OpEd

Dialogu ia ktheu Serbisë të drejtën e vetos për fatin e Kosovës

Me udhëzimet e Grupit të Kontaktit, në vitin 2006, Serbisë iu mor e drejta e vetos për fatin e Kosovës. Kjo, për të parandaluar që Serbia të bllokojë zgjidhjen e statusit nëse nuk pajtohet me rezultatin e procesit të negociatave. Por përmes dialogut të Brukselit, Serbisë iu kthye e drejta e vetos. Nuk mund të shihet ndryshe deklarata e të dërguarit të posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak, se “për 5 shtetet e BE-së do të jetë e pranueshme gjithçka që pranon Serbia”. Lajçak edhe me këtë deklaratë e ka thënë një të vërtetë për qëllimin e dialogut, të cilën për vite liderët politikë të Kosovës nuk e kanë kuptuar. Nëse kësaj ia shtojmë se, mes të tjerash, BE-ja pohon se zgjidhja “duhet të jetë e pranueshme për të gjitha vendet e BE-së”, atëherë forcohet edhe më shumë fuqia e vetos e Serbisë. Ajo ka pasur edhe deri tash mundësi të vetos në KS të OKB-së përmes Rusisë, e tash e ka edhe në BE

Përmes dialogut në Bruksel, Kosova ka rënë në një kurth nga i cili më nuk mund të dalë. Në një proces dhjetëvjeçar Serbia gradualisht ka ndërtuar një situatë në të cilën i tërë procesi është udhëhequr drejt kërkimit të një oferte që do të ishte e pranueshme për të. Sepse Kosova deri atëherë kishte pranuar gjithçka. Kishte pranuar Marrëveshjen e Rambouilletit, pastaj negociatat në bazë të Udhëzimeve të Grupit të Kontaktit, Propozimin Gjithëpërfshirës të Marti Ahtisaarit, pastaj edhe konkludimin e “Trojkës” BE-SHBA-Rusi. Më vonë edhe aranzhimet e BE-së për praninë e saj në Kosovë. Dhe mbi këto pranime Kosova edhe e shpalli pavarësinë e saj. Edhe e hartoi Kushtetutën, ani pse të komplikuar në atë masë, saqë e bën Kosovën shtet që vështirë mund të funksionojë. Dhe e gjithë kjo, kur u kundërshtua nga Serbia para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, u konfirmua si një zgjidhje, e cila, pos që ishte e drejtë, e vetme, nuk ishte as në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

Pikërisht kur pritej trysni ndaj Serbisë, sikur edhe ndaj shteteve të tjera që nuk e njihnin pavarësinë e Kosovës, duke pretenduar se me këtë “është shkelur e drejta ndërkombëtare”, ndodhi e kundërta. U bë presion ndaj Kosovës për të hyrë në dialog me Serbinë. Në fillim gjithçka nisi me kinse “biseda teknike” përmes të cilave do të “zgjidhen disa çështja praktike të cilat do të lehtësojnë jetën e qytetarëve”. Por tash, ata që në fillim thoshin se “me Serbinë nuk ka bisedime politike, sepse statusi është punë e kryer”- tash thonë se “dialogu është vetëm politik e jo teknik”.

Pra, në BE ata që morën përsipër të koordinojnë dialogun pranuan qasjen e Serbisë se ajo “është humbëse” dhe tash duhet gjetur diçka për të dëshmuar se as ajo nuk është humbëse, apo se “të dyja palët fitojnë dhe humbin nga diçka”. U harrua se statusi i Kosovës nuk ishte gjithçka që kërkonte Kosova. Por ishte një propozim ndërkombëtar. Edhe vetë Kushtetutën e Kosovës e kanë shkruar të huajt, dhe në masë të konsiderueshme ata edhe vendosin për interpretimin e saj sot.

I tërë dialogu nisi për të dëshmuar se “Ahtisaari nuk bën punë”, siç thoshin që nga fillimi zyrtarët e Spanjës, Sllovakisë, Greqisë, por edhe të Rusisë e Serbisë. Këtë qasje e morën edhe disa zyrtarë në BE në Shërbimin e Jashtëm (EEAS). Dhe kështu gjatë dialogut erdhi edhe kërkesa që “për Serbinë dhe për serbët të ketë diçka që është më shumë sesa Ahtisaari” apo “Ahtisaari plus”. Kështu edhe lindi propozimi për Bashkësinë/Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Kjo marrëveshje është një kurth për Kosovën, nga i cili ajo nuk mund të dalë. Do të duhet ta zbatojë pa marrë parasysh se kush do të jetë në pushtet. Dhe vështirë që administrata e re amerikane (që ishte në pushtet kur u arrit marrëveshja për “Zajednicën”, siç njihet në zhargonin e Kosovës) do ta mbështesë Kosovën në insistimin që të mos zbatohet kjo marrëveshje. E vetmja hapësirë veprimi mbetet thirrja në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila disa pika të marrëveshjes i ka gjetur të jenë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Por këtu kemi tash qëndrimin e BE-së të shprehur nga i dërguari i posaçëm Miroslav Lajçak, se “Kushtetuta mund edhe të ndryshohet”. Disa zyrtarë të Kosovës thonë se “Lajçak nuk ua ka thënë në takim një gjë të tillë”. Por opinioni qëndrimet i merr nga ajo që thuhet në publik e jo në takime të mbyllura.

Është bërë tashmë dukuri e shpeshtë që përfaqësuesit e Kosovës të entuziazmohen pas takimeve me të dërguarin e BE-së, Miroslav Lajçak, e pastaj të mbesin të shokuar kur dëgjojnë se çfarë ka thënë ai në mediat e Serbisë apo në ndonjë debat. Lajçak vetëm bën punën e tij, e në atë punë ndoshta edhe duhet t’ua thotë gjërat ndryshe palëve.

Por Marrëveshja për Bashkësinë/Asociacionin nuk është fundi i dialogut. Dialogu ka krijuar edhe kurthe të tjera dhe e ka bërë Kosovën peng të qëndrimeve të Serbisë.

udhëzimet e Grupit të Kontaktit, në vitin 2006 Serbisë iu mor e drejta e vetos për fatin e Kosovës. Kjo për të parandaluar që Serbia të bllokojë zgjidhjen e statusit nëse nuk pajtohet me rezultatin. Por, përmes dialogut të Brukselit, Serbisë iu kthye e drejta e vetos. Nuk mund të shihet ndryshe deklarata e të dërguarit të posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak, se “për 5 shtetet e BE-së do të jetë e pranueshme gjithçka që pranon Serbia”. Lajçak edhe me këtë deklaratë e ka thënë një të vërtetë për qëllimin e dialogut, të cilën për vite liderët politikë të Kosovës nuk e kanë kuptuar. Nëse kësaj ia shtojmë se, mes të tjerash, BE-ja pohon se zgjidhja “duhet të jetë e pranueshme për të gjitha vendet e BE-së”, atëherë forcohet edhe më shumë fuqia e vetos e Serbisë. Ajo ka pasur edhe deri më tash mundësi të vetos në KS të OKB-së përmes Rusisë, e tash e ka edhe në BE.

Me parimet udhëheqëse të Grupit të Kontaktit për Kosovën, në bazë të të cilave Ahtisaari udhëhoqi negociatat për statusin e Kosovës, konfirmohej se prioritet do të jetë arritja e një marrëveshjeje të negociuar, por, mes të tjerash, thuhej se “pasi procesi të nisë, nuk do të mund të bllokohet dhe duhet të arrijë në përmbyllje”. Kjo fjali ishte përmendur pikërisht për të mos i dhënë Serbisë të drejtë vetoje që të refuzojë statusin të cilin në fund të procesit do ta propozonte Ahtisaari. Pos kësaj, aty konfirmohej se statusi i Kosovës do të caktohet për territorin ekzistues të Kosovës dhe se nuk do të pranohen ndryshimet e kufijve, as në formë të ndarjes e as të bashkimit të Kosovës me ndonjë shtet tjetër apo pjesë të ndonjë shteti tjetër.

Nuk është befasi pse Beogradi, pa marrë parasysh a janë në pushtet Boris Tadiq, Vojislav Koshtunica, Ivica Daçiq apo Aleksandar Vuçiq, gjithmonë ka bërë përpjekje për të tejkaluar parimet mbi të cilat shtetësia e Kosovës në formën e sotme u arrit dhe u mbrojt edhe në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Serbia provoi edhe me ide për ndryshim të kufijve, edhe me ato duke e quajtur pavarësinë si shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Në këto përpjekje pati gjithmonë mbështetjen e Rusisë dhe të disa nga 5 vendet e BE-së, dhe tash, pas 15 vjetësh, Serbisë në një mënyrë i njihet e drejta e vetos për fatin e Kosovës.

Një konkludim i tillë logjik del nga deklarata e fundit e të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialog, Moroslav Lajçak, se “për 5 vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën do të jetë e pranueshme gjithçka që është e pranueshme për Serbinë”. Me këtë deklaratë, Lajçak nuk dallon nga deklaratat e shpeshta të ministrit të Jashtëm të Rusisë, Sergej Lavrov, i cili gjithmonë ka përsëritur se “Rusia do të pranojë çfarëdo që është e pranueshme për Serbinë”. Një qëndrim i tillë i Lajçakuk, sado që është i dëmshëm dhe për BE-në shumë sfidues, nuk është befasues, sepse ky argument ishte argumenti kryesor i Spanjës dhe i Sllovakisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë kundër pavarësisë së Kosovës. Ndonëse këto argumente humbën dhe Gjykata konfirmoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk shkeli as të drejtën ndërkombëtare e as Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Spanja dhe Sllovakia nuk ndryshuan qëndrimin e tyre deri më sot. Këtë nuk e bënë as në kohën kur në krye të ministrive të Punëve të Jashtme të këtyre shteteve ishin përfaqësuesi i sotëm i lartë i BE-së, Josep Borrell, dhe i dërguari i posaçëm për dialog, Miroslav Lajçak.

Nuk mund të pohohet se kanë bërë marrëveshje me Rusinë që të kenë qëndrimin e njëjtë ndaj statusit të Kosovës, por në praktikë këto shtete e kanë qëndrimin e njëjtë nëse është e vërtetë se nuk do ta pranojnë pavarësinë e Kosovës derisa këtë së pari të mos e bëjë Serbia. E Miroslav Lajçak javën që shkoi e tha pikërisht këtë. Në këtë mënyrë jo vetëm se pesë shtetet e BE-së po e subordinojnë politikën e tyre të jashtme me qëndrimet e Serbisë dhe të Rusisë, por po dalin haptas kundër shumicës së madhe të vendeve anëtare të BE-së.

E gjithë kjo e bën edhe më të vështirë arritjen e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel. Pa marrë parasysh se çfarë qeverie do të ketë Kosova pas zgjedhjeve, “të qëndrueshme” apo “jostabile”, pozicioni i Kosovës në dialog do të jetë shumë i pafavorshëm. Së paku derisa BE-ja të mos e kuptojë se edhe vetë ka qenë pjesë e Grupit të Kontaktit, edhe e hartimit të Udhëzimeve për statusin e Kosovës, edhe ka pasur njerëzit e saj në ekipin e Ahtisaarit e edhe në “Trojkën”. Pra, statusi i sotëm i Kosovës është edhe produkt i BE-së dhe ai është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Do të ishte ndoshta mirë që Kosova të mbetet anash dialogut, që ai dialog të zhvillohet mes Serbisë dhe 5 vendeve të BE-së në njërën anë dhe 22 vendeve të tjera në anën tjetër. Dhe kur ata të merren vesh, atëherë ta ftojnë Kosovën që si shtet sovran dhe i pavarur, i njohur nga BE-ja, me subjektivitet ndërkombëtar, të bisedojë me Serbinë për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura. Sepse pak ka shtete të cilat i kanë të zgjidhura të gjitha çështjet e hapura me fqinjët.

Nëse Lëvizja Vetëvendosje e krijon qeverinë pas zgjedhjeve, do të kemi një paradoks që ajo qeveri do të duhej ta mbronte Pakon e Ahtisaarit, të cilën e sulmonte kur doli propozimi i tij. Sepse partitë e tjera që ishin deri më tash në pushtet pranuan të hynin në proces për të dhënë “diçka më shumë sesa Ahtisaari”. E drejta që i është dhënë Serbisë në veto e bën edhe më të vështirë situatën për Kosovën. Sepse vërtet Serbia nuk ka nevojë për njohje nga Kosova. Mendimet e disa politikanëve të Kosovës se “pa na njohur Serbia nuk ka të ardhme evropiane” janë shumë naive. Serbia, e njohu apo jo Kosovën, nuk ka ndonjë perspektivë të integrimit të BE në një të ardhme të afërt. Por nëse është e vërtetë, kjo prapë na kthen tek ideja që dialogu të bëhet mes Serbisë dhe Kosovës. Edhe ashtu në Bruksel janë të lumtur se në Serbi “është e qartë se me kë mund të bisedojmë”, për dallim nga Kosova ku situata politike është shumë më e paqartë. Mes paqartësisë që ekziston në Kosovë dhe faktit se në Serbi “dihet gjithçka”, mbështetësit e demokracisë dhe pluralizmit politik megjithatë do ta preferonin situatën politike në të cilën është Kosova, sado që të vështirë e bën kjo situatë gjetjen e një bashkëbiseduesi të vetëm me të cilin mund të bëhen pazare.

Kosova, pa marrë parasysh se kush do të dalë fitues e kush humbës në zgjedhje, do të duhej të ndërtonte një qëndrim të qartë për dialogun, që do ta mbështesnin të gjithë dhe kjo do ta forconte pozicionin e Kosovës edhe në dialog. Kosova nisi të bjerë në kurthin në të cilin është sot pikërisht kur qëndrimet e saj nuk ishin reflektim i konsensusit të brendshëm, por më shumë solo veprime të disa politikanëve apo disa grupeve. Në këtë mënyrë edhe mund të motivohen shtetet që sot heshtin, e që dikur e mbështesnin Kosovën. Deri atëherë rolin kryesor e kanë ata që nuk e kanë njohur Kosovën dhe Serbia, ndërsa Kosova është më shumë objekt sesa subjekt i procesit.