Si në Rusi ashtu edhe në Izraelin e sotëm, pakti shoqëror po përthyhet në copëza nën peshën e kolonializmit dhe mosmarrëveshjeve fondamentale mbi parimet themelore. Këto kushte u nënshtrohen formave përherë më absurde dhe më ekstreme të racionalizimit. Por, vetëm ngaqë mund të dilni me një arsye për ta bërë ndonjë gjë nuk do të thotë se duhet ta bëni. Kur shoqëritë copëtohen, kundërvënia ndaj arsyeve të gabuara rëndom kërkon më shumë forcë sesa pasimi i arsyeve të drejta
Kurdo që aranzhimi shoqëror i një vendi shthuret, piqen kushtet për qarkullimin e thashethemeve dhe absurditeteve. E atëherë kur janë të egra dhe qartësisht të pakuptimta, ato mund t’i shpërfaqin frikën më të thellë dhe paragjykimet e njerëzve.
I këtillë është sot rast i Rusisë, ku Sergei Markovi, ish-këshilltari i presidentit Vladimir Putin, paralajmëroi se Ukraina po krijon “super-ushtarë homoseksualë” për zhvilluar luftë kundër shtetit të tij: “Teoricienë dhe historianë të ushtrisë e dinin se cila ushtri në Greqi ishte më e forta, e mbani mend? Spartanët. Ata ishin të përbashkuar nga një vëllazëri homoseksuale. Që të gjithë ishin homo. Kjo ishte politikë e udhëheqjes së tyre. Mendoj se po e planifikojnë të njëjtën për Forcat e Armatosura të Ukrainës”.
Padyshim, kjo përzierje e homofobisë, historisë së rreme dhe ideve për superushtarë të Marvelit, të inspiruar nga stripat, le të kuptohet se Markovi nuk është i interesuar t’i inkurajojë mendimin kritik dhe analizat e arsyeshme. S’ka lidhje: deklaratat e këtilla idiote qartazi kumbojnë te të paktën disa segmente të rëndësishme të shoqërisë ruse.
E njëjta çmenduri u referohet përherë e më shumë kujtimeve historike ruse për traumat dhe krimet e mëdha kombëtare. Në një ceremoni të kohëmëparshme në Velikiye Luki, në rajonin Pskov të Rusisë, një prifti i njohur si “Ati Anthony” derdhi ujë të shenjtë në shtatoren afro 8-metërshe të Stalinit. Ndonëse “Kisha vuajti” gjatë sundimit të gjatë terrorizues të Stalinit, theksoi ai, rusët sot duhet të jenë mirënjohës se kanë kaq shumë “martirë të rinj rusë dhe rrëfimtarë të cilëve ne tani u lutemi dhe po na ndihmojnë në ringritjen e mëmëdheut tonë”.
Një arsyetim i këtillë pervers është veç edhe një hap larg pretendimit se hebrenjtë duhet t’i jenë mirënjohës Hitlerit që ua hapi rrugën për shtetin e Izraelit. Në fakt, pikërisht kjo gjë veçse ka ndodhur në fakt. Sipas një hulumtimi të 2019-s në lajmet e Channel 13 në Izrael, oficerët e ardhshëm të ushtrisë izraelite në shkollën përgatitore ushtarake Bnei David, të financuar nga shteti, po mësohen nga rabinët, se: “Holokausti nuk kishte të bënte me vrasjen e hebrenjve. Marrëzi. Dhe fakti se ishte sistematik dhe ideologjik e bën vrasjen më shumë morale sesa rastësore. Humanizmi, kultura laike - ky ishte Holokausti. Holokausti i përnjëmendtë është pluralizmi. Logjika naziste ishte konsistente përbrenda. Hitleri tha se një grup i caktuar në shoqëri është shkaku i gjithë të këqijave në botë dhe kësisoj duhet shfarosur. … Për vite me radhë, Zoti po bërtiste se diaspora ka mbaruar, porse hebrenjtë s’po binden. Kjo është sëmundja e tyre që Holokausti duhet ta kurojë. … Hitleri ishte më i drejti. Sigurisht, kishte të drejtë në secilën fjalë që thoshte. Ideologjia e tij ishte e saktë. … Gabimi i vetëm [i nazistëve] qe ajo se kush ishte në cilën anë”.
Mësimi nuk përfundon këtu. Kadetët mësojnë njashtu se: “Me ndihmën e Zotit, skllavëria do të kthehet. Johebrenjtë do të duan të bëhen skllevër tanë. Njerëzit përreth nesh kanë probleme gjenetike. Pyeteni një arab të thjeshtë se çfarë do që të bëhet. Do që të jetë nën pushtim... Ata nuk dinë si ta udhëheqin një shtet apo çdo tjetër... Po, ne jemi racistë. Besojmë në racizëm. Racat kanë karakteristika gjenetike. Andaj, duhet të mendojmë se si t’u ndihmojmë atyre”.
Sa për dijeni, kjo retorikë ekstreme po mbështetet haptas vetëm nga pakica e vogël fare, fanatike fetare. Dhe megjithëkëtë, e aludon premisën e fshehur që qëndron prapa politikave të së djathtës ekstreme të qeverisë aktuale në Bregun Perëndimor. Krahasimi i situatës në Izrael dhe në territoret e saja të pushtuara me atë të Gjermanisë naziste mund të duket si ekzagjerim qesharak, dhe nëse një johebre e bën këtë krahasim, cilësohet menjëherë si antisemitik; por nëse e bëjnë figurat prijëse hebraike, atëherë duhet të dëgjohen. Kur një shoqëri e mbërthen veten në shtresat e vetëjustifikimit tendencioz, njerëzve të brendshëm u duhen të tërheqin qefinin.
Kijeni parasysh rastin e Amiram Levinit, ish-drejtuesit të Komandës Veriore të Forcave izraelite të Mbrojtjes. Tek fliste kohë më parë për një stacion të transmetuesit publik në Izrael rreth situatës në Bregun Perëndimor, ai pretendon se “aty nuk ka pasur demokraci në 57 vjet, ka aparteid total. … IDF-ja, e cila është e shtrënguar ta ushtrojë sovranitetin aty, po kalbet përbrenda. Po i shikon seri rebelët kolonë e po fillon të bëhet partner në krime të luftës”.
Kur u pyet të elaboronte, Levini u thirr te Gjermania naziste: “E kemi të vështirë ta themi këtë, por kjo është e vërteta. Jepjani një xhiro nëpër Hebron, shikoni rrugët. Rrugët ku arabët më nuk lejohen të hyjnë, por vetëm hebrenjtë. Kjo është pikërisht ajo që ndodhi aty, në atë vend të errët”.
Fakti që një gjeneral i pensionuar i IDF-së mund të nxjerrë një përfundim të tillë e dëshmon jo vetëm qëndrimin e tij të jashtëzakonshëm etik, por edhe sesa keqas kanë shkuar gjërat. Por, për aq kohë sa ka izraelitë sikurse puna e Levinit, ka edhe shpresë, ngase vetëm nëpërmjet solidaritetit dhe mbështetjes për njerëzit sikurse ai, palestinezët në Bregun Perëndimor e kanë një shans.
Si në Rusi ashtu edhe në Izraelin e sotëm, pakti shoqëror po përthyhet në copëza nën peshën e kolonializmit dhe mosmarrëveshjeve fondamentale mbi parimet themelore. Këto kushte u nënshtrohen formave përherë më absurde dhe më ekstreme të racionalizimit. Por, vetëm ngaqë mund të dilni me një arsye për ta bërë ndonjë gjë nuk do të thotë se duhet ta bëni. Kur shoqëritë copëtohen, kundërvënia ndaj arsyeve të gabuara rëndom kërkon më shumë forcë sesa pasimi i arsyeve të drejta.
(Slavoj Zhizhek, profesor i filozofisë në “European Graduate School”, është drejtor ndërkombëtar i Institutit Birkbeck për shkenca humane në Universitetin e Londrës, si dhe autor i librit: “Heaven in Disorder”. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë botërore “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).