Rruga e Blend Hamzës - nga kryeqyteti i Sirisë në Universitetin e Zürichut. Ose: një rrëfim mbi refugjatin e shekullit 21
Në fund të javës që lamë pas agjencia e lajmeve Reuters njoftoi se, për shkak të ofensivës së trupave të Qeverisë siriane, mbi 120 mijë njerëz kanë braktisur shtëpitë e tyre dhe po kërkojnë një kulm mbi kokë. Po ashtu, javën e kaluar agjencia e lajmeve AFP bëri të ditur se gjatë sulmeve nga ajri të ushtrisë ruse janë vrarë 22 civilë. Kur të publikohet ky tekst, numri i të vrarëve në Siri me siguri do të jetë rritur, e vala e refugjatëve duke kërkuar të shpëtojnë jetën do të jetë edhe më e madhe se 120 mijë. Me gjithë zhvillimet dramatike ekziston një indiferencë e madhe sa i përket fatit të mëtejmë të Sirisë. Kudo. Jo vetëm në Perëndim. Edhe në vendet e Lindjes së Mesme. Në Siri përthyhen shumë interesa gjeostrategjike dhe pothuaj secila palë ka agjendën e vet. Këto agjenda rrallë e kanë parasysh fatin e civilëve. Ata janë vetëm masë për kusuritje mes palëve në konflikt.
Plaka dhe gishti i mesëm
Se çfarë domethënë të jesh refugjat në shekullin e 21 tregon shembulli i Blend Hamzës. Ai nuk është shqiptar, ndonëse emri i tij tingëllon i tillë. Është sirian. Rrëfimi i tij mbi labirintet jetësore mbyllet me një fund të lumtur (Happy End-i i famshëm). Përvoja e parë në Zvicër e Blend Hamzës si refugjat ishte kjo: pasi bëri kërkesë për azil, autoritetet e dërguan në një qendër azilkërkuesish afër lokalitetit Muotathal në Zvicrën qendrore.
"Që në ditën e parë përjetova një befasi të pakëndshme. Po qëndroja jashtë me disa njerëz të tjerë, kur atypari kaloi një plakë me veturë, e ndali veturën, hapi dritaren dhe na tregoi gishtin e mesëm. Kujtova se këtu banon ndokush që mund të ketë fyer plakën. 20 minuta më vonë kaloi një djalë me veturë, edhe ai na e tregoi gishtin e mesëm. Mendova: o Zot, ku kam përfunduar? E kuptova se në Zvicër kishte njerëz që ishin kundër refugjatëve”. Sidomos në Muotathal, një zonë super-konservatore në Zvicrën qendrore shumë konservatore, refuzuese ndaj të huajve, skeptike ndaj çdo ardhacaku nga rrethi i ngushtë social.
Pas kësaj përvoje Blend Hamza iku nga Zvicra. Ishte i dëshpëruar. Autoritetet i thanë se shqyrtimi i kërkesës së tij për azil po merrte kohë, ndërsa diploma e tij si dentist nuk pranohej, rrjedhimisht nuk mund të punonte si mjek dhëmbësh. Blend Hamza iku në Suedi. Por, sipas rregullave të Schengenit, kërkesa për azil duhet të shqyrtohet nga shteti ku refugjati ka bërë kërkesë për herë të parë për azil. Në rastin e Hamzës ishte Zvicra. Megjithatë, ai nuk dëshironte të kthehej në Zvicër dhe provoi fatin në Britaninë e Madhe, por edhe nga atje e kthyen në Zvicër, ndonëse Britania nuk është pjesë e Schengenit.
Tani Blend Hamza gjendej para dilemës: të provonte edhe njëherë të jetojë në Zvicër ose të kthehet... në Siri? E pamundur. Si kundërshtar i regjimit ai do të arrestohej dhe ndoshta edhe do të vritej nga xhelatët e diktatorit Bashar al-Asad. Ardhja në Zvicër i kishte kushtuar mjaft para Blend Hamzës - 14 mijë euro për transport dhe për një pasaportë të falsifikuar italiane. "Me këtë dokument unë kam fluturuar nga Stambolli në Zürich. Trafikanti më pyeti nëse mund ta dëshmoj se kam qenë aktivist kundër regjimit të Asadit. Angazhimi im është i dokumentuar mirë, ka artikuj shtypi për punën time, janë online. Trafikanti tha se Zvicra ishte vendi më i përshtatshëm për mua".
Hamza dëshironte të luftonte paragjykimin e jo pak vendasve se refugjatët vijnë vetëm për të marrë para nga shtetet pritëse. Njeriu përveç sigurisë ka nevojë të ketë edhe një punë, në rastin më të mirë të denjë, me të cilën siguron ekzistencën dhe një krenari të vogël sociale. Hamza u vendos në Zürich, ku u regjistrua në Universitet. Edhe njëherë tre vjet, edhe njëherë nga fillimi. Për të përmirësuar gjermanishten e tij ai filloi të luajë teatër. Gjermanishtja e tij ndërkohë është shumë e mirë, edhe studimeve po u afrohet fundi. Një fund i lumtur.
Megjithatë, lumturia është shkallë-shkallë. Refugjati nuk pushon kurrë së menduari nëse ka bërë gabim që ka ardhur, nëse do të kishte qenë më mirë që betejën për një jetë më të mirë ta vazhdonte në vendlindje, në këtë rast në Siri. Këtë disponim Blend Hamza e quan "sindromë e fajit të mbijetesës", pra ti ke shpëtuar, por prapë akuzon veten, sepse pas ke lënë të tjerët duke u përpjekur të mposhtin diktaturën. "Shumica e refugjatëve do të kthehen, kur lufta të marrë fund", thoshte Hamza në një intervistë para dy vjetësh. Por ferri sirian s'po merr fund dhe Evropa po i mbyll portat nën presionin e politikanëve të djathtë, ndërkohë që njerëz pa kulm mbi kokë kërkojnë shpëtim. Sepse askush nuk e braktis shtëpinë me qejf.