Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
OpEd

Kina duhet t’i bashkohet klubit të Parisit

Derisa përherë e më shumë ekonomi në ngritje konfrontohen me gjasat e falimentimit, Kina do të mund ta pasonte shembullin e Rusisë. Për të mirën e saj dhe të gjithkujt tjetër, ajo e ka vendin përbrenda klubit

Bishkek, 16 dhjetor – Zhytja në borxhe kudo në botë kurrë nuk ka qenë më e madhe sesa që është sot. Pasi që normat e interesit kanë mbetur në nivel aq të ulët për një kohë kaq të gjatë, çdokush që mund të merrte hua e ka bërë një gjë të tillë. Por, edhe me kostot përtokë për huamarrje tkurrja ekonomike prej pandemisë ka nxitur një pas një shtetet e brishta që të deklarojnë falimentimet apo të sinjalizojnë se mund ta bëjnë një gjë të tillë shumë shpejt. Ç’është edhe më keq, edhe ekonomitë në ngritje që janë kreditoret kryesore, si puna e Kinës, kanë pak përvojë në menaxhimin e falimentimeve të njëpasnjëshme.

Më 13 nëntor Zambia u bë vendi i gjashtë që nuk arriti ta mbulonte borxhin e saj sivjet (pas Argjentinës, Belizesë, Ekuadorit, Libanit dhe Surinamit). Të tjerat mund të pasojnë.

Ndërkohë vendet e tjera janë në kërkim të ristrukturimit të borxhit me qëllim të shmangies së falimentimit. Për shembull, borxhi i përgjithshëm publik i Kirgizisë në fund të qershorit ishte 4.7 miliardë dollarë, 4.1 miliardë prej të cilave ndaj kreditorëve të huaj, si dhe 1.775 miliardë dollarë ndaj Kinës.

Kirgizia zor se është vetëm në këtë gjë. Më 2018, 72 vende në zhvillim dhe me të ardhura të ulëta, që bashkërisht kapin shifrën totale të borxhit prej 514 miliardë dollarësh, u kishin borxh 104 miliardë dollarë kreditorëve kinezë (106 miliardë dollarë ishte borxhi ndaj Bankës Botërore dhe 60 miliardë hisedarëve privatë). Në këtë shumë përfshihen huat direkte nga Qeveria kineze; huazimet nga “bankat private”, si ajo e Bankës Kineze për Zhvillim; dhe huat jokoncesionare nga ndërmarrjet komerciale që nuk ishin në pronësi shtetërore.

Edhe “Dora e padukshme” që stabilizoi tregun e naftës, si Kina në heshtje e shpëtoi ekonominë botërore? Botë 1 muaj më parë “Dora e padukshme” që stabilizoi tregun e naftës, si Kina në heshtje e shpëtoi ekonominë botërore?

Burime të tjera kineze lanë që të kuptohet se borxhi aktual është edhe më i lartë sesa që sugjerojnë shifrat e raportuara. Në fund të vitit 2017, Banka Popullore e Kinës kishte raportuar se vendi ka 637 miliardë dollarë hua ndërkombëtare. Ka fare pak dyshim se Kina është tani timonieri i veturës për sa i përket çështjes së menaxhimit të borxhit sovran të vendeve në zhvillim.

Pyetja është nëse ajo di se si ta ngasë këtë veturë.

Qysh nga fillimi i pandemisë, një konsensus i gjerë global rreth ristrukturimit të borxheve sovrane ka marrë gradualisht formë. Në takimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore në muajin prill, ministrat e Financave të G20-s ishin pajtuar që “ta mbështesin suspendimin për kohë të caktuar të shërbimit të pagesave të borxhit” për 73 vendet më të varfra të botës, teksa ato po ballafaqoheshin me krizën e renduar të COVID-19. Si pjesë e kësaj Iniciative për Suspendimin e Shërbimit të Borxhit (DSSI), rreth 12 miliardë dollarë pagesa që duhej të kryheshin prej 1 majit e deri në fund të vitit janë riprogramuar (dhe kjo mundësi që atëherë është zgjeruar edhe më tej, për të përthekuar edhe mesin e vitit 2021).

Kina e ka kryer plotësisht hisenë e saj të punës për zbatimin e kësaj iniciative, derisa i ka kapërcyer vetë vështirësitë e saja të ndërlidhura me pandeminë. Siç presidenti kinez, Xi Jinping, u ka thënë pjesëmarrësve të tjerë të G20-s në nëntor, “ne duhet ta vazhdojmë përkrahjen tonë për vendet në zhvillim dhe t’i ndihmojmë ato që t’i tejkalojnë vështirësitë e shkaktuara nga pandemia”.

Përkrahja e Kinës ka jashtëzakonisht rëndësi. Duke qenë deri më tani kreditori më i madh bilateral i vendeve me të ardhura të ulëta, Kina numëron përafërsisht 20-përqindëshin e borxhit total të huaj, të cilin e kanë 73 qeveri që mbulohen nga DSSI-ja, dhe rreth 30-përqindëshin e shërbimit të tyre të borxhit për këtë vit. Ndonëse DSSI-ja ishte një fillim i mirë, ajo qe vetëm një iniciativë njëpalëshe, dhe përfshiu vetëm vendet më të varfra të botës. Shkaku që shumë vende me të ardhura të mesme mund të falimentojnë apo të kërkojnë ristrukturim të borxhit, nevojitet një kornizë më e gjerë për të përcaktuar rregulla universale për grupe të ndryshme kreditorësh.

Edhe Nga abuzimi te shpresa: lufta e grave kundër martesave të detyruara në Kinë Botë 1 muaj më parë Nga abuzimi te shpresa: lufta e grave kundër martesave të detyruara në Kinë

Fatmirësisht një kornizë e tillë veçse ekziston: Klubi i Parisit i kreditorëve sovranë përcakton rregullat e përgjithshme për menaxhimin dhe ristrukturimin e borxhit sovran. I themeluar më 1956, me anë të negociatave fillimisht midis Argjentinës dhe kreditorëve të saj zyrtarë në Paris, grupi i bashkon zyrtarët e ministrive të financave të vendeve madhore kreditore për zgjidhjen e vështirësive për pagesën e borxheve.

Problemi është se Kina, huadhënësi më i madh sovran në botë, nuk është anëtar i këtij grupi, ngase kreditorët e tjerë ankohen se huat dhe kushtet e saja për huazime nuk janë transparente. Dyshimi i përbashkët është se Kina e përdor këtë petkun e mjegullës për të arritur ujdi bilaterale me qeveritarë në borxhe që faktikisht janë në mëshirën e saj. Por tani që falimentimet janë shumëfishuar dhe borxhet më të larta janë akumuluar kudo, vetë Kina mund të jetë e interesuar për të adoptuar një qasje të re. Tekefundit ajo nuk i ka rregulluar aq mirë kreditë e saja, as kushtet e huazimit nuk i ka të standardizuara e nuk ka as përvojë të mjaftueshme me ristrukturim të borxhit – një proces ky që rëndom mbikëqyret nga FMN-ja. Ama është e qartë se vendet debitore, për dallim prej atyre kreditore dhe Kina kanë goxha interes që ajo të bëhet pjesë e klubit të Parisit.

Përvoja e Rusisë pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik është shembull ilustrues. Bashkimi Sovjetik kishte furnizuar shuma të majme parash për shumë vende në zhvillim, nën kushte komplekse e sekrete dhe përgjithësisht me norma shumë të ulëta interesi, duke e lënë të paqartë punën nëse huazimet e tilla ishin hua apo subvencione. Kur Qeveria ruse vendosi t’i ndryshonte veprimet në mes të viteve ‘90, ajo i hapi librat e huas dhe iu drejtua Klubit të Parisit për të kuptuar se si mund të arriheshin rregullime të arsyeshme.

Shtatorin e 1997-s Rusia u bë anëtare zyrtare e klubit, me ç’rast ministri i saj i Financave, Anatoly Chubais, parashikoi se pagesat vjetore nga vendet debitorë do të rriteshin nga 200 milionë dollarë në të paktën 500 milionë, ani pse Rusia do të zbatonte një ulje prej 30-80 për qind për 37 miliardë dollarët e borxhit që kishte. Në fund, aranzhimi ka funksionuar aq mirë saqë askush më nuk mund të dëgjojë ndonjë gjë lidhur me huat ruse dhe Klubin e Parisit.

Edhe Samiti Trump-Xi do të përcaktojë marrëdhëniet e superfuqive për shumë vjet Botë 2 muaj më parë Samiti Trump-Xi do të përcaktojë marrëdhëniet e superfuqive për shumë vjet

Derisa përherë e më shumë ekonomi në ngritje konfrontohen me gjasat e falimentimit, Kina do të mund ta pasonte shembullin e Rusisë. Për të mirën e saj dhe të gjithkujt tjetër, ajo e ka vendin përbrenda klubit.

(Anders Åslund është një anëtar i lartë i Këshillit Atlantik në Washington. Djoomart Otorbaev është ish-kryeministër i Kirgizisë. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë ndërkombëtare “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)