OpEd

Ju flet radiotelevizioni koreanoverior nga Zagrebi

Televizioni publik kroat HRT është shndërruar në megafon të propagandës qeveritare. Përrallat dhe propaganda e politikanëve transmetohen me besnikëri skllavëruese, puna e gazetarëve kritikë bllokohet, fjalën kryesore në skenë e kanë tellallët. Një gazetare gjermane ka depërtuar në tunelet e joprofesionalizmit të gazetarëve kroatë. Raporti i saj është tronditës dhe një leksion se si televizioni i paguar nga qytetarët nuk interesohet për qytetarët, por kujdeset të mos zemërojë pushtetarët.

Kisha, patriotizmi, "vlerat kroate", lufta, e kaluara, veteranët, filozofët katolikë, gjeneralët me nam, vizitat e ministrave: në televizionin kroat HRT raportohet kryesisht për këto tema, por pa pyetje kritike. HRT funksionon si megafon i pushtetit. Në pushtet, në Kroaci është Bashkimi Demokratik Kroat (HDZ), një parti konservatore, e cila gjendet nën presionin e së djathtës ekstreme për t'u bërë edhe më konservatore. Kush kritikon pushtetin, aferat korruptuese, keqqeverisjen - ai shpallet titist, projugosllav, tradhtar.

Gazetarja gjermane Grit Eggerichs ka qëndruar dy muaj në redaksitë e HRT-së me qëllim që të hulumtojë disa tema mbi klimën dhe politikat energjetike. Çfarë ka zbuluar Eggerichs në HRT për rrethanat ballkanike nuk është edhe aq befasuese, por reportazhi i saj i gjatë në radion publike gjermane shpalos para publikut evropianoperëndimor një fakt neveritës: televizioni publik i shndërruar në zyrë për monologë ministrash, pa asnjë pyetje kritike.

Redaksia "Zëri i Kroacisë", për shembull, prodhon emisione në gjuhë të huaja - për kroatët në diasporë që nuk e njohin mirë gjuhën amtare, por edhe për të huajt që interesohen për Kroacinë. Eggerichs tregon: "Unë ndihmoja në tekstet në gjermanisht dhe i lexoja përkthimet në studio. Një gjë më ra në sy: shpesh nuk i kuptoja lajmet dhe ky nuk ishte vetëm problem i përkthimit. Modeli është i keq". Moderatorja lexon: më 1 janar 2020 Kroacia do të marrë drejtimin e BE-së, një "ngjarje historike", "kurorëzim i rrugës sonë të vazhdueshme evropiane", qytetarët kroatë të "prirë nga tradita e krishterë dhe kultura", "lidhja me familjen evropiane", "vlerat e përbashkëta". Në të vërtetë, moderatorja reciton floskula politikanësh pa asnjë vlerë informative. Një gazetare ankohet se askush nuk redakton tekstet. Ajo thotë: "As unë nuk i kuptoj".

Gazetarja gjermane Grit Eggerichs hulumton mbi një terminal të gazit në ishullin Kërk. Ajo dëshiron të zhvillojë një intervistë me dikë nga Ministria e Ambientit dhe Energjetikës. "Një koleg më uron fat. Tingëllon paksa ironike. Në emailin tim të parë nuk u përgjigj askush. Kur thirra në telefon, më thanë se nuk e kanë marrë emailin, më lutën t'ua dërgoja sërish dhe më premtuan se do të lajmëroheshin deri në fund të javës. Pas dyjavësh pyeta përsëri. Më thanë të pres". Në një takim në Kërk, gazetarja takon ministrin e Energjetikës. Ai premton një intervistë deri në fund të javës. Pas tetë ditësh asistentja e tij për media thotë se - "për fat të keq" - koha nuk mjafton për një intervistë. Projekti energjetik në Kërk financohet me para të taksapaguesve kroatë, por pushteti nuk është i gatshëm të ofrojë informata bazike, ndonëse ligji për media i Kroacisë thotë qartë se organet ekzekutive, legjislative, të drejtësisë, organet komunale dhe rajonale, shërbimet publike etj., janë të obliguara të informojnë saktë, gjithanshëm dhe pa humbje të kohës.

Dnevniku, edicioni qendror i lajmeve në HRT, është një shembull tjetër i propagandës. Në një mbledhje që mbahet në mëngjes redaktorët duhet të vendosin njëzëri se cilat ngjarje do të përcillen nga gazetarët. Redaktorët zgjedhin temat më jorelevante, kryesisht mbi motin e keq (në Kroaci, sidomos pranë Adriatikut gati çdo ditë fryn era, bura e famshme adriatike, andaj një kronikë për këtë mund të përgatitet çdo ditë), pastaj kamerat janë përherë aty kur presidentja apo kryeministri vizitojnë ndonjë fabrikë, kur thonë diçka banale. Kështu agjenda e Qeverisë është e ngjashme me agjendën e redaksisë.

Bashkimi Demokratik Kroat (HDZ) është i interesuar të kontrollojë televizionin publik, sepse shumica e votuesve të HDZ-së janë konservatorë dhe kalojnë shumë kohë para aparateve televizive. Drejtorët dhe redaktorët përgjegjës janë kujdesur të largojnë nga puna disa gazetarë kritikë. E majta kritike, liberalët, intelektualët mendjehapur e bojkotojnë gjithnjë e më shumë televizionin publik kroat, sepse shumica e gazetarëve aty nuk e kanë të qartë ose nuk duan ta kenë të qartë se cili është roli i mediumit publik të paguar nga qytetarët.

Televizioni publik kroat HRT është shndërruar në megafon të propagandës qeveritare. Përrallat dhe propaganda e politikanëve transmetohen me besnikëri skllavëruese, puna e gazetarëve kritikë bllokohet, fjalën kryesore në skenë e kanë tellallët. Degradimi profesional i HRT-së është një leksion se si televizioni i paguar nga qytetarët nuk interesohet për qytetarët, por kujdeset të mos i zemërojë pushtetarët.

Edhe mënyra se si HRT raporton për rolin e fashistëve kroatë në Luftën e Dytë Botërore është e njëanshme, tendencioze. Në maj të 2018-s, HRT ia hapi portat Igor Vukiqit, autor i një libri mbi "Kampin e punës Jasenovac". Vukiq përpiqet ta përshkruajë Jasenovcin si kamp pune, jo si kamp të shfarosjes, ku ustashët, kolaboracionistët e nazistëve, gjatë Luftës së Dytë Botërore vranë rreth 80 mijë serbë, hebrenj, romë, majtistë kroatë. Një dokumentar i historianit Hërvoje Klasiq mbi fashistët kroatë në Luftën e Dytë, ndonëse është miratuar nga HRT, nuk është emituar ende. HRT ka prioritete të tjera.