Gjithashtu vendim tjetër shumë me vend dhe anulim i një vendimi të mëhershëm të ish-kryeministrit Haradinaj ishte shuarja e pozitave të koordinatorëve nacionalë, pozita këto kot fare dhe abuzuese enorme me buxhetin e parasë publike. Vetëm në emër të drekave, alamet koordinatori i arsimit, Rexhep Hottie, përveç pagës prej 2000 eurosh i kishte hangër edhe 22.000 euro të buta
Vazhdojmë me rrëfimet e mia në ditarin tim të shenjtë. Në këtë gjysmëshekulli jetë të cilën e kam përjetuar deri më tani, do të jenë së paku qindra herë të më ketë zënë shiu jashtë dhe të më ketë lagur. Nuk është edhe aq për t’u çuditur të jetosh në Londër dhe të të zërë shiu, mirëpo të dielën që e lamë pas, pas një paradite të kaluar me miqtë në Pub-in tonë të preferuar "The Queen's Arms", unë vendosa që t’i digjja ca kalori duke ecur në këmbë deri në shtëpi, që është 2.5 km nga Pub-i. Uragani “Ciara” kishte zbarkuar edhe në Londër, por me intensitet shumë më të ulët sesa në pjesët e tjera të Britanisë. Edhe këtu po frynte shumë më tepër se zakonisht, por prapëseprapë unë vendosa që të kthehesha në këmbë në shtëpi. Posa arrita tek rruga e drejtë dhe e gjatë me shtëpitë e shumta private të milionerëve, aty filloi të binte shi. Por ishe më i ndryshëm se të gjitha shirat që i kisha përjetuar deri atë ditë. Shiu po më rrihte nga mbrapa sikur dikush të ma hidhte atë me kovë e gjithashtu nga një frymë e cila sa rritej dhe shtohej në intensitet.
Në këtë rrugë ku gjendesha nuk është asnjë dyqan, asnjë Pub, asnjë lokacion publik. Vetëm një rrugë e gjatë dhe e drejtë 1.5 km.
U pajtova me fatin do lagesha nga shiu që çke me të. Me të kaluar këtë rrugë më duhej ta bëja një kthim në të djathtë dhe tashmë shiu i cili po binte edhe më furishëm më rrihte edhe nga përpara. Xhaketa ime kishte thithur aq ujë sa ajo mund të mbante, gjithashtu edhe farmerkat në trup, sigurisht se po peshoja së paku edhe 20 kg më shumë me gjithë këtë sasi të ujit të cilin po e mbaja në rrobat e mia. Në anën tjetër ndoshta ishte edhe kjo arsyeja pse po më mbante të balancuar në këtë shtrëngatë ere e cila do më mbante dhe hidhte fare tutje. Ky pra ishte takimi im aspak romantik me “Ciarën”.
Nga kabllogramet e tjera veçoj atë se coronavirusi ka arritur edhe në Mbretërinë e Bashkuar dhe gjithsej janë shënuar 9 raste. Dje ishte edhe rasti i parë i shënuar edhe në Londër. Shpejtësia me të cilën ky virus u bart edhe në pjesët e tjera të botës nga Kina është mbresëlënëse. Është edhe një tregues më shumë se sa e ndërlidhur është kjo botë, me gjithë distancat e mëdha. E kështu janë përhapur gjatë historisë edhe budallallëqet e shumta të njerëzimit.
Nga kabllogramet e jetës politike në Kosovë vijnë lajmet me vendimet e para të Qeverisë së re Kurti. Zvogëlimi i pagave të kryeministrit dhe vartësve të tij ishte anulim i vendimit të ish-kryeministrit Haradinaj për rritjen e pagës së vet për 100%. Gjithashtu vendim tjetër shumë me vend dhe anulim i një vendimi të mëhershëm të ish-kryeministrit Haradinaj ishte shuarja e pozitave të koordinatorëve nacionalë, pozita këto kot fare dhe abuzuese enorme me buxhetin e parasë publike. Vetëm në emër të drekave, alamet koordinatori i arsimit, Rexhep Hottie, përveç pagës prej 2000 eurosh i kishte hangër edhe 22.000 euro të buta. Lum Kosova që është dashur të rrisë kësi parazitësh në gjirin e saj. Në njërin nga statuset e tij në Facebook, z. Hottie ka shënuar "të merresh dhe të investosh në të ardhmen e mendjes së kombit është pasuria më e madhe për të gjithë". Zbërthejeni këtë thënie si të dëshironi ju, por e fundit është se hesapi i tij ka dalë më fitimprurësi këtu.
Mirëpo sa më përket mua vendimi më i mirë i Qeverisë së re ishte anulimi i përfitimit të ish-kryeministrit, ministrave dhe zëvendësministrave me pagesën e pagave të tyre edhe një vit e gjysmë pas përfundimit të mandatit të tyre. Dhe është vetëm java e parë e kësaj qeverie të re. Vendimet e deritashme janë shumë të drejta dhe japin shenjat e para të një qeverisjeje ndryshe, në vepër, jo vetëm në fjalë edhe premtime boshe. Po qe se vazhdon me këtë temp, kryeministrin Kurti do na e kërkojnë edhe shtetet e shumta që në thelb i kanë problem korrupsionin dhe nepotizmin.
Ata kanë shumë privilegje për të humbur. Vetëm ky ndryshim dhe hapat e parë të mbarë ia kanë vlejtur formimit të këtij koalicioni qeverisës. E ky është vetëm fillimi. Janë 20 vjet keqpërdorimesh dhe abuzimesh me tenderë, pozita pune qoftë në kuadër të Qeverisë, qoftë me emërime nëpër bordet e ndryshme menaxhuese politike, punësime militantësh dhe familjarësh në kompani publike. Është iluzore të mendohet se të gjitha këto probleme të grumbulluara do të mund të zgjidhen shumë shpejt, por ajo e cila është e rëndësishme është fakti se hapat e parë të mbarë janë bërë e edhe një udhëtim deri në Hënë fillon nga një hap i vogël në Tokë.
Publikimi i ditarit tim këtë të premte koincidon me Ditën e Shën Valentinit. Një ditë e shënuar në kalendar kur çiftet e shfaqin dhe e festojnë dashurinë e tyre. Asgjë e keqe këtu, sa më shumë dashuri, aq më mirë për njerëzimin. Nuk njeh dashuria as moshë, as ngjyrë, as gjuhë e as fe. Ajo është ndjenja më sublime dhe universale të cilën një qenie njerëzore mund ta ndiejë dhe ta ndajë atë. Problemi i vetëm qëndron në atë se si çdo festë dhe çdo ditë e shënuar janë komercializuar skajshmërisht dhe gjithçka sillet rreth përfitimeve financiare dhe profitit. Çifteve u dëshiroj shumë dashuri edhe për shumë mote dhe që shëndeti dhe fati t'u shërbejë në jetë. Do të dëshiroja që fëmijët në Kosovë të rriten në një shtet normal, i cili me epiqendër të vet mbetet i përkushtuar rreth njeriut, qytetarit të saj, mirëqenies së secilit banor, pavarësisht përkatësisë etnike, moshës apo gjinisë.
POST MORTEM - Nexhmije Pagarusha
Javën që lamë pas u ndamë nga artistja jonë e madhe, zonja Nexhmije Pagarusha. Pas vetes artistja jonë e madhe la me dhjetëra këngë të regjistruara, si dhe role në filma të ndryshëm. Gjurmët të cilat ajo i ka lënë në vlerat kulturore të kombit tonë do të mbesin të pashlyeshme dhe si thesar kulturor kombëtar. Të shpërthejë si artiste grua në një shoqëri skajshmërisht patriarkale të asaj kohe në shoqërinë tonë nuk ka qenë gjë aspak e kollajshme. Të thyhen tabutë, të tejkalohet stigma, si dhe të tejkalohet stereotipizimi është dashur që të kalojnë dekada të tëra, e mbi të gjitha të ofrosh art të mirëfilltë ashtu siç ka bërë zonja Nexhmije.
Mirëpo ndarja nga jeta e artistes sonë të madhe neve na e shpërfaq përsëri atë brishtësinë të cilën e kemi ndërtuar si shoqëri këta 20 vjetët e fundit. Nuk i vlerësojmë njerëzit për së gjalli për vlerat dhe veprat e tyre duke ua ofruar përkujdesjen shtetërore/shoqërore. Nuk dëshiroj assesi që t’u hyj në hak disa individëve me emra të përveçëm të cilët e kanë treguar pikësëpari atë dinjitetin njerëzor të tyre duke u kujdesur për zonjën Nexhmije deri në ditët e saja të fundit. Një vepër të tillë e bëri Leonora Ibërdemaj. Vepër sublime humane. Kudos Loni.
Mendoj se pozita e artistëve, sportistëve, shkencëtarëve dhe të të gjithë atyre të cilët me veprat dhe punën e tyre e nderojnë dhe e vendosin Kosovën në hartat e të arriturave ndërkombëtare, do të duhej që të ishin të mbrojtur me ligj. Të gëzojnë një pensionim të dinjitetshëm, si dhe përkujdesje maksimale institucionale. E Kosova nuk do të pushojë asnjëherë duke na dhuruar bija dhe bij të saj me të cilët ne do të mburremi edhe për shumë e shumë gjenerata, të cilat do të vijnë pas nesh. Mirëpo t'ua dimë vlerën atyre përderisa i kemi ende në mesin tonë dhe të tregojmë ngritjen tonë të vetëdijesimit kulturor duke i identifikuar këta njerëz dhe duke u përkujdesur për ta.
P. S. Albin, tash pasi që u zgjodhe kryeministër dhe e formove Qeverinë unë dëshiroj që të të përgëzoj dhe të dëshiroj punë të mbarë. E kam një sugjerim për ty në këtë Post Scriptumin e parë për ty. Të kisha sugjeruar që tash e mbas sa më pak intervista të bësh. Rrokju punës, ke mjaft shumë për të bërë. Në intervista po e vërej se secila fjalë e jote matet aq shumë, menjëherë për të dashur që të deskreditojnë. Nuk është mision i yti ngritja e shikueshmërisë së mediave të ndryshme. Po unë besoj në transparencë, por nuk besoj në qasjen cinike mediatike, çfarë ajo di të jetë në raste. Neve tani na nevojiten rezultate konkrete të prekshme e sa më pak fjalë të thata apo jo të thata. Është koha e veprimeve Albin, le të flasin ato në vend të intervistave, së paku në këtë fazë.