Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
OpEd

Dështimi i partive të vjetra dhe rruga e re e “zgjidhjes”

Nuk mund të bëhesh dot politikan i mirë, nëse vjen nga profesione që s’kanë fare lidhje me politikën. Përvoja shqiptare vërtetoi që, prezenca e këtij kallëpi politikanësh e çuan Shqipërinë në qorrsokak, duke u mbështetur në njohjet e tyre empirike për politikën, diplomacinë dhe ekonominë. Në bllok në këto 27 vjet, ata bashkimin e kanë realizuar konkretisht duke e grabitur Shqipërinë dhe “grindjet” midis tyre i kanë vetëm ndarje të roleve, në kuadrin e një mashtrimi gjigant. Janë institucionet dhe individët në krye të tyre, që jo rrallë herë e kanë futur politikën shtetërore në qorrsokak.

Shqipëria sot është e pushtuar, jo ashtu siç duan të na e thonë apo të na e justifikojnë drejtuesit e lartë politik, por realisht e kapur dhe e pushtuar, duke u kthyer në një vend pa zot, si një “perotektorat” i pashpallur në administrimin e oligarkisë së re, i dalë në ankand, ku pasuria kombëtare nuk është më në shërbim të zhvillimit ekonomik dhe standardeve të jetës së popullit, por si një hapësirë pasurimi dhe karriere politike të njerëzve të paaftë që kanë drejtuar dhe drejtojnë Shqipërinë.

Në këto kufij është sot sistemi politik dhe drejtësia shqiptare, si pjesë e tij. Vetingu po përballet me një kundërvënie të hapur dhe të nëndheshme, ku në lojë janë emra në piramidën e lartë të shoqërisë. Asnjë institucion shtetëror nuk ka sot motivimin e duhur, për të bërë analizën shkencore, pse sistemi politik shqiptar u zhyt kaq thellë në anën e antisistemit dhe të antidrejtësisë. Mos vallë në Shqipëri fenomeni gërryes ishte një rastësi dhe pse po mbijeton kaq gjatë?! Të marrim rastin e fundit të deklaratës së Ramës në Kuvendin e Kosovës.

Një mistrecllëk politik përballë postit të presidentit në Republikën e Shqipërisë dhe zënkave me të. Deklaratë e papërgjegjshme, që pa dashje u dha armë në dorë serbëve kundër shtetit të Kosovës. Fjala e tij është dëgjuar deri në Moskë, Athinë, e deri në fund të botës. Reagimet janë të forta. Askush nuk ka të drejtë të injorojë shtetin e Kosovës, aq më tepër në përvjetorin e Pavarësisë.

Opinion gjakftohtë shqiptar, mendoj së duhet të jetë shumë i vëmendshëm ndaj kësaj situate, duke anashkaluar patriotizmin romantik, që nuk na çon askund. Sot kombi shqiptar për shumë arsye shfaqet në udhëkryq. Me këtë situatë kaotike në vendimmarrjen politike shfaqet një problem shumë i madh, në përmasa kombëtare. Në Shqipëri dhe në trojet shqiptare, shfaqet një piramidë politike shumë enigmatike, që lundron midis nacionalizmit shterp dhe armiqësisë së fshehur kundër interesave kombëtare.

Metodologjia e drejtimit dhe funksionimit të shtetit në periudhën e komunizmit akoma funksionon sot e kësaj dite. Mendjet e ftohta janë në gjendje të veçojnë dallimin e madh midis kohëve, kur akumulimi financiar shkonte në ndërtimet madhore dhe armatosjen e skajshme të Shqipërisë, ndërsa sot shfaqet e frikshme, biles shumë e frikshme, diktatura e lekut dhe interesave të dyshimta.

Edhe Kolumne Muaji i Edi Ramës

Në fakt dy partitë shqiptare që drejtuan në këto 27 vite, dështuan plotësisht në planin e tyre të zhvillimit ekonomik, duke krijuar një model “ të kapitalizmit allashqiptar” dhe një kastë të re oligarkësh, që gradualisht kapën majat e politikës. Grabitja sistematike e pasurisë kombëtare, nxjerrja e saj në trasenë “koncesionare” dhe krijimi i kastës së re të oligarkëve shqiptarë, hapën rrugën fenomeneve të rrezikshme, të papranueshme në sistemin e demokracisë. Ato dhunuan në mënyrë sistematike sistemin politik në Shqipëri, duke e hedhur shoqërinë shqiptare në varfëri dhe në rrugë pa krye.

Marrë nga “Shekulli”