OpEd

Ëndërrojmë ditën kur NATO do të largohet nga Kosova

Do të ishte mirë që NATO-ja sa më parë të largohej nga Kosova. Ky do të ishte lajmi më i mirë për Kosovën që nga çlirimi dhe shpallja e pavarësisë. Sepse ky lajm do të nënkuptonte se Kosova ka përmbyllur shtetformimin e saj, se pajtimi me Serbinë ka arritur nivelin e sigurisë dhe pamundësisë së konfliktit ushtarak. Se të gjithë në Kosovë ndihen të lirë dhe të sigurt, të mbrojtur dhe jetojnë pa frikë, saqë nuk ka nevojë për prani të huaj ushtarake për t’i mbrojtur. Do të nënkuptonte se Kosova i ka kufijtë e garantuar nga fqinjët, që janë anëtarë apo partnerë në NATO, dhe asnjë shtet fqinj nuk ka pretendime territoriale ndaj Kosovës. Por kjo ditë nuk duket të jetë afër. Prandaj edhe janë tepër të parakohshme paralajmërimet për mundësinë e largimit të NATO-s nga Kosova

Në Kosovë, por edhe më gjerë, vazhdojnë të merren me disa deklarata të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, rreth “paralajmërimeve” se “një shtet i madh” do të kërkojë largimin e UNMIK-u dhe KFOR-it nga Kosova. Dhe presidenti i Serbisë, Vuçiq, informatën e paska ndarë me shërbimet e zbulimit. Kjo ishte vetëm një deklaratë në stilin e tij, për të përgatitur terrenin me disa paralajmërime, kinse “të rrezikshme” dhe që ai më vonë “me sukses” do t’i parandalojë. Duhet vërejtur se së pari ai përmendi UNMIK-un. Pakkush e di se ky mision ende ekziston në Kosovë, por edhe më pak njerëz e dinë se çfarë bën ai. Pra, mbeti apo shkoi UNMIK-u nga Kosova kjo nuk do të vërehet.

E sa i përket misionit të KFOR-it, që e udhëheq NATO, por në të ka shumë kontribut të vendeve që nuk janë anëtare, nuk është i qartë qëndrimi i Vuçiqit dhe i Serbisë. Gjithsesi Kosova është shtet i pavarur, edhe pse NATO nuk e njeh si të tillë. NATO, me vendim të njëzëshëm të Këshillit të Atlantikut të Veriut, duke u bazuar edhe në Rezolutën e OKB-së, u vendos në Kosovë në vitin 1999. Edhe sot në NATO pohojnë se misioni në Kosovë është në bazë të kësaj rezolute, ndonëse Kosova ka shpallur pavarësinë. Por misioni i NATO-s në Kosovë është një prani ushtarake në pajtim edhe me shtetin ku ai mision ndodhet. Për të ndryshuar mandatin duhet një vendim unanim i 30 shteteve anëtare të NATO-s. Edhe nëse teorikisht ndonjë shtet, i madh apo i vogël, propozon që të largohet NATO nga Kosova, vendimi duhet të merret me unanimitet. E njëjta vlen edhe nëse dikush këtë e kërkon në OKB, ku do të votohej në Këshillin e Sigurimit e ku fuqitë atomike (SHBA, Rusia, Kina, Britania e Madhe dhe Franca) kanë të drejtë vetoje. Pra, nëse cilido shtet do të ishte kundër, kjo nuk do të ndodhte.

Në selinë e NATO-s në Bruksel në aspektin politik nuk janë aspak miqësorë ndaj Kosovës si shtet. Madje në gjuhën që përdor NATO është edhe më negative sesa Bashkimi Evropian. Por stafi ndërkombëtar i NATO-s nuk merr vendime. Këtë e bëjnë shtetet anëtare. E diplomatët në Bruksel nuk kanë dëgjuar se dikush ka kërkuar, apo do të kërkojë largimin e NATO-s nga Kosova. Një kërcënim të tillë, dhe atë duket krye më vete, e kishte bërë ish-ambasadori amerikan në Gjermani, Richard Grenell. Por edhe ai kishte folur për trupat amerikane e jo për tërë NATO-n. Po të pyetej shefi i tij, Donald Trump, ndoshta NATO nuk do të duhej të ekzistonte fare.

Në këtë moment në NATO përsërisin atë që kanë thënë tash e disa vjet, se NATO e vazhdon misionin në Kosovë për të siguruar qetësi dhe stabilitet në tërë Kosovën për të gjithë qytetarët. Vërtet kur Kosova, me pajtimin e disa aleatëve, pasi nuk kishte mundësi të ketë konsensus në NATO, mori vendim për transformimin e FSK-së në Ushtri, sekretari i përgjithshëm i NATO-s kishe përmendur mundësinë që NATO “të rishqyrtojë angazhimin e saj me FSK-në”. Por askush asnjëherë nuk e ka vënë në dyshim qëndrimin e NATO-s në Kosovë. Dhe as që pritet në një të ardhme të afërt apo të mesme të ndodhë kjo. NATO pritet të qëndrojë në Kosovë derisa Kosova të mos jetë afër për t’u anëtarësuar në NATO.

Presidenti i Serbisë, pasi kishte paralajmëruar se “një shtet i madh” do të mund të kërkojë tërheqjen e KFOR-it, pati thënë se “do të shkoj në Bruksel për të biseduar me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Stoltenberg, për këtë”. Kështu ai përgatit terrenin që opinionit t’ia dëshmojë se ai siguroi që kjo të mos ndodhë. Sikur shpesh thotë se po i bëjnë presion që ta njohë Kosovën, por ai këtë nuk e bën. E presion për ta njohur Kosovën Serbia nuk ka pasur, së paku jo ndonjë presion serioz.

Ditëve të fundit në Serbi treshja Vuçiq, Daçiq dhe Vulin, e njohur si treshe pjesë e regjimit të Milosheviqit gjatë luftërave, ndërmorën edhe një fushatë propagandistike ndaj Kroacisë për vendimin që në Kosovë të shtojë numrin e ushtarëve të saj në misionin e KFOR-it. Shkuan aq larg, saqë nisën të kërcënojnë, të thonë se “nuk do të lejohen më Oluja (operacioni ushtarak me të cilin Kroacia në vitin 1995 çliroi territorin e saj). Kroacia iu përgjigj se është anëtare e NATO-s, e ka njohur Kosovën dhe nuk sheh arsye pse duhet pyetur Serbia për vendim sovran të saj për të dërguar si anëtare e NATO-s ushtarë në misionin e NATO-s në një vend të cilin Kroacia e ka njohur si shtet.

Është edhe qesharak krijimi i atmosferës së frikës nga rritja e numrit të ushtarëve kroatë në Kosovë. Edhe pas kësaj rritjeje Kroacia do të ketë dy herë më pak ushtarë se Sllovenia, e cila në këtë moment në misionin e NATO-s në Kosovë ka 240 ushtarë, e nuk e kemi dëgjuar askënd nga Serbia të ankohet për numrin e ushtarëve sllovenë në Kosovë, apo të ndonjë shteti tjetër.

Në këtë mision të NATO-s ka edhe shumë ushtarë nga vendet joanëtare si Austria, Zvicra, Ukraina, Moldavia, Finlanda, Irlanda dhe disa vende të tjera. Më shumë se 10 për qind vijnë nga shtetet që nuk janë në NATO. Dhe, me përjashtim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Italisë dhe Turqisë, shumica e ushtarëve vijnë nga shtetet më të vogla. Zvicra, për shembull, apo Austria, kanë më shumë pjesëtarë në misionin e NATO-s në Kosovë sesa Gjermania, Britania e Madhe, Kanadaja dhe Franca së bashku.

Nga 3500 pjesëtarë sa ka KFOR-i, sipas të dhënave të fundit, vetëm 35 janë nga Kroacia. Më së shumti janë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës 660, pastaj nga Italia 542, Hungaria 397 dhe Austria 324. Të gjithë këta ushtarë vazhdojnë të jenë prania ndërkombëtare më e besuar nga qytetarët e Kosovës, edhe nga shqiptarët, por edhe nga serbët.

Por duket se treshes “Vuçiq-Daçiq-Vullin” rritja e pranisë së ushtarëve kroatë i pengon për arsye të tjera. E para është se edhe Kosova, edhe Kroacia tek ta zgjojnë ndjenjën e humbësit dhe humbjes. Në të dyja luftërat ata humbën, dhe në të dyja ishin ndër nxitësit më të mëdhenj të luftës. Arsyeja e dytë është se Kroacia, edhe në bashkëpunim me disa aleatë në NATO (jo të gjithë, sepse NATO nuk e njeh Kosovën si shtet) do të ndihmojë në ngritjen dhe stërvitjen e forcave të armatosura të Kosovës.

të ishte mirë që NATO sa më parë të largohej nga Kosova. Ky do të ishte lajmi më i mirë për Kosovën që nga çlirimi dhe shpallja e pavarësisë. Sepse ky lajm do të nënkuptonte se Kosova ka përmbyllur shtetformimun e saj, se pajtimi me Serbinë ka arritur nivelin e sigurisë dhe pamundësisë së konfliktit ushtarak. Se të gjithë në Kosovë ndihen të lirë dhe të sigurt, të mbrojtur dhe jetojnë pa frikë, saqë nuk ka nevojë për prani të huaj ushtarake për t’i mbrojtur. Do të nënkuptonte se Kosova i ka kufijtë e garantuara nga fqinjët, që janë anëtarë apo partner në NATO, dhe asnjë shtet fqinj nuk ka pretendime territoriale ndaj Kosovës. Por kjo ditë nuk duket të jetë afër. Prandaj edhe janë të hershme paralajmërimet për mundësinë e largimit të NATO-s nga Kosova. Sepse edhe për shumë vjet NATO me më pak apo më shumë ushtarë, me detyra mbrojtëse, parandaluese apo trajnuese, do të mbetet në Kosovë. Para ndërhyrjes së NATO-s kosovarët brohorisnin në protesta nëpër botë “NATO në Kosovë”, ndërsa largimi i NATO-s do të ndodhë kur të realizohet kërkesa “Kosova në NATO”. Atëherë Kosova do të jetë kontribuuese e paqes me praninë e saj ushtarake nëpër misione të NATO-s, siç janë sot Shqipëria, Kroacia e Mali i Zi, por do të gëzojë dhe mbrojtjen në rast rreziku nga ombrella kolektive mbrojtëse e NATO-s, siç gëzojnë Polonia dhe shtetet baltike.