OpEd

Çorapet për gra të leshta dhe politika bakteriale

Ky është mentaliteti ynë i helmuar sot, virusi më i keq i cili i merr viktimat e veta në heshtje

“Kthehem nga puna vonë me njëqind djaj në krye. Një shef mediokër, dy kolege mizogjene që flasin pas dere, dy intervista të dobëta nga të cilat duhet të zgjedh diçka, im bir që nuk di nëse ka gjetur gjë për të ngrënë. Para derës së hyrjes një tufë fëmijësh bërtasin. Diçka më lëviz brenda. Një “there!” ritmike më ngjitet në fytyrë. U afrohem me shpejtësi djemve të vënë në rreth. Shtyj dy prej tyre anash e hedh hapin përpara. Dy fëmijë shtrëngojnë këmbët e një maceje të shtrirë në ajër me fytyrë nga qielli, ndërsa i treti me një copë llamarine në dorë kërkon t’ia presë fytin.”

E fillova këtë kolumne me një histori që ka ndodhur para dhjetë vjetësh, nga e cila ende nuk jam shëruar plotësisht. Është realitet në një lagje të vogël, në një kryeqytet të vogël, në një shtet të vogël, në Ballkanin e vogël. Hapësirat e vogla thonë që krijojnë mendime të vogla, të cilat vështirë e tejkalojnë kufirin. Por për një shtet ku kufiri real është Evropa e aty mund të kalohet vetëm me vizë, mendimet bëhen edhe të egra. Aty ku marrja e një vize edhe 1- javore nuk është çudi të postohet në Facebook nga gëzimi, shtoji edhe karantinën, situata merr fytyrë tjetër. Të mbyllur e të varfër.

Nuk ka nevojë të jesh psikolog, të kuptosh mjerimin intelektual ku gëlon vendi. Ai të shkruhet çdo ditë para syve, që nga etiketat “çorapa për gra të leshta” apo “maica për burra me viza” deri te linçimet që transmetohen çdo natë drejtpërdrejt nga debatet televizive, nga aktorët politikë apo gjithë bishtat e tyre në kërkim të vëmendjes. Se vëmendja në këtë shtet vështirë tërhiqet ndryshe. Duhet brumë për ta bërë, duhet helm e fantazi. Ajo që nuk u mungon as ndjekësve aktivë, komentuesve të pasionuar pas çdo debati, ata që së bashku krijojnë një konglomerat idiokracie të rrezikshëm.

Këto ditë karantine jo rrallë e kam zënë veten t’i ndiqja disa nga këto debate bakteriale, të cilat më kujtuan mjekun hungarez Ignaz Semmelweis, babanë e mbrojtjes ndaj infeksioneve. Semmelweis ua kërkonte studentëve të lanin duart pas çdo autopsie që ua bënin nënave të vdekura, pasi mendonte se ishin pikërisht mjekët që ua transmetonin infeksionet nënave të tjera të shtruara në maternitet. Shumica e mjekëve dhe studentëve, ngaqë nuk arrinin ta kuptonin, e tallnin doktorin. Në fakt, Semmelweis e kishte të vështirë ta dëshmonte teorinë e tij, pasi bakteret ende nuk ishin zbuluar. Ato u zbuluan pas vdekjes së tij. Ignaz Semmelweis vdiq katërmbëdhjetë ditë pasi kolegët e kishin mbyllur në një azil, shkaku i një krize nervore. Për paradoks, vdekja u shkaktua nga një infeksion që kishte marrë teksa rojat e azilit e kishin rrahur dhe njëri e kishte kafshuar në dorë. Vdiq i vetmuar dhe i përbuzur. Sot, në nderim të tij, OBSH 5 Majin e ka shpallur ditën ndërkombëtare të larjes së duarve me moton “SAVE LIVES: Clean Your hands”.

Nëse tashmë jemi vetëdijesuar për higjienën personale, pakkush po mendon për atë psikike. Bakteret sot nuk janë vetëm ato mikroorganizmat që të hyjnë në trup nga kontakti duke të rrezikuar jetën, baktere janë edhe gjithë skemat mendore që krijohen nga fjalët, ato të hyjnë në mendje pa e kuptuar. Janë gjithë ato imazhe që krijon truri i njeriut pavetëdijshëm kur dëgjon shprehje bakteriale, që në shkencë quhen metafora kognitive. Metaforat kognitive veprojnë në nivelin e nëndijes dhe kanë forcë shumë të madhe. Niveli i nëndijes është më i rrezikshmi, pasi njeriu do të reagojë ndaj tyre instinktivisht, pa logjikuar.

Politika e shfrytëzon në maksimum këtë nivel për të pasur sa më shumë efekt te masa, për të manipuluar me lehtësi botëkuptimin e saj. Hitleri i quante pikërisht baktere çifutët. Enver Hoxha i quante baktere gjithë “armiqtë e popullit”, duke ia shtuar diskursit të tij edhe një metaforë tjetër kognitive. Instinktivisht në mendjen e masës krijohej alarmi i vetëmbrojtjes që kishte si kundërreagim sulmin e menjëhershëm. Suksesi i këtyre diktatorëve në manipulimin me masën qe katastrofik. Masa nuk ka kapacitet ta shohë manipulimin. Por, cili është sot helmimi që ne nuk po e shohim?

Mimoza Kusari në Parlament na e tregoi përvojën personale se si e kishte përgatitur të birin, i cili kishte lexuar qindra komente linçuese për të ëmën online. Kjo është politika bir! I kishte thënë ajo. Mësohu!

Jo, kjo nuk është politika Mimoza! Kjo është politika jonë, ajo që ne zgjodhëm, ajo që nxit mentalitete poshtëruese, ajo që diti ta zhvishte njeriun nga dinjiteti, ta nxjerrë lakuriq përpara turmës së qenve të uritur. U kërkoj falje qenve, ata hanë vetëm për uri. Ne e hamë njëri-tjetrin për bindje politike, e shkelim pse është ndryshe, e tallim pse vuan nga depresioni apo skizofrenia, ia dërrmojmë eshtrat për prirje seksuale, luftojmë me bujë më të dobëtin. Si mund të mbetesh me këmbë në tokë në këtë vorbull çmendurie?

Ky është mentaliteti ynë i helmuar sot, virusi më i keq i cili i merr viktimat e veta në heshtje. Kjo është historia jonë, ky është rrugëtimi ynë, kjo është pandemia ku po i rrisim fëmijët. Ndaj “Shpëto jetë: laji duart nga fjalët bakteriale!