Ideale do të ishte sikur policitë e Kosovës dhe të Serbisë do të mund të patrullonin së bashku në të dyja anët e kufirit, sikur bëjnë edhe shumë vende të Evropës. Por, Kosova dhe Serbia nuk i kanë ende në atë nivel raportet. Serbia e konsideron Kosovën si pjesë të saj dhe përderisa të jetë ashtu NATO-ja nuk duhet të lejojë asnjë prani ushtarake e policore të Serbisë në Kosovë. Është e pakuptimtë se pse Kosova nuk mund të dërgojë në pjesën veriore njësitë e FSK-së, sepse kjo “do ta shqetësonte popullatën lokale”, ndërsa KFOR-i, pa paralajmërim, lejon njësitë e policisë së Serbisë të hyjnë në territorin e Kosovës
Nuk është aspak patetike kur kosovarët e konsiderojnë si të shenjtë luftën e NATO-s, që i dha fund sundimit të regjimit serb të Millosheviqit në Kosovë dhe se për këtë shqiptarët e Kosovës do të jenë përjetë falënderues. Do të ishte e padrejtë, jofisnike e besa edhe skandaloze, sikur të mos ishte kështu. Pa këtë ndërhyrje Kosova vështirë se do të çlirohej, refugjatët nuk do të ktheheshin në shtëpitë e tyre dhe në fund, edhe pse ky nuk ishte qëllimi i NATO-s, Kosova vështirë se do të mund të pavarësohej. Pra, nuk ka asnjë dyshim në besimin e përjetshëm ndaj NATO-s nga ana e kosovarëve dhe se politikanët e Kosovës bëjnë mirë kur ua kujtojnë qytetarëve se pa NATO-n sot nuk do ta kishim këtë liri që e kemi.
Por, përveç aspekteve ushtarake, që nga ndërhyrja e NATO-s në pranverë të vitit 1999 e deri te ruajtja e “mjedisit të sigurt” të Kosovës deri më sot, raportet mes Kosovës dhe NATO-s në aspektin formal dhe politik nuk janë ideale. NATO-ja, si aleancë veprimi i së cilës bazohet në konsensusin e të gjitha shteteve anëtare, nuk e njeh dhe nuk e trajton Kosovën si shtet. Në qasje ndaj Kosovës, NATO-ja është edhe më strikte se Bashkimi Evropian. Forma e raporteve nganjëherë duket edhe qesharake, sepse NATO heziton të përmendë edhe vetë Kosovën, ndërsa kontaktet e zyrtarëve të lartë të NATO-s dhe ata të Kosovës i paraqet pothuajse sikur të ishin kontakte të karakterit privat. Pikërisht për shkak të nevojës që vendimet të merren njëzëri nga të gjitha shtetet anëtare, ku secili ka të drejtë të vetos, NATO-ja nuk e ka mbështetur as transformimin e FSK-së në ushtri të Kosovës në mënyrën si është bërë. Politikisht NATO-ja është shumë pak apo aspak e angazhuar në Kosovë. Pjesën ushtarake të detyrave po i kryen në mënyrë të jashtëzakonshme, duke qenë prania më e besueshme ndërkombëtare në Kosovë për të gjithë qytetarët, përfshirë edhe serbët e Kosovës. Nga aspekti politik, NATO-ja ka raporte më të qarta - dhe nuk do të ishte ekzagjerim të thuhej edhe më të mira - me Serbinë sesa me Kosovën. Problemet dhe irritimet në raporte vijnë nga ana e Serbisë, e jo e NATO-s. Prandaj, në këtë situatë nuk është kurrfarë blasfemie që edhe ndaj veprimeve apo mosveprimeve të NATO-s të dërgohen kritika, pa marrë parasysh gjithë atë që ka bërë Kosova. Problemet në raportet politike dhe juridike mes Kosovës dhe NATO-s nuk do të duhej të ndikonin kurrsesi në operacionet e NATO-s në territorin e Kosovës. Këto dy gjëra duhet ndarë. Siç i kanë ndarë edhe BE dhe NATO, të cilat nuk e kanë të lehtë bashkëpunimin mes vete, por kjo nuk ka ndikuar në ndarjen e qartë të detyrave të Kosovës mes KFOR-it dhe EULEX-it.
Por, edhe gjatë veprimeve në terren në Kosovë, strukturat e KFOR-it, që është mision i udhëhequr nga NATO-ja, duhet të kenë kujdes për ndjenjat e qytetarëve. Para së gjithash, duhet të kenë mirëkuptim për shqetësimet e tyre kur shohin uniforma të ushtarëve apo policëve të Serbisë. Prandaj, duhet të kuptohet edhe shqetësimi i qytetarëve të Komunës së Kamenicës për pamjet se si disa pjesëtarë të xhandarmërisë së Serbisë kishin hyrë në territorin e Kosovës, qoftë edhe të përcjellë nga ushtarët e kontingjentit turk të KFOR-it. Ushtarët nuk kanë nevojë të mendojnë shumë, ata vetëm përcjellin urdhrat dhe veprojnë sipas rregullave që u janë caktuar.
Por, komandantët në terren duhet të kenë dijeni edhe për sensibilitetin dhe ndjenjat e qytetarëve. Ja disa gjëra që duhet t’i kenë parasysh: Serbia nuk i njeh kufijtë e Kosovës; Serbia e konsideron Kosovën si pjesë të sajën; në Serbi është në pushtet një strukturë politike e cila ishte në pushtet edhe në kohën e krimeve në Kosovë; pushteti në Serbi i toleron dhe i glorifikon kriminelët e luftës, përfshirë edhe ata që kanë dënime të plotfuqishme për këto krime nga gjykatat ndërkombëtare; kriminelë lufte, që mes tjerash janë përgjegjës edhe për bartjen me frigoriferë të viktimave të civilëve shqiptarë nga Kosova në Serbi për t’i zhdukur gjurmët, japin mësime në akademitë ushtarake dhe policore në Serbi dhe marrin pjesë në jetën politike të vendit; presidenti i Serbisë, zëvendëskryeministri dhe ministri i Mbrojtjes vazhdojnë të mendojnë dhe thonë se “Sllobodan Millosheviqi ishte një lider i madh”. Krejt kjo ndodh në kohën kur mes Kosovës dhe Serbisë nuk janë vendosur ende raportet që do të mund të konsideroheshin sadopak normale. Prandaj, në këto rrethana, qytetarët e Kosovës kanë të drejtë të jenë në siklet kur shohin uniforma të ushtrisë dhe policisë së Serbisë. Kuptohet se e gjithë kjo mund t’i duket e parëndësishme ndonjë polici të Serbisë, Kosovës apo pjesëtari të KFOR-it, i cili në terren duhet të ndjekë një kriminel që bën prerje ilegale të druve. Por, në rrethanat e përmendura më lart, nuk duhet injoruar as shqetësimet e qytetarëve, të cilët, sikur edhe për falënderimin ndaj ndërhyrjes së NATO-s, kanë një memorie kolektive edhe për krimet e ushtrisë dhe policisë së Serbisë.
Ideale do të ishte sikur policitë e Kosovës dhe të Serbisë do të mund të patrullonin së bashku në të dyja anët e kufirit, sikur bëjnë edhe shumë vende të Evropës. Por, Kosova dhe Serbia nuk i kanë ende në atë nivel raportet. Serbia e konsideron Kosovën si pjesë të saj dhe përderisa të jetë ashtu NATO-ja nuk duhet të lejojë asnjë prani ushtarake e policore të Serbisë në Kosovë. Është e pakuptimtë se pse Kosova nuk mund të dërgojë në pjesën veriore njësitë e FSK-së, sepse kjo “do ta shqetësonte popullatën lokale”, ndërsa KFOR-i, pa paralajmërim, lejon njësitë e policisë së Serbisë të hyjnë në territorin e Kosovës.
Kur Hashim Thaçi, atëherë në cilësinë e kryeministrit, përmes një letre, Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s i kishte premtuar se Kosova nuk do të dërgojë pjesëtarë të FSK-së në pjesën veriore të Kosovës, arsyeja pse NATO kishte kërkuar një zotim të tillë formal përmes letrës ishte se “kjo do ta shqetësonte popullatën lokale”. Pra, sikur sot Kosova do të donte të dërgonte në veri një njësi të FSK-së do të duhej të konsultohej me KFOR-in. Pastaj KFOR-i do të konsultohej me “popullatën lokale”, që në praktikë është qeveria e Serbisë, sepse ajo i ka dhënë vetes fuqinë që të përfaqësojë dhe diktojë qytetarët e komunitetit etnik serb në Kosovë. Nëse KFOR-i ka pasur dhe ka aq shumë kujdes për ndjenjat e qytetarëve në një pjesë të Kosovës, duhet të ketë edhe në pjesë të tjera. Së paku është dashur - dhe duhet nëse do të kenë patrullime të tilla edhe në të ardhmen – t’i paralajmërojë autoritetet e Kosovës, ato lokale dhe qytetarët, se do të ketë patrullime të përbashkëta me xhandarmëri të Serbisë, nëse ato vërtet janë në kuadër të autorizimeve të misionit të KFOR-it në Kosovë. Bërja transparente e të gjitha aranzhimeve që KFOR-i ka edhe me Serbinë, e edhe me autoritetet e Kosovës, do të ndihmonte në evitimin e moskuptimeve në të ardhmen.