Se do të ketë rritje të numrit të të infektuarve ka qenë shumë lehtë e parashikueshme. Dhe e kanë parashikuar të gjithë ekspertët, ndonëse nuk janë kuptuar me seriozitetin e duhur. Duket se gjithçka ishte një risk i kalkuluar. Por tash do të nisin edhe tubimet parazgjedhore, do të nisë edhe mësimi në shkolla. Do të jetë moti më i ftohtë dhe njerëzit do të rrinë më shumë në hapësira të mbyllura ku virusi përhapet shumëfish më shumë sesa në ato të hapura. Kjo do të jetë sfidë më e madhe për Kosovën sesa për vendet e tjera. Sepse, për kokë banori, Kosova tashmë është lart në listë në Evropë për nga numri i të infektuarve dhe ka nivelin më të ulët të vaksinimit
Rrugët e Kosovës, sheshet e qyteteve dhe objektet e gastronomisë, kanë filluar të jenë më të zbrazëta. Jo ende të zbrazëta sikur “jashtë sezonit”, por prej 15 gushtit shumë më lehtë arrin prej një vendi në tjetrin, gjen taksi, vend në restorant apo parking para tij. Por, deri në këtë ditë ishin disa javë shumë të ngarkuara për të gjithë. Kolona me krushqi nëpër të gjitha rrugët, dasma nëpër “salla dasmash” në disa ndërrime, vështirë të gjendej parking para ndonjë restoranti, taksi në Prishtinë pritej më shumë se gjysmë ore, nganjëherë më shumë sesa autobusi. Shumë punëtorë në këto industri thonë se nuk mbajnë mend të kenë pasur aq shumë punë. Madje thonë se kanë pasur më shumë punë sesa në vitin 2019. Padyshim se ardhja në këtë numër e kosovarëve nga diaspora ishte një injeksion i madh për ekonominë e Kosovës. Kësaj radhe nuk u dëgjuan aq shumë vërejtje për “shacat”. Mbase e kanë kuptuar ata të cilëve diaspora po ua prishka rehatinë se turistët japonezë ende nuk kanë nisur të vijnë në numër të madh në Kosovë për të jetuar nga ata. Ardhja në Kosovë ishte edhe një injeksion edhe për diasporën. Pas izolimit që zgjati mbi një vit, pas traumave nga pandemia, e cila goditi të gjithë, edhe ata e shuan pak mallin. Disa u martuan, të tjerët u fejuan. Morën edhe dozën e këngëve, valleve e ushqimeve tradicionale dhe panë edhe disa nga bukuritë natyrore të Kosovës. Disa zbuluan Burimin e Drinit të Bardhë, disa Grykën e Rugovës, disa Bjeshkët e Istogut, disa ujëvarat e Mirushës, e disa Bjeshkët e Sharrit, edhe pse jetojnë diku gjysmë ore nga disa prej tyre. Të gjithë do ta kenë më lehtë ta presin verën e ardhshme. Por, për të pasur një verë edhe më të mirë sesa ajo e këtij viti, duhet shpresuar që të mposhtet përfundimisht koronavirusi. Këtu tash lind një problem serioz për Kosovën.
Kosova ka nivelin më të ulët të vaksinimit në Evropë, për shkak se shumë vonë nisi vaksinimi. E që është edhe më keq, tash shihet një hezitim për t’u vaksinuar. Se do të ketë rritje të numrit të të infektuarve ka qenë shumë lehtë e parashikueshme. Dhe e kanë parashikuar të gjithë ekspertët, ndonëse nuk janë kuptuar me seriozitetin e duhur. Dihej se do të dominonte varianti i cili do të shpërndahej më shpejt. Dihej se tubimet me qindra njerëz në ambiente të mbyllura, që përqafohen, vallëzojnë dorë për dore, hanë në të njëjtën tryezë, do të nxisnin rritjen e numrit të të infektuarve. Dihej se moszbatimi i pothuajse asnjë mase në Kosovë do të sillte pasoja. Masat nuk janë respektuar askund dhe pakkush e dinte se ato fare ekzistonin.
Duket se gjithçka ishte një risk i kalkuluar. Por tash do të nisin edhe tubimet parazgjedhore, do të nisë edhe mësimi në shkolla. Do të jetë moti më i ftohtë dhe njerëzit do të rrinë më shumë në hapësira të mbyllura, ku virusi përhapet shumëfish më shumë sesa në ato të hapura. Kjo do të jetë sfidë më e madhe për Kosovën sesa për vendet tjera. Sepse, për kokë banori, Kosova tashmë është lart në listë në Evropë për nga numri i të infektuarve dhe ka nivelin më të ulët të vaksinimit. Nëse numri i të infektuarve në Belgjikë – ku me dy doza janë vaksinuar mbi 80 % e qytetarëve të moshës madhore, e tash masivisht po vaksinohen fëmijët mbi 12 vjeç – ka rritje, atëherë për Kosovën me pak më shumë se 10 për qind të personave të vaksinuar me dy doza, do të jetë edhe më e vështirë.
Në Kosovë, hezitimi për vaksinim në një masë i ngjan edhe fenomenit të njëjtë në pjesë të tjera të Evropës. Kombinim i frikës, mosbesimit, pasigurisë dhe besimit te teoritë e konspiracionit. Më të drejtë disa njerëz kanë frikë. Sepse askush nuk mund të garantojë se marrja e vaksinës do të ketë disa pasoja anësore, sado të vogla dhe të rralla qofshin ato. Po ashtu, është e vërtetë se vaksina nuk është 100 për qind efikase. Të tilla nuk kanë ekzistuar asnjëherë në histori. Ata që nuk janë të sigurt, mund edhe të kuptohen. Besimi i tyre mund të rritet përmes mjekëve familjarë, të cilët e dinë më mirë gjendjen e pacientëve të tyre.
Por grupi më problematik është ai i teorive të konspiracionit. Përshtypja është se kundër vaksinimit janë kryesisht ata që thoshin se nuk ka virus fare. Pastaj thoshin se vaksinat nuk janë efikase kundër virusit (kundër atij që nuk ekziston). Kësaj i shtohen teoritë për kontrollin mbi njerëzimin, magnetizimin e trupit, vendosjen e çipave, programimin e terminit të vdekjes, e çka jo tjetër. Këto teori do të ishin shumë zbavitëse po të mos ishte situata kaq serioze. Në disa shtete të zhvilluara, si Franca, edhe të varfra si Kosova, zgjidhja e vetme duket vendosja e kufizimeve për ata që nuk vaksinohen, për ta rritur kështu numrin e të vaksinuarve dhe për të dhënë kontribut që pandemia të marrë fund. Padyshim se asnjë pushtet demokratik nuk ka dëshirë të imponojë masa të tilla. Por, ato janë të arsyeshme kur nuk ka zgjidhje tjetër.
Është e pabesueshme sa ka sukses fushata kundër vaksinimit në rrethanat kur të gjitha shtetet janë në favor, edhe Vatikani, edhe Irani, edhe Arabia Saudite, edhe Pakistani, edhe Gjermania, Franca e Italia, edhe Amerika e Britania, si dhe Kina e Rusia, Izraeli e Japonia.
COVID-19 është një virus relativisht i ri, ndonëse për të tash dimë më shumë. Prandaj edhe ka dilema nëse duhet bërë vaksinimin ligjërisht obligues apo jo. Ka disa vaksina që në shumë vende të botës janë obliguese. Dhe një ditë, ndoshta, nëse do të jetë nevoja, mund të bëhet edhe kjo. Por procedurat janë aq të komplikuara për ta bërë këtë vaksinim obligativ sa do të duhej të kalonin vite të tëra. Prandaj kufizimet për ata që refuzojnë të vaksinohen janë masat më racionale në këtë situatë momentale. Kjo vlen edhe për Kosovën – sidomos për Kosovën.
Civilizimi është zhvilluar duke vendosur kufizime dhe jeta është përplot kufizime dhe pa liri absolute. Përmes ligjeve është rregulluar jeta e njerëzve, për të mos e lënë njerëzimin me ligjet e xhunglës, ku mbijeton vetëm më i forti. Kundërshtarët e vaksinimit kundër COVID-19 gabojnë kur thirren në parimet e lirisë për ta refuzuar vaksinimin. Për një vit e gjysmë sa është përballur bota me pandeminë është dëshmuar se vaksina bën punë, se Kosova ka tash rritjen më të madhe të infektimeve në Evropë për shkak se ka nivelin më të ulët të vaksinimit, se shumica e madhe e atyre që pësojnë nga virusi janë të pavaksinuar. Në vendet ku shteti ka siguruar vaksina për të gjithë, është e drejtë të vendosen kufizimet për të pavaksinuarit. Njerëzit kanë të drejtë në vendimet e tyre, por edhe duhet të përballen me pasojat e vendimeve të tyre.
Në Kosovë nga shumë të rinj dëgjohen argumente: “Trupi im, shëndeti im, liria ime” dhe se askush në emër të “shëndetit publik” nuk ka të drejtë t’i kufizojë këto liri.
Me “teorinë e lirisë” janë marrë shumë mendimtarë, filozofë, juristë, politikologë, sociologë e psikologë. Ka edhe shumë definicione. Përderisa Jean Jacques Rouso e fut edhe lirinë në suazat e ligjit (ligjet janë pjesë e kontratës shoqërore) John Stuart Milli, me gjasë teorecieni më i njohur i “teorisë së lirisë”, i vendos kufijtë e shfrytëzimit të lirisë aty ku duke e shfrytëzuar lirinë rrezikohet dikush tjetër. Në botën e civilizuar nuk mund të ekzistojë liria absolute. E sidomos jo në rastet e shëndetit publik. Sado e vështirë dhe kontradiktore të duket, kufizimet për ta parandaluar përhapjen e virusit, sidomos për ata që kanë zgjidhje, janë të arsyetueshme edhe nga aspekti shëndetësor, edhe nga ai moral.
© KOHA Ditore