Një kontinuitet në politikën gjermane pritet edhe në qasjen ndaj Ballkanit Perëndimor. Kjo mund të jetë mirë, sepse stabiliteti do të jetë interesi kryesor. Por nuk mund të pritet që Gjermania të jetë më aktive në kërkimin e zgjidhjeve të problemeve, prej të cilave raportet mes Kosovës dhe Serbisë dhe reformat zgjedhore në Bosnjë- Hercegovinë janë kyç
Për herë të parë në më shumë se 50 vjet, Gjermania do të ketë një qeveri me më shumë se dy parti. Pos nëse edhe një herë dy partitë më të mëdha vendosin që për hir të stabilitetit dhe për shkak të mungesës së alternativave, të shkojnë së bashku në koalicionin e madh. Por kjo kësaj radhe nuk duket e mundur. Pra, janë vetëm dy mundësi reale. Koalicioni i semaforit ku do të ishin Socialdemokratët, Liberalët dhe të Gjelbërit. Opsioni i dytë, Demokristianët, Liberalët dhe të Gjelbërit. Pra, pothuajse e sigurt është që në qeverinë e ardhshme do të jenë Liberalët dhe të Gjelbërit. Pikërisht dy këto parti kanë shënuar rritjen më të madhe të votave në zgjedhje krahasuar me ato para katër vjetësh. Dhe kanë një dallim të madh në politikat e tyre. Pra, do të kemi negociata të rënda për të krijuar koalicionin, sepse në Gjermani ato nuk krijohen në bazë të ndarjes së kolltukëve dhe posteve ministrore, por më shumë në bazë të afrimit të programeve dhe prioriteteve.
Një analist gjerman në TV, rezultatin e zgjedhjeve e quajti “holandizim të politikës gjermane”. Me këtë mendoi në faktin se më nuk mund të vendosin vetëm dy parti, që të jenë aq të mëdha saqë të mund të zgjedhin vetëm një partner të vogël dhe ta formojnë qeverinë. Në Holandë tashmë kanë traditë të formojnë qeveri me tri, katër apo pesë parti. Dhe në Holandë fitues i bindshëm del edhe partia që siguron pak më shumë se 22 për qind të votave. Por qeveritë me shumë parti e kanë më të vështirë të jenë të vendosura. Dhe këto janë sfida dhe kureshtja kur mendohet për të ardhmen e politikës gjermane.
Se si do të formohet qeveria e re gjermane pas Merkelit po analizohet me kujdes edhe në BE, në NATO, por edhe në rajonin e Ballkanit.
Gjermania ka qenë gjithmonë shumë aktive, por gjithmonë hezituese, e kujdesshme dhe jashtëzakonisht pragmatike. Kjo ka qenë edhe mënyrë e veprimit të kancelares Angela Merkel. Gjermania në këtë mënyrë ka parandaluar shumë veprime të gabueshme. Njëra prej tyre ishte edhe ideja e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, që në fakt më shumë do të ishte ndarje e Kosovës sesa shkëmbim territori. Por hezitimi gjerman ka pasur edhe pasoja. Për shembull, në BE dhe në NATO Gjermania ka siguruar që vendeve si Ukraina apo Gjeorgjia të mos u jepet ndonjë shpresë se mund të bëhen ndonjë ditë anëtare. Kjo ka inkurajuar Rusinë t’i sulmojë këto shtete. Gjermania gjithmonë kur është vendosur diçka në BE dhe në NATO ka parashtruar pyetjen se “si do të shihet kjo nga Rusia”. Ndonëse e ka kritikuar shpesh liderin rus Vladimir Putin, Gjermania nuk ka pasur problem të bashkëpunojë me të.
Ajo që mund të pritet sa i përket rolit të Gjermanisë në BE, është kontinuiteti. Të tri partitë, apo të katërtat nëse nuk e përjashtojmë as CDU-në nga mundësia e hyrjes në qeveri, janë pro BE-së. Asnjëra nuk e vë në dyshim BE-në. Kanë pak dallime sa u përket ambicieve për ruajtjen e mjedisit, rreth kolektivizimit të borxhit në nivel të BE-së apo eurozonës. Por në të gjitha gjërat parimore rreth të ardhmes së BE-së dhe vlerave mbi të cilat ajo është krijuar nuk kanë dallim.
Në anën tjetër, të gjitha këto parti nacionale gjermane kanë rol kryesor edhe në grupet politike në nivel të BE-së. Asnjëra nuk e vë në dyshim as kontributin financiar të Gjermanisë në buxhetin e përbashkët të BE-së, e ai është më i madhi. Vetëm Holanda për kokë banori jep në BE më shumë sesa Gjermania. Sepse e di se këtu është edhe interesi gjerman. Gjermania dhe industria e saj përfitojnë edhe nga zhvillimi ekonomik i vendeve të tjera të BE-së. Asnjëra nga këto parti nuk e vë në dyshim as bashkëpunimin me Francën për të mbajtur atë që njihet si “motor i BE-së”. Kanë pak dallime sa u përket raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por jo të mëdha dhe jo në atë masë saqë të prishet aleanca me këtë shtet. Dhe është mirë që të gjitha këto parti e kanë përjashtuar mundësinë e koalicionit me të djathtën ekstreme, më saktësisht Alternativën për Gjermaninë. Ndonëse lideri Socialdemokrat Sholz nuk e ka përjashtuar koalicionin me të majtën ekstreme, ata kanë fituar aq pak vota, saqë nuk do t’i ndihmojnë SPD-së edhe nëse arrin marrëveshje me Liberalët dhe të Gjelbërit nuk i duhet fare. Vetëm do t’i bënte problem për shkak se edhe aty, sikur edhe në të djathtën ekstreme, ka elemente proruse dhe antiamerikane.
Një kontinuitet në politikën gjermane pritet edhe në qasjen ndaj Ballkanit Perëndimor. Kjo mund të jetë mirë, sepse stabiliteti do të jetë interesi kryesor. Por nuk mund të pritet që Gjermania të jetë më aktive në kërkimin e zgjidhjeve të problemeve, prej të cilave raportet mes Kosovës dhe Serbisë dhe reformat zgjedhore në Bosnjë-Hercegovinë janë kyç.
Kushdo që të jetë në krye të Qeverisë gjermane do të mbështetë edhe zgjerimin e BE-së, por nuk do të bëjë shumë që ai zgjerim dhe të ndodhë. Në këto pika po ashtu do të veprojë mbi trashëgiminë politike që ka lënë Angela Merkel. Nuk do të lejojë që të prishet BE-ja, do të punojë për të tejkaluar krizat, për të mbajtur sado që të jetë i mundur uniteti i BE-së. Dhe ky është një lajm i mirë edhe për Evropën nga zgjedhjet gjermane.