OpEd

Humbje kohe për të fituar kohë

Nuk është fare e befasishme se krejt çka po ndodh, pavarësisht taborëve, është në fakt humbje e kohës për të fituar kohë që të realizohen planet e secilës palë. Politikanët tanë shpenzojnë kohë e para mu në kohën e duhur - tash do të vijë diaspora e do të na nxjerrë prej lloçit. Bile për këtë verë.

Minuta e 14-të. Rashica e pret një top të "humbur" në 16-sh dhe mjeshtërisht shënon. Kosova si mysafire udhëheq ndaj Bullgarisë me 1:0. I gjithë ekipi mblidhet për ta festuar golin, kurse golashënuesi afrohet te banka e rezervistëve dhe e merr, për ta ngritur lart, fanellën e Arbër Zenelit, që pësoi lëndim të rëndë në ndeshjen në Podgoricë. Gjest i jashtëzakonshëm, gjest bujar dhe zemërgjerë dhe, mbi të gjitha, pasqyrimi i solidaritetit me shokun që nuk do të mundë të zhvillojë beteja me ta në nëntë muajt e ardhshëm.

Kosova vazhdon të sulmojë, porse nuk ia del ta rrisë dallimin me gola. Në dy çaste pakujdesie mposhtet dy herë dhe luan në disavantazh që nga minuta e 55-të. Përzgjedhësi zviceran vendos t'i bëjë dy ndryshime. Me kohë dhe me mend. Kosova ia del ta stabilizojë mesin e fushës dhe sulmon furishëm drejt portës së bullgarëve. Nuk kanë çfarë të humbin, përderisa gjatë gjithë kohës, me dy përjashtime, u treguan më të mirë. Një krosim i Kolollit shfrytëzohet nga Muriqi, i cili shënon golin e merituar për Kosovën. Rezultati baras nuk i kënaq futbollistët e Kosovës, të cilët insistojnë deri në frymën e fundit. Në minutën e fundit të kohës shtesë Rashica e gjen Rashanin, zëvendësuesin e tretë, i cili ia sjell Kosovës fitoren e parë në kualifikime.

Eksplodon gëzimi, eksplodon fejsbuku... nuk pati dhuratë më të mirë se kjo për kremten e 20-vjetorit të çlirimit. Lojtarët e ngazëllyer festonin fitoren e madhe në zhveshtore. E aty, i paftuar, u duk kryetari i Kuvendit. E prishi festën. Nuk është ogur i mirë: krejt çka ka prekur politika në Kosovë e ka prishur.

Veseli, larg përfaqësueses!

Nuk pata si ndryshe t'ia nis këtë kolumne se ta merrja rolin e komentuesit të sportit për ta përshkruar gëzimin që e përjetuam, e besoj të gjithë, natën kur Kosova e mposhti Bullgarinë në Sofje. Thjesht e impresionuar me frymën kolektive ku askush nuk dorëzohej dhe, ku të gjithë përpiqeshin t'ia ndalnin hovin bullgarëve në mes të fushës për t'i dhënë fuqi sulmit, m'i kujtoi ditët e luftës, ku edhe pse të pashpresë, i jepnin njëri-tjetrit kurajë për të shtegtuar përpara. M'i kujtoi ditët kur nuk dorëzoheshim sepse e dinim se një diçka e mirë do të na priste në fund të tunelit, me gjithë vështirësitë e sakrificat. Ma dha shpresën se gjërat në këtë Kosovë mund të ndryshojnë për të mirë, dhe shpejt, vetëm po patëm vullnet. Hije shpresës sime ia qiti Veseli me praninë e tij në zhveshtore. Sepse nuk shkoi aty si tifozi më i flaktë i kësaj skuadre, por shkoi si kryetar i një partie që është në mes të një fushate aktive politike, në prag të zgjedhjeve që me gjasë do të mundë të ndodhin së shpejti.

E përfaqësuesja e Kosovës nuk ka nevojë të përkrahet nga politikanët në fushatë. Sporti i Kosovës ka nevojë të përkrahet nga politika me investime, e jo me përzierje në struktura udhëheqëse apo edhe në përpjekjet për të treguar se përkrahja dhe premtimet për shpërblime milionëshe vijnë nga njeriu që nuk e ka nën kontroll buxhetin e shtetit.

Futbolli i Kosovës ka nevojë për rregullimin e stadiumeve komunale - e me 50 milionët që mendon t'i ndajë për stadiumin kombëtar, mund të rregullohen bile nja dhjetë stadiume nëpër Kosovë. Por jo, ne jemi megalomanë, për shkak se projektet e shtrenjta sjellin përfitime nga tenderët, dhe edhe këtu do të na ndodhë ajo që na ndodh përherë -- paratë nuk do të na dalin boll, dhe do t'i shtojmë edhe nja 10 milionë të tjerë për punë të paparapara.

Festimi i zbehtë

Ende nën përshtypjen e kënaqësisë që e përjetuam dy ditë më herët, e pritëm kremtimin e 20-vjetorit të çlirimit në Prishtinë. Tri figura që e simbolizuan luftën ajrore të NATO-s që na e solli çlirimin, Clinton, Albright dhe Clark, u kthyen në Kosovë pas shumë vjetësh për të kremtuar me ne.

Porse kremtja nëpër sheshet e Prishtinës nuk ishte madhështore siç është dashur të ishte. Nuk pati masë njerëzish që do të duhej ta kenë mbushur qytetin atë ditë, për shkak se ajo ditë madje nuk është festë shtetërore, përderisa Dita e Evropës, që nuk është festë në Evropë, është. Programi i paraparë nuk u respektua dhe e gjitha shkoi me vonesë. Dielli përcëllues qe një pengesë shtesë dhe mbase pamja më absurde që u pa gjatë fjalimeve te Skënderbeu qe pahitësja e Jahjagës, përderisa Albright po u nënshtrohej rrezeve të pamëshirshme, e që askush të mos jetë kujtuar që madje t'ia mbante një çadër, apo edhe t'i jepte edhe asaj një pahitëse.

Nejse, fjalimet kaluan, dhe disa orë më vonë mysafirët ecën këmbë deri te sheshi që e mban emrin e znj. Albright, ku iu zbulua busti, që për fat të keq doli të jetë jo fort i qëlluar. Ndaj kritikave të shumëkujt për realizimin e papëlqyer, autori iu përgjigj me kritikë se masa nuk kishte shije. Dhe e tëra mbaroi me një barsoletë:

- "Bill, ma kishin bërë një bust në Prishtinë, por nuk ia kishin qëlluar fort"

- "Oh e dashur Madeleine, ke gjetur kujt t'i ankohesh. Ty bile duart nuk po të shihen".

Mbrëmja mbaroi me një koncert të "Gjurmëve" në sallën "1 Tetori" me shumë ankesa për zërim të dobët dhe nxehtësi të padurueshme, që në formën më të vrazhdë të mundshme na e rikujtoi se për 20 vjet nuk qemë në gjendje ta ndërtonim një sallë universale. Por edhe na tregoi se këtë kremte thuajse nuk e patëm përnjëmend: kjo ditë e ka merituar një koncert në qendër të qytetit dhe që ajo të ishte e mbushur me qindra e mijëra njerëz. Për shkak se këtë ditë e festonim mbijetesën.

Ndërkohë

Pra ndërkohë vazhduam me të zakonshmet: ndarjen e mirënjohjeve, temën mbi taksën, nismave të çoroditura dhe vlerësimeve se a duhen apo nuk duhen përkrahur nismat e tilla. Mirënjohjet u shpërndanë "me kile: me rastin e 20-vjetorit të çlirimit pak këtu e më shumë në Shqipëri nga Thaçi, i cili ka ndarë aq shumë mirënjohje saqë shtrohet pyetja nëse këto po zhvlerësohen aq shumë sa më nuk kanë as peshë ceremoniale. Por, pa pritur e pa kujtuar, dje na doli kryeministri, i cili ia ndau një mirënjohje deputetit Labi, pak ditë pasi që ky kishte paralajmëruar se mund ta votonte rrëzimin e qeverisë. Dhe konstatimi i vetëm pas këtij veprimi është se kjo qeveri u krijua falë tregtisë e tash po vazhdon të mbahet falë tregtisë. Malli që tregtohet është vota, e çmimi varet nga klienti.

U mbajt një tryezë e GSPJ-së, ku u tha se Tribunali ndërkombëtar për krimet e Serbisë në Kosovë, për të cilën Veseli "na e ka dhënë fjalën se do të bëhet", realisht nuk mund të krijohet, sepse Kosova nuk e ka atë kapacitet dhe se vështirë do të gjendej dikush që do ta shtynte para këtë nismë në OKB. Duke parë se kjo nismë, e cila doli që në çastin kur përflitej se Veseli do të mundë të ishte intervistuar nga Haga, nuk po pi ujë, Veseli tash doli me një nismë tjetër për të cilën përpiqet ta marrë edhe përkrahjen e shoqërisë civile.

Kërkesa që të bëhet një komision parlamentar për veteranët e rremë natyrisht se u përcoll me pompozitet dhe me habi: rasti i veteranëve tashmë ka kaluar nga prokuroria në gjykatë, dhe çfarëdo hetimi paralel parlamentar do të mundë edhe të ishte pengesë në proces. Ligjërisht, Kuvendi ka të drejtë të merret me këtë punë, porse Kuvendi e ka pasur në dorë fuqinë që ta ndalë këtë proces që në çastin kur janë paraqitur 60 mijë kërkesa e janë miratuar 40 e sa mijë sish. E kjo aq më tepër, duke ditur se në Kuvend janë të ulur jo pak komandantë që është dashur të dinin se UÇK-ja kurrë nuk ka numëruar më shumë se 25 mijë të uniformuar.

Sidoqoftë, është jo pak cinike që tash të kërkohet krijimi i komisionit ad-hoc në Kuvend që të merret me këtë punë, kur dihet shumë mirë se secili komision i formuar deri tani nuk ia ka dalë t'i përfundojë punët për shkak se nuk ka pasur qasje në dokumentacionin relevant. Do ta kujtojmë komisionin që u mor me shpenzimet e zyrës së kryetarit të shtetit -- mbeti në gjysmë; do ta kujtojmë komisionin për dëbimin e shtetasve turq, që u kontestua nga vetë Thaçi dhe deputetet e PDK-së; do ta kujtojmë edhe komisionin e PTK-së, që fillimisht pati mandat njëmujor për të bërë diçka, e që ende nuk ka bërë asgjë, për shkak se nuk ka qasje në dokumentet e kërkuara, dhe për shkak se dëgjon dëshmi të turli lloji që e hedhin fajin gjithmonë te tjetri...

Esenca është se të gjitha këto komisione u morën me gjëra relativisht "të vogla" në kuptimin e vëllimit, ngase në rastet paraprake nuk kanë pasur të bënin me 40 e kusur mijë dosje për të konstatuar se kush është veteran i rremë e kush jo. Dhe njëherë që procedura ka nisur në gjyq, e besoj se po qe se ka nevojë për ekspertizë të jashtme, do të duhej të ishte gjykata ajo që do ta kërkonte edhe inkuadrimin e vullnetarëve nga shoqëria civile për një punë të tillë.

* * *

Zgjedhjet e brendshme partiake që po tregojnë për interesim të madh anëtarësie për të qenë pjesë e procesit dëshmojnë se pushteti në Kosovë është fitimprurës dhe se vendi më i sigurt i punës në Kosovë gjendet te politika. Porse këto procese gjithashtu dëshmojnë se partitë tashmë kanë hyrë në fazën finale të përgatitjes për zgjedhjet e reja.

Deputetët e Kuvendit aktual e kanë dhënë betimin më 3 gusht 2017, pra, teknikisht i fitojnë të gjitha beneficionet që u takojnë posa t'i mbushin dy vjet mandat. Kjo do të thotë se edhe mocioni i mosbesimit do të mundë të iniciohej diku në korrik, ashtu që të mbërrihet afati maksimal për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme e njëkohësisht të tejkalohet data 2 gusht 2019.

Pra, nuk është fare e befasishme se krejt çka po ndodh, pavarësisht taborëve, është në fakt humbje e kohës për të fituar kohë që të realizohen planet e secilës palë. Përderisa opozita thotë se i ka mbledhur 58 nënshkrime dhe po përpiqet t'i gjejë edhe 3 për ta ngritur mocionin, ajo mirë e di që për mocion mjaftojnë 40 nënshkrime. Qëllimisht e zvarrit inicimin e procedurës për ta mbajtur presionin gjallë, derisa të përfundojnë zgjedhjet e tyre të brendshme dhe në pritje që mos ndonjë zhvillim jashtë kornizës së politikës kosovare (lexo Specialja) ta sjellë një ndryshim në ambientin aktual politik.

Pushteti, nga ana tjetër, vazhdon të shpenzojë para pa kurrfarë llogaridhënie dhe ndërmerr aktivitete nga më të ndryshmet për të treguar "përkushtimin" për problemet që vetë i ka krijuar. Kështu fiton kohë dhe taktizon asisoj që të krijojë alibi për dështimet e veta dhe ato t'ia veshë opozitës që, ja, "nuk i përkrah nismat e shëndosha, veç pse vijnë nga Veseli".

Shpenzojnë kohë e para mu në kohën e duhur - tash do të vijë diaspora e do të na nxjerrë prej lloçit. Bile për këtë verë.

[email protected]