OpEd

E vërteta për “Dialogun e Solothurnit”

(Një muhabet joformal që nisi në vitin 2015 dhe nuk është as hairi, as sherri i askujt)

Organizata joqeveritare amerikane Council for Inclusive Governance prej vitesh organizon takime mes politikanëve të Kosovës dhe Serbisë. Bashkëorganizatore e këtyre takimeve është Ministria e Jashtme e Zvicrës (EDA). Takimet zhvillohen në Zvicër, kryesisht në Solothurn, një qytet buzë lumit Aare dhe afër Bernit, kryeqytetit të Zvicrës. Financimin e këtij organizimi e bën Qeveria e Zvicrës, respektivisht Ministria e Jashtme. 

Takimet nuk janë sekrete. Në vitin 2022 gazeta “NZZ am Sonntag” ka shkruar për këto takime. Më 17 nëntor 2025 gazeta “Blick” e Zürichut shkroi për një dialog mes politikanëve të Kosovës e Serbisë të zhvilluar në Solothurn. Diplomati zviceran Roland Salvisberg është organizator i këtyre takimeve. Që në nëntor ai i tha gazetës “Blick” se në tavolinën e bisedimeve “nuk janë vetëm përfaqësues të partive qeverisëse, por edhe të opozitës dhe shoqërisë civile”. 

Pra, e vërteta është kjo: në Solothurn nuk kanë qenë vetëm politikanë të Lëvizjes Vetëvendosje, por edhe të partive të tjera dhe të shoqërisë civile. Njëjtë edhe nga Serbia: vijnë përfaqësues të partisë në pushtet, të opozitës, të shoqërisë civile (në nëntor në takimin e Solothurnit mori pjesë edhe një përfaqësuese e shoqërisë civile të serbëve të Mitrovicës së Veriut). Arsyeja pse shumica e pjesëmarrësve heshtin ka të bëjë me një premtim që i kanë dhënë organizatorëve amerikanë dhe zviceranë se nuk do të flasin publikisht për këto takime. 

Në shkrimin e sotëm të gazetës “Neue Zürcher Zeitung” thuhet se deri më tani nuk ka qenë e ditur se në takimet e Solothurnit marrin pjesë edhe ministra. Sipas gazetës, në këto takime kanë marrë pjesë “nënkryetari kosovar” Besnik Bislimi (në të vërtetë Bislimi është zëvendëskryeministër, Kosova nuk ka nënpresident) dhe ministri i jashtëm serb dhe ish-ambasadori në SHBA, Marko Gjuriq. Gazeta nuk tregon nëse Bislimi dhe Gjuriq kanë marrë pjesë njëkohësisht (!) në këto takime. Sipas burimeve diplomatike, në takimin e nëntorit (2025) nuk ka marrë pjesë Bislimi, më herët po. Pyetja është kjo: A ka marrë ai pjesë - më herët - në takime të formatit të tillë ku i pranishëm ka qenë EDHE Gjuriqi? Qeveria e Kosovës e ka demantuar këtë. “NZZ” përshkruan dy politikanë udhëheqës nga Serbia dhe Kosova që pas darkës në Solothurn po shkonin në hotel dhe linin përshtypje se po flisnin me njëri-tjetrin në mënyrë të civilizuar? E ç’të bënin? Të grushtoheshin sipas “traditës ballkanike”? 

A ishin këta dy politikanë Bislimi dhe Gjuriqi? “NZZ” nuk e thotë. Herët apo vonë, kjo do të merret vesh. Andaj nëse sot qeveria e Kosovës nuk e thotë të vërtetën, gënjeshtra do t’i dalë në shesh një ditë. Shpresoj së shpejti. Politikanë të VV-së duhet ta kursejnë opinioin me deklarata të serta, aq më tepër që bëhet fjalë për takime ku kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësues të partive të tjera politike të Kosovës dhe po të kishte ndodhur ndonjë hata, shpejt do merrej vesh. Rivalët politikë të VV-së, të pranishëm në takimet e Solothurnit, mund ta zgjidhin enigmën dhe të tregojnë kush ka qenë në këto takime. Ata janë dëshmitarë okularë. 

Në përgjithësi mund të thuhet se dëmi i vetëm nga këto takime i shkaktohet taksapaguesve zviceranë. Harxhohen shumë para për takime që nuk prodhojnë asgjë. Së paku deri më tani. Në Solothurn vijnë politikanë ballkanikë, akomodohen në hotele, shtiren sikur duan dialog dhe vetëm dialog (sa për t’ia bërë qejfin nikoqirëve) dhe kthehen në Kosovë e Serbi për të vazhduar me të vjetrën.

Edhe para disa viteve (para vitit 2020) Zvicra i ka ofruar një politikani të lartë të Kosovës një takim të fshehtë në një hotel në Zvicër me homologun e tij serb. Politikani kosovar ka reaguar duke qeshur dhe duke thënë: “Ne tashmë jemi duke u takuar në kryeqytete të tjera europiane”.

Sipas Ministrisë së Jashtme të Zvicrës, qeveria zvicerane që nga viti 2015 e mbështet dialogun mes Kosovës e Serbisë “me instrumentet e saj plotësuese”. Çfarë domethënë kjo? Qe përgjigjja që Ministria e Jashtme e Zvicrës ia ka dhënë gazetës “NZZ am Sonntag” në vitin 2022: “Departamenti për Paqe dhe të Drejta të Njeriut ka organizuar takime të rregullta, në të cilat kanë marrë pjesë përfaqësues të partive më me ndikim nga të dyja vendet”. Pra, përfaqësues të partive më me ndikim nga të dyja vendet takohen në Zvicër qe disa vite. I kuptoj pse heshtin këta politikanë. Nuk duan të shkelin një kod të heshtjes për të cilin janë dakorduar me palën amerikane dhe zvicerane. 
Për të qetësuar konspiracionistët: në këto takime nuk ka ndodhur asgjë spektakulare, as dikur, as sot. As nuk është shitur Kosova në Solothurn, as nuk ka lëvizur Serbia nga pozicionet e saj. Është një tentim dëshpërues i Zvicrës për të “ndërtuar besim mes palëve”. Sa ia ka arritur? Pyetje e tepërt, sepse rezultati nuk është fare impresiv. Po shihet. Ashiqare.

Zvicra është shtet neutral dhe si i tillë përpiqet të ofrojë “shërbime të mira” mes palëve. Ukraina dhe Rusia janë në luftë. Rusia e ka sulmuar Ukrainën. Dihet kush është agresori, kush është viktima. Megjithatë, një diplomat zviceran me emrin Thomas Greminger, i cili ka ushtruar funksione të larta në diplomaci dhe tash drejton Geneva Centre for Security Policy (Qendrën e Gjenevës për Politikë të Sigurisë), ka arritur të organizojë biseda në Gjenevë mes akterëve ukrainas dhe rusë. Janë takuar disa herë në Gjenevë dhe jo vetëm. Nuk bëhet fjalë për biseda zyrtare, as për negociata. Thjesht për shkëmbim mendimesh mes ekspertëve të afërt me qeveritë në Moskë e Kiev.

Përndryshe kryetar i bordit të Council for Inclusive Governance, i cili organizon takimet në Solothurn mes palës kosovare dhe serbe, është ish-diplomati amerikan Thomas Countryman. Ai ka qenë nënsekretar shteti për çështje të sigurisë ndërkombëtare. Countryman ka shërbyer si diplomat edhe në Ballkan. Ka vizituar disa herë Kosovën. Disa nga politikanët e Kosovës që vijnë për muhabete në Solothurn, e njohin Countrymanin nga takimet ose vizitat e mëhershme në Kosovë. 

Organizimi i takimeve joformale mes Kosovës e Serbisë në Zvicër ka një traditë relativisht të gjatë. Para më shumë se dy dekadave amerikani Allen Kassof drejtonte organizatën Project on Ethnic Relations (PER), Projekti për Marrëdhëniet Etnike. Në këtë cilësi ai organizonte takime mes politikanëve shqiptarë dhe serbë në Zvicër. Paratë i merrte nga Ministria e Jashtme e Zvicrës. Council for Inclusive Governance është trashëgimtare e Project on Ethnic Relations.

Para disa javësh, kur po bëja një ecje nga Luzerni në Sursee, m’u kujtua njëri nga këto takime. Për ata që nuk e kanë lexuar kolumnen time më 16 dhjetor 2025 te “Koha Ditore”, ja edhe njëherë paragrafi përkatës: Nga larg (në Luzern) shihej hoteli “Schweizerhof”, i cili më kujtoi një kohë të shkuar, para dy dekadave. Atëbotë qeveria zvicerane organizonte në këtë hotel takime mes politikanëve të Kosovës, të shqiptarëve të Maqedonisë dhe politikanëve serbë. Ishte një iniciativë e mbështetur nga një organizatë amerikane, ndërsa Zvicra e financonte. Politikanë të ndryshëm vinin këtu, kalonin mirë në hotelin e jashtëzakonshëm, edhe pse rezultate konkrete nuk dukeshin askund. Megjithatë, ishte një periudhë kur politikanë shqiptarë dhe serbë rrinin së bashku në një hapësirë të përbashkët, 4-5 vjet pas luftës së Kosovës dhe 2-3 vjet pas luftës në Maqedoni.

Më kujtohet njëri nga këshilltarët e kryeministrit të atëhershëm serb, Vojislav Koshtunica, i cili e pyeti Arben Xhaferin:

“Zotëri Xhaferi, jeni mysliman apo katolik?”

Kjo pyetje tregonte dijen e kufizuar që një pjesë e elitave serbe kanë për shqiptarët - si për identitetin e tyre etnik ashtu dhe fetar. Në Prizren apo Gjakovë ndoshta mund të kishte njëfarë kuptimi të pyesje dikë nëse je katolik a mysliman, por për dikë nga Tetova ishte pyetje absurde. Shkuam te bari i hotelit me Arben Xhaferin dhe ia plasëm një të qeshure mbi këshilltarin injorant të Koshtunicës. “Nesër me siguri do të më pyes se pse di serbisht kaq mirë”, tha Arbën Xhaferi me ironi.

Në një nga ato samite shqiptaro-serbe në Luzern, ku merrnin pjesë edhe politikanë zviceranë si ministri i Jashtëm, Joseph Deiss, u shfaq edhe kryeministri i Shqipërisë së atëhershme, Fatos Nano. Ishte i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Xhoana, me të cilën sapo ishte martuar. Për një moment, vëmendja e politikanëve ballkanikë u zhvendos krejtësisht nga çështjet politike; të gjithë u mblodhën rreth tavolinës ku u ul Nano me gruan, sepse dëshironin “ta shihnin nusen”.

Kaq sa u përket parave të taksapaguesve zviceranë të investuara për pajtimin shqiptaro-serb.
PS. Si taksapagues zviceran mund të them: paratë e harxhuara për muhabetet e Solothurnit Zvicra do të mund t’i investonte në mënyrë më efikase. Lëvizja VV nuk duhet të shtiret sikur ka rënë në panik pas një artikulli gazetaresk që realisht nuk zbulon asgjë të re. Po, politikanë shqiptarë e serbë po takohen nganjëherë në Zvicër. Aty ka edhe përfaqësues të VV-së. Rezultati? Deri më tani: ZERO.