OpEd

Gjurmët e Xhemail Mustafës në Zofingen të Zvicrës

Aty ku dikur botohej gazeta “Rilindja” për mërgatën e Kosovës

1.
Gjermani Caspar David Friedrich (1774-1840) e ka punuar njërën nga pikturat më të famshme të romantizmit. Quhet “Shtegtari mbi detin e mjegullës”. Shtegtari është i vetmuar dhe gjendet para një natyre të madhe, impozante, gjigante. Qetësia me të cilën ai shikon botën që shtrihet para tij është mbresëlënëse. Ai njëjtësohet me natyrën. Caspar David Friedrich ishte i mendimit se piktori s’duhet të pikturojë vetëm atë që sheh para vetes, por edhe atë që sheh brenda vetes.
Në poezinë e tij të famshme “Në mjegull”, shkrimtari gjerman Hermann Hesse (1877-1962) e krahason mjegullën, këtë fenomen të motit, me vetminë, siç mund të kuptohet nga kjo strofë (përkthyer nga Kujtim Shabani): 


Çudi, në mjegull kur ia beh!

Çdo ferrë e gur është i shkretë,

Asnjë pemë tjetrën s’e sheh,

Secila është vetë.

2.
Është mirë të marrësh udhë me tren me këto dy mendime, thjesht si inspirim dhe si nxitje për të menduar. Në një ditë vjeshte të vonshme treni nga Zürichu në Zofingen depërtonte nëpër një mjegull të dendur. Shihej shumë pak dhe, natyrisht, kjo krijonte një atmosferë disi depresive, aspak joshëse për të dalë e për të shëtitur në natyrë. Megjithatë, në orën 9:12 s’kishte alternativë tjetër: zbrita në Zofingen. Mjegull kishte edhe në stacionet e ardhshme ku do të ndalej treni.

Zofingeni është një qytet interesant për shkak të trashëgimisë arkitektonike, me ndërtesa të bukura dhe të ruajtura mirë. Pamjen e sotme qyteti e mori në shekullin e 17-të dhe në fillim të shekullit të 18-të, kur shtëpitë mesjetare u zëvendësuan gradualisht me ndërtesa të stilit barok. Atraksion qendror është kisha e qytetit të Zofingenit, e ndërtuar në stilin roman dhe gotik. Gjatë gërmimeve arkeologjike dolën në dritë mbetjet e disa ndërtesave paraardhëse; muret e para u ngritën rreth vitit 600. Ndërtesa të shumta historike janë rinovuar vitet e fundit dhe sot shkëlqejnë me madhështi të re. Jeta publike zhvillohet në pjesën e vjetër të qytetit, ku shitësit ofrojnë pemë, perime e bulmet. Qyteti është i njohur edhe për 22 krojet e tij. Më i njohuri nga këto është kroi i Niklaus Thut, i cili u ndërtua në vitin 1894 si dhuratë e shoqatës studentore zvicerane “Zofingia” për përvjetorin e saj të 75-të. Bukuria e qytetit është arsyeja e parë për të vizituar Zofingenin.

3.

Arsyeja e dytë lidhet me historinë e Kosovës. Pikërisht në Zofingen, në fillim të viteve ’90, filloi botimi i gazetës “Rilindja”, e cila në atë kohë ishte e ndaluar në Kosovë nga regjimi serb. Ndër gazetarët e parë që vunë themelet e “Rilindjes” në Zofingen ishte Xhemail Mustafa, kritik letrar dhe publicist shumë i njohur në atë kohë, e më vonë, gjatë gjithë viteve ’90, aktivist i matur, i urtë dhe i vendosur për lirinë e Kosovës. Pas tij “Rilindjen” në mërgim e drejtuan me vite gazetarët Binak Kelmendi dhe Gani Mulliqi.
Xhemail Mustafa vendosi të kthehej nga Zvicra në Kosovë. Ai u angazhua edhe si këshilltar politik e medial i presidentit të atëhershëm, Ibrahim Rugova. Xhemail Mustafa është autor i shumë recensioneve, analizave politike e kulturore, eseve dhe, mbi të gjitha, shkrues i një libri me vlerë mbi 78 ditët e bombardimeve të NATO-s, të cilat ai i mbijetoi në Prishtinë. Ky libër është një dokument i rëndësishëm mbi disa muaj dramatikë të Kosovës, një dëshmi mbi historinë e Kosovës.

4.

Fatkeqësisht, pas luftës Xhemail Mustafa u vra nga persona ende të panjohur. Krimin ata e kryen para banesës së tij në Prishtinë. Kjo është një nga plagët më të rënda të shoqërisë kosovare. Jemi në vitin 2025, në prag të vitit 2026, dhe ende nuk ka epilog gjyqësor për këtë rast. Nuk dihet cilat prova janë mbledhur, çfarë ka bërë prokuroria, kush është marrë në pyetje, a ka pasur pista konkrete dhe nga janë orientuar hetimet.

Ky është një kapitull i dhimbshëm i Kosovës. Po rritet një gjeneratë e re - ata që janë lindur pas luftës, sot janë rreth 25-26 vjeç. Ata gradualisht po e harrojnë luftën dhe të kaluarën. Kjo, në njëfarë mënyre, është edhe e drejta e tyre. Por ajo që është fatale, është harrimi i krimeve. Kur krimet harrohen, kur vrasjet politike mbesin pa përgjigje të merituar juridike, krijohet një shoqëri ku gjithçka relativizohet.

5.

Gazeta “Rilindja” luajti një rol të rëndësishëm në informimin dhe mobilizimin e mërgatës shqiptare. Një pjesë të të ardhurave që “Rilindja” i siguronte nga shitja dërgohej në Prishtinë, te “Rilindja” tjetër, e cila atëherë dilte me emrin “Bujku”. Ndonëse në rrethana okupimi, në shtetin paralel kosovar të asaj kohe ekzistonte një sistem informimi relativisht i gjallë: çdo medium kishte politikat e veta redaktuese dhe preferencat e veta politike, por ekzistonte një rezistencë e përbashkët për të mos e lënë Kosovën në errësirë informative. Në këtë betejë dhanë kontribut edhe gazeta e revista si “Zëri” dhe “Koha”.

Këto qenë, pak a shumë, mendimet që m’u sollën në kokë teksa shëtisja nëpër Zofingen. Qyteti, siç u tha, gjendet në pjesën qendrore të Zvicrës dhe kjo është arsyeja pse këtu ndodhet një pjesë e shtypshkronjave të mëdha zvicerane: gazetat e shtypura në Zofingen mund të transportohen shpejt si në Zvicrën gjermanofolëse ashtu edhe në atë frankofone.

Në dalje të Zofingenit mjegulla nisi të hiqej, rrjedhimisht edhe gëzimi të rritej për vazhdimin e ecjes deri në cak, në qytetin Sursee. Shtegu i sinjalizuar është rreth 26 kilometra i gjatë; sigurisht që këto nuk përshkohen për 26 minuta, por kërkojnë një ecje prej rreth 7 orësh.