Pranimi i Kosovës që vetë ta formojë Gjykatën Speciale, e cila dëshmoi se gjykon vetëm të akuzuar me përkatësi etnike shqiptare, ka qenë gabim i madh. Një prej gabimeve që është bërë dhe nuk mund të zhbëhet. Nuk është koha që të rikujtohet se kush dhe si e ka mbështetur apo kundërshtuar atë. Por kjo Gjykatë është simbol i dështimit të përbashkët të Kosovës dhe miqve të saj ndërkombëtarë. Sepse, sido që të shtrohen argumentet, mbetet fakti se për asnjë vend tjetër në ish-Jugosllavi nuk ka pasur nevojë për “Gjykata Speciale” pas mbylljes së Gjykatës së Hagës për krime të luftës në ish-Jugosllavi, por vetëm për Kosovën
Para 8 vjetësh, në kohën kur në Kosovë kishin tentuar zhbërjen e Gjykatës Speciale, gjë që kishte shkaktuar shqetësim maksimal te “miqtë ndërkombëtarë”, në kolumnen në Koha Ditore në vitin 2017, kisha shkruar si vijon:
“Gjykata Speciale, pa marrë parasysh se cili ka qenë qëllimi i atyre që e kanë kërkuar krijimin e saj, dhe i atyre që kanë votuar për të, është një njollë për Kosovën dhe të ardhmen e saj, pa marrë parasysh se si do të përfundojë puna e kësaj Gjykate. Të enjten e shkuar, në një ceremoni të madhe dhe me pjesëmarrje të politikanëve prominentë botërorë, përfshirë Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së dhe Mbretin e Holandës, në Hagë solemnisht është përmbyllur puna e Gjykatës së Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi. Pra, nga kjo ditë më asnjë gjykatë ndërkombëtare nuk do të mund ta ngrejë asnjë aktakuzë ndaj dikujt për krime lufte në territorin e ish-Jugosllavisë. Të gjitha rastet e reja, nëse duan, dhe nëse kanë vullnet politik, do t’i kenë përsipër gjykatat vendore në Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë, Serbi, Maqedoni.
Por, pikërisht në kohën kur mbyllet Gjykata e Hagës, në të njëjtin qytet hapet një “dhomë e specializuar” ku do të gjykohen rastet ku të dyshuarit si kryes të veprave të krimeve të luftës dhe të pasluftës janë shqiptarët e Kosovës. Madje, ka të tillë që kanë punuar në Gjykatën e Hagës dhe do të gjejnë punë, po ashtu të paguar mirë, edhe në këto “dhoma të specializuara”. Nuk ka si të kuptohet ndryshe pos si njollë dhe mbi të gjitha dështim për Kosovën, dhe të gjithë miqtë ndërkombëtarë e misionet që kanë vepruar dhe veprojnë në Kosovë, nevoja për ta pasur një Gjykatë të tillë. Nuk është e vërtetë se Gjykata e Hagës nuk ka mundur të merret me ato raste. Nuk është e vërtetë as se EULEX-i nuk ka pasur mandat të merret me to. Arsyetimi se disa nga veprat e dyshuara kanë ndodhur në territorin e Shqipërisë, ku EULEX-i nuk ka mandat, janë naive. Si vend anëtar i NATO-s dhe si vend kandidat për anëtarësim në BE, Shqipëria gjithsesi do të pranonte të bashkëpunonte, dhe një bashkëpunim të tillë ta mundësojë edhe me ligj. Por pakkush ka besim edhe në EULEX-in.
Besimi në këtë mision nuk është fare më i madh sesa në Gjykatat e Kosovës, e kjo do të thotë se nuk ka fare besim as nga ata që e kanë dërguar EULEX-in në Kosovë. Ky mision po përballet me mbrojtjen e imazhit të vet e jo me sjelljen e drejtësisë, sundimit të ligjit dhe depolitizimin e gjyqësorit në Kosovë.
Gabimet që kanë sjellë deri te krijimi i Gjykatës Speciale nuk kanë nisur me votimin e saj në Kuvend. Gabimet kanë ndodhur shumë më herët. Gabim ka qenë ndërhyrja politike në Gjykata, Prokurori dhe politizimi i plotë i tyre. Gabimet kanë ndodhur kur politikanët kanë bërë llogari se kur, cili prokuror apo gjykatës i duhet në cilën pozitë. Gabimet janë bërë kur nuk është siguruar mbrojtja e duhur e dëshmitarëve që tash e përdorin si një prej arsyeve kryesore pse për kosovarë duhet të ketë procese në Hagë. Gabime janë bërë kur janë bërë llogari se kush do të shpëtojë e kush jo nëse një Gjykatë e tillë nis të veprojë. Gabimet janë bërë kur ka munguar vullneti që në mënyrë të parezervë të procedohen të gjitha rastet e krimeve, pa marrë parasysh se kush është kryesi e kush viktimë. Dhe gabimet janë bërë kur nuk është analizuar si duhet asnjë veprim, sepse kanë mjaftuar kërkesat e miqve ndërkombëtarë. Krijimi i kësaj Gjykate është vetëm një prej gabimeve të bëra, të cilat nuk mund të zhbëhen e as të shkrihen.
Mund të besojmë se qëllimi i krijimit të kësaj Gjykate nuk është që të njolloset as lufta e UÇK-së e as Kosova. Por, përkundër kësaj, Kosovës kjo Gjykatë që tash i ka bërë dëm historik, pa marrë parasysh se kë dhe kur do ta akuzojë dhe çfarë verdikte do të nxjerrë në fund. Që kur është krijuar “Task forca”, speciale kemi mbetur në pozicionet e kohës kur Dick Marty e kishte nxjerrë raportin e tij me akuza për nxjerrje të dhunshme dhe shitje organesh. E ato pozicione janë se “nuk ka dëshmi, por besohet se ka ndodhur”. Në këso rrethanash kemi njollosjen e Kosovës, shantazhimin e disa liderëve politikë të Kosovës, që si pasojë mund të kenë bërë kompromise në dëm të shtetit, dhe kemi një krijim të hapësirës, lidershipit politikë të Serbisë, që të ketë ofensiva propagandistike kundër Kosovës.
Pa e marrë parasysh qëllimin e krijimit të Gjykatës, ajo në histori do të përdoret si dëshmi se Kosova ka qenë i vetmi shtet në territorin e ish-Jugosllavisë për të cilin nuk ka mjaftuar Gjykata e Hagës për krime lufte, as Gjykatat vendore të Kosovës e as ato të EULEX-it me mandat ekzekutiv, që të procedohen krimet e rënda, por është dashur edhe një ekstra, Gjykatë e Specializuar”.
Nuk e citova shkrimin e vetvetes për të treguar se çfarë kam menduar para tetë vjetësh. Por për ta rikujtuar se sa i ndjeshëm, i komplikuar dhe për Kosovën, i dhimbshëm ka qenë procesi që ka çuar deri te krijimi i kësaj Gjykate. Dhe kjo ka pasur pasoja edhe politike, pasi ka ndodhur paralelisht me “Dialogun e Brukselit” me të cilin ka ndërmjetësuar BE-ja. Me këtë dialog ka ndërmjetësuar Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, e cila po ashtu edhe i kishte autorizuar hetimet kundër ish-liderëve të UÇK-së.
Gjykata ishte krijuar me kërkesa politike pas një raporti politik të një politikani të cilin e kishte miratuar një trupë politike. Politikani zviceran Dick Marty kishte nxjerrë akuza, të padëshmuara deri në atë kohë, dhe si pasojë ishte krijuar një “task forcë” nga ana e BE-së dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës e cila do të duhej të gjente dëshmi se ato që thotë Dick Marty janë të vërteta. E Dick Marty me dinakëri e kishte përmendur edhe “shitjen e organeve”. Ndonëse deri me sot, nëse nuk ka ndonjë aktakuzë sekrete, nuk përmendet “korrja e organeve”, asnjë prokuror nuk e ka marrë guximin të thotë se nuk ka dëshmi se një gjë e tillë ka ndodhur. Madje, një prej ish-kryeprokurorëve me pati thënë në intervistë për Kohën Ditore se “pajtohet me pohimet e Dicki Martyt”, se “nuk ka gjetur dëshmi, por beson se ka ndodhur”.
Po të mos përmendej çështja e “nxjerrjes së organeve”, vështirë që do të kishte mbështetje kaq të madhe edhe politike, e besa edhe financiare, për të. Supozohet se Gjykata Speciale, nëse llogariten edhe mjetet financiare për task forcën e Prokurorit Special që i ka nisur hetimet para gati 15 vjetësh, mund të ketë shkuar në mbi 1 miliard euro.
Dhe, siç ndodh shpesh kur duhet bërë diçka që nuk është e mirëpritur në Kosovë, gjithmonë kryeprokuror në këtë Gjykatë Speciale ka qenë një amerikan. Sepse evropianët e kanë ditur se kosovarët nuk mund të dalin kundër Amerikës. Tash kritikohet vetëm ai që e ngriti aktakuzën, sepse ai po kritikohet edhe për hetime ndaj Presidentit Trump. Por aktakuza ndaj liderëve të UÇK-së u ngrit, po ashtu në kohën e mandatit të Presidentit Trump. Dhe Administrata Amerikane edhe në atë kohë kërcënoi Kosovën me pasoja, nëse bën ndonjë veprim për shuarjen e Gjykatës Speciale. Kosova e ka të vështirë edhe sot të gjykojë në mënyrë racionale se cili është qëndrimi i “miqve ndërkombëtarë”.
Pranimi i Kosovës që vetë ta formojë Gjykatën Speciale, e cila dëshmoi se gjykon vetëm të akuzuar me përkatësi etnike shqiptare, ka qenë gabim i madh. Një prej gabimeve që është bërë dhe nuk mund të zhbëhet. Nuk është koha që të rikujtohet se kush dhe si e ka mbështetur apo kundërshtuar atë. Por kjo Gjykatë është simbol i dështimit të përbashkët të Kosovës dhe miqve të saj ndërkombëtarë. Sepse, sido që të shtrohen argumentet, mbetet fakti se për asnjë vend tjetër në ish-Jugosllavi nuk ka pasur nevojë për “Gjykata Speciale” pas mbylljes së Gjykatës së Hagës për krime të luftës në ish-Jugosllavi, por vetëm për Kosovën. Një disbalancë të madhe e ka krijuar kjo gjykatë në perceptimin e së kaluarës. Liderët e Kosovës po gjykohen në Hagë, ndërsa në TV në Serbi mysafirë të përditshëm janë kriminelët e dënuar të luftës, të cilët vazhdojnë t’i kërcënojnë vendet fqinje edhe sot. Por Kosova nuk e ka luksin të marrë vendime unilaterale për shpërbërjen e kësaj Gjykate. Kjo nuk do të mund të bëhej pa pasoja të rënda në raporte me aleatët kryesorë të Kosovës.
Kosova nuk ka zgjidhje tjetër pos të presë që sa më parë ta përfundojë punën kjo Gjykatë, me shpresë që ajo të sjellë drejtësi.