Në 30 vjetët që nga rënia e Pinochet-it, Kili kaloi nga statusi me të ardhura të ulëta në të mesme. Zhvillimi ekonomik i tij ka qenë më i ngadalshëm sesa pritej dhe ka ende shumë punë për të bërë. Por gati dy të tretat e kilianëve kanë sinjalizuar se nuk duan të rrezikojnë këtë premtim
Refuzimi popullor i Kushtetutës së re të propozuar të Kilit ishte i pritur. Përmasa e këtij refuzimi nuk ishte e pritur. Këtë muaj, gati 62% e 13 milionë votuesve që dolën i thanë jo draftit, i cili do ta zëvendësonte Kushtetutën e shkruar gjatë diktaturës ushtarake të Augusto Pinochet.
Refuzimi dërrmues i Kushtetutës së re është goditje për presidentin Gabriel Boriç, i cili e mbështeti atë. Për më tepër, tregoi qartë se Konventa Kushtetuese që e hartoi shkoi shumë përtej aspiratave dhe bindjeve të elektoratit kilian.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoBoriç, ish-ligjvënës i krahut të majtë, i cili u zgjodh vitin e kaluar, mbrojti draftin e shkruar nga asambleja që përfshin kryesisht aleatët dhe miqtë e tij. Si i tillë, ai është pjesërisht përgjegjës për dështimin. Teksa ka njoftuar tashmë riorganizim të kabinetit pas humbjes së referendumit, tani do të detyrohet të marrë vendime më të vështira: cilat politika të ndjekë dhe cilët këshilltarë t’i mbajë, dhe si të mbajë premtimet reformiste që bëri gjatë fushatës së tij.
Është e vështirë të përcaktohet se çfarë i ktheu votuesit kilianë kundër Kushtetutës së propozuar, por nuk ka dyshim se lajmet e rreme dhe dezinformatat luajtën rol. Nuk ishte e vështirë të bindeshin votuesit që nuk kishin lexuar 170 faqet dhe 388 artikujt e draftit se shtëpitë e tyre do t'u merreshin, se do të humbnin përfitimet dhe pensionet private të kujdesit shëndetësor, se aborti do të ishte i ligjshëm deri në muajin e nëntë të shtatzënisë, dhe se Kili ishte gati të shndërrohej në Venezuelën e ardhshme.
Megjithatë, reformat e gjera politike dhe gjyqësore të Kushtetutës së propozuar zmbrapsën shumë votues të cilët përndryshe mund të kishin miratuar shumë nga të drejtat sociale dhe ekonomike që synonte të ruante. Drafti përcaktonte Kilin si “shtet shumëkombëtar” dhe u jepte njerëzve indigjenë të drejta dhe mbrojtje që u janë mohuar prej kohësh. Por gjithashtu kërkoi të shfuqizonte Senatin dhe vuri në pikëpyetje gjyqësorin e pavarur dhe të respektuar të vendit duke kërkuar të krijonte sistem të veçantë gjykatash vendëse. Drafti përfshinte gjithashtu mbrojtje të gjera mjedisore që, ndonëse të njohura nga aktivistët, trembën shumë të tjerë.
Drafti i propozuar do të garantonte mbi 100 të drejta të reja – më shumë se çdo kushtetutë tjetër në botë. Ai u përpoq të bënte të drejtë kujdesin shëndetësor universal, të vendoste barazi gjinore në degët ekzekutive dhe legjislative, të forconte sindikatat dhe të shtrëngonte rregulloret e minierave. Disa ekonomistë, përfshirë ministrat e financave të qeverive të mëparshme të qendrës së majtë, menduan se e gjithë kjo do të kushtonte shumë. Por propozimi mund të kishte apeluar në një sërë zonash elektorale dhe të kishte kapur lehtësisht më shumë se gjysmën e elektoratit. Në vend të kësaj i largoi votuesit të cilët arritën në përfundimin se do ta zhvendoste Kilin shumë më thellë së majtës.
Kjo nuk ishte mënyra se si duhej të ndodhte. Kur shpërthyen protestat masive kundër Qeverisë së mëparshme të krahut të djathtë në tetor 2019, demonstruesit miratuan sloganin “No son 30 pesos, son 30 años" (“Nuk janë 30 pesos, por rreth 30 vjet”) - një mesazh i qartë që të rinjtë ishin të zemëruar për shumë më tepër sesa për rritjen e vogël të taksës së metrosë që i dha shtysë lëvizjes. Rinia e Kilit nuk u impresionua nga rritja ekonomike dhe ulja e varfërisë në tri dekadat që nga fundi i diktaturës së Pinochet-it. Në vend të kësaj, të rinjtë u tërbuan kundër borxhit të lartë studentor, skemave të shtrenjta të kujdesit shëndetësor privat dhe pensioneve, pabarazisë ekstreme dhe ndjenjës së gjerë më të paprekshme të përjashtimit.
Për njëfarë kohe, e majta progresive e vendit dukej se ishte në lëvizje. Në tetor 2020, gati 80% e kilianëve votuan në favor të hartimit të kushtetutës së re. Më vonë, akademikja Elisa Loncón Antileo - indigjene Mapuche - u zgjodh presidente e Konventës Kushtetuese të sapokrijuar. Në dhjetor 2021, Boriç – socialist 35-vjeçar dhe ish-aktivist student – mposhti kandidatin presidencial të ekstremit të djathtë, José Antonio Kast, me diferencë të madhe.
Por muajt e parë të Boriçit në pushtet ishin të ashpër, për shkak të dëmit ekonomik që Kili pësoi gjatë pandemisë. Rritja e PBB-së u ngadalësua, deficiti buxhetor u zgjerua, inflacioni u rrit, krimi u rrit (megjithëse në nivel i ulët) dhe koalicioni i Boriçit luftoi për të mbajtur në linjë anëtarët e tij më radikalë. Pavarësisht marrjes së detyrës pasi Kushtetuta e re po merrte tashmë prekjet e saj përfundimtare, votuesit erdhën ta lidhnin Boriçin me draftin e propozuar, i cili nuk ndihmoi në rënien e numrit të tij të votuesve.
Nisur nga kjo, rezultatet e referendumit të këtij muaji nuk duhet të jenë befasuese. Kilianët janë më konservatorë sesa do të tregonin ngjarjet që çuan në votim dhe në përgjithësi janë të kujdesshëm ndaj përpjekjeve për të thyer atë që shumë e konsiderojnë periudhë të gjatë prosperiteti.
Në 30 vjetët që nga rënia e Pinochet-it, Kili kaloi nga statusi me të ardhura të ulëta në të mesme. Zhvillimi ekonomik i tij ka qenë më i ngadalshëm sesa pritej dhe ka ende shumë punë për të bërë. Por gati dy të tretat e kilianëve kanë sinjalizuar se nuk duan të rrezikojnë këtë premtim. Ata ndoshta duan ende kushtetutë të re, por duan demokracinë sociale, ndoshta edhe demokracinë sociale të krishterë. Ajo që ata definitivisht nuk duan, treguan këtë muaj, është revolucioni.
(Jorge G. Castañeda, ish-ministër i Jashtëm i Meksikës, është profesor në Universitetin e Nju-Jorkut dhe autor i “America Through Foreign Eyes” (Oxford University Press, 2020). Vështrimi është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”.)