Nga kabllogramet vendore vazhdohet me serialin e dramës “Oferta e refuzuar”. Protagonistët, ata të vjetrit, Vetëvendosja dhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Audienca, ajo e moçmja, gjithashtu, populli i përgjumur kosovar. Por ka edhe një zhvillim tjetër në terren…
Zhvillimet e shumta politike në botë, si dhe në vend, kanë bërë që në ambasadën time në Facebook që nga java e kaluar, të arrinin një numër i madh i kabllogrameve të ndryshme.
Sigurisht se njëra nga këto kabllogramet diplomatike ka të bëjë me përhapjen e virusit të ri koronavirus, i cili origjinën e tij e ka në Kinë dhe i cili ka bërë që disa qytete atje të vihen nën karantinë. Ajo që tash po e veçon këtë virus është se pas mutacionit, të cilin ai e ka përjetuar tashmë, ky virus po transmetohet edhe nga njeriu në njeri dhe ky është ai fakt, i cili këtë gjendje e ka bërë alarmante në Kinë. Deri më tani në Kinë kanë vdekur 170 persona nga kjo sëmundje. Në botë janë regjistruar më shumë se 6.000 raste të infektimit të njerëzve me koronavirus.
Hulumtuesi në "Peter Doherty”, Institutin për infeksionet dhe imunitetin në Melbourne të Australisë, thonë se kanë arritur që ta kultivojnë koronavirusin e Wuhan-it në laborator.
Shkencëtarët në Kinë dhe hulumtuesit e tjerë kanë arritur që ta bëjnë të njëjtën gjë edhe në Kinë, thanë të mërkurën zyrtarët e Organizatës Botërore për Shëndetësi
Izolimi dhe kultivimi i mostrave virale është procedurë standarde gjatë shpërthimit të një patogjeni të ri. Në fazat e hershme të shpërthimit, ne duhet ta kuptojmë biologjinë e organizmit, i cili e shkakton këtë shpërthim viral.
Duke e kultivuar koronavirusin në rrethana të kontrolluara, hulumtuesit mund që të kuptojnë më mirë se pse ky virus po përhapet më the të tash, duket se shkallën e vdekshmërisë e ka më të ulët.
Të enjten, do të mbahet mbledhja e radhës e Organizatës Botërore të Shëndetësisë nga ekspertët e saj në Gjenevë, për të votuar përsëri nëse do të duhej të shpallej epidemia me koronavirus një emergjencë globale shëndetësore.
Pjesa më e madhe e pacientëve të infektuar nga koronavirusi zhvillojnë simptome të buta, por rreth 20% e tyre kanë manifestime të rënda të sëmundjes. Shkalla e vdekshmërisë duket të jetë 2% thanë zyrtarët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, edhe pse ata gjithashtu theksuan se ka edhe shumë variabilë të tjerë të panjohura.
Si masë preventive, përveç karantinës të cilën e kanë shpallur zyrtarët kinezë në qytetin disamilionësh të Wuhanit, shumë vende botërore kanë suspenduar fluturimet e tyre për në Kinë dhe thërrasin banorët e tyre që për një kohë të caktuar të mos planifikojnë udhëtime për në atë vend.
E gjitha kjo të bënë të mendosh dhe ta kuptosh atë brishtësinë në të cilën sot jeton njerëzimi dhe se përhapja e sëmundjeve dhe e viruseve të reja nëpër botë mund të ndodhë aq shpejt dhe të përfshijë numër të madh njerëzish të infektuar me virus.
Nga kabllogramet vendore vazhdohet me serialin e dramës "Oferta e refuzuar". Protagonistët, ata të vjetrit, Vetëvendosja dhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Audienca, ajo e moçmja aq. Në këtë skëterrën e analizave politike dhe opinionbërësve, mbrëmë na u shfaq në skenë ai më origjinali, i cili e përshkruan gjendjen tonë si shoqëri më së miri. U shfaq në emision televiziv në prani të avokatit të tij për të cilin fillimisht mendova se e ka truproje personale. Sa i rrezikshëm është stereotipizimi, ja edhe unë rashë viktimë e tij. Po, pra, bëhet fjalë për Burdushin.
Tregonte Burdushi me kujdesin maksimal për të cilin aty për çdo rast e kishte avokatin vigjilent se si zyrtarët e shumtë të LDK-së e edhe ata të VV-së kishin të bame dhe sehire, dhe po qe se shteti do t'ia kthente çantën Burdushit, ky do ta rregullonte këtë çështje menjëherë. Për besë Burdush nuk është punë çante ajo, duhet mu u aktivizu “Trepça” e me shkri plumb, ose që the ti se duhesh me shku me ja u stërpikë dyert e këtyre dy partive politike, unë mendoj që vetëm nëse shkon me ua stërpikë dyert ai qeni topall i QKUK-së kryen punë se të tjerat mbesin tentativa të kota.
Mirëpo, mua personalisht diçka tjetër më ra ndërmend, duke e shikuar dhe dëgjuar Burdushin, duke folur me aq urtësi edhe kompetencë. Ai ngërçi i shkaktuar në negociatat ndërmjet VV-së dhe LDK-së, dhe propozimi i emrit për president nga ana e LDK-së dhe kërkesa për një president konsensual nga ana e VV-së. Cila figurë do t’i përshtatej më shumë këtij roli unifikues, sesa figura e Burdushit. A mendoni se Burdushi është ndonjë figurë më pak tragjiko-komike, sesa këto të deritanishmet? Unë jam i mendimit se ai është përfaqësimi ynë më i denjë i katandisjes sonë si shoqëri dhe e shpërfaq gjendjen tonë shoqërore më së miri për momentin.
Pashë postime miqsh të indinjuar me jehonën, të cilët njerëzit ia bëjnë paraqitjes së Burdushit në televizion, duke bërë postime komentesh të tija dhe unë e kuptoj atë frustrim, por unë jam duke shkuar një hap më tutje dhe jam duke e thënë se Burdushi është përshkrimi më adekuat i katandisjes së shoqërisë sonë, na pëlqeu neve apo jo! Përndryshe, u ftoj që të ma argumentoni të kundërtën, të cilën jam duke e thënë.
Baci emëron shofer për përfaqësues diplomatik në Konsullatat e Kosovës, Ramushi emëron ministra të ri në qeverinë e dorëhequr, Pal Lekaj nënshkruan kontrata qindra-milionëshe, hapet linja ajrore Prishtinë-Beograd, një arkitekt me nam botëror na tregon se si do t’i ndihmojë popullatës së Prishtinës duke i ndërtuar 17 vila luksoze rrëzë ujërave akumuluese për pije, të Badovcit, Qeveria ndan 15.000 euro për policin e rënë në detyrë, por pa siguri shëndetësore, presidenti përkrah iniciativën "paqësore" të zgjedhjes së problemit të Palestinës nga ana e presidentit Trump, PDK-ja mban mbledhje të "rregullt" të partisë në orën 11 të natës, burdush mas burdushi e populli bën sehir. Të gjitha këto ngjarje të përmbledhura nga kabllogramet diplomatike vetëm nga java që e lamë pas, se përndryshe ditari im me ngjarjet nga NewBornBurdushi është plot këso meselesh.
E ju mendoni se është e lehtë pozita e të qenit ambasador i Republikës së Kosovës në Facebook? Apo ndoshta jeni të mendimit se edhe unë jam konform burdushave të tjerë dhe vetëm e plotësoj atë mozaik! Do ta pranoja edhe atë gjë me kushtin se secilin nga burdushat e mësipërm do t’i largonit dhe të kërkonit përgjegjësi nga ana e tyre, e pas tyre edhe përfaqësimi im si ambasador në Facebook do të pushonte dhe do të merresha me gjëra më ekspeditive, siç është për shembull mbushja e fjalëkryqeve apo do ta mësoja Sudokun.
Në kënetën politike, kulturore dhe shoqërore të quajtur Kosovë, krokodilët mbesin të vetmet krijesa të cilat mrizojnë. Por këtë kënetë e lejuam dhe e shndërruam vetë ne, secili prej nesh.
Qëllimi im si ambasador mbetet një qëllim modest dhe fisnik. Sikur të arrij që së paku vetëm një banor të Kosovës ta bëj që të reflektojë dhe të mendojë, dhe të logjikojë me kokën e vet, jo me flamurë partiakë e as nga pozita e kili-mili-tantit, misioni im diplomatik do të përmbushej në tërësi, ngase ai person do të kuptonte që jemi katandisur keq dhe në këtë katandisje nuk kemi se çfarë t’u themi pasardhësve tanë se çka ndërtuam qe 20 vjet dhe çfarë po u lëmë atyre në trashëgimi. Do të arrijmë prapë tek ajo thënia e vjetër pellazge këto vite, mos u harrofshin, por edhe mos u kthefshin ndonjëherë.
Përndryshe, teksa po e përmbyll këtë ditar, jam paksa edhe emocional. Sonte pas orës 12 të natës me fillimin e ditës së shtunë, Mbretëria e Bashkuar edhe zyrtarisht fillon rrugëtimin e saj jashtë familjes së madhe evropiane, pjesë e së cilës ishte që nga viti 1973. Kjo ishte përzgjedhja demokratike e bazuar në votën e referendumit të mbajtur më 16 qershor të vitit 2016. Ky rrugëtim do të ketë shumë të panjohura të saj, ashtu si edhe çdo vendim i ri për ndonjë ndryshim në jetën tonë për të dalë nga zona e komfortit dhe në rutinën në të cilën jemi mësuar. Jo rrallëherë këto ndryshime edhe mund të rezultojnë për të mirë. Mbes me shpresën se kështu mund dhe do të jetë edhe për Mbretërinë e Bashkuar dhe të gjithë ne, të cilët jetojmë në këtë vend. Më bëri përshtypje një thirrje që kryeministri Boris Johnson e bëri dhe e cila do të hyjë në fuqi më 20 shkurt, ku ai fton të gjithë të rinjtë e talentuar dhe të dëshmuar në fushat shkencore, matematikore, se do t’i kenë dyert e hapura në Mbretërinë e Bashkuar dhe se do t’u sigurohet vendi i punës dhe se Mbretëria e Bashkuar synon që të mbetet vatër lidere në fushat e zbulimeve të reja shkencore dhe atyre të mjekësisë, si dhe të fushave të tjera.
Mbetet të shihet se në çfarë mënyre do të realizohet edhe ky premtim politik.