OpEd

“Kontrata” për një qeveri uniteti: zgjidhje apo pengesë për Kosovën?

Fadil Maloku

Fadil Maloku

Ideja e një "Qeverie të unitetit" zakonisht përdoret si një mekanizëm balancues, por edhe si një instrument më shumë diplomatik sesa politik, që shërben për të "neutralizuar" si ambiciet (e sëmura) ashtu edhe synimet për pushtet të aktorëve politikë (qoftë qeveritarë apo opozitarë). Kjo ide, nëse bazohemi në përvojat tona vetjake, është përdorur edhe si mjet mjaft për të ruajtur stabilitetin dhe për të ushtruar një vendimmarrje gjithëpërfshirëse, ku gjithë aktorët pretendues për t'u bërë "hisedarë aktivë" të "sofrës" apo kulaçit ambivalent bëhen pjesëmarrës me të drejta të barabarta. Mirëpo, duhet theksuar se në një realitet të brishtë paskonfliktuoz dhe me tensione të theksuara ndëretnike e ndërpartiake, ideja e tillë lehtësisht shndërrohet në ide normative që nëse stërzgjatet di të bëhet madje pengesë serioze për instalimin e pluralizmit dhe funksionimin e sistemit demokratik.

I.  

Ideja e qeverisë së unitetit, si koncept kontemplativ dhe si praktikë: Nëse e përdorim metodën e "analizës së përmbajtjes" (një metodë shumë funksionale në sociologji që e kam ligjëruar me vite...) për ta verifikuar "peshën specifike" të aktorëve tanë politikë, po edhe në përmbajtjen e prononcimeve të tyre publike gjatë këtyre dy dekadave të fundit, kuptojmë se qeveria e unitetit (në literaturë shpesh e identifikuar edhe si “qeveri gjithëpërfshirëse”), përfaqëson një lloj koalicioni të gjerë midis subjekteve politike, zakonisht antipode ideologjikisht, që bashkohen për të përballuar një krizë që e kërcënon sigurinë, stabilitetin e madje edhe ekzistencën e vetë shtetit. Tani shtrohet pyetja fondamentale e kësaj ad hoc analize sociologjike, ku parametrat e identifikuar përdoren për ta matur shkallaren e seriozitetit të kërcënimit të sigurisë nacionale; stabilitetit dhe vetë ekzistencën e shtetësisë së Kosovës?! Modeli i qeverisë së unitetit mbart më vete një sërë problemesh dhe një "kerr" sfidash të brendshme si: ajo e startimit në procesin e integrimeve, Gjykatës Speciale, Asociacionit, etj. dhe sfidash të jashtme, si dialogu me Serbinë, ajo e presionit për përshtatje të ligjeve dhe reformave të brendshme, së bashku me atë për heqjen e sanksioneve. Sfida e probleme këto që modelin e "unitetit" mund ta bëjnë jofunksional, joproduktiv, e për të mos thënë edhe pengesë serioze, nëse nuk ka konsensus të gjerë politik e institucional. Kur e themi këtë, gjithnjë e kam parasysh mungesën e një tradite politike për bashkëpunim dhe logjikën e përjashtimit (që më së miri doli në pah, me sadomazohizmin maratonik që e "ushqyen" si ish-qeveria ashtu edhe ish-opozita në aulën e Parlamentit, në këta tre muaj torturues për publikun), në vend të logjikës së konsensusit.

Një dobësi evidente që mund të shihet nga të gjitha këndvështrimet socio-politike është dhe ka të bëjë me mungesën e vendimmarrjes efektive, shkaku i nevojës, por edhe insistimeve hipotetike për konsensus mbi çdo çështje! Situatë kjo që në një demokraci ende të brishtë dhe me plot probleme, siç është kjo në Kosovë, rrezikon të sjellë bllokim të ri (e për të cilin Serbia është shumë e interesuar që të ndodhë... sepse, me automatizëm do ta përdorë për konsum të brendshëm dhe të jashtëm!?) në nivel vendi.

II.

Pra, një qeveri uniteti, me të gjitha partitë parlamentare brenda, nënkupton një vakum total opozitar (apo mungesën e mekanizmit; check and balanse!?), çështje kjo jetike për një demokraci funksionale. Kjo i bie; hajde të futemi që të gjithë në qeverisje (të unitetit), vetëm e vetëm që t’u ikim përgjegjësive madhore (Asociacioni, Gjykata Speciale, sanksionet, proceset integruese etj.) dhe në zgjedhjet në horizont të hyjmë me kredenciale të barabarta, por që në fushatën që vjen të përdorim sërish stigmatizimet dhe paragjykimet e vjetra si (garanci; se do e rrisim fluksin e animimit partiak!) mjete frikësuese. Tjetër, jam shumë i bindur që përfshirja e të gjitha partive në një qeveri (uniteti) nga ana e publikut (jo tashmë "dele") të pjekur do perceptohet jo si një akt i përgjegjshëm politik (në të cilin besoj se aludon LDK-ja) apo si kontratë xhentëlmene" për të dalë nga paraliza (ngërçi) e ngërthyer, por si një marrëveshje për interesa personale (opozitare) dhe pushtetare (të ish-qeverisë).

Thënë më ndryshe, oferta për "qeveri uniteti" me automatizëm do ta ulë besimin qytetar në sistemin demokratik dhe do ta rrisë apatinë (indiferencën) politike. Kjo apati më pastaj do të ndikojë retroaktivisht në mosdalje në zgjedhje që me padurim i presin ata që supozojnë dhe e kalkulojnë atë nuancën dalluese (të nevojshme dhe shpresëdhënëse!) të epërsisë ndaj subjekteve të tjera qoftë edhe të reja politike. Për të ilustruar këtë synim, ambicie e kalkulim të gabuar të subjekteve që mendojnë të futen në "kontratën" e një qeverisjeje uniteti mjafton ta ilustrojmë me rastin e koalicionit të gjerë të vitit 2014 (LDK-PDK), ku mungesa e kohezionit dhe mosbesimit politik na çoi në një qeveri jofunksionale dhe të përkohshme... Megjithatë, "kontrata unifikuese", në rrethana të një situate tejet të jashtëzakonshme mund arsyetohet duke marrë parasysh: Proceset finale të dialogut me Serbinë (përmbyllja e statusit); pastaj ndonjë krizë që e kanos seriozisht sigurinë dhe stabilitetin kombëtar; apo momente kur kemi të bëjmë me marrëveshje të mëdha ndërkombëtare që kërkojnë konsensus kombëtar (p.sh. anëtarësimi në OKB, BE apo NATO). Por, edhe në këto raste, të themi kushtimisht kërcënuese, "kontrata" për qeveri uniteti duhet të ketë; një mandat deciziv dhe të kornizuar kohor, pastaj një koherencë taksative e specifike që vlen vetëm për këtë periudhë tranzitore të krizës, si edhe një "dorëz" (lexo; mekanizëm) të mbikëqyrjes demokratike, që duhet me qenë në përputhje me Kushtetutën aktuale.  

III.

Një çështje tjetër, që pak a shumë na doli nga "analiza e përmbajtjes" sonë, do të ishte: a ka dhe cilat mund të ishin alternativat e "qeverisë së unitetit"? Mendoj që në vend të një qeverie uniteti Kosova shumë më mirë do të përmbushte detyrimet e veta (të brendshme dhe ato të jashtme) sikur gjithë këtë energji që po e shpenzon për t’i zotëruar "ata dy gishta pushtet" ta orientonte kah: Reformat zgjedhore që do të ndihmonin shumë në krijimin e qeverisjeve; transparente, stabile, të përgjegjshme e llogaridhënëse; Krijimi i mekanizmave të përhershëm të dialogut dhe respektit të hierarkisë ndërpartiake; Rritja e llogaridhënies dhe mbikëqyrjes së normave dhe rregulloreve parlamentare, pavarësisht se kush mund të futet nesër në pushtet, apo kush do mbetet në opozitë. Së këndejmi, gjykoj se "kontrata" për një qeveri të unitetit (e iniciuar nga LDK-ja) me gjithë qëllimin e mirë dhe po ashtu (të supozojmë!) fisnik, nuk përkon as me momentin (nuk e lejon përvoja e instalimit të demokracisë), as me nevojat dhe detyrimet që i ka përpara Kosova (sfidat e brendshme). Ajo ka mundësi të funksionalizohej vetëm në kohërat e pasluftës dhe kur kishte marrë garanci të forta nga aleatët (që sot po ngurrojnë!?) dhe kur dispononte një "road mapp" të qartë, afatshkurtër dhe fleksibil. Tani duhet ta kemi përvetësuar leksionin; se në marrëdhëniet ndërkombëtare "s’ka vetëm miq e armiq të përjetshëm, po ka vetëm interesa të përjetshme".
LDK-ja duhet të ecë me kohën...

(Autori është sociolog dhe profesor universitar)