Derisa qytetarët ngelin peng i mungesës së transparencës, i institucioneve të paralizuara dhe i një gare permanente për fajësim, Kosova vazhdon të dëmtohet pikërisht aty ku është më e brishtë: në besimin publik ndaj rendit demokratik. Dhe përderisa ky model i qeverisjes mbetet i shpërblyer politikisht, cikli i kaosit të kontrolluar do të përsëritet, me pasoja që do t’i shohim jo vetëm në zgjedhjet e radhës, por edhe në cilësinë e demokracisë sonë
Në shkencën politike ekziston një koncept mirë i studiuar i sundimit nëpërmjet kaosit të kontrolluar. Liderë autoritarë krijojnë qëllimshëm kaos për ta parandaluar veprimin politik të opozitës, për t’i dobësuar institucionet dhe për ta konsoliduar pushtetin personal. Prodhimi dhe menaxhimi i paqartësisë politike përdoret nga regjimet autoritare për t’i mbajtur partitë rivale të dobëta dhe për ta konsoliduar pushtetin e liderit. Ndërkaq, lëvizjet revolucionare krijojnë kaos për t’i dobësuar institucionet qeverisëse dhe për të ardhur deri te pushteti. Kjo strategji e lëvizjeve revolucionare përdoret për t’i delegjitimuar institucionet dhe për ta fituar mbështetjen popullore si forca të cilat do t’ia rikthejnë legjitimitetin këtyre institucioneve.
Kështu, për shembull, gjatë pjesës së dytë të dekadës së kaluar, LVV-ja e përdori këtë strategji nëpërmjet protestave të dhunshme, në të cilat i sulmoi institucionet qeverisëse dhe ato të sigurisë.
Më vonë, së bashku me AAK-në, e cila iu bashkua LVV-së me qëllim që ta rrëzojë qeverinë e udhëhequr nga LDK-ja, krijuan kaos të organizuar në Kuvend, duke e përdorur dhunën e organizuar me gaz lotsjellës, me qëllim të delegjitimimit të institucioneve legjislative e ekzekutive dhe krijimit të masës së mjaftueshme të pakënaqësisë popullore që do të përkthehej në rritje të votave për këto parti. Kjo strategji, bartëse e të cilës qe LVV-ja, i solli frytet e saja në zgjedhjet e vitit 2019 dhe të 2021-tës, kur LVV-ja e fitoi pushtetin absolut. Në anën tjetër, AAK-ja u përdor dhe u eksploatua nga LVV-ja dhe nuk përfitoi gjë nga kjo taktikë e kaosit.
Një parti, e cila e fiton pushtetin nëpërmjet kaosit, medoemos do të krijojë kaos dhe paqartësi për ta mbajtur dhe konsoliduar pushtetin. Polarizimi shoqëror që bëhet sipas parimit “përçaj e sundo”, përdoret shpesh nga LVV-ja për ta parandaluar veprimin e përbashkët të partive opozitare. Në këtë kontekst, zyrtarë të ndryshëm të lartë të LVV-së kanë theksuar dallimet dhe ndarjet në mes të LDK-së dhe PDK-së, duke e akuzuar të parën se po bie në prehër të së fundës. Ky eksploatim nuk bëhet për shkak të ndonjë parimi të udhëhequr nga dëshira për ta theksuar pluralizmin politik, por për t’i thelluar përçarjet dhe për ta polarizuar popullsinë në atë masë sa i nevojitet LVV-së që të mbetet e pasfiduar në luftën për pushtet.
Në këta nëntë muajt e fundit jemi dëshmitarë të një kaosi institucional, në të cilin, partia me më së shumti vota dhe ulëse në Parlament – LVV-ja – i dobësoi institucionet qeverisëse dhe legjislative, duke krijuar jokoherencë institucionale shkaku i mungesës së numrave për ta mbajtur pushtetin absolut që e pati pas zgjedhjeve të 2021-tës. Krijimi i kësaj jokoherence, nëpërmjet zvarritjes së konstituimit të Kuvendit dhe rrjedhimisht qeverisjes me legjitimitet të cunguar pati për qëllim ruajtjen e pushtetit, duke e pamundësuar krijimin e një shumice të re parlamentare. Në këtë kontekst duhet parë edhe loja me kartën nacionaliste, përkatësisht akuzat ndaj partive opozitare se janë në harmoni apo se bashkëpunojnë me Listën Sërpska, sa herë që ato nuk votojnë sipas dëshirës së liderit të LVV-së, Albin Kurti. Kjo taktikë ka për qëllim pamundësimin e krijimit të një shumice tjetër me vota legjitime të përfaqësuesve të zgjedhur në Kuvend. Kjo lojë me kartën nacionaliste nuk ka në vetvete asgjë patriotike. Përdoret thjesht për ta ruajtur pushtetin, duke i delegjitimuar kundërshtarët politikë.
Në këtë fazë të zhvillimeve politike, Kosova po kalon nëpër një proces të çrregullimit të menaxhuar institucional, që ndryshe mund të quhet edhe kaos i kontrolluar nga LVV-ja. Përgjatë muajve të fundit është nevojitur ndërhyrja e përsëritur e Gjykatës Kushtetuese për t’i sqaruar proceset, të cilat më pas qëllimshëm janë interpretuar, shpeshherë në mënyrë të gabuar, apo edhe janë kritikuar nga eksponentë të LVV-së. Kjo ndërhyrje e përsëritur e Gjykatës Kushtetuese e ka delegjitimuar procesin politik në të cilin bartëse janë partitë politike. LVV-së i pengon procesi politik me shumë palë të interesit, ngase nuk dëshiron bashkëpunim dhe marrëveshje politike me forca tjera por e synon pushtetin absolut të liderit të saj.
Se ky kaos i menaxhuar përdoret për qëllime elektorale shihet edhe nga zhvillimet e fundit në kryeqytet. Mosalokimi i plotë i buxhetit për vitin 2025 ka lënë kryeqytetin pa mjetet e nevojshme për t’i mirëmbajtur shërbimet elementare, siç është transporti publik. Në mes të akuzave për zvarritje të alokimit të buxhetit për Prishtinën, Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, deklaroi se dikasteri që ai e udhëheq ai ka bartur mjetet buxhetore Prishtinës të premten e 21 nëntorit. Pavarësisht kësaj, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, vazhdon ta kërkojë alokimin e buxhetit. Në këtë kaos, qytetari i zakonshëm nuk e di se kujt t’i besojë. Ministrit në detyrë që cili thotë se e alokoi buxhetin apo kryetarit të Prishtinës që vazhdon t’i kërkojë paratë që janë të hyra vetanake të kryeqytetit. Kjo ka rezultuar në kaos brenda Prishtinës dhe shtrohet pyetja se kush është përfituesi më i madh i tij? Përgjigja në këtë pyetje tregon se kush është përgjegjësi më i madh për këtë kaos.
A do t’ia alokonte mjetet buxhetore Prishtinës Qeveria në detyrë po t’i fitonte zgjedhjet komunale kandidati i LVV-së? Mendoj se po, duke e pasur parasysh deklaratën e liderit të saj, Albin Kurti, pak para zgjedhjeve lokale, se qeveria e udhëhequr nga ai do t’i shpërblente komunat në të cilat fitojnë kandidatët e partisë së tij, dhe rrjedhimisht, do t’i ndëshkonte ato në të cilat fitojnë kandidatët e partive të tjera.
Ky kaos i kontrolluar në kryeqytet i ka dy dimensione: E para është hakmarrja e Kurtit ndaj qytetarëve të Prishtinës që nuk e mbështetën kandidatin e tij, Hajrualla Çeko, dhe e dyta janë përfitimet elektorale, përkatësisht, ekspozimi i LDK-së, votat e së cilës i synon LVV-ja, si parti e paaftë për ta qeverisur një qytet e lëre më të ofrojë qeverisje të efektshme në nivelin qendror. Prandaj, bazuar në këtë kalkulim politik, përfituesi më i madh i këtij kaosi në kryeqytet janë Kurti dhe partia e tij. Rrjedhimisht, përgjegjësinë kryesore për këtë kaos e mban Qeveria në detyrë, udhëhequr nga LVV-ja.
Kaosi i menaxhuar nuk është thjesht pasojë e pafuqisë institucionale por produkt i një strategjie të qëllimshme politike që e shndërron paqartësinë në mjet për konsolidim të pushtetit.
Prandaj, pyetja thelbësore që duhet bërë sot nuk është se kush ka më shumë të drejtë në debatet e përditshme, por se kush përfiton nga zgjatja e kësaj gjendjeje të çrregullimit të kontrolluar. Derisa qytetarët ngelin peng i mungesës së transparencës, i institucioneve të paralizuara dhe i një gare permanente për fajësim, Kosova vazhdon të dëmtohet pikërisht aty ku është më e brishtë: Në besimin publik ndaj rendit demokratik. Dhe përderisa ky model i qeverisjes mbetet i shpërblyer politikisht, cikli i kaosit të kontrolluar do të përsëritet, me pasoja që do t’i shohim jo vetëm në zgjedhjet e radhës, por edhe në cilësinë e vetë demokracisë sonë.
(Autori është doktor i shkencave politike)