OpEd

Kosova naive

Tetëmbëdhjetë vjet naiviteti e kanë bërë Kosovën të besojë se qejfi i kumandantave për t’u pasuruar do t’u kalonte shpejt; të besojë se Kosova do të bëhet edhe El Dorado e edhe Sillicon Valley, udhëhequr nga diletantët politikë, për shkak se “e kanë përkrahjen e Amerikës”; dhe ende të besojë se neve shqiptarëve na do e gjithë bota, sepse na ka borxh, dhe do të na ndihmojë për sy të zinj, e jo për shkak se do të ketë ndonjë kalkulim me ne

“Kur bëhet fjalë për Serbinë, politika në Kosovë kurrë nuk do të jetë naive. Treni që dërgoi Serbia me mbishkrime nacionaliste ishte një përpjekje për të provokuar një situatë që do t’i justifikonte sulmet serbe në Kosovë, megjithëkëtë, kjo u ndalua”. Kjo qe deklarata që dje u transmetua nga mediumet kosovare dhe ishte pjesëz e intervistës që Thaçi ia kishte dhënë radios suedeze.

“Naive” qe fjala kyç e përdorur në të. Sepse të bën të mendosh nëse kjo është fjala më e përshtatshme që e përkufizon frymën politike në Kosovë. Ku, ose vërtet sillemi naivë, ose na shohin aq naivë sa mund të na e shesin cilindo produkt të kalbur politik që ua merr mendja. E duket se edhe në njërin, e edhe në variantin tjetër, dalim kampionë. Mjafton vetëm të shohësh se çka ka ndodhur javën e shkuar, për t’u këndellur nga naiviteti. Ose për t’u zhytur edhe më thellë në të.

Naiviteti brukselian

Politika në Kosovë karshi Serbisë jo vetëm që është naive, porse është edhe e padijshme. Është tepër naive nga ana e politikanëve të Kosovës të besojnë se Serbia e ka me çdo mend se do t’i normalizojë raportet me Kosovën. Është naive të besosh se një Daçiq e një Vuçiq përnjëherë kanë rënë në dashuri me Thaçin dhe Tahirin si ekzemplarët e Šiptarske Terorističke Snage (Forcat Terroriste Sh’iptare) – siç i kishte quajtur zyrtarisht establishmenti i Millosheviqit pjesëtarët e UÇK-së dhe civilët që i kishte masakruar gjithandej Kosovës. Është naive të besosh se ish-zëdhënësi i Millosheviqit dhe ish-ministri i tij i Informimit përnjëherë e kanë harruar fashizmin e tyre. Se vërtet kultivojnë dashuri “vëllazërore” për shqiptarët.

Është shumë naive të thuash se Kosova e ndali trenin. Edhe më naive është të besosh se përnjëmend e ke ndalur me dërgimin e ROSU-s në kufi. Për shkak se as nisja e as ndalja e trenit nuk janë varur prej kosovarëve. Janë varur nga lufta e brendshme për pushtet në Serbi – që u vërtetua me kandidimin e Vuçiqit për kryetar të shtetit serb në zgjedhjet e ardhshme. Sepse e gjithë kjo u bë për konsumin e tyre të brendshëm politik.

Është shumë naive të besosh se me nënshkrimin e Marrëveshjes së Brukselit je bërë diplomat dhe njeri i paqes. Është shumë naive të thuash se Zajednica është OJQ. E edhe më naive të besosh se ajo përnjëmend është e tillë, kur fort qartë po shihet se Thaçi në Bruksel e ka kafshuar karremin dhe ka mbetur i kapur për të. E për më keq, na ka ngrehur të gjithëve me vete. Sepse na konsideron aq naivë, saqë nuk dimë të dallojmë se çka është rrenë dhe paaftësi e tij dhe çka rrezik për integritetin kushtetues të këtij vendi.

Është tepër naive bile të mendohet se mund t’i besohet Serbisë.

Naiviteti serbian

E se Serbisë nuk i besohet, më së miri e dëshmojnë vetë serbët. Tashmë e besoj nuk ka njeri në Kosovë që të mos ketë dëgjuar për Natasha Kandiqin dhe për Fondin për të Drejtën Humanitare. E ky fond përnjëmend është OJQ. Organizatë e cila është shndërruar në një institucion që punën e vet e ka marrë me seriozitetin më të madh të mundshëm. Aq, sa ka bërë më shumë për zbulimin e krimeve kundër njerëzimit në Kosovë sesa vetë kosovarët dhe institucionet e veta.

Së fundmi, e realizuan një film dokumentar – të shkurtër, por të efektshëm, për masakrat në Drenicë më 1999. Folën për përgjegjësinë penale të gjeneralit Dikoviq dhe të forcave të tij që janë marrë me vrasjen e civilëve për shembull në Rrezallë e Izbicë; me zhvarrimin e civilëve dhe me hedhjen e tyre në një varr masiv në Rashkë. Folën për mbrojtjen që atij i bën shteti i vet, me në krye Vuçiqin, dhe për mosreagimin e Prokurorisë për Krime Lufte. Për fund, na treguan se “heroi që vrau šiptarske teroriste” u dekorua me njëfarë medalje me dofar shpatash. Me gjasë, ato shpata që ende i kemi të ngulitura dhe të cilat nuk do të na hiqen derisa të mos kthehen edhe mbetjet e fundit mortore të të zhdukurve tanë.

Në këtë kontekst, nuk kam ndryshe si ta shoh, pos si ofendim, naivitetin që të besohet se ka ardhur koha për pajtimin ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve. Kjo, edhe një nismë e kryetarit, që me pompozitet na e shpjegoi se duhet t’i lëmë hasmëritë prapa dhe t’i kthehemi ardhmërisë. Mundësisht të përbashkët. A vërtet e beson kryetari se njerëzit janë aq naivë sa edhe familjarët e personave të zhdukur do të mundë ta kapërdinin një propozim të këtillë? Dhe jo vetëm ata – por të gjithë ne që në një formë a tjetër qemë viktima të luftës që na e bëri Serbia.

Është tepër naive të besohet se Serbia vetë do të dalë të na kërkojë falje për luftën. Se vetë Serbia do të ofrohet t’i paguajë reparacionet e luftës dhe se vetë do t’i zbulojë varrezat masive të shqiptarëve të zhdukur, vetëm për shkak se BE-ja na ka futur në një cikël dialogu të marrë, ku Serbia del përherë fitimtare. Është tepër e turpshme që të pranosh ritmin që ta imponon viktimizuesi, edhe më e turpshme të vraposh për t’u fotografuar tek i shtrëngon duart me ata që as nuk ndihen fajtorë, sepse forcat e tyre kanë vrarë šiptarske teroriste – të cilët nuk kanë merituar më mirë.

Duhet të jesh shumë naiv të besosh se punën e përndjekjes së kasapëve që i vranë 12 mijë civilë në Kosovë do ta kryejnë Haga ose Beogradi për ty. Është tepër dëshpëruese të kuptosh se të trajtojnë aq naiv, sa do të duhej të besoje se për 18 vjet, 1,7 milionë njerëz nuk kanë qenë në gjendje të organizohen ashtu që t’i mbledhin dëshmitë e të ngrehin padi për krime kundër njerëzimit. Në vend të kësaj, janë pajtuar që vetes t’ia bëjnë një autogol dhe t’ia votojnë një Gjykatë Speciale.

Naiviteti veselian

Po kjo Gjykatë Speciale, të mos bëhemi naivë, nuk do t’i mbledhë të gjithë ata të cilët mendohet se do të duhej të ballafaqoheshin me të. Se sado të huajt na tregojnë se si kjo Gjykatë është e pandikuar politikisht, megjithatë politika e ka themeluar. Dhe nuk është larg mendsh që disa prej të synuarve do ta gjejnë mënyrën si t’i shmangen asaj.

Por, për çdo rast, dhe para se të paraqiten aktakuzat e para, Kosova me shumë gjasë do të përfundojë në zgjedhje të parakohshme shumë shpejt. E nëse dikush ende ka dyshime për këtë, do të duhej t’i mjaftonin tri veprime të Kadri Veselit për të kuptuar se nga jemi nisur.

Para dy ditësh na doli në qarkullim një foto e tij me kryetarin amerikan Trump. Do të jetë realizuar në “Lutjet e mëngjesit” që kosovarëve u kanë kushtuar shumë para, që nga koha e Fondit të 3%-it. Pra, i pari politikan kosovar që është fotografuar me shefin e ri të shtetit më të fuqishëm në botë, përcjellë nga komenti se “takimi me Trumpin është bekim për Kosovën”. A vërtet na konsideron të gjithëve naivë sa për të besuar se ky ka qenë takim kokë-më-kokë midis njerëzve që fillimisht nuk mbajnë rang të njëjtë shtetëror? A vazhdon të besojë se do t’i besojmë se ka folur aq gjatë me të, saqë kryetari amerikan në fund do t’i ketë thënë “Trump Bless Kosova”?

Të paktë do të jenë ata që do të besojnë se kjo foto nuk do të përdoret në fushatën e shpejtë të ardhshme zgjedhore për të treguar se Veseli është njeriu i Amerikës dhe se ai duhet votuar. E meqë jemi aq naivë, a bën të na tregojë se sa para ka kushtuar kjo fotografi? Aq e meritojmë ne që paguajmë tatime për shëtitjet e mëngjesit, të pasdites dhe të akshamit.

E aksham do t’ia bëjë partnerit të vet të koalicionit, të cilit tashmë po ia paralajmëron se do t’ia zërë vendin. Mbase naivisht, Mustafa ende beson se do ta shtyjë mandatin e tij deri në fund dhe se do të rizgjidhet në post për shkak “të udhëheqjes së suksesshme të shtetit”. Fillimisht po ia kujton, e me insistimin urdhërues të kryetarit edhe po e shtyn, që çështjen e demarkacionit me Malin e Zi ta qesë në votim në Kuvend. Veseli, sikurse edhe Mustafa e dinë se votat për ta kaluar atë nuk janë.

Edhe po të llogarisnin në votat e Srpskas, nuk i kanë të sigurta të vetat, pavarësisht se sa po përpiqen t’i blejnë me emërime fëmijësh e kushërinjsh të deputetëve nëpër borde e pozita të tjera. Sepse në mesin e deputetëve ka të tillë që refuzojnë të paraqiten naivë për të pranuar se raporti të cilin e lexoi kryetari i Akademisë javën e shkuar, përnjëmend tregon se Kosova jo vetëm që nuk humb territor, por, përkundrazi, fiton. Posaçërisht me numërimin e shtyllave largpërçuese të rrymës andej kah kufiri. Apo mbase mendojnë se tre anëtarë të Komisionit të improvizuar që kanë refuzuar ta përkrahin raportin e lartpërmendur kanë rënë pre e naivitetit, prandaj me lehtësi mund të injorohen – sepse ata nuk dinë.

Pra, po t’i kishin numrat, as që do të debatohej për këtë çështje, e as nuk do ta kishim humbur mbi një vit duke u marrë me një punë që gjithkujt në qeverisje, naivisht, i është dukur punë teknike. Pikërisht pse nuk janë numrat, mund të ndodhë lehtë që demarkacioni ta rrëzojë Qeverinë dhe që këtu të mbarojë bashkëjetesa nr. 2 ndërmjet PDK-së dhe LDK-së. Sepse plani është që në këto zgjedhje të përshpejtuara fitoren ta korrë sërish PDK-ja, ama kësaj radhe me Veselin në krye – si njeriun që po e punon madje një program politik që do ta nxjerrë vendin nga kriza në të cilën na ka futur partia e tij. Dhe me jo pak ndihmë nga ai dhe njerëzit e SHIK-ut dhe të Klanit Pronto.

* * *

Nuk ka dyshim se Kosova është treguar shumë naive në këta 18 vjetët e fundit. Shumë njerëz kanë besuar se qejfi i kumandantave për t’u pasuruar do t’u kalonte shpejt. Për më tepër, jo pak njerëz i kanë arsyetuar, duke thënë “nasht, kanë luftu”. Jo pak njerëz kanë besuar se Kosova do të bëhet edhe El Dorado e edhe Sillicon Valley, udhëhequr nga diletantët politikë, për shkak se “e kanë përkrahjen e Amerikës”. Ende ka të tillë që besojnë se neve shqiptarëve na do e gjithë bota; besojnë se na kanë borxh dhe do të na ndihmojnë për sy të zinj e jo për shkak se do të kenë ndonjë kalkulim me ne.

Naivë siç jemi, refuzojmë të kuptojmë se nëse ndonjëherë e shënojmë ndonjë sukses, ky s’është rezultat yni kolektiv, por rezultat individual i dikujt që ka sakrifikuar shumë për të mbërritur në Olimp.

Të shohësh ëndrra të bukura hiç s’është keq. Ama për të kuptuar se realiteti nuk është si në ëndërr, duhet zgjuar, me aq vrull sa për t’u këndellur. Për të kuptuar se kur të quajnë naiv, në të vërtetë të thërrasin budalla.

[email protected]