OpEd

E marta e madhe në Amerikë

Çfarë mendojnë antiamerikanët, konspiracionistët, majtistët ekstremë, anarkistët, fundamentalistët për Shtetet e Bashkuara të Amerikës? Mendojnë se është një demokraci e rrejshme, një sistem ku pushtetin nuk e kanë të zgjedhurit, por korporatat e mëdha, kompanitë farmaceutike, mediat që janë nën kontroll të establishmentit. Ku shtetin e drejtojnë shërbimet e zbulimit që punojnë për interesa të ngushta të një grupi të vogël, ku shkelet klasa punëtore, ku krijohen viruse të rrejshme për t’ua vënë frikën qytetarëve. Amerika është një shtet i cili gjithmonë do ta sundojë botën dhe do ta kenë nën kontroll.

Pikërisht disa prej këtyre paragjykimeve për Amerikën i tha të shtunën në një tubim me simpatizantët e tij Donald Trump, presidenti aktual amerikan i cili po kërkon edhe një mandat të ri. Foli për veten si presidenti i parë “outsider”. Tha se në mandatin e parë ka fituar, sepse nuk është politikan, sepse nuk vjen nga establishmenti, nuk e duan mediat. Por tha se në vitin 2016 ka fituar kundër “grupeve të korruptuara që udhëheqin Amerikën” dhe se është i bindur se do të fitojë përsëri, sepse ai “punon për klasën e mesme punëtore”, kundër angazhimit të shtrenjtë dhe të panevojshëm të Amerikës në botë ku harxhohen pa nevojë paratë amerikane.

Pos që i ka kritikuar, Trumpi vërtet tërë mandatin e tij katërvjeçarë e ka kaluar duke luftuar kundër shtyllave të demokracisë amerikane, siç janë shërbimet e sigurisë, gjykatat, mediat. Ka shfaqur admirim për diktatorët dhe udhëheqësit autoritarë nëpër botë dhe ka kritikuar dhe shpesh edhe fyer aleatët perëndimorë.

Trumpi ka qenë dhe është gjithçka që nuk paraqet vlerat e konservatorëve amerikanë. Me jetën e tij, me sjelljet, porositë nuk dëshmon as shumë vlera në të cilat thirren evangjelistët e krishterë në Amerikë. Por edhe republikanët, edhe konservatorët e krishterë e kanë mbështetur dhe e mbështesin. Sepse ai ua ka siguruar atyre që në pushtet të mos jenë demokratët. Prandaj ai edhe fushatën kundër demokratëve e ka drejtuar duke i quajtur socialistë, të majtë. Pak ka rëndësi se këto epitete nuk shkojnë bashkë me akuza për lidhje me “kompanitë farmaceutike që duan ta sundojnë botën dhe t’i shndërrojnë njerëzit në robotë”.

Pak ka rëndësi se a është Trumpi konservator dhe fetar i vërtetë. Me siguri nuk është dhe nuk ka ndonjë bindje. Por ka dëshmuar se nuk heziton të thotë të pavërteta nëse kjo i shkon në favor. Sa i lumtur do të ishte, për shembull, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, sikur të mund të thoshte se Trumpi nuk e ka thënë të vërtetën kur ka thënë se liderët e Kosovës dhe Serbisë, të cilët ai i paska pajtuar pas luftërave 400- vjeçare mes serbëve dhe kosovarëve, “u quan dhe nisën të përqafojnë dhe puthin njëri tjetrin”. Me këtë thënie i ka vënë në siklet edhe Hotin, edhe presidentin e Serbisë, Vuçiq. Nëse vërtet janë puthur dhe përqafuar këtë nuk do ta pëlqenin shumica e qytetarëve në vendet e tyre. Po ashtu, nëse kjo është e vërtetë, do të ishte një mesazh katastrofal në kohë pandemie kur kërkohet distancë fizike. Por nëse thonë se nuk janë përqafuar dhe puthur, i bie se po thonë se presidenti i Amerikës ka gënjyer. E këtë nuk guxojnë ta thonë. Së paku jo deri më 4 nëntor, kur të dihet rezultati i zgjedhjeve amerikane.

Por, për dallim nga udhëheqësit politikë të shumë shteteve, të cilët nuk mund të thonë se presidenti amerikan gënjen, kushdo që të jetë president amerikan, ne gazetarët e kemi këtë të drejtë, së paku në demokraci.

Fati që në Amerikë, edhe në kohën e Trumpit, funksiononin kontrolli dhe balanca e pushtetit dhe as presidenti, i cili ka shumë gjëra në duar, nuk i ka të gjitha mundësitë për të bërë çfarë të dojë.

Presidenti Trump ka ardhur në politikë nga “reality show” dhe sjellja e tij ishte gjithmonë një fushatë mediale. E vërteta këtu nuk ishte e rëndësishme. Pak kishte rëndësi se sa vjet kanë luftuar mes vete serbët dhe shqiptarët. Pak kishte rëndësi se NATO-ja nën udhëheqjen amerikane i kishte dhënë fund konfliktit në Kosovë në vitin 1999 e jo Trumpi me takimin “Hoti-Vuçiq”. Pak kishte rëndësi edhe thënia e tij se “malazeztë krenarë, por agresivë, mund ta nisin luftën e tretë botërore” dhe qortimet për liderët e vendeve baltike, që i ngatërroi me vendet ballkanike, pse “nisën luftërat”. Me rëndësi është se Trumpi u thotë mbështetësve të tij se ka bërë mrekulli jo vetëm në Amerikë, por edhe nëpër botë.

Bota para Trumpit ishte mësuar me një Amerikë e cila ishte shembull i respektimit të të drejtave të njeriut, lirive të shprehjes, i promovonte dhe mbronte këto të drejta në tërë botën. Trumpi ishte një president i cili i sulmon mediat sa herë që ato publikojnë diçka që atij nuk i pëlqen. I quante “lajme të rreme” të gjitha raportimet që nuk i shkojnë për shtat. I fyente dhe përqeshte gazetarët, shpesh edhe ata që kishin probleme shëndetësore. Një pas një i largonte bashkëpunëtorët më të ngushtë nëse ata në një moment vënin në dyshim veprimet e tij. Kur i emëronte thoshte për ta se janë “më të mirët në botë”, ndërsa kur i largonte i fyente duke thënë se ishin të pandershëm dhe të paaftë.

Në kohën e Trumpit diplomacia amerikane nuk ishte shumë e zëshme kur shkeleshin të drejtat e njeriut nëpër botë. Mjaftohej me përpilimin e raporteve të Departamentit të Shtetit. Por vetë presidenti impresionohet me diktatorë, i quan ata miq, ndërkohë që prish urat me aleatët kryesorë me të cilët Amerika gjithmonë i ka ndarë edhe vlerat e lirisë dhe demokracisë.

Tërë mandatin e tij e ka kaluar duke u grindur me BE-në, duke vënë në dyshim NATO-n dhe kontributin amerikan në këtë Aleancë. Para Trumpit, Amerika do të ishte në krye të atyre që do të kritikonin veprimet e Rusisë, ndërsa Trumpi në fund të mandatit të tij tentonte ta kthente Rusinë në G-7, prej nga është përjashtuar për shkak të agresionit në Ukrainë.

Në këtë moment është për keqardhje se Amerika nuk është një shembull i mirë për askënd, as për Kosovën. Me shembuj jo të mirë, me porosi përçarëse, manipulime, të pavërteta prinin personalisht presidenti Trump dhe një prej zëdhënësve të tij më besnikë, Richard Grenell. Që do të ketë post kyç në fushatën zgjedhore të Trumpit. Dështimi i tyre do të ishte një lajm i mirë për tërë botën dhe do ta kthente Amerikën përsëri në shembull të mirë.

Janë amerikanët ata që do ta zgjedhin presidentin e tyre. Por nëse përsëri fiton Trumpi, atëherë pasojat do të jenë për tërë botën. Prandaj edhe ne të cilët nuk mund të votojmë në zgjedhjet në Amerikë kemi të drejtë të shpresojmë.

Të martën, më 3 nëntor, bota do t’i ketë sytë nga Amerika në pritje të rezultatit të zgjedhjeve. Vërtet se u takon qytetarëve të Amerikës ta zgjedhin presidentin e tyre. Po edhe vetes, edhe botës e edhe Kosovës, do t’i bënin një shërbim të madh sikur ta largonin Donald Trumpin nga Shtëpia e Bardhë - vetëm në atë mënyrë Amerika do të jetë prapë e madhe, shembull dhe lider i botës demokratike. Këto zgjedhje nuk janë demokratët kundër republikanëve. Këta të fundit një ditë do të turpërohen pse janë identifikuar me një person si Donald Trumpi. Nga largimi i Trumpit do të marrin frymë më lehtë edhe BE-ja dhe NATO-ja. Por largimi i tij do të jetë sfidë edhe për disa qarqe antiamerikane në Evropë, të cilat e kanë përdorur Trumpin si justifikim.

Të mërkurën në mëngjes, kur ta dimë rezultatin, nëse do të dihet atëherë, mund të na duket se për katër vjet kemi parë një film jo të mirë, një triller politik me Trumpin në Shtëpinë e Bardhë. Dhe mund të presim që gjërat të fillojnë të ndryshojnë. Por nëse Trumpi fiton përsëri, ankthi do të vazhdojë dhe Amerika do të bëhet edhe më pak e parashikueshme në një botë më pak të sigurt se kurdoherë më parë.