Zejnepja është viktimë e burrave të kësaj Kosove. Një burrë e vrau, shumë burra nuk e mbrojtën dhe disa burra u mjaftuan me dënim qesharak për ta qetësuar ndërgjegjen. Po burrni e vërtetë është t’ia lëshosh rrugën më të dijshmit. Edhe nëse ajo është grua
Dhe na erdhën dy zyrtarë të lartë për t’na i ngrehur veshët – “kalojeni demarkacionin, se ne jemi miqtë e juaj, e dimë çfarë po flasim”. Ministri i Jashtëm gjerman u bëri apel deputetëve që ta votonin një marrëveshje që, sipas asaj që u tha të ketë thënë, është se “nuk është problematike”. Nga ana tjetër, senatori amerikan McCain së pari e vulosi çështjen e ushtrisë, duke thënë se ajo është e mundshme vetëm nëse ndryshohet Kushtetuta. E më pas, e tha se miratimi i Marrëveshjes së Demarkacionit do të ishte hap para i Kosovës drejt integrimeve evropiane. Me fjalë të tjera, kopili u mbetet në duar deputetëve, pavarësisht sa shumë argumente mund të prodhojnë për ta kundërshtuar atë.
Udhë pa dalje
Çështja e demarkacionit, pra tema më e mërzitshme që na i ka hëngër gati dy vjet jetë, me gjasë nuk do të gjejë zgjidhje në këtë legjislaturë. Për herë të parë javën e shkuar dëgjuam që Mustafa hiqte dorë nga përgjegjësia për këtë Marrëveshje, duke thënë se atë e gjeti të përfunduar kur erdhi në pushtet. Pjesërisht ka të drejtë, porse fakti qëndron se kjo marrëveshje u nënshkrua nga Thaçi, zëvendësi i tij, dhe Hyseni, ministri i tij i Brendshëm, në gusht të 2015-s. Pra, nëse qysh atëherë është folur për problemet që i ngërthen kjo marrëveshje, si shef Qeverie e ka pasur fuqinë ta ndalte procesin. E nuk e ka bërë.
Lëre që nuk e ka bërë, por me kokëfortësi është përpjekur ta shtynte para në Kuvend, pa ua vënë veshin ankesave dhe mospajtimeve. Nuk ia doli t’i bindë as deputetët e vet, të cilët tash përpiqet t’i detyrojë ta votojnë atë, sipas disiplinës partiake, duke u mbështetur në një vendim të Këshillit të Përgjithshëm. Porse e harron një detaj të vogël: vota e deputetit është e deputetit e jo e partisë, sepse mandati është i personalizuar. Dënimin e vetëm që mund t’ua shqiptojë këtyre është që mos t’i fusë në listat e ardhshme zgjedhore. Kjo, nëse mbetet ende shef partie.
Se a do të dalë në rend dite në Kuvend kjo temë ose jo, varet nga dëshira e atyre që duan ta rrëzojnë këtë Qeveri. Madje është indikative deklarata e Veselit që thotë se Qeveria dhe Kuvendi pa vendimmarrje e bëjnë koalicionin e pakuptimtë, përderisa njëkohësisht thotë se opozita nuk e ka krijuar këtë koalicion, për pasojë nuk mund ta prishë. Me fjalë të tjera, ata që mund ta prishin janë vetë deputetët e LDK-së dhe PDK-së: dikush për mospajtim, dikush për hir të interesave partiake. Nëse do të mblidhen 40 nënshkrimet për mocionin e votëbesimit, mbetet të shihet a do të mblidhen 60 vota për ta rrëzuar këtë Qeveri – ashtu që e gjithë historitë e demarkacionit dhe asociacionit të presin “kohë më të mira”.
Ndërkohë që mjerimi në Kosovë do të vazhdojë të thellohet.
Kohë të zymta
Kosova ka shumëçka të mjerë që ka grumbulluar këto gati dy dekada lirie. Njëra nga këto situata mjerimi, që shkon duke u përkeqësuar për shkak të situatës së përgjithshme të varfërisë, patriarkalizmit, mungesës së sundimit të ligjit, mungesës së përkujdesjes sociale, mungesës së punësimit dhe të diskriminimit, të cilit i nënshtrohen në të gjitha sferat, është pikërisht statusi dhe jeta e grave në Kosovë.
Kohë më të mira nuk do t’i jetojë kurrë më Zejnepe Bytyçi-Berisha. Para dy vjetësh u ther 20 herë për vdekje nga bashkëshorti i saj, duke lënë pas vetes katër fëmijë të mitur. Dhe një dhembje të patejkalueshme për nënën 82-vjeçare dhe motrat.
E martuar për 16 vjet me atë që do t’ia merrte jetën, Zejnepja “nuk i kishte jetuar as 16 ditë të mira në atë martesë”, siç do të deklaronte njëra motër e saj. Sipas rrëfimit të nënës dhe të motrave, Zejnepja kishte pasur jetë të rëndë me një njeri për të cilin thuhej se kishte abuzuar alkoolin dhe i cili karshi saj ishte sjellë me dhunë të pakontrolluar.
Në vitin 2002, ajo kishte raportuar një rast të dhunës në familje. Pra, pa i bërë tri vjet martesë, tashmë i kishte ardhur deri në maje të hundës trajtimi që ia bënte burri i saj dhe e kishte paraqitur në polici. E kishin mbajtur dy javë në paraburgim. Madje ia kishin mbajtur edhe gjyqin – dhe Gjykata në Suharekë e kishte dënuar më 6 muaj burgim me kusht, nëse në dy vjetët e ardhshëm nuk do të kryente ndonjë vepër të re penale. Për fat të keq, Zejnepja nuk i ishte bashkuar ndjekjes penale e as nuk kishte parashtruar kërkesë pasurore-juridike. Mbase nuk ka guxuar. Mbase ka qenë e kërcënuar. Mbase ka besuar se burri do t’i vinte në vete.
Deri në vitin 2012, thuhet se as policia e as prokuroria nuk kishin marrë ndonjë haber nga Zejnepja. Sipas nënës së saj, jo rrallë mund t’i shiheshin gjurmët e dhunës së ushtruar ndaj saj. Aq sa, njëherë madje, e ka pasur fytyrën aq të deformuar nga hematomat dhe ënjtjet, saqë as i vëllai i burrit nuk e kishte njohur. Se pse familja nuk kishte reaguar, ta merrte prapa Zejnepen, nëse e dinin se po keqtrajtohej në formë kaq brutale nga bashkëshorti – është vështirë të dihet. Porse indikative është deklarata e njërës motër: “Gjithnjë ka qenë e shtypur, gjithnjë me lot, e gazepit. Në shtëpi të vet nuk ka qenë e lirë me ndejtë. Por e ka duruar shkaku i fëmijëve, po edhe se jemi pa vllazni”. Mbase për ta kompletuar tablonë, duhet treguar se motrat prej kohësh nuk e kanë as babanë.
Më 2012, prokuroria kishte marrë një raport të veçantë nga policia – një dokument sa për ta informuar se Zejnepja kishte tentuar të bënte vetëvrasje. Atëherë Policia dhe prokurori nuk kishin gjetur se rasti kishte ndonjë të dyshuar qoftë për shtytje në vetëvrasje, qoftë për ndonjë vepër penale. Për pasojë, rasti nuk ishte hetuar fare, sepse ishte vendosur se nuk kishte pasur dyshime të bazuara. Është konsideruar se dënimi me kusht që i ishte shqiptuar bashkëshortit dhjetë vjet më herët e kishte liruar atë nga çfarëdo dyshimi.
Por pyetja e logjikshme që do të duhej të ishte shtruar atëherë është se çka e shtyn një nënë të katër fëmijëve të kërkojë shpëtimin te vdekja, nëse jo ndonjë hall i madh. Sipas rrëfimeve të familjarëve, Zejnepja kishte bërë madje 16 paraqitje në polici për dhunën e ushtruar nga bashkëshorti i saj, porse policia nuk e ka mbajtur në burg, meqë ky kishte premtuar se do të përmirësohej. Madje njëra motër do të deklaronte se edhe kur Zejnepja do të kërkonte strehë te të vetët, bashkëshorti do të vinte i gjithë mllef për ta marrë. Gjithnjë sipas motrës, Nebihu madje i thyente dyert e dhomave dhe e merrte atë dhe fëmijët me dhunë në shtëpi.
Shkasi për masakrimin e Zejnepes, sipas njërës motër, paska qenë një thirrje telefonike në celularin e Zejnepës nga një numër i panjohur. Nebihu as që kishte dashur të dëgjonte për verifikim numrash. Kishte verifikuar se në shtëpi kishte një thikë mjaft të mprehtë sa për ta vrarë gruan me madje 20 therje, prej të cilave madje 10 kanë mundur t’ia shkaktonin vdekjen. Dhe as kjo nuk i kishte dalë boll – e kishte plagosur edhe të bijën që ishte përpjekur ta shpëtonte të ëmën tashmë në agoni.
Drejtësia që s’është
Zejnepja nuk është më. Fëmijët kanë mbetur pa përkujdesje prindërore, meqë babai i tyre u gjet prapa grilave – sepse u vetëdorëzua. Gjykimi u mbajt, dhe dy vjet pas krimit u dënua me 12 vjet heqje lirie, për shkak se u vlerësua se “nuk kishte qenë në gjendje të mirë emocionale” kur e kishte vrarë nënën e fëmijëve të tij. Në prezencën e njërit fëmijë, përderisa tre të tjerë kishin ikur për t’u fshehur kur i kishin dëgjuar piskamat e nënës.
Ka mundur të dënohej me burgim të përjetshëm – dënimi maksimal që e parasheh Kodi Penal i Kosovës për rastin e vrasjes së familjarit. Por jo, u dënua me 12 vjet, që, po qe se vërtetohet edhe në shkallën e dytë, ia bën të mundur të dalë nga burgu pas 6 vjetësh, meqë dy tashmë i ka mbajtur. Ai do të jetë i lirë madje edhe për t’ia vizituar varrin Zejnepës, sepse obligimin sipas ligjit do ta ketë kryer.
Zejnepja nuk është, për fat të keq, rasti i vetëm i vdekjes për shkak të dhunës maçiste ndër kosovarë. Të rënda janë rastet e grave të tjera që janë vrarë nga burrat e tyre, e që nuk e kanë marrë madje as këtë dënim simbolik, për shkak se u kanë ikur drejtësisë. Qoftë fizikisht pse kanë ikur jashtë shtetit, qoftë me letra, sepse prokuroria nuk e ka vazhduar procedurën për shkak të ekspertizave të dyshimta.
Porse Zejnepja do të duhej të shërbente si katalizator i një lëvizjeje masive ndër qytetarë, protesta e të cilëve do të duhej sjellë, nëse asgjë tjetër, atëherë garanci më të forta ligjore. Dhuna në familje, si e tillë, nuk është e definuar si vepër penale në vete. Nuk ekziston një përkufizim i masave që duhet ndërmarrë për mbrojtjen e viktimave, siç janë kufizimi i mbikëqyrur i qasjes së sulmuesit ndaj viktimës; bartjen e një çipi elektronik që do të duhej treguar lokacionin e dhunuesit në çdo çast; vendosjen e viktimës në strehimore të sigurt të menaxhuar nga shteti e jo OJQ-të; rivendosjen e viktimës në ndonjë vendbanim tjetër, madje edhe me ndërrim identiteti; punësimin e viktimës, e shumë të tjera që tashmë janë zbuluar dhe funksionojnë në vende të tjera.
Është çasti i fundit që të bëhet fushatë për fuqizimin e femrave – por jo nëpër mediume aq sa nëpër shkolla e institucione shtetërore, ku fëmijët dhe të rriturit duhet edukuar se vajzat e gratë nuk janë “gjinia e dobët”; ku të gjithë e kuptojnë se vajzat nuk duhen të jenë peng i traditave; ku krejt mësojnë se mendimi i vajzave/grave ka vlerë dhe të krijohen kushtet që edhe gratë të jenë të pavarura financiarisht. Është çasti i fundit që shteti të ndërmarrë masa ndaj ndërmarrjeve që i qesin gratë prej punës vetëm pse janë shtatzëna dhe ndaj atyre që i diskriminojnë gratë edhe në aspektin e pagave. Është koha e fundit që burrat të emancipohen e të kuptojnë se koha e Kanunit ka vdekur moti dhe se tash jetojmë në shekullin XXI. E këtë fuqizim nuk mund ta bëjnë gratë vetëm. Pa përfshirjen e burrave, dhe jo vetëm për formë, asnjë ndryshim në këtë shoqëri nuk është i mundur.
E për gjininë mashkullore po bie zilja e alarmit: mbase është koha e fundit të kuptojnë se të gjitha të këqijat që i kanë ndodhur Kosovës në 18 vjetët e fundit janë rezultat i “punës” së tyre. Sepse burrat janë duke e udhëhequr këtë vend prej mbarimit të luftës – dhe e kanë kënaqë. E nëse ende besojnë se kanë punuar mirë, vetëm le t’iu kujtohen sistemi arsimor, shëndetësor, gjyqësor, a ekonomia, a Zajednica e demarkacioni – dhe të gjitha do të jenë të qarta.
Zejnepja është viktimë e burrave të kësaj Kosove. Një burrë e vrau, shumë burra nuk e mbrojtën dhe disa burra u mjaftuan me dënim qesharak për ta qetësuar ndërgjegjen. Po burrni e vërtetë është t’ia lëshosh rrugën më të dijshmit. Edhe nëse ajo është grua.