Në 30-vjetorin e gjenocidit të forcave serbe ndaj popullsisë boshnjake në Srebrenicë, Parlamenti gjerman mbajti një debat në nderim të viktimave. Por çfarë ndodhi gjatë këtij debati si pasojë e deklaratave cinike të deputetëve të Alternativës për Gjermaninë (AfD) tregon se urrejtja mund të ngadhënjejë përsëri dhe gjithkund nëse e djathta ekstreme merr pushtetin
1.
Në korrik të vitit 1995 bota heshti. Njerëzit kalonin pushimet në det dhe ndonjëherë, nga radioja apo televizioni, mund të kenë dëgjuar toponimin Srebrenicë, pa ia vënë veshin se çfarë po ndodhte në atë qytezë të Bosnjë-Hercegovinës. Këtë gjendje e përthekon me fjalë të fuqishme poeti i madh polak Adam Zagajevski (21 qershor 1945 – 21 mars 2021). Në vijim poezia e tij, e cila bart titullin “Verë 1995”:
Ishte një verë në Mesdhe, e mban mend,
afër Toulonit, verë e thatë, e frymëzuar me veten,
duke folur me një dialekt vështirë të kapshëm,
andaj ne i kuptonim vetëm copëzat e fjalëve të njelmëta,
ishte një verë në dritën e pjerrët të mbrëmjes, natën në njolla të zbehta yjesh, kur zhurma
e zërave të parëndësishëm pushoi dhe vetëm
heshtja priste, që një zog i përgjumur të thërras,
një verë me shpërthim të përditshëm të jugut, kur edhe
gjinkallat zaliseshin, një verë,
kur uji i kaltër hapej si mikpritës, aq mikpritës,
saqë i harruam krejt amforat, të cilat qe mijëra
vjet qëndronin në fund të detit, në errësirë,
të vetmuara; ishte ajo verë, a të kujtohet,
kur qeshnin gjethet përjetësisht të blerta të voshtrës,
ishte korrik kur u miqësuam
me atë kotelen e zezë,
e cila na dukej aq e mençur,
ishte po ajo verë, kur në Srebrenicë
u vranë burra e djem;
atje – të shtëna të panumërta të thata
dhe sigurisht po ashtu vapë dhe pluhur
dhe gjinkalla, të tmerruara për vdekje.
2.
30 vjet më vonë faktet janë të pamohueshme. Në Srebrenicë forcat serbe, të komanduara nga gjenerali Ratko Mladiq dhe të përkrahura nga Beogradi, vranë rreth 8.000 burra e djem boshnjakë. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka cilësuar këtë krim masiv si gjenocid. Në disa aktgjykime Tribunali i Hagës për ish-Jugosllavi ka konstatuar se në Srebrenicë është kryer gjenocid. Ratko Mladiqi është dënuar me burg të përjetshëm për këtë krim. Edhe Radovan Karagjiqi. Dhe disa bashkëpunëtorë të tyre me burg shumëvjeçar. Totalisht ky ekip për vrasje, masakra dhe llahtari të tjera ka marrë mbi 700 vjet burg nga Gjykata e Hagës. Megjithatë dhe pavarësisht këtyre fakteve, mohimi i gjenocidit në Srebrenicë vazhdon të jetë një garë e përditshme e nacionalistëve. Në Serbi. Në entitetin serb të Bosnjë-Hercegovinës. Në qarqet ultranacionaliste e proserbe në Mal të Zi. Edhe në Shkup: një zëvendëskryeministër nga radhët e pakicës serbe tallet me viktimat. Ky mohim sado i neveritshëm është po aq edhe i pritshëm.
3.
Por gjenocidi në Srebrenicë mohohet edhe në Gjermani, më saktë në Parlamentin gjerman. Në 30-vjetorin e gjenocidit të forcave serbe ndaj popullsisë boshnjake në Srebrenicë, Parlamenti gjerman mbajti javën që shkoi një debat në nderim të viktimave. Ajo çfarë thanë gjatë debatit deputetët e partisë Alternativa për Gjermaninë (AfD) ishte në përputhje të plotë me propagandën serbe nga Beogradi dhe Banjalluka.
Në hapje të mbledhjes kryetarja e Bundestagut, Julia Klöckner, nga radhët e partisë konservatore CDU, tha: “Srebrenica ishte krimi më i rëndë i luftës në truallin evropian që nga Lufta e Dytë Botërore”. Ministri i Shtetit në Ministrinë e Jashtme, Gunther Krichbaum, e krahasoi çmendurinë e nacionalizmit me një serrë dhe shtoi: “Prandaj, Srebrenica është një thirrje për të gjithë ne, një thirrje: Mos ktheni shikimin nga ana tjetër, por shikoni drejt! - Kur njerëzit në Evropë apo gjetkë kërcënohen për shkak të prejardhjes së tyre, fesë apo identitetit të tyre, nuk guxojmë të heshtim. Është përgjegjësia jonë të ngrihemi kundër minimizimit, relativizimit dhe ringjalljes së nacionalizmit dhe racizmit”.
Pikërisht këtë e bëri deputeti i AfD-së, Alexander Wolf. Ai kritikoi klasifikimin e krimit të luftës si gjenocid dhe tërthorazi u shprehu mirënjohje serbëve që në Srebrenicë vranë vetëm burrat, “por në thelb kursyen gratë dhe fëmijët”. Wolf akuzoi Gjermaninë për përkrahjen e Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, e cila e klasifikon masakrën e Srebrenicës si gjenocid. Deputeti tjetër i AfD-së, Martin Sichert, e shfrytëzoi debatin për një sulm frontal kundër myslimanëve në tërësi dhe për poenë të politikës së brendshme gjermane. Ai tha se “Srebrenica na paralajmëron t’i japim fund multikulturalizmit para se të jetë vonë”. Ai akuzoi myslimanët se po synojnë të bëhen shumicë nëpërmjet “xhihadit të lindjeve”. Sipas kësaj teorie raciste myslimanët qëllimisht lindin më shumë fëmijë për t’u bërë shumicë në shoqëritë perëndimore.
Këtij debati të neveritshëm u përpoq t’i japë fund ministri i Jashtëm, Johann Wadephul. Ai tha: “Më vjen keq që u imponojmë debate të tilla viktimave, të afërmve të tyre – veçanërisht të pranishmëve këtu dhe zotit ambasador”. Në tribunën e mysafirëve të Bundestagut ishte ambasadori i Bosnjë-Hercegovinës, Damir Arnaut, dhe dy të mbijetuar të masakrës së Srebrenicës. Ajo çfarë ndodhi gjatë këtij debati si pasojë e deklaratave cinike të deputetëve të Alternativës për Gjermaninë tregon se urrejtja mund të ngadhënjejë përsëri dhe gjithkund nëse e djathta ekstreme merr pushtetin.