OpEd

E jashtëzakonshmja së cilës kurrë nuk i ikëm

E sotmja udhëhiqet nga hajnia e jakave të bardha që flet shqip e që nga shteti e ka krijuar një imitim të strukturave mafioze. Struktura që shërbejnë për ta mbajtur Kosovën në kaos – aty ku është lehtë të realizohet trushpëlarja klanore dhe fetare. Kur kësaj ia shton edhe gjendjen emocionale që e krijon varfëria pothuajse e programuar – për rezultat ke një demokraci parlamentare në letër që me dekada i riciklon fytyrat e njëjta

E besoj se të gjithë e dëgjuam kryeministrin kësaj jave teksa premtonte rritje të pagave për shërbyesit civilë,për punëtorët e arsimit dhe për ata të shëndetësisë. Natyrisht, pak më matur seç kishte bërë paraardhësi i tij në këtë post, Mustafa i përmendi ministrin e Financave dhe FMN-në – për të parë se cilat janë mundësitë për këtë çështje.

Sidoqoftë, një premtim i këtillë është tipik i kohës së para zgjedhjeve – edhe përherë “dhezë” – sepse njerëzit gjithmonë shpresojnë se një rritje pagash do t’ua përmirësojë jetën. Edhe në kushtet kur stili i qeverisjes vazhdon të mbetet i njëjti, nëse nuk bëhet madje edhe më i keq.

Pavarësisht faktit se FMN-ja thotë se rritje mund të ketë vetëm 4,5%, edhe kjo rritje godet ekonominë e Kosovës dhe e krijon situatën e absurdit: ku sektori publik paguhet më mirë sesa ai privat dhe ku talenti që mund të zhvillojë ekonominë bllokohet në burokracinë shterpe, vetëm për shkak se s’ka ndryshe si të mbijetojë. E kjo vetëm tregon se të gjithë ata që e kanë qeverisur këtë vend që nga fundi i luftës, lidhje me ekonomi nuk kanë pasur. Gjë të cilën e kanë dëshmuar edhe me mungesën e një dokumenti bazë zgjedhor: programit qeverisës. Në vend të një vizioni zhvillimor, krejt çka kemi parë deri tash kanë qenë improvizime. Të shtrenjta dhe të kota.

Nisja drejt shthurjes

Improvizim, i shtrenjtë dhe i kotë, përfundimisht doli të na ishte koalicioni aktual qeverisës. I imponuar nga miqtë ndërkombëtarë, në emër të ruajtjes së stabilitetit politik, krejt çfarë na ka sjellë ka qenë krizë e përhershme politike. E në të, më së miri janë gjendur ata që kanë ndërtuar karrierë politike nga hija dhe në hije. Janë pozicionuar asisoj, që duke i shterur resurset publike janë munduar të krijojnë imazh të reformistëve që do t’i sjellin ndryshim këtij vendi. Duke qenë vetë shkaktarët e kaosit dhe të lëmshit në të cilin jetojmë.

Ende nuk kanë kaluar as tre vjet nga zgjedhjet e shkuara parlamentare dhe Qeveria do t’i nënshtrohet mocionit të votëbesimit. E nisur nga opozita, e përkrahur nga disa deputetë minoritarë dhe disa të PDK-së, u përpilua kërkesa me 42 nënshkrime (10 janë të deputetëve të koalicionit qeveritar). Kryesia e Kuvendit u mblodh disa orë pas deponimit të kërkesës dhe vendosi që seanca me këtë pikë të rendit të ditës të mbahet të mërkurën e ardhshme. Për t’u votuar mosbesimi nevojiten 61 vota – dhe meqë kërkesa i referohet krejt Qeverisë, nëse kjo votohet, Qeveria konsiderohet se ka rënë dhe se është në dorëheqje.

Në këto rrethana, kryetari i shtetit mund ta emërojë mandatarin e ri, porse është vështirë e besueshme se Qeveria e re do të mundë t’i mbledhë 61 vota për ta zgjedhur. PDK-ja me minoritetet nuk i bëjnë 61; opozita vet nuk i ka më shumë se 32 vota, dhe pas “tradhtisë” së herës së shkuar, vështirë se do të mundë të imagjinohej lidhja e re dashurore ndërmjet opozitës dhe LDK-së. E aq më pak me PDK-në.

Pra, kryetari mund të vlerësojë se ky koalicion më nuk ka jetë, sepse kuptim nuk pati që nga fillimi, dhe mund ta shpërbëjë Kuvendin. Për pasojë, mund t’i shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme që duhet të mbahen ndërmjet 30 dhe 45 ditëve.

Tripleta

Nëse ndodh kështu (me kusht që edhe së paku 19 deputetë të koalicionit ta votojnë mosbesimin), kjo do të jetë hera e tretë radhazi që Kosova shkon në zgjedhje të parakohshme nacionale. Të vetmet qeveri që i përfunduan mandatet në bazë të ligjit dhe, atëherë, Kornizës Kushtetuese, ishin ajo e Bajram Rexhepit (2001-2004) dhe ajo e Ramush Haradinajt, Bajram Kosumit dhe Agim Çekut bashkë (2004-2007).

Do të kujtojmë se koalicioni i parë Guns&Roses u krijua më 2007 – PDK/LDK me Thaçin kryeministër dhe Sejdiun kryetar shteti. Dhe ishte pikërisht shpallja e Sejdiut shkelës Kushtetute që e detyroi të jepte dorëheqjen – duke i ruajtur kështu të gjitha privilegjet që ia mundëson Ligji për kryetarin. Sejdiu nga inati i tërhoqi ministrat, dhe Qeveria ra, për shkak se mocionin e nisur nga AKR-ja e votuan edhe deputetët e PDK-së.

Për pasojë, u mbajtën zgjedhjet e para të jashtëzakonshme. Koalicioni i ardhshëm u lidh ndërmjet PDK-së dhe AKR-së, plus minoritetet. Matematika qe e thjeshtë: Thaçi kryeministër, Pacolli kryetar shteti. Pas një cirkusiade të paparë në të cilën u përfshi aktivisht edhe ambasadori amerikan Dell, Pacolli u zgjodh kryetar, e më pas u shpall kundërkushtetues edhe me një vendim “kreativ” të Kushtetueses. U shpall nule zgjedhja e tij, porse vendimet gjatë 35 ditëve sa ishte në post mbetën në fuqi. Shtet i jashtëzakonshëm, në gjendje të përhershme të jashtëzakonshme.

Tashmë e kemi të ditur rrëfimin për kryetaren nga zarfi dhe marrëveshjen kundërkushtetuese Thaçi-Mustafa-Pacolli, që e solli Jahjagën në post. Thaçi kishte nevojë për vota për ta mbajtur pushtetin e për të bërë çfarë t’i tekej qejfi, kurse Pacolli pas mashtrimit të përjetuar u mjaftua me një post zëvendëskryeministri (ani që i pari krahas nja katër të tjerëve) dhe kështu nja tre vjet e gjysmë.

PDK-ja e organizoi shpërndarjen e Kuvendit shtatë muaj para përfundimit të mandatit të rregullt, dhe u shpallën zgjedhjet e dyta të parakohshme. Atëbotë Kosova hyri në atë që u mendua se ishte kriza më e thellë politike. Me një sërë interpretimesh absurde nga Kushtetuesja, mandati iu dha partisë fituese dy herë dhe nyja nuk u zgjidh derisa nuk u prish VLAN-i dhe derisa nuk u lidh koalicioni paszgjdhor Guns&Roses II. Pra, koalicion i cili bëri gjashtë muaj për t’u krijuar; i cili ka një vit e gjysmë që nuk del nga kriza e demarkacionit dhe e asociacionit.

Riciklimi

Gjasat janë që nuk do të dalë nga kriza, në të cilën Kosovën e ka futur ratifikimi i një marrëveshjeje që me gjithë problemet dhe dyshimet kurrë nuk u rikthye në rishqyrtim. Dhe derisa e gjithë Kosova humbi kohë duke u marrë me njërin apo taborin tjetër që e shtynin agjendën e tyre politike përpara, ata që e zien krejt këtë lëmsh e rehatuan veten nëpër poste e pozita vendimmarrëse. Pos që e shpartalluan shëndetësinë, arsimin e kulturën, e sakatuan ekonominë duke humbur njëra pas tjetrës lëndët gjyqësore që do t’i kushtojnë shtetit me miliona euro, përderisa do t’i pasurojnë ata që janë gjetur në vendin e duhur në kohën e duhur. Apo që janë vendosur aty nga ata që e kanë sajuar krejt skemën, për të dalë fitues milionerë në fund.

Qeveria, e cila me gjasë po i numëron ditët e fundit të ekzistencës në këtë formacion, do të mbahet më së shumti në mend për liberalizimin e vizave, të cilin e shndërroi në program qeveritar, pa e pasur as intencën më të vogël për t’u marrë me problemin më të madh që nuk e lejon liberalizimin e vizave për kosovarët: krimin dhe korrupsionin.

Në kohën e kësaj qeverie ishim dëshmitarë të shëtitjeve të pafund të zyrtarëve kosovarë për në Bruksel, që herë shkonin atje për t’ua ngrehur veshët, e herë sa për ta dhënë një deklaratë, apo për të ikur prej Kosovës në kërkim të një tajm-auti, sa për t’ia zgjatur jetën edhe ndonjë ditë kësaj qeverie.

Në kohën e kësaj qeverie gjithashtu qemë dëshmitarë edhe të dy vdekjeve në burg: të një aktivisti politik dhe të “cimerit” të tij. Te rasti i këtij të dytit, sipas ekspertëve patologë, shkaku i vdekjes paska qenë sulmi në zemër. Meqë ky i burgosur nuk kishte qenë aktivist politik, por njeri i akuzuar për vrasje, nuk pati kush të ankohej për rezultatin e autopsisë. Vdekja e tij u hesht, kurse procedura ndaj tij çuditërisht pushoi. Them çuditërisht, ngase fare nuk kishte qenë befasi po qe se do të dënohej post mortem me shumë vjet burgim – sepse duke qenë të këtillë çfarë jemi dhe me kësi sistemi gjyqësor, te ne edhe të vdekurit do të mundë të dënoheshin.

Në rastin e Astrit Deharit, të cilit dje iu bënë gjashtë muaj nga vdekja, reagimi qe i madh. Dhe jo vetëm për shkak se qe aktivist politik. Por për shkak se rasti i tij u udhëhoq me aq shumë ngathtësi, me aq shumë paqartësi e me aq shumë alogjizma, saqë përfundimi i prokurorit se ky kishte bërë vetëvrasje nuk ishte fare bindës. Kuvendi e miratoi rezolutën me të cilën Qeveria do të duhej t’i paguante shpenzimet për ekspertët mjekoligjorë nga Zvicra edhe për një ekspertizë. Porse Qeveria ende nuk ka vendosur – duke i hedhur edhe më shumë dyshime gjithë rastit: sepse sa më shumë që të kalojë koha, aq më të zbehta do të jenë provat. Mbase edhe do të zhduken, njësoj si dëshmitarët.

* * *

Ata të cilët e kanë përjetuar ndjenjën e të jetuarit në gjendje të jashtëzakonshme që nga 1981-a, me gjasë sot do të ndihen njësoj: thuajse kurrë nuk kanë dalë nga kjo gjendje. Dallimi natyrisht, dhe i madh, është se dhuna fizike e psikike që kishte sjellë gjendjen e jashtëzakonshme prej atëherë e deri në përfundimin e luftës më 1999, kishte pasur formën e uniformave blu dhe ngjyrë ulliri. Kishte pasur një ideologji fashiste prapa dhe kishte pasur një gjuhë komanduese të huaj për shqiptarët.

Gjendja e së jashtëzakonshmes të cilën e jetojmë sot udhëhiqet nga hajnia e jakave të bardha që flet shqip e që nga shteti e ka krijuar një imitim të strukturave mafioze. Struktura që shërbejnë për ta mbajtur Kosovën në kaos – aty ku është lehtë të realizohet trushpëlarja klanore dhe fetare. Kur kësaj ia shton edhe gjendjen emocionale që e krijon varfëria pothuajse e programuar – për rezultat ke një demokraci parlamentare në letër që me dekada i riciklon fytyrat e njëjta.

Zgjedhje do të ketë, sepse krejt po i duan ato. Sepse të ricikluarit besojnë se duhet të mbesin faktorë politikë, pavarësisht faktit se as pas dy dekadash nuk kanë arritur të ndryshojnë për të mirë. Sepse nuk e kanë parë të arsyeshme e as të nevojshme. Sepse e kanë zbuluar se në këtë të jashtëzakonshme, për të fituar mjafton ta ndërrosh sloganin e fushatës, por t’i mbash të njëjtat premtime. Të njëjtat rrena.

[email protected]