OpEd

Kafshatë që duhet të kapërdihet është Asociacioni

Nuk ka pasur dyshim, dhe nuk ka as tash, se në dialog janë bërë gabime të rënda. Dy më të rëndat ishin: obligimi që Kosova të formojë Asociacionin/Bashkësinë e komunave me shumicë serbe dhe që të mos dërgojë njësi të FSK-në në pjesën veriore. Por kur është fjala për Asociacionin, kjo duket se është një kafshatë që Kosova duhet ta kapërdijë. Sepse Qeveria e Kosovës që ishte atëherë në pushtet e kishte marrë këtë obligim në emër të Kosovës, këtë e kishte pranuar edhe Kuvendi, dhe tash nuk ka mundësi që Kosova të evitojë zbatimin e këtij obligimi. Ajo që Kosova ka të drejtë është që të sqarohet se kur do të formohet ky asociacion. Pra, kjo mund të lidhet me njohjen e statusit të Kosovës nga ata që duan krijimin e një asociacioni të tillë në territorin e Kosovës

Nuk është hera e parë që dëgjojmë se arritja e një marrëveshjeje finale në mes të Kosovës dhe Serbisë është “çështje e disa javësh apo muajsh”. Është dëgjuar disa herë kjo thënie dhe tash ata që kanë ndjekur dialogun nuk janë tepër të entuziazmuar. Sepse, nëse bazohet në atë që thonë publikisht liderët nga të dyja vendet, marrëveshja nuk është fare afër. Por gjithmonë mund të ketë befasi dhe kthesa të shpejta që mund të çojnë drejt arritjes së marrëveshjes.

Angazhimi më i madh i Francës dhe Gjermanisë, krahas një angazhimi tashmë të përhershëm amerikan, jep disa arsye për optimizëm. Por që thotë populli “e kemi parë këtë edhe më parë”.

Gjithsesi ajo që pritet të ndodhë në javët në vijim është një presion gjithnjë e më i madh ndaj Kosovës, sidomos kur është fjala për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Qeveria e Kosovës ka arritur deri tash që ta evitojë këtë, duke refuzuar që të diskutohet në Bruksel. Serbia e ka hapur këtë në diskutime me BE-në dhe rreth kësaj kërkese ajo pa dyshim ka mbështetjen e plotë të Bashkimit Evropian. Edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës hapur kërkojnë nga Kosova që të avancojë drejt krijimit të këtij asociacioni, duke thënë se “ky është një obligim ndërkombëtar”.

Nuk ka pasur dyshim, dhe nuk ka as tash, se në dialog janë bërë gabime të rënda. Dy më të rëndat ishin obligimi që Kosova të formojë Asociacionin/Bashkësinë e komunave me shumicë serbe dhe që të mos dërgojë njësi të FSK-në në pjesën veriore. Por kur është fjala për Asociacionin, kjo duket se është një kafshatë që Kosova duhet ta kapërdijë. Sepse Qeveria e Kosovës që ishte atëherë në pushtet e kishte marrë këtë obligim në emër të Kosovës, këtë e kishte pranuar edhe Kuvendi, dhe tash nuk ka mundësi që Kosova ta evitojë zbatimin e këtij obligimi. Ajo që Kosova ka të drejtë është që të sqarohet se kur do të formohet ky asociacion. Pra, kjo mund të lidhet me njohjen e statusit të Kosovës nga ata që duan krijimin e një asociacioni të tillë në territorin e Kosovës.

I tërë dialogu është nisur gabimisht. Është nisur me idenë që Serbisë dhe serbëve t’u jepet “diçka më shumë se Ahtisaari” në mënyrë që të jenë të kënaqur dhe të mos ndihen se “kanë humbur gjithçka”, ndërkohë që shqiptarët “kanë fituar gjithçka”. Këtë narrativë e ka shtyrë Serbia dhe është pranuar nga një pjesë e mirë e bashkësisë ndërkombëtare, përfshirë edhe nga diplomatë të vendeve që kanë njohur pavarësinë e Kosovës, sidomos Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kështu, mes të tjerash, pasi është refuzuar ideja për ndarjen e Kosovës, me çka “Serbia do të merrte një copë dhe do të kënaqej”, lindi ideja për një “trajtim të veçantë” apo “status special” të veriut të Kosovës.

Një diplomat shumë i lartë perëndimor para shumë vjetësh, diku në fazën e parë të dialogut, thoshte në një takim se tashmë e di se cila do të jetë zgjidhja për veriun e Kosovës dhe për serbët etnikë që kanë shumicën në atë pjesë. Thoshte se ajo pjesë, dhe serbët atje, duhet të kenë një lloj autonomie. Por thoshte se nuk mund ta përdorin këtë emërtim. Sepse për shqiptarët fjala “autonomi” ka konotacion të keq dhe është e papranueshme. Dhe vërtet shqiptarët nuk donin autonomi brenda Serbisë dhe as që duan që serbët të kenë autonomi në Kosovë. Thoshte ky diplomat, se duhet diçka që nuk është as në kuadër të Planit të Ahtisaarit (ish-president i Finlandës që propozoi pakon gjithëpërfshirëse). Sepse “Ahtisaari” ka konotacion negativ për serbët. Serbët nuk duan të dëgjojnë për “Ahtisaarin”, sepse ai, me gjithë siguresat që i kishte parashikuar për serbët, kishte propozuar pavarësinë dhe ai nuk mund të shihej mirë nga Serbia dhe nga serbët. Pra, thoshte ai diplomat perëndimor, nga shtetet ndoshta kryesore që mbështetën Kosovën dhe që sot është angazhuar fuqishëm, “duhet gjetur një zgjidhje që nuk fillon me A, as autonomi e as Ahtisaari, e që do të ishte pak më shumë se Ahtisaari e pak afër autonomisë, por në emërtim më pak se autonomi”. Kështu edhe ndodhi. Me trysni dhe premtime, Kosova pranoi marrëveshjen për krijimin e një statusi të veçantë për serbët në veri të Kosovës. Por u paraqit problem tek emërtimi. Serbët kërkonin që të quhej “Zajednica” (Bashkësi) e shqiptarët që të quhej “Asociacion”. Në të gjitha gjuhet ka dallim mes “Bashkësisë” dhe “Asociacionit” dhe nuk është fjala vetëm për simbolikë. Dhe BE-ja u tha palëve që të pranojnë si kompromis emërtimin “Asociacion/Bashkësi” në mënyrë që shqiptarët të mund të jetojnë në iluzion se është “asociacion” (sikur ai i mbrojtësve të pëllumbave, thoshin disa zyrtarë të Kosovës në atë kohë), ndërsa serbët se është “bashkësi” (pra me elemente ekzekutive të një niveli të veçantë të pushtetit).

Përkundër mbështetjes së madhe nga spektri politik, me përjashtim të Vetëvendosjes që atëherë ishte në opozitë, asnjë hap nuk u bë në Kosovë drejt krijimit të këtij asociacioni/bashkësie. Gjykata Kushtetuese gjeti shumë shkelje në Marrëveshjen për formimin e Asociacionit. Por ajo nuk tha se nuk duhet të krijohet. I dha udhëzimet që duhet marrë parasysh kur të krijohet. Dhe në Vetëvendosje kishte kuptim të ndryshëm të këtij verdikti të Gjykatës Kushtetuese. Disa e shihnin si fitore të Vetëvendosjes, sepse u dëshmua se Hashim Thaçi e Isa Mustafa kishin pranuar dhe nënshkruar marrëveshjen që është në kundërshtim me Kushtetutën. Por disa mendonin se me këtë verdikt, Gjykata Kushtetuese ka tentuar ta bëjë të zbatueshme një marrëveshje e cila nuk mund të zbatohet dhe është e dëmshme.

Tash në BE mendojnë se kjo qeveri, me shumicën e qartë që ka në Kuvend, mund ta zbatojë këtë obligim. Bile, me apo pa ironi, thonë disa se “përparësia e kësaj qeverie është se nuk e ka Vetëvendosjen në opozitë!”. Shikuar nga ky këndvështrim duket se ka logjikë në këto thënie. Sepse opozita e sotme nuk ka asnjë argument, as moral e as politik, që ta kundërshtojë, pasi vetë ato e kishte pranuar. Por Kosova nuk është e as nuk do të jetë i vetmi shtet ku opozita mendon, flet dhe vepron ndryshe kur është në opozitë dhe krejt ndryshe kur është në pushtet.

Bazuar në gjithë atë që dëgjohet nga qarqet diplomatike, Serbisë po i ngushtohet rrethi sa i përket njohjes së Kosovës, e për modalitetet mund të flitet. Ndërsa Kosovës po i rritet presioni rreth Asociacionit. Kosova deri tash ka qenë rezistuese, por tash nga ajo pritet që vetë të dalë me propozime për krijimin e Asociacionit, ndërsa BE-ja duhet të sqarojë se a mendon apo jo se krejt duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Ambiguiteti që ka treguar BE-ja deri tash ka qenë i dëmshëm. Ndërsa Serbia dhe serbët thonë se “nuk u intereson kurrfarë e ashtuquajtur Kushtetutë e të ashtuquajturës Kosovë”, siç thonë ata. Serbët dhe Serbia përmendin Kushtetutën e Kosovës vetëm kur u konvenon, siç është rasti me tokat rreth Manastirit të Deçanit. Por kur është fjala për Asociacion, nuk duan të dëgjojnë se ka ndonjë Kushtetutë në Kosovë dhe një Gjykatë, e cila ka dhënë një verdikt. Sikur të sqarohej se Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën, BE-ja do të lehtësonte edhe ecjen përpara drejt krijimit të tij. E Kosova nuk do të mund t’i ikë gjithmonë këtij obligimi, së paku jo pa pasoja.