Shteti mik përnjëmend do të na ndihmonte shumë më shumë edhe po qe se do ta kishte një qasje më të balancuar ndaj palëve - sepse është vështirë e besueshme që të mos mund ta bëjë njëmend dallimin se cila është delja e zezë e tufës ballkanike. Nuk jemi aq naivë sa për të mos kuptuar rëndësinë e interesave ekonomike që e shtyjnë një superfuqi evropiane t’i mbyllë sytë para asaj që është aq e dukshme. Por, miqtë e mirë nuk i braktisin projektet e mira në të cilat kanë dhënë aq shumë
Zgjatja e mandatit si lehtësues edhe për gjashtë muaj e më pas edhe kumti se ambasadorit aktual të BE-së në Zvicër i ishte zgjatur mandati deri në gushtin e vitit tjetër, janë që të dyja lajme jo të mira. Të parën edhe disi e përpimë, duke besuar se ishte angazhim i përkohshëm. Kjo e dyta nuk është ogur fort i mirë, sepse mund të ndodhë që shefja e re e Politikës së Jashtme dhe e Sigurisë së BE-së të vazhdojë ta mbajë Miroslav Lajčákun emisar.
Po a durohet edhe një mandat dikush që më së paku i përshtatet titulli “lehtësues”? Diplomatit sllovak më së shumti do t’i përshtatej titulli “komplikues”.
Lajčáku është i njohur për nga fakti se së bashku me shefin e tij, Borrell, e bënë përshesh marrëveshjen në Ohër; gjithashtu është i njohur për nga fakti se qe dy vjet nuk i bën referencë një letre të Bërnabiqit, në të cilën thuhej shprehimisht se Serbia vinte rezerva në marrëveshjen dhe se do t’i zbatonte vetëm dispozitat që do t’i konvenonin; dhe tash u bë i njohur për nga fakti se dje, sipërfaqësisht dhe kalimthi, e përmendi se “Serbia e ka tërhequr letrën e Bërnabiqit”, thuajse asgjë nuk ka ndodhur deri tash.
Është i njohur edhe si përkrahësi më i madh, nëse jo nismëtari, i imponimit të sanksioneve kundër Kosovës. Pra, tradicionalisht, thuajse përherë e fajëson Kosovën se është palë jokonstruktive që bën “veprime të njëanshme” dhe që e refuzon “normalizimin”. Ndonjëherë sa për balancë thotë që shoqëritë serbe e kosovare nuk e duan normalizimin.
Me rëndësi është se ai e do vendin e tij të punës, se pos që paguhet mirë, i jep shans për katapultim në nivele më të larta politike në BE. Kësi hovi, thonë, i ka dështuar plani për t’u emëruar komisionar i BE-së për diçka.
* * *
Në tetor të vjetëm kishte deklaruar: “Në rrethanat aktuale nuk duket mirë që Kosova është nën masa negative të BE-së dhe kjo çështje duhet adresuar. Kjo është njëra mundësi që unë personalisht do ta mbështes”. Bënte fjalë për sanksionet për të cilat kishte lobuar fuqishëm që të na imponoheshin. Pas 11 muajsh, është evidente se “mbështetja” e tij shkon në kahun tjetër – që sanksionet të mbesin e të shërbejnë si karotë a shkop (varësisht nga këndvështrimi) ndërkohë që Serbia haptazi e sfidon bashkësinë ndërkombëtare me vizitën e zëvendëskryeministrit serb, Vulin, në Moskë dhe takimin me Putinin.
Lajčáku erdhi në Prishtinë një ditë pas vizitës së emisarit gjerman Sarrazin - dhe besoj se që të dyja vizitat do të duhej të shikoheshin si një ushtrim presioni ndaj autoriteteve në Prishtinë që të tregoheshin “bashkëpunues” për shumë tema e në veçanti për “veprimet e njëanshme”.
Përderisa prej Lajčákut nuk mund të pritet shumë pos që me lehtësinë më të madhe të thotë se “Serbia e ka tërhequr letrën e Bërnabiqit” pa e sjellë dokumentin që do ta dëshmonte (për pasojë që do të të shtynte të mos i besoje edhe për shkak të faktit se mbeti i heshtur ndaj deklaratës së kryeministrit serb në Kuvendin e Serbisë, që thotë se Serbia nuk e ka pranuar marrëveshjen e cytur nga gjermanët dhe francezët), Sarrazini befasoi për të keq në një intervistë në Interaktiv, me një sërë deklaratash të çuditshme.
Sarrazin u përqendrua te CEFTA, si problemin kryesor, ku nga Kosova kërkohet që të lejojë tregtinë e lirë të mallrave serbe në Kosovë, të cilat ka kohë që nuk depërtojnë për shkak të masave të sigurisë të imponuara pas Banjskës. E për Banjskën ende nuk ka raport e as qëndrim përfundimtar nga BE-ja, as pas thuajse një viti.
Kjo është çfarë u përgjigj:
KOHA: Në pikëpamjen tuaj, Kosova po i bllokon mallrat serbe dhe Marrëveshjen e CEFTA-s dhe ju përmendët se për këtë mund të ketë 6 minus një për këtë çështje. Bosnjë-Hercegovina po e bllokon lëvizjen e lirë të njerëzve, pse nuk e kemi pra pas kësaj një 6 minus 2?
Sarrazin: Për mua procedura 6 minus 1 është shumë vendimtare për të ardhmen dhe mendoj se është e rëndësishme që secili ta kuptojë se ka një logjikë pas kësaj.
KOHA: A janë standarde të dyfishta, një qytetar i Kosovës do t’ju pyeste?
Sarrazin: Dua ta them qartë se ka këtu një dallim, me lëvizjen e njerëzve dhe letërnjoftime, ata po e bllokojnë veten dhe Kosovën, por nuk po i bllokojnë kosovarët për të lëvizur në Serbi, serbët në Kosovë dhe të tjerë qytetarë të rajonit. Prandaj, ata po e bllokojnë vetveten dhe në këtë stad edhe kosovarët për të hyrë në Bosnjë, por kryesisht veten e tyre. Nëse ju e bllokoni CEFTA-n, e bllokoni po ashtu Malin e Zi dhe Shqipërinë për ta bërë këtë gjë së bashku. Ju bllokoni kështu edhe Bosnjë-Hercegovinën dhe Maqedoninë e Veriut nga kjo. Dhe kështu, do t’i shtyni vendet e tjera të bëjnë marrëveshje bilaterale, si “Ballkani i Hapur”, iniciativë që hartohet nga Beogradi, për të bashkëpunuar. Nëse nuk doni që të rikthehet “Ballkani i Hapur” nga hiri, ju duhet të keni vullnet politik për të bërë një kompromis edhe atëherë kur mbase nuk është gjëja që donit të bënit.
Para se ta thoshte këtë për Bosnjën, e tha se edhe Kosova po e bllokonte veten. Tash, nëse BeH po e bllokonte edhe veten, edhe Kosovën, si bëhet pra që dikush që e bllokon vetëm vetveten të përjashtohet nga grupi e jo edhe ai që i bllokon dy palët? Matematikë e komplikuar kjo.
Më tej, Sarrazini kërkoi koordinim edhe për hapjen e urës së famshme, që u bë përrallë më, edhe pse kjo çështje është zgjidhur në Bruksel, nga ka dalë madje një dokument konkluzionesh nga Komisioni Evropian më 2020, sipas të cilit “punimet në urë kanë përfunduar dhe ajo duhet të hapet pa vonesa dhe pa pengesa të mëtejme”. E marrëveshja për urën më të famshme në botë është arritur më 2015 – pra gati para një dekade.
Një dekadë nuk i doli boll Evropës, po as Kosovës pa koordinim, që ta hapte urën për qarkullimin e automjeteve, dhe tash të gjitha shtizat po thyhen aty, thuajse nuk kemi telashe të tjera. Një urë është gjë normale në cilindo shtet evropian, por në Kosovë ajo nënkupton prishjen e status quo-së që më së shumti dëm u bën kosovarëve.
Sarrazin pati përgjigje tepër konfuze kur u pyet se përse shteti i tij lidh marrëveshje për litium, ndërkohë që udhëheqësit politikë të pronarit të litiumit zotohen publikisht se nuk do t’i imponojnë sanksione Rusisë dhe se nuk do t’i ndërprisnin raportet ekonomike e të tjera – që është në kundërshtim me politikat e BE-së.
KOHA: Po, por (serbët) janë fuqi rajonale, do të mund të thoshim, duke pasur parasysh potencialin e tyre ushtarak, ekonomik... dhe ka plot që e kanë parë këtë si bashkërenditje me politikën e jashtme evropiane, që Serbia të kalojë në anën e Evropës, porse veç një ditë më herët, një nga zyrtarët kryesorë të Beogradit, Aleksandar Vulin, pra zëvendëskryeministri i Serbisë, e vizitoi Moskën, Kremlinin, dhe u zotua për aleancën me ta, dhe u tha se nuk do të duhej të brengoseshin se nuk do të impononin sanksione ndaj Rusisë. E shohim se Serbia është ulur në dy karrige, dhe kjo nuk është hera e parë, edhe sa gjatë mund ta toleroni këtë politikë, përderisa lidhni marrëveshje me një shtet që të nesërmen takohet me Putinin dhe zotohet për aleancë me shtetin që është duke e shkatërruar Ukrainën, për të cilën gjë Evropa duhet të qëndrojë bashkë. Çfarë do të thoshit për këtë?
Sarrazin: Cila është përgjigjja e politikanëve kosovarë ndaj zotimit të Turqisë që t’i bashkohet BRICS-it?
KOHA: Nuk jam zyrtar qeveritar, jam gazetar, mbase i keni pyetur ata çfarë mendojnë?
Sarrazin: Sepse besoj që BRICS – mbledhja do të mbahet më duket në Rusi...
KOHA: Nuk po e kuptoj pyetjen tuaj. Unë vetëm po shtroj pyetje.
Sarrazin: Edhe unë po e shtroj, ju mund të përgjigjeni.
KOHA: Ju jeni politikëbërës, kurse unë jam gazetar. Unë nuk marr vendime.
Sarrazin: Ndoshta në të ardhmen bëhem gazetar. Dëgjoni, z. Vulin është figurë e njohur e politikës serbe, nuk më pëlqen ajo që e ka thënë në disa javët e fundit... për mua është shumë, shumë negative të shoh se dikush mund të krenohet hapur pse mund të krijojë lista me emra që i sheh kundër Serbisë, madje emra nga shtete anëtare... Jemi shprehur të palumtur me faktin se z. Vulin e mban këtë post në Qeverinë e Serbisë dhe vetëm këtë mund ta them për këtë.
E në terren: Kosova vazhdon nën sanksione të BE-së. Serbia shpëton “pa ferrë në këmbë”, edhe pas sulmit terrorist të shtatorit të vjetëm.
* * *
E falënderoj kësaj radhe Eraldinin që më ndihmoi ta shkruaja këtë kolumne me një intervistë syhapëse me përfaqësuesin e një shteti mik përnjëmend, i cili do t’i ndihmonte shumë më shumë Kosovës me investime në ekonomi, në hapje të vendeve të punës. Me siguri se vlera e punës te ne do të ishte më e ulët sesa në vetë shtetin mik.
Do të na ndihmonte shumë më shumë edhe po qe se do ta kishte një qasje më të balancuar ndaj palëve – sepse është vështirë e besueshme që të mos mund ta veçojë njëmend delen e zezë të tufës ballkanike.
Nuk jemi aq naivë sa për të mos kuptuar rëndësinë e interesave ekonomike që e shtyjnë një superfuqi evropiane t’i mbyllë sytë para asaj që është aq e dukshme. Por, miqtë e mirë nuk i braktisin projektet e mira në të cilat kanë dhënë aq shumë.