OpEd

Bota e së djeshmes

Joschka Fischer

Joschka Fischer

Kur Lufta e Dytë Botërore po zhvillohej në Evropë në fillim të viteve 40’, libri me kujtime i Stefan Zweigut, “Die Welt von Gestern: Erinnerungen eines Europäers” (Bota e së djeshmes: Kujtimet e një evropiani) u botua nga një shtëpi botuese gjermane në mërgim, në Stokholm. Zweigu, i mbushur me trishtim, e përshkruan “shkëputjen e kohës” që ia solli fundin Evropës së vjetër në furinë e dy luftërave botërore të tmerrshme.
A po e përjetojnë evropianët sot një tjetër shkëputje të tillë? A po bëhemi sërish dëshmitarë të zhdukjes së rendit të vjetër – të vetmit që shumica prej nesh e kanë njohur gjithë jetën? Nëse po, kjo është një humbje e papërshkrueshme. Rendi i vjetër garantoi paqe, siguri dhe mirëqenie –vetëm për Evropën Perëndimore, fillimisht, por më pas edhe për pjesën tjetër të kontinentit (me përjashtim të ish-Jugosllavisë) pas 1989-s. Ajo kohë e lumtur sot po duket përherë e më shumë si Bota e së Djeshmes 2.0.
Ia vlen të kujtojmë se tërheqja e mëhershme e Amerikës nga kontinenti krijoi hapësirë fatale për ideologji radikale dhe propagandë urrejtëse. Nën Hitlerin dhe nazistët, nacionalistët ekstremë, madhëruesit e dhunës dhe racizmit, armiqtë e demokracisë dhe përkrahësit e flaktë të diktaturës vendosën se momenti i tyre ka ardhur. Nazistët e morën pushtetin dhe qëllimshëm e sollën Luftën e Dytë Botërore, duke e zhytur Evropën në humnerë.
E ku qëndrojmë sot? Rusia jo vetëm që ka nisur luftë pushtimi dhe shkatërrimi kundër Ukrainës, por njashtu ka filluar ta testojë gatishmërinë e NATO-s për ta mbrojtur hapësirën e saj ajrore me anë të ndërhyrjeve me dronë në Poloni dhe Rumani, si dhe me avionë luftarakë që fluturuan mbi Estoni. Megjithëkëtë, ndonëse deklaratat amerikane të solidaritetit rëndom kanë tingëlluar më të zbehta qëkur Donald Trumpi është kthyer në Shtëpinë e Bardhë, do të ishte gabim të thuhet se situata është e krahasueshme me një luftë botërore.
Përkundrazi, presidenti rus, Vladimir Putin, sheh mundësi për ta riformësuar – me ndihmën (vullnetare apo të pavullnetshme) të Trumpit – rendin botëror në favor të tijin. Evropa është ndalesa e parë në strategjinë e tij revizioniste, ngase është ushtarakisht e dobët dhe e paqëndrueshme, dhe më nuk mund të mbështetet plotësisht tek Amerika.
Këtu në Evropë, shumica po pyeten se cilave synime duhet t’i shërbejnë politikat e Trumpit? Pse ai po përpiqet me çdo kusht t’i dobësojë Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimin? Pse është kaq i butë me Putinin?
Trump mund fare lehtë t’i druajë përshkallëzimit të luftës në Ukrainë në një përplasje madhore, por qasja e tij po i rrit pikërisht gjasat për këtë përfundim. Politika e administratës së tij e pajtimit kundruall Kremlinit dhe e agresionit ndaj aleatëve evropianë qartazi e ka inkurajuar Putinin për të sforcuar edhe më shumë.
Suksesi historik i botës transatlantike bazohej në mbrojtjen ushtarake që e ofronte Amerika. Por, falë mbështetjes nga aleanca të forta (NATO-ja për sigurinë, Bashkimi Evropian për ekonominë, demokracinë dhe ligjin), Evropa Perëndimore, gjatë katër dekadave të Luftës së Ftohtë, u shndërrua në një lloj protektorati. Në këtë proces, ajo e humbi – apo mbase e harroi – sovranitetin e saj.
Evropianët jetuan mirë dhe të sigurt në botën e së djeshmes, por ne i neglizhuam detyrat që na buruan nga prosperiteti në rritje. Gjithçka ndryshoi kur erdhi Trumpi, duke shpallur, në thelb: “Kaq ishte; s’ka më”. 
Rënia pasuese nga një gjendje e rehatisë në realitetin e akullt të politikës së fuqisë ndodhi aq shpejt saqë nuk mundëm të përshtateshim. E gjitha ngjau si tronditje e madhe, që u përkeqësua nga kthimi po aq i papritur i luftës në kontinent.
Por një tjetër pyetje doli më theksueshëm në pah nën presidencën e dytë të Trumpit: Çfarë do të ndodhë me Amerikën? Ndonëse mbetet fuqia globale kryesore, kjo demokraci krenare dhe e vjetër është qartazi në rrezik. Nuk kalon asnjë ditë pa lajme për ndonjë tjetër humbje të të drejtave, për shpërfillje të procedurave ose shkelje të normave. E gjithë qeveria federale është shndërruar në instrument për t’i kënaqur teket personale të Trumpit.
“Vendi i lirisë” po transformohet në një autokraci oligarkike përpara syve tanë. Rrjedha e pafundme e dekreteve nga Shtëpia e Bardhë e ka ndryshuar thelbësisht pozitën e Amerikës në botë. Vendi që dikur e përfaqësonte premtimin për liri; sot është rasti më i fundit dhe më i vërejtshëm i erozionit demokratik dhe i rritjes së autoritarizmit.
Liria e shprehjes – dikur shtylla e shenjtë e demokracisë amerikane – po shpërfillet, duke u zëvendësuar nga regjimi lèse-majesté (kriminalizimi i fjalës kundër një monarku). Ka madje debate serioze mbi faktin nëse SHBA-ja – vendlindja e demokracisë moderne – do të ketë zgjedhje të lira e të ndershme në të ardhmen. Le të mos harrojmë: çfarëdo që ndodh në SHBA do të na prekë gjithmonë të gjithëve. Bota pa një Amerikë të fuqishme dhe demokratike do të ishte thelbësisht ndryshe, dhe pa dyshim më e keqe.
Sikurse Zweigu, as unë nuk mund ta largoj përshtypjen se dielli po perëndon mbi ne. Diçka pa dyshim se po mbaron. Lidhja ime e thellë me idenë e Perëndimit transatlantik dhe me imazhin e Amerikës si bastion i lirisë, demokracisë dhe sigurisë ka qenë e thellë dhe e gjatë. Por kjo qe bota e së djeshmes.

(Joschka Fischer, ish-ministër i Jashtëm i Gjermanisë dhe zëvendëskancelar nga viti 1998 deri më 2005, ka qenë udhëheqës i Partisë së Gjelbër për pothuajse 20 vjet. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe Koha Ditore).