Me apo pa përparim në dialog, as Serbia e sidomos Kosova nuk do të integrohen në BE në 10 deri 15 vjetët e ardhshëm. Kështu, faktori tërheqës i integrimit në BE si motiv për sukses në dialog është humbur. Sikur Serbia ta kishte njohur Kosovën në vitin 2008, ndoshta sot do të ishte anëtare e BE-së. Sikur Serbia tash ta njohë Kosovën, nuk do të hyjë në BE në dhjetë vjetët e ardhshëm. Raportet mes Kosovës dhe Serbisë duhet të normalizohen për interes të këtyre dy shteteve, e jo për shkak të ndonjë premtimi abstrakt për integrime në BE.
Paralajmërimi se udhëtimi i tij i parë në cilësinë e përfaqësuesit të lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri do të jetë në Kosovë, ka lënë në hije një thënie tjetër shumë problematike të Josep Borrelit në seancën dëgjimore në Komisionin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian. Ai, duke relativizuar kundërshtimin që Spanja i bën pavarësisë së Kosovës, ka thënë se “Kosova nuk mund të jetë shtet përderisa nuk njihet nga Rusia, Kina e India”. Problemet me këtë thënie janë të shumta. E para është se Borrel pothuajse e ka relativizuar rolin e tij të ardhëm në lehtësimin apo ndërmjetësimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Sepse, nëse ai vërtet mendon ashtu, pse të mundohet Kosova në një dialog të lehtësuar me BE-në nëse shefi i diplomacisë së BE-së mendon se janë të kota njohjet e shumicës së madhe të shteteve anëtare të BE-së nëse nuk të njehë Rusia, Kina dhe India. Kjo thënie shkon në kundërshtim me pohimet e tij se do të punoj për ta rritur ndikimin e BE-së në botë, sidomos për përpjekjet që BE-ja të flasë me një zë, në mënyrë që ai zë të dëgjohet më shumë.
Problemi tjetër me atë thënie është se ai tingëllon sikur ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq. Edhe ai tash e sa vjet thotë se “shumica e botës” nuk e njeh Kosovën, sepse Kina, Rusia, India, Brazili dhe shtetet e tjera që nuk e kanë njohur Kosovën paraqesin shumicën e qytetarëve të botës, e madje edhe hapësirën territoriale të rruzullit tokësor.
Nga vazhdimi i dialogut, sidomos nga mundësia e Bashkimit Evropian që t’i shtyjë palët për të arritur një zgjidhje nuk duhet krijuar pritje të mëdha. Sepse BE-ja ishte në pozitë më të mirë për të shtyrë një zgjidhje në të kaluarën sesa që është sot. Ajo kishte më shumë autoritet, më shumë interes, më shumë për të ofruar sesa që ka sot. Por qasja e saj ishte e gabuar. Në fillim të dialogut thoshin se ai dialog nuk do të jetë për statusin por, për çështjet konkrete. Por gradualisht Beogradi, me ndihmën e Brukselit dhe me naivitetin e Kosovës, arriti ta bëjë dialogun të duket sikur negociata për Kosovën, me “çështjen e Kosovës” apo për “problemin e Kosovës”, e jo për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
Duke lënë gjithmonë përshtypjen se Beogradi është konstruktiv në dialog u arrit statusi i kandidatit për Serbinë dhe nisja e negociatave të anëtarësimit, diçka që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk po e arrijnë tash e sa vjet. Por edhe Serbia tepër pak ka avancuar në procesin e integrimeve evropiane, ndonëse, në krahasim me Kosovën, që nuk është nisur fare në atë rrugë, ka shkuar shumë, shumë larg.
Dialogu Kosovës nuk i ka sjellë asgjë. Ka një Marrëveshje Stabilizim-Asociimi, dhe atë me shumë vonesa e me shumë pengesa në zbatim, dhe asgjë tjetër. Liderët shtetërorë të Kosovës dhe shefja e mëparshme e delegacionit për dialog, Edita Tahiri, në përpjekje për të arsyetuar dialogun dhe kompromiset në të flisnin për “pakon e shpërblimeve”, por asgjë nuk erdhi. As liberalizimi i vizave, i cili tash duket më larg sesa para disa vjetësh, që shihet edhe me heqjen dorë të politikanëve të Kosovë nga përmendja e liberalizimit të vizave dhe dhënia e datave.
Edhe pse krijohet përshtypja se në Bruksel sa herë që zgjohen në mëngjes gjëja e parë që u shkon në mendje është dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, ky dialog nuk zgjon më shumë interesim. Dhe është tepër joserioze për ta bërë fajtor të vetëm për dështimin e dialogut Ramush Haradinajn dhe vendosjen e taksave prej 100 për qind ndaj Serbisë, që u morën si shkas për ndërprerjen e dialogut. Dhe këtë arsye të përmendur nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, e pranon menjëherë edhe Brukseli që të vazhdojë të flasë me fjalët e Vuçiqit, e vazhdon ta bëjë këtë edhe sot, duke përsëritur kërkesën që Kosova ta heqë taksën. Taksa ekziston rreth një vit, ndërsa dialogu bëhet më shumë se tetë vjet dhe nuk ka sjellë asnjë normalizim. Raportet mes Kosovës dhe Serbisë janë më pak normale sesa që ishin para dialogut.
Kur nisi dialogu thuhej se “BE-ja është ndërmjetësi më i mirë i mundshëm”, dhe kjo arsyetohej me disa rrethana: E para ishte se edhe Kosova e edhe Serbia të përbashkët e kanë interesin për integrim në BE. E dyta ishte se BE-ja ka shumicën e shteteve që e kanë njohur Kosovën. Dhe shqiptarëve mund t’iu thuhet se “kjo është çështje e kryer”, por për shkak se ka shtete që nuk e njohin, mund t’iu thuhet serbëve se “BE-ja është neutrale ndaj statusit”. Por motivi i integrimeve evropiane është zbehur dukshëm, sepse për shkak të rrethanave të brendshme në BE, apo në disa shtete kryesore të saj, procesi i zgjerimit pothuajse është pezulluar, ndonëse jo edhe formalisht. Sa i përket qëndrimit “neutral ndaj statusit”, kjo do të fuqizohet edhe më shumë me Borrelin si përfaqësues i lartë.
këto rrethana, angazhimi i shteteve me ndikim si Franca, Gjermania, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e ndoshta edhe Rusia, Kina e India (pa mbështetjen e të cilave Kosova sipas pasardhësit të Mogherinit nuk mund të bëhet shtet!) mund të shihet si një alternativë, ndërsa BE-ja të bëhet shikuese dhe në fund edhe të paguajë zbatimin e ndonjë marrëveshjeje. Sepse aty ku BE-ja është e pazëvendësueshme është kontributi financiar dhe ndihma teknike. BE-ja nuk bën problem kur duhet paguar diçka, por problem është kur nga BE-ja kërkohet të ketë qëndrim. E në rastin e Kosovës BE-ja nuk ka qëndrim të qartë e as që do ta ketë së shpejti, e as që kërkon dikush nga ajo të ketë qëndrim.
Me apo pa përparim në dialog, as Serbia e sidomos Kosova nuk do të integrohen në BE në 10 deri 15 vjetët e ardhshëm. Kështu, faktori tërheqës i integrimit në BE si motiv për sukses në dialog është humbur. Sikur Serbia ta kishte njohur Kosovën në vitin 2008, ndoshta sot do të ishte anëtare e BE-së. Sikur Serbia tash ta njehë Kosovën, nuk do të hyjë në BE në dhjetë vjetët a ardhshëm. Raportet mes Kosovës dhe Serbisë duhet të normalizohen për interes të këtyre dy shteteve, e jo për shkak të ndonjë premtimi abstrakt për integrime në BE.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e di se Serbia nuk mund të anëtarësohet në BE në një kohë afatmesme. Ai madje tha se ia paska dërguar një mesazh kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, për t’i treguar se “paska pasur të drejtë”. E Vuçiq ndihet shumë krenar kur del se ai paska pasur të drejtë. E kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka mjaft diplomatë (nëse ia thonë të vërtetën) se ka mundur ta dijë edhe vetë, pa ia thënë Vuçiqi, se BE-ja nuk do të marrë vendimin për nisjen e negociatave me Shqipërinë. Në BE “ndoshta” është gjithmonë jo.
Por Vuçiqi e di se largimi i Serbisë nga dialogu me perceptimin e fajit të saj do ta bënte Serbinë të duket partnere jo e besueshme. Kjo do të mund të dëmtonte imazhin e Serbisë si “faktor stabilitetit” dhe si vend që shkon drejt integrimeve në BE, pa marrë parasysh kohëzgjatjen. Dhe kjo do të mund të ndikonte edhe në sigurinë e investitorëve të huaj që nuk e ndiejnë veten njësoj kur insistojnë dhe duan që investimi i tyre të jetë në një vend me një perspektivë sadopak të qartë. Prandaj Vuçiqi as nuk ka interes të ketë tensione në raportet me fqinjët. Këtu duhet përjashtuar aktet e tij teatrale dhe retorikën për “rrezikimin e serbëve” dhe “gatishmërinë e Beogradit për t’i mbrojtur”.
Mungesën e perspektivës së qartë të integrimit në BE nuk duhet parë si një tragjedi. Sepse nuk është e duhur sjellja e vendeve të rajonit, e cila duket sikur “kërcënimi me vetëvrasje” në stilin: Ju nuk na doni, na thoni a na doni apo jo, dhe ne do të shkojmë drejt konflikteve dhe shkatërrimit sherrin do t’na e shihni edhe ju. Kjo së pari nuk do t’u lërë përshtypje atyre që nuk duan zgjerim të BE-së, dhe nuk u sjell asgjë të mirë as vendeve të rajonit, as Kosovës e as Serbisë. Dialogu duhet të jetë për Kosovën dhe Serbinë, për qytetarët e të dyja shteteve, me apo pa premtimet për integrime evropiane.