Krijimi i një forumi politik ku do të diskutonin vendet evropiane është i nevojshëm, sepse nuk i takon Bashkimit Evropian të thirret në tërë Kontinentin e Evropës. Por, përkundër “garancive” se kjo nismë nuk do të jetë zëvendësim për anëtarësimin e plotë në BE, mbetet dyshimi se do të jetë së paku një alternativë e përkohshme
Këtë javë në kryeqytetin e Çekisë, Pragë, do të zhvillohet samiti i parë i Bashkësisë Politike Evropiane (BPE), ku do të mblidhen më shumë se 45 shefa të shteteve apo qeverive evropiane dhe të institucioneve të BE-së. Ndodh kjo vetëm disa muaj prej kur i pari, idenë për krijimin e një forumi të tillë e kishte përmendur presidenti i Francës, Emanuel Macron, në kohën kur vendi i tij e kishte kryesimin e radhës së BE-së.
Por këtë ide e kishte mbështetur që në fillim edhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, me dallimin e vogël në emërtim, pasi Michel e quajti atë si “Bashkësi Gjeopolitike Evropiane”. Ajo që ishte e njëjtë, ishte ideja që të krijohej një format ku do të bashkëvepronin të gjitha vendet e kontinentit “që duan të ndajnë vlerat dhe interesat e përbashkëta”, jo vetëm ato që janë anëtare të Bashkimit Evropian, por edhe vendet që duan të jenë në BE, por akoma nuk janë afër, ato që me vullnetin e tyre nuk duan të bëhen anëtare, por edhe Britania e Madhe, e cila me vullnetin e qytetarëve të saj ishte larguar nga anëtarësia në Bashkimin Evropian.
Ftesat për samitin në Pragë i kanë dërguar së bashku presidenti i Këshillit Evropian, Charles Mochel, dhe kryeministri i Çekisë, Petr Fiala, vendi i të cilit ka kryesimin e radhës së BE-së. Vetë ky gjest dëshmon se, së paku për takimin e parë, timonin për krijimin e këtij forumi e ka marrë Bashkimi Evropian, edhe pse afro 20 vende që janë ftuar nuk janë anëtare të BE-së. Ideja është që samiti i radhës të zhvillohet diku jashtë BE-së, e janë ofruar për ta organizuar Britania e Madhe dhe Moldavia. Në kohën kur po bëhen përgatitjet finale për samitin e parë, më shumë po flitet se çfarë nuk do të jetë BPE-ja (shkurtesa angleze EPC-European Political Comunity) sesa çfarë do të jetë ajo.
Pra, së paku në fillim nuk do të jetë organizatë, por më shumë si forum. Nuk do t’i zëvendësojë as Këshillin e Evropës e as Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, OSBE-në, e as nuk është menduar të jetë zëvendësim për anëtarësimin e plotë në BE për ato vende që synojnë një anëtarësim të tillë. E çfarë do të jetë atëherë. Së paku në fillim do të jetë vetëm një forum joformal, ku do të marrin pjesë liderët e atyre vendeve që duan të ndajnë vlerat e përbashkëta dhe të punojnë në përballjen e sfidave të përbashkëta.
Dhe temat që janë përmendur për t’u diskutuar në takimin në Pragë, më 6 tetor, dëshmojnë se vërtet është fjala për sfidat dhe problemet e përbashkëta. Sipas burimeve të BE-së, liderët, në disa grupe, do të diskutojnë për temat si “paqja dhe siguria”, “energjia dhe ndryshimet klimatike”, “situata ekonomike” dhe “migracioni e mobiliteti”. Nuk ka dyshim se të gjitha këto janë tema urgjente dhe janë në interesa të përbashkëta për të gjithë pjesëmarrësit.
Por ajo që ka lindur si pyetje është se “kush i vlerëson se cilat janë vlerat e përbashkëta” dhe “a mund të lihen anash vendet që nuk i mbështesin qëndrimet e BE-së dhe të shumicës së madhe të vendeve perëndimore, që si vlera të pakontestueshme i kanë lirinë dhe demokracinë, lirinë e mediave, sundimin e ligjit dhe respektimin rendit botëror të bazuar në rregulla. Me fjalë të tjera, është shtruar pyetja se a i ndajnë të gjitha “vlerat dhe interesat e përbashkëta” vendet si Turqia, Serbia, Azerbajxhani dhe Armenia, të cilat i kanë marrë ftesat për këtë takim, e të cilat janë të vetmet vende në Kontinentin e Evropës që nuk i kanë mbështetur sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj Rusisë. Pos që nuk i kanë mbështetur sanksionet, këto vende kanë probleme edhe me vlerat demokratike, në atë mënyrë se si kuptohen ato në Perëndim.
Në anën tjetër, ekziston edhe një fakt i hidhur për BE-në e ai është degradimi i demokracisë dhe i sundimit të ligjit në vetë vendet e BE-së. Edhe në vendet anëtare të BE-së janë rrezikuar liritë e mediave dhe pavarësia editoriale, është shkelur parimi i pavarësisë së gjyqësorit dhe, sipas një rezolute të Parlamentit Evropian, një shtet anëtar, Hungaria, “nuk konsiderohet më shtet tërësisht demokratik”. Në rrethana të tilla, kur BE-ja ka problem me respektimin e këtyre vlerave në brendi të saj, a ka ajo të drejtë morale që t’iu shesë mend të tjerëve.
pyetja tjetër është ajo e varësisë nga vendet, të cilat ndoshta në tërësi nuk i respektojnë ato që quhen vlera evropiane.
mund të diskutohet në Evropë për problemin e migracionit pa praninë e Turqisë, një vend që ka mbi 5 milionë refugjatë, më shumë se tërë BE-ja së bashku nëse nuk i llogarisim refugjatët nga Ukraina që kanë një status të veçantë. Një vend i cili është transiti kryesor nga Lindja e Mesme drejt BE-së. Apo a mund të diskutohet për zvogëlimin e varësisë nga Rusia për gaz pa praninë e Azerbajxhanit, që shihet si një prej alternativave kryesore për të hequr dorë përgjithmonë nga importi i këtij derivati të energjisë. A mund të diskutohet për paqe në Evropë pa praninë e Armenisë dhe Azerbajxhanit, që janë akoma në konflikt për Karabaghun e Epërm. Apo a mund të diskutohet për paqe në Evropë pa praninë e Serbisë, e cila ka ndikim kryesor dhe rol stabilizues apo destabilizues në së paku tri shtete jashtë territorit të saj, në Bosnjë-Hercegovinë, Mal të Zi dhe Kosovë.
“Pa marrë parasysh se çfarë mendojmë për nivelin e demokracisë në këto vende, nuk është e mundur që pa to të adresohen shqetësimet urgjente që kemi, si siguria e furnizimit me energji, sfidat e përpalljes me emigrimin ilegal, paqja e siguria në kontinentin tonë dhe fqinjësia evropiane”, ka thënë një diplomat i BE-së, duke adresuar dilemën se kush është dashur e kush jo të ftohej në këtë samit.
Nuk ka dyshim se BPE-ja do të shërbejë si forum i duhur për diskutime dhe koordinim. Krijimi i një forumi politik ku do të diskutonin vendet evropiane është i nevojshëm, sepse nuk i takon Bashkimit Evropian të thirret në tërë Kontinentin e Evropës. Por, përkundër “garancive” se kjo nismë nuk do të jetë zëvendësim për anëtarësimin e plotë në BE, mbetet dyshimi se do të jetë së paku një alternativë e përkohshme.
Kur Franca kishte shpallur këtë ide, mes arsyeve ishte edhe ajo se anëtarësimi për disa vende që aspirojnë është aq larg në perspektivë kohore, saqë duhet gjetur mekanizma për t’i përfshirë disa shtete në disa politika të përbashkëta pa pritur kohën kur ato do të jenë të gatshme për anëtarësim në BE dhe kur BE-ja do të jetë e gatshme t’i pranojë ato.