Pandemia gati është harruar, por një udhëtim me tren nga Zürichu në München dhe rregullat e ndryshme për bartjen e maskës kanë potencial edhe humoristik.
Në Zvicër ka disa javë që udhëtarët nuk janë të obliguar të bartin maskë në tren, anije, tramvaj e autobus, pra në atë që quhet transport publik. Aty-këtu ende shihen njerëz që bartin maskë për t’u mbrojtur nga pandemia, e cila është këtu, mes nesh, ndonëse dukshëm e ka humbur potencialin frikësues. Kur sheh njerëz me maskë në tren, ata të duken pak si jashtëtokësorë, një relikt i kohërave të shkuara.
Udhëtarët e trenit nga Zürichu në München nuk janë të obliguar të bartin maskë deri në kufi me Austrinë. Para se treni të futet në Austri, konduktori paralajmëron se udhëtarët duhet të bartin një maskë FFP-2, pra maskë mbrojtëse, e cila dallon nga maska e thjeshtë, pasi që FFP-2 ofron mbrojtje më të madhe. Udhëtarët e njëjtë tani bartin maska FFP-2. Kjo nuk zgjat aq sepse pas nja 15-20 minutave treni hyn në Gjermani – atje vlejnë rregulla të tjera: në trenat e distancave të gjata mjafton një maskë higjienike.
Një burrë nuk bart maskë. Dëgjon muzikë dhe kotet pranë dritares së trenit. Vjen konduktori dhe dalëngadalë e zgjon nga gjumi për t’ia bërë me dije se duhet të bart maskë. “Jo”, thotë burri, “kam pyetur dhe nuk duhet bartur maskë”. Konduktori: “Ku keni pyetur?” - “E kam pyetur zyrën për informata të hekurudhave gjermane”, ia kthen ai. Konduktori nuk lëshon pe, ia tregon rregullat që vlejnë në Bavari. Dikur, ndërsa udhëtarët e trenit tundin kokën në shenjë habie a pakënaqësie me kryeneçësinë e udhëtarit, ai bindet dhe vendos maskën.
Në stacionin e trenit në München bien në sy tabelat me informata për refugjatët nga Ukraina. Në metro vlejnë rregulla të tjera të maskimit. Këtu s’mjafton maska e thjeshtë, duhet një maskë FFP-2. Pak minuta më vonë, në ndërtesën e redaksisë së gazetës “Süddeutsche Zeitung”, mjafton maska e thjeshtë. Mund ta heqësh kur të ulesh. Ditën tjetër, në librari, nuk duhet bartur maskë. C”ili është dallimi mes redaksisë dhe librarisë?
Për dy ditë dhe brenda një distance prej 300 kilometrash udhëtari përjeton një komedi maskash.
Diversiteti i maskave reflektohet edhe në gjuhën gjermane. “Maske” është maskë. Por në Gjermaninë veriore maskës i thonë edhe “Schnutenpulli” (gjermani verior gojës i thotë “Schnute”, ndërsa “Pulli” i thotë xhemperit). Në Gjermaninë jugore njerëzit thonë se bartin “Maultaschen”, që përkthyer direkt në shqip i bie: qese për gojë.
Bota do të mund të ishte aq e thjeshtë. Këtë na e dëshmon rruzulli tokësor: do të mbetet përherë rruzull. Një trup i rrumbullakët. Që nganjëherë bëhet lëmsh. Ngjashëm edhe në trenin e sotëm nga Müncheni në Zürich. Por ka shpresë. Stacioni i ardhshëm është St. Margrethen. Në Zvicër. Dhe në Zvicër mund të heqësh maskën. Në tren. “Welcome to Switzerland”.