Javë më dinamike se kjo nuk më kujtohet ta kemi përjetuar së voni: një sulm terrorist; një paralajmërim greve plot patetikë; një cirk i vërtetë në Kuvendin e Kosovës dhe një aktakuzë e re për tentim-frikësimin a tentim-manipulimin e dëshmitarëve në Speciale...
Shumë kile eksploziv
Derisa po e përshkruaja Kullën e Sheshfellit javën e shkuar, në veri po ndodhte një sulm terrorist që ka mundur të shkaktonte pasoja të paimagjinueshme për popullatën civile. Deri në orët e vona, nuk u mor vesh saktësisht se çfarë kishte ndodhur – derisa nuk dolën fotografitë e para nga vendi i ngjarjes: kanali i hapur i Ibër-Lepencit afër fshatit Varagë të Zubin-Potokut, ishte hedhur pjesërisht në ajër.
Ndërhyrja e shpejtë e teknikëve dhe punëtorëve bëri që rrjedha e ujit të mos humbej e gjitha dhe që të mbërrinte në termocentrale për ta ruajtur strukturën e tyre. Natyrisht se furnizimi me ujë të pijshëm u ndal për komunat e veriut. Nuk ishte për konsum.
Reagimi i shumicës, përfshirë çuditërisht edhe Borrellin në ditën e fundit të punës, qe se bëhej fjalë për sulm terrorist. Përfaqësuesit institucionalë të Kosovës deklaruan se pas sulmit qëndronte Serbia si dorë e zgjatur e Rusisë.
Armatimi, uniformat, municionet dhe pajisjet e tjera që u konfiskuan që të nesërmen ishin tregues i brishtësisë së sigurisë në Veri. Ato armë kanë mundur të jenë aty nga koha e sulmit terrorist në Banjskë, por lehtë kanë mundur të kontrabandohen së voni nga Serbia rrugicave nga kanë ikur terroristët e Radoiçiqit, e që janë treva që kontrollohen nga KFOR-i. Është e qartë se vija kufitare me Serbinë është e gjatë dhe se ushtarët nuk mund ta ruajnë secilin metër, porse sasia e armatimit të kapur duhet të paraqesë shenjë alarmi edhe për KFOR-in. Do të kujtojmë se viktimat e para të terroristëve të Radoiçiqit ishin pikërisht ushtarët e KFOR-it në maj të 2023-s.
Ky sulm nuk e lë as të vetmen dilemë se veprimi më i mirë i autoriteteve kosovare ka qenë dërgimi i njësive speciale në veri, në kohën e duhur, me gjithë kundërshtitë që na kushtuan me sanksione. Pa ta atje, ende do ta kishim status quonë e pafund.
Shantazhi i SBASHK-ut
Derisa ende bëheshin përpjekje për sanimin e kanalit të bombarduar, u fol shumë për një liqen akumulues që nuk u ndërtua kurrë në Mihaliq të Vushtrrisë. Kushdo që e ka marrë vendimin për anulimin e këtij projekti, me gjasë nuk do të ketë pasur fare vizion për rëndësinë strategjike që e ka një basen i tillë. Mbase, pas kësaj që ndodhi, do të ndërmerren masa më të shpejta për ta gjetur një zgjidhje.
Dhe përderisa e gjithë vëmendja ishte kthyer nga ngjarja tronditëse e vitit, në skenë u paraqitën Rrahman Jasharaj dhe SBASHK-u.
Sikurse jemi mësuar tashmë, në prag të fushatës zgjedhore, SBASHK-u organizoi një protestë paralajmëruese që do të mund të përshkallëzonte në grevë. Protesta u organizua ngase “qeveria deshi t’ua ndalë mësimdhënësve bukën e gojës” – pra një slogan patetik, i cili ka qenë shumë përnjëmendshëm në kohën e okupimit në të 90-at, por që tash ngjall një lloj antipatie, për shumë arsye.
Nuk ka asnjë dyshim se kjo është ndër sindikatat më së miri të organizuara dhe di ta shfrytëzojë rastin sa herë që ai shfaqet. Trysninë e shton në kohë parazgjedhore ose në mes të fushatës – pra edhe kësaj radhe veproi në të njëjtën mënyrë.
Pra, përderisa absolutisht askush nuk e mohon të drejtën e punëtorëve për organizim sindikal dhe për të negociuar kushte më të mira pune me kontrata kolektive, megjithatë presioni për ta arritur një marrëveshje të tillë mu para nisjes së fushatës zgjedhore është veprim me bisht.
Negociatat për kontratën e re kolektive që krijojnë jo pak telashe nëpër komuna, që e kanë për detyrim t’i plotësojnë këto kërkesa, për shkak se menaxhimi i arsimit është i decentralizuar, nuk bën të ndërmerren në kohën kur nuk ka kaluar procesi zgjedhor që do të rezultojë me përbërje të re të Kuvendit dhe me qeveri të re. Nuk është fare etike që të merren vendime që kanë implikime të thella financiare që e favorizojnë një grup profesionistësh në këmbim potencial për votat e tyre, e që barra më pas të bartet te një strukturë e re qeverisëse.
Nga ana tjetër, SBASHK-u dhe mësimdhënësit nuk janë për t’u lavdëruar sa u përket rezultateve të PISA-s. Natyrshëm, jo të gjithë mund të futen me një thes, porse edhe në mesin e vetë arsimtarëve mungon vetëkritika dhe mungon madje vullneti që edhe ata t’u nënshtrohen testimeve – sepse nuk ka asnjë dyshim, sikurse në të gjithë sektorët, edhe në arsim ka të tillë që nuk e kanë vendin aty.
Por, problemi është se arsimi i dobët ka efekt të drejtpërdrejtë në të gjithë sektorët e tjerë dhe në vetë zhvillimin e Kosovës.
Qirkuzi mbetet qirkuz
E mbase një prej institucioneve që ka vuajtur në të shumtën nga niveli i ulët i nxënies në mesin e përfaqësuesve të vet ka qenë Kuvendi i Kosovës. Natyrisht, në secilën legjislaturë ka pasur përjashtime për të mirë.
Që nga çlirimi, Kosova ka pasur 8 legjislatura (përfshirë këtë aktualen), dhe sinqerisht, me bâ me i qitë në konkurs, nuk di njeriu cilën ta zgjedhë si më të keqen. Duket se me kalimin e kohës, në vend se ta mbërrijmë një nivel më të lartë përgjegjësie, profesionalizimi e përkushtimi mes deputetësh, na ndodh e kundërta. Sikurse ishte puna e kësaj, së cilës po i kalon mandati edhe ndonjë ditë.
Niveli i debatit, gjuha denigruese, loja e pafund me prishje kuorumesh, bojkotime seancash, ikje prej një partie në tjetrën, kalimi i ligjeve që përherë përfundojnë në Kushtetuese kulmoi me prishjen kolektive të nervave tona gjatë katër vjetëve të shkuar. Dhe sikur kjo të mos mjaftonte, të enjten mbrëma i përjetuam dy-tri shfaqje teatrale brenda një dite që lidhje nuk kanë me mirëqenien tonë. Kanë të bëjnë me pozicionime politike para zgjedhjeve.
Fillimisht u caktuan dy seanca për t’i votuar një grumbull ligjesh të mbetura në rend ditë prej muajsh. Me shmangie procedurale, u miratuan 20 ligje (e deri dje ishin miratuar gjithsej 44 gjatë gjithë vitit) dhe kjo pa prezencën e opozitës.
Dikur nga mesi i seancës, në Kuvend u paraqitën deputetët e Lista Srpskas. Në kamerë nuk u panë, porse u fol sesi deputetët e VV-së nuk donin t’i lejonin të hynin brenda në sallë plenare. Hynë, por nuk u lejuan të uleshin. Erdhi kryetari i Kuvendit, i qortoi, e mbajti një fjalim patriotik dhe e ndërpreu seancën.
Deputetët serbë, që kishin munguar gjashtë muaj nga Kuvendi, kishin ardhur për ta ringjallur mandatin, me nga një nënshkrim në seancë. Pse jo, kur vetë Kushtetuta e Kosovës ua lejon, ndërkohë që Komisioni për mandate e imunitet kurrë nuk është marrë me çështjen e mosardhjes së tyre. E ka mundur.
Në gjysmë të natës u mbajt edhe një seancë e jashtëzakonshme – që kush nuk e mori vesh pse u mbajt. Kalimi i ligjeve, që mund të kontestohen në cilindo çast, ka mundur të ndodhte edhe në një seancë tjetër që ka mundur të mbahej dje. Arrogancë e numrave quhet. Dhe jo çdoherë del mirë.
Aktakuza e re
Një arrogancë tjetër shpërfaqte Hashim Thaçi derisa mbante postet më të larta shtetërore në Kosovë. Duket se të njëjtën qasje arrogante e mbajti edhe gjatë paraburgimit të tij në Hagë. Brenda dhjetë ditësh të nëntorit të vjetëm, Specialja fillimisht ua kufizoi vizitat Thaçit, Veselit e Selimit e më pas i kufizoi kontaktet me dëshmitarët e palëve pasi ta përfundojnë dëshminë. Tash po del se paska pasur një arsye për mostolerimin e kësaj qasjeje të Thaçit.
Pra mbi një vit është bërë përcjellja e takimeve dhe vizitave në gjykatë që, mbrëmë u bë e ditur, kulmoi me ngritjen e një aktakuze të re ndaj Hashim Thaçit, Isni Kilajt, Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit për pengimin e administrimit të gjyqësisë, përkatësisht ndikimi mbi dëshmitarët.
Aktakuza e re 16-faqesh, shpjegon mënyrën e veprimit të të akuzuarve, të cilat i ndan në tri grupe, e që e bën të tërën edhe më të rëndë në raport me rastin. Do të thotë flet për një organizim për të kryer vepra penale, në të cilën marrin pjesë ish-shefi i AKI-së, ish-ministri i Drejtësisë, ish-kryetari i një komune dhe një veteran i UÇK-së. Ky kombinim të akuzuarish, përfshirë një ish-kryetar e ish-kryeministër, dy ish-kryeparlamentarë dhe një shef grupi parlamentar zor se ka mundur të imagjinohej se do të mblidhej ndonjëherë.
Diskursi kundër Gjykatës Speciale në Hagë është se ajo ka për qëllim ta kriminalizojë UÇK-në, dhe ky diskurs është i gabueshëm: se të katër të akuzuarit kanë qenë në UÇK por nuk janë vetë UÇK-ja.
Po del se nuk ka kush i bën më shumë dëm reputacionit të UÇK-së se vetë të akuzuarit me veprimet e tyre për ta penguar drejtësinë, pavarësisht reagimeve dhe akuzave për anshmërinë e gjykatësve.
Të shohim çka na sjell java që vjen.