovën dhe ka ruajtur paqen. Por NATO-ja nuk e trajton Kosovën si shtet e madje në raportet formale politike ka një qëndrim edhe qesharak ndaj Kosovës për t’ua bërë qejfin katër shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën. Pasi në NATO të gjitha vendimet merren me konsensus Kosova nuk do ta ketë mbështetjen për asnjë hap që forcon shtetësinë, përfshirë edhe transformimin e FSK-së në Ushtri. Por Kosova duhet ta bëjë këtë hap me pajtimin dhe ndihmën e atyre aleatëve që e njohin Kosovën si shtet. Nëse Kosova do të presë që të krijohet konsensus në NATO, pra pajtim i të gjitha shteteve anëtare, atëherë edhe për shumë, shumë vite nuk do të lëvizte nga vendi dhe nuk do të avanconte drejt krijimit të Ushtrisë.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, duke folur para gazetarëve në Bruksel pas takimit të ministrave të Jashtëm të NATO-s, e ka quajtur qëllimin e autoriteteve të Kosovës për ta transformuar FSK-në në Ushtri si një veprim “në kohë të gabuar “Ne diskutuam për qëllimin e Kosovës për të ecur përpara me transformimin e Forcave Kosovare të Sigurisë në Ushtri. Një veprim i tillë është në kohë të gabuar. Kjo shkon në kundërshtim me këshillat e shumë aleatëve nga NATO-ja. Dhe kjo mund të ketë pasoja serioze për të ardhmen e integrimeve euro-atlantike të Kosovës”, ka thënë Stoltenberg.

Ai ka thënë se edhe privatisht, edhe publikisht ua ka bërë të qartë liderëve të Kosovës se çfarëdo transformimi i FSK-së duhet të bëhet në mënyrë inkluzive dhe në kuadër të Kushtetutës së Kosovës, ndërsa hapat që janë paralajmëruar, sipas tij, “nuk janë inkluzivë dhe nuk janë inkluzivë siç kërkon Kushtetuta”. Sa u përket pasojave për të cilat ka folur sekretari i përgjithshëm i NATO-s, ka thënë se për këtë “duhet të diskutojë dhe vendosë Këshilli i NATO-s”. Ai ka përsëritur se NATO-ja ka mandat për të mbështetur FSK-në sipas mandatit të tashëm, dhe nëse ky mandat ndryshohet atëherë Këshilli i Atlantikut të Veriut “duhet ta rishikojë nivelin e angazhimit të NATO-s në Kosovë”.

Disa diplomatë të disa shteteve të NATO-s, duke folur për “Kohën Ditore”, e kanë quajtur këtë prononcim të shefit të NATO-s si “deklaratë paksa e tepruar”, sepse janë të vetëdijshëm se Spanja dhe disa shtete të tjera nuk do të pajtoheshin edhe po t’i kishte pyetur Kosova. Spanja madje në mënyrë unilaterale, pa i njoftuar aleatët e tjerë dhe selinë e NATO-s në Bruksel, kishte vendosur të tërhiqej nga misioni i KFOR-it në Kosovë, si shenjë e mospajtimit me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s e ka quajtur vendimin për krijimin e Ushtrisë së Kosovës si hap që shkon në kundërshtim me sugjerimet e aleatëve, dhe se Kosova nuk është konsultuar me ta. Por Kosova me disa aleatë as që mund të konsultohet, sepse ata nuk duan të kenë kurrfarë kontaktesh formale me Kosovën. Spanja nuk është këtu e vetmja. Prandaj, NATO-ja duhet vërtet t’i rishqyrtojë nivelin dhe mënyrën e angazhimit në Kosovë nëse ndryshohet mandati i FSK-së. Sepse, nëse FSK-ja duhet të ketë kompetenca ushtarake, të cilat tash nuk i ka, sepse ushtrinë nuk e bën një defile në sheshin “Nën Tereza” me “orkestrën frymore” në shënimin e 10-vjetorit të Pavarësisë, atëherë gjithsesi duhet të dihen edhe raportet me misionin e KFOR-it në Kosovë të cilin e udhëheq NATO-ja.

NATO-ja është shumë pasive sa i përket Kosovës në aspektin politik. Por pasi është përgjegjëse për aspektin e sigurisë, duhet t’i përcjellë edhe zhvillimet e tilla prandaj edhe insiston që të mos ketë hapa, të cilët krijojnë tensione. Sepse KFOR-i do të jetë ai, i cili do të duhej të reagonte në raste të përshkallëzimit të situatës.

Edhe pse NATO-ja formalisht nuk është pjesë e ndërmjetësimeve në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, raportet mes “dy palëve” dhe situata në terren që mund të diktohet edhe nga ky dialog, janë të rëndësishme për punën e NATO-s në terren. Misioni i KFOR-it në Kosovë vazhdon të jetë prania më e besueshme ndërkombëtare për qytetarët e Kosovës. Edhe pse ka pasur kërkesa për zvogëlime të mëdha të këtij misioni, ai vazhdon të ketë një prani të konsiderueshme. Sipas të dhënave të fundit të NATO-s, në misionin e KFOR-it në Kosovë në këtë moment ndodhen 3.642 pjesëtarë. Numri më i madh prej tyre janë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që ka një kontingjent prej 655 vetave. Pasojnë Italia me 542, Austria me 429, Hungaria me 385, Polonia me 260 e kështu me radhë. Gati 25 përqindje e kontingjentit të KFOR-it vinë nga vendet që nuk janë anëtare të NATO-s, si Armenia, Ukraina, Austria, Suedia, Finlanda, Moldavia dhe Irlanda. Nga vendet e rajonit Sllovenia ka 242 ushtarë, Kroacia 33, Shqipëria 28 dhe tash simbolikisht pjesëmarrëse në misionin e NATO-s në Kosovë është edhe shteti më i ri i Aleancës, Mali i Zi me 1 ushtar.

Vendimet në Këshillin e NATO-s miratohen me konsensus, prandaj NATO-ja nuk mund ta konsiderojë dhe trajtojë Kosovën si shtet. Madje sekretari i përgjithshëm i NATO-s kur pret përfaqësues të Kosovës atyre u përmenden vetëm emrat personalë, e jo edhe shtetin të cilin e përfaqësojnë. Kjo për shkak të faktit se katër shtete të NATO-s ende nuk e njohin Kosovën, ndërsa Spanja edhe ishte tërhequr nga misioni i KFOR-it në Kosovë.

Nga shtetet e NATO-s që bëjnë pjesë në misionin e KFOR-it kanë vetëm dy që nuk e kanë njohur pavarësinë, Greqia ka 109, ndërsa Rumania 55 ushtarë. Spanja dhe Sllovakia nuk marrin pjesë fare në këtë mision. Nga shtetet e tjera që nuk e kanë njohur Kosovën si shtet e që marrin pjesë në misionin e KFOR-i janë Armenia, Ukraina dhe Moldavia, që së bashku kanë pak më shumë se 100 ushtarë në këtë mision. Pra, të gjitha shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën kanë së bashku më pak se 300 ushtarë në misionin e KFOR-it, apo më pak se 10 për qind.

Edhe kjo u jep më shumë peshë qëndrimeve të shteteve të cilat e kanë njohur Kosovën, sesa ato që nuk e kanë bërë një gjë të tillë. Prandaj, ndonëse i kuptueshëm për nga parimi i konsensusit, qëndrimi i sekretarit të përgjithshëm në emër të NATO-s nuk duket i balancuar dhe nuk duket si qëndrim që tregon raportin e vërtetë të forcave në NATO.

Kosova duhet të jetë e sigurt, megjithatë, se vërtet e ka mbështetjen e aleatëve kryesorë, para së gjithash të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe dhe Francës. Me këtë mbështetje nuk duhet të luajnë liderët e Kosovës., nëse NATO-ja si tërësi mbështet aq më mirë. Por nëse nuk e mbështet duhet ecur përpara me marrëveshje bilaterale me aleatët individualë, të cilët Kosova si shtet duhet t’i ftojë dhe të ndihmojnë Ushtrinë e saj, edhe të kenë prani ushtarake në territorin e Kosovës përmes ftesës së Kosovës si shtet sovran.

Askush nuk mund të jetë kundër që një shtet sovran të ketë ushtrinë e vet. Pasi Ballkani nuk është një zonë e demilitarizuar, dhe shtetet fqinje kanë ushtritë e tyre, e Serbia madje po forcohet duke blerë armë nga Rusia e Bjellorusia, e disa duke i marrë edhe si donacion, as Kosova nuk mund t’i ofrojë vetes që të mbetet pa ushtri. Kundërshtimi i këtij hapi ka vetëm prapavijë politike, sepse nga aspekti i sigurisë është vetëm hap për t’u mbështetur.