Lufta për ta mbijetuar pandeminë COVID-19 gjatë këtij viti ka lënë në hije tërësisht një pandemi tjetër. Ka më shumë se njëzet vjet që një virus tinëzar, sikurse koronavirusi, i ka mbërthyer institucionet publike të Kosovës. Dhe gjersa virusi korona po merr pamëshirshëm me dhjetëra jetë në ditë, virusi i quajtur korrupsion ka vite që para syve po ua gëlltit milionat taksapaguesve kosovarë e bashkë me to edhe perspektivën e të jetuarit në Kosovë.
Përderisa mjekët në spitalet publike kanë mungesë ilaçesh e pajisjesh adekuate mjekësore për ta luftuar koronavirusin, Kosova ka ligje, strategji e mekanizma me tepricë kundër korrupsionvirusit. Janë rrafsh 19 institucione të ndryshme, të cilat janë krijuar enkas për këtë luftë. Por, si u bë korrupsioni pandemi në Kosovë dhe pse kurrë nuk iu shpall luftë frontale?
Politikanët që udhëhoqën me Kosovën përgjatë dy dekadave kishin qenë më largpamës sesa kemi menduar. Ata e kishin parashikuar shumë më herët imunitetin e tufës, strategji kjo që e përdorën në muajt e parë të pandemisë disa vende të zhvilluara për luftimin e koronavirusit. Ndonëse kjo metodë doli të mos jetë edhe aq efikase në zbutjen e pasojave të koronavirusit, për politikanët tanë ajo ka dhënë rezultate të mëdha në dobi të tyre. Ia kanë dalë që ta imunizojnë aq shumë popullin ndaj hajnive dhe krimit të organizuar institucional sa që tani bashkëjetesa me korrupsionin është bërë normalitet. Si ia dolën të na imponojnë percepcionin se korrupsioni është realiteti ynë i pamposhtshëm?
Së pari përdorën strategjinë e shtrirjes së ndikimit në të gjitha institucionet vendimmarrëse, duke eliminuar nga gara e konkurseve njerëz profesionistë dhe me integritet dhe duke vendosur në krye të tyre njerëz të partisë, miq e familjarë. Të tillët u kujdesën t’i vendosin edhe në krye të bordeve të ndërmarrjeve publike dhe të institucioneve të drejtësisë. Është sekret publik cili shef policie, kryeprokuror a kryetar gjykate, me cilën parti apo klan biznesi mban lidhje.
Shtrirjen e ndikimit e vazhduan duke financuar me paratë e shtetit mediume jokredibile nëpërmjet të cilave mbrojnë interesat e tyre dhe sulmojnë rivalët politikë. Krahas këtyre me vite prodhuan skandale, të cilat mbuluan njëra-tjetrën pa u zbardhur as ndëshkuar, sepse ata u bënë “vetë pashë, vetë kadi”.
Vjedhja më skandaloze, ajo në dhomën e dëshmive të Policisë, kurrë nuk u zbardh, qindra e mijëra euro të buxhetit nëpërmjet tenderëve shkuan në xhirollogaritë e kompanive të biznesit të lidhura me politikanë, u falën toka e hidrocentrale, u dënuan qytetarë të rëndomtë për vjedhje minore, ndërsa dora e drejtësisë kurrë nuk arriti te bosat e krimit të kamufluar në politikanë.
Traditën po e vazhdon edhe qeveria aktuale. Ka rreth dy muaj që nga arka e shtetit u vodhën 2.1 milionë euro dhe askush nuk dha as përgjegjësinë më të vogël për vjedhjen e organizuar. Nga Agjencia e Veterinës u vodh kasaforta në të cilën nuk dihet se çfarë sekreti fshihej. Qeveria vazhdon të heshtë. Bëhet sikur nuk ka ndodhur asgjë, ndërkohë që shpiken tema të parëndësishme për t’i lënë në hije skandalet. Gjersa opinioni “argëtohet” me debatet rreth zgjedhjes së presidentit, nëpër ministri e shërbime diplomatike vazhdon rehatimi i militantëve partiakë, bijve e bijave të politikanëve në mënyra të kundërligjshme.
Sipas të dhënave të Agjencisë Kundër Korrupsionit, del se nepotizmi e korrupsioni nëpër institucione është kah vlon. Më shumë se 65 zyrtarë e ish-zyrtarë të lartë të institucioneve të Kosovës janë të dyshuar dhe po hetohen për korrupsion dhe mosdeklarim pasurie. Në mesin e tyre janë zëvendëskryeministra, ministra e zëvendësministra, kryetarë komunash, anëtarë këshillash drejtues, anëtarë të bordeve qendrore dhe lokale, kompani publike, agjenci ekzekutive, shefa kabinetesh në nivel lokal dhe në nivel qendror, drejtorë të departamenteve, këshilltarë në asamble komunale, sekretarë të përgjithshëm në kuadër të disa ministrive, zyrtarë në universitetin publik etj.
Prandaj, edhe perceptimi i qytetarëve e rendit Qeverinë si më të korruptuarën. Sipas një ankete të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), 72 për qind e të anketuarve besojnë se institucioni më i korruptuar është Qeveria, 45 për qind gjykata, 43 për qind prokuroria, 33 doganat, 30 komunat, 27 policia etj.
Përkundër këtyre shifrave dhe denoncimeve të rasteve në media, prokurorët e gjykatësit vazhdojnë të mohojnë se janë nën ndikimin politik dhe mospunën apo më mirë të themi mosguximin e tyre për t’i hetuar “peshqit e mëdhenj” të krimit e arsyetojnë me vëllim të madh lëndësh, mungesë trajnimi për hetimin e gjykimin e çështjeve të komplikuara financiare, mungesën e dëshmive etj.
Ata u bëjnë thirrje dhe presin angazhim nga qytetarët që t’u ofrojnë atyre dëshmi për hajnitë institucionale dhe ryshfetin që u duhet të japin për marrje tenderësh, për të fituar një vend pune apo për të marrë ndonjë shërbim të rëndomtë. Si mund të presin bashkëpunim kur qytetarët e kanë humbur besimin në gjykata dhe i perceptojnë ato më të korruptuarat pas Qeverisë. Muaj më parë, një gjykatës u kap në flagrancë duke marrë dy mijë euro mito nga i afërmi i një të akuzuari.
Pas aq shumë hajnish e skandalesh të të gjitha qeverive, shoqëria kosovare e ka fituar imunitetin e tufës dhe më nuk po arrin ta shohë as motivin pse duhet denoncuar apo luftuar korrupsionin. Përligjja e korrupsionit nga institucionet ua ka bërë të vështirë të përpiqen për ndryshimin e gjendjes. Tanimë nuk po arrijnë të dallojnë nëse janë të pakënaqur me praninë e korrupsionit apo me faktin që dikush tjetër me paratë e tyre po siguron përfitime të llojllojshme. U ka mbetur ose të pajtohen dhe t’i bashkohen valles së korrupsionit ose të kërkojnë të ardhmen në ndonjë vend tjetër.
Keqpërdorimi i parasë publike dhe krimi i organizuar llogariten si pengesat kryesore të zhvillimit ekonomik, që kanë ndikuar edhe në varfërimin e popullatës. Pandemia e koronavirusit e ka thelluar edhe më shumë krizën.
Interesimi i madh i qytetarëve për t’i tërhequr paratë nga fondi pensional, që u mundësohet me Ligjin e posamiratuar të rimëkëmbjes ekonomike është edhe një tregues se sa është rënduar jeta në Kosovë. Rrezikojnë t’i tërheqin kursimet e pleqërisë edhe nga nevoja, por edhe nga frika se mund t’u keqpërdoren nga cilido pushtet.
Raporti i Progresit i Komisionit Evropian për shtetet e Ballkanit Perëndimor i publikuar në tetor të vitit 2020, sërish ka konstatuar se korrupsioni në Kosovë është i përhapur dhe vazhdon të jetë një shqetësim serioz. Në konkluzionet që po përgatit Bashkimi Evropian për vendet e Ballkanit, Këshilli i BE-së i ka bërë thirrje Kosovës që ta rrisë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Shuarja e Task Forcës Antikorrupsion dhe mosveprimi pas hajnisë eklatante në thesarin e shtetit, tregojnë sesa seriozisht i merr Qeveria këto thirrje. Ta luftosh korrupsionin për politikanët dhe zyrtarët aktualë shtetërorë do të thotë ta luftojnë vetveten. Shkaku i mungesës së vullnetit politik beteja kundër korrupsionit në Kosovë vazhdon të mbetet e humbur.
Me zbulimin e vaksinës kundër koronavirusit dhe fillimin e aplikimit janë rritur shpresat se pandemia COVID-19 në një të ardhme të afërt do të marrë fund. Por pandemia e korrupsionit tek ne zor që merr fund ndonjëherë. Kjo, sepse ilaçin kundër këtij virusi e ka në dorë politika. Kjo klasë politike nuk do ta vërë kurrë në funksion atë ilaç, sepse pa korrupsion nuk mund të mbijetojë. Përderisa udhëheqjen me shtetin nuk e merr dikush që fuqinë politike nuk e ndërton mbi hajni e korrupsion, ky virus do të vazhdojë ta gërryejë arkën e shtetit dhe të na e bëjë të ardhmen edhe më të pasigurt.