Politika e mohimit – ajo e të parit të vetëm katër këmbëve – është, natyrisht, tejet optimiste. Nënkupton se nuk duhet ta adresojmë ndonjë rrezik të ri; se mund të vazhdojmë sikur ai të mos ekzistojë. Është një produkt i populizmit si të së majtës ashtu edhe të së djathtës, dhe është një prej shkaqeve kryesore përse jemi tani në një “recesion demokratik”. Siç vëzhgon Grace Blakelyi nga Tribune, “autoritarizmi është në ngritje me gjithë predikimin liberal se përhapja e tregjeve të lira do të rezultojë me më shumë demokraci – kjo ngase kapitalizmi përherë do të mbrojë hierarkitë shoqërore karshi kërcënimit të barazisë ekonomike”
Gruaja e një pijaneci është në shtrat me dashnorin, kur bashkëshorti papritmas beh brenda dhe shtrihet nën jorgan. “E dashur, jam aq i dehur saqë po i shoh gjashtë këmbë në fund të shtratit tonë”, thotë ai. “Mos u brengos”, ia kthen ajo. “Ngrihu e ec deri te dera dhe shiko përsëri që andej”. Kur bën siç i thotë, ndihet i lehtësuar. “Ke të drejtë, janë vetëm katër këmbë”.
Kjo shaka mund të jetë vulgare, porse e prek një fenomen të rëndësishëm. Përgjithësisht, ju prisni që ta shihni një situatë më qartë nga jashtë sesa kur jeni të përfshirë në të. Por nganjëherë, është pikërisht kjo pozitë e jashtme ajo që ju verbon karshi së vërtetës. Në këtë shaka, përjashtimi i burrit (qëndrimi i tij te dera) e krijon ndjesinë e rreme të përfshirjes, në të cilën ai i ngatërron këmbët e dashnorit me të tijat.
E njëjta dinamikë mund të gjendet edhe në përkrahjen e Perëndimit për Ukrainën. Ne e mbyllim njërin sy karshi faktit se një klikë e brendshme e oligarkëve mund të shfaqet si fituesi më i madh në betejën ukrainase. Sërish nuk duhet të befasohemi nëse Ukraina e pasluftës del të jetë e ngjashme me atë të paraluftës, një vend i korruptuar nga oligarkët dhe i kolonizuar nga korporatat e mëdha perëndimore që i kontrollojnë tokën më të mirë dhe burimet natyrore. Teksa ne bëjmë sakrifica për përpjekjen e luftës, nuk ia dalim që të shohim se përfitimet do të përvetësohen nga të tjerët, njashtu sikurse pijaneci që i ngatërron këmbët e burrit të huaj me të tijat – mbase për shkakun se, thellë në brendi, ai nuk dëshiron që ta pranojë të vërtetën.
A mund ta shmangim këtë kurth? Më 20-22 qershor të 2023-tës, organizata pan-evorpiane “Evropa, një pacient” mbajti diskutime në Londër për nevojën e mbrojtjes së komuniteteve ukrainase nga eksploatimi ekonomik pas luftës. Iniciativa të këtilla janë më të nevojshme se kurrë më parë, ngase mbështetja për mbrojtjen ukrainase duhet të shkojë doradorës me shqetësimet e natyrës ekologjike dhe të drejtësisë shoqërore. Që të gjitha janë njësoj të rëndësishme për të ardhmen e vendit. Për shembull, ne mund ta mbështesim plotësisht Ukrainën vetëm nëse e çlirojmë po ashtu nga kapja prej industrisë së energjisë fosile, e cila varet prej naftës ruse.
Kombinimi i vështirësive ushtarake, mjedisore dhe socio-ekonomike po bëhet përherë e më i zorshëm për t’u injoruar. Çështjet e luftës dhe të ekologjisë u përplasën fort me shkatërrimin e digës Kakhovka, në afërsi të Khersonit, në fillimqershor.
Por Ukraina s’është e vetme. Në pothuajse të njëjtën kohë, zjarret pyjore në Kanada përfunduan duke e plandosur qytetin e New Yorkut nën një re tymi kaf, për t’ua përçuar banorëve të qytetit një shije të asaj që njerëzit përgjatë Jugut Global e njohin qëmoti. Përderisa veç flasin për krizën klimatike dhe shkatërrimin ekologjik, shtetet e kamura perëndimore vazhdojnë të bëjnë fare pak për to.
Kjo perspektivë e verbuar nuk është e kufizuar në të djathtën dhe në sektorin e korporatave. Shumica në të majtën sot pretendon se e mbështet paqen përderisa e favorizon kompromisin me regjime brutale, revizioniste autoritare.
Për ta kuptuar këtë kundërshti “pacifiste”, duhet t’i kthehemi situatës në fillim të Luftës së Dytë Botërore, kur njashtu pati një koalicion djathtë-majtë që e kundërshtoi përfshirjen e SHBA-së në luftëra të huaja. Asokohe, sikurse tani, “pacifistët” argumentuan se situata në Evropë nuk e shqetëson Amerikën. Ushqyen simpati të çuditshme për agresorin dhe pretenduan se shkuarja në luftë thjesht do ta pasuronte ndërlikimin ushtarako-industrial. Kur Gjermania naziste i tha Mbretërisë së Bashkuar, në verën e 1940-s, se donte paqe, mendoi se Britania do të duhej të pranonte ofertën bujare të Hitlerit.
Sikurse të gjitha rrenat e mira, edhe kjo përmban ca copëza të së vërtetës. Komentuesi konservator amerikan, Patric J. Buchanan, e ofroi një version të këtij argumenti më 2008, tek argumentoi që nëse Winston Churchilli do ta pranonte ofertën e 1940-s të Hitlerit, Holokausti do të ishte më pak i rëndë.
Për më tepër, njësoj siç Churchilli e priu Mbretërinë e Bashkuar drejt rrënimit me nxitjen e luftërave të panevojshme me Gjermaninë, vazhdon argumenti, edhe presidenti i SHBA-së, George W. Bush, i shpiu Shtetet e Bashkuara buzë rrënimit duke e pasuar shembullin e Churchillit. Sikurse shumica e të majtëve, Buchanani nuk beson se SHBA-ja duhet të ofrojë garanci për vendet në të cilat nuk ka interesa jetike.
Një variacion i ri i këtij motivi dëgjohet në kontekstin e luftës në Ukrainë. Me sa duket, shpërbërja e Bashkimit Sovjetik e pati të njëjtin efekt sikurse Traktati i Versajës: e krijoi një dëshirë të parashikueshme për hakmarrje kundër fituesve të luftës së fundit.
Njëjtë sikurse në të shkuarën, kjo aleancë e re e djathtë-majtë priret nga teoritë e konspiracionit, si ato që qarkulluan për vaksina nga Robert Kennedy, Jr., dhe përkrahësit e Donald Trumpit. I denoncon masat anti-COVID si një instrument kontrolli. E refuzon ndihmën për Ukrainën, ngase do t'i shërbente ndërlikimit ushtarako-industrial të NATO-s. Dhe në një rast model të mohimit, i mohon kërcënimet më të mëdha me të cilat përballemi thjesht si mashtrime të korporatave të mëdha për ta eksploatuar klasën punëtore.
Politika e mohimit – ajo e të parit të vetëm katër këmbëve – është, natyrisht, tejet optimiste. Nënkupton se nuk duhet ta adresojmë ndonjë rrezik të ri; se mund të vazhdojmë sikur ai të mos ekzistojë. Është një produkt i populizmit si të së majtës ashtu edhe të së djathtës, dhe është një prej shkaqeve kryesore përse jemi tani në një “recesion demokratik”. Siç vëzhgon Grace Blakelyi nga Tribune, “autoritarizmi është në ngritje me gjithë predikimin liberal se përhapja e tregjeve të lira do të rezultojë me më shumë demokraci – kjo ngase kapitalizmi përherë do të mbrojë hierarkitë shoqërore karshi kërcënimit të barazisë ekonomike”.
Dikush mund ta shpjerë këtë pretendim edhe më tutje: kërcënimi për demokracinë vjen njashtu nga rezistenca e rreme populiste ndaj kapitalizmit të korporatave, e cila mishërohet me refuzimin e së majtës “pacifiste” për mbështetje Ukrainës me arsyetimin se ajo “thjesht” do t’u sillte përfitime kontraktorëve të mbrojtjes. Tekefundit, Ukraina veçse është kolonizuar prej kohësh nga korporatat perëndimore, dhe vetëm nëpërmjet një rindërtimi “të gjelbër” e të barabartë do të çlirohet ndonjëherë.
Për t’i ikur telashit tonë, nuk mund thjesht t’i vihemi pas demokracisë liberale shumëpartiake. Përkundrazi, duhet të gjejmë mënyra të reja për ndërtimin e konsensusit shoqëror dhe të vendosim lidhje aktive midis partive politike dhe shoqërisë civile. Kundërshtimi i populistëve të rinj, majtë-djathë, është një detyrë e menjëhershme dhe kjo mund të kërkojë rreshtim me eksponentë të demokracisë liberale kapitaliste – njashtu sikurse komunistët e kohës së Luftës së Dytë Botërore luftuan përkrah demokracive “imperialiste” perëndimore kundër fashizmit, duke e ditur fare mirë se imperializmi ishte armiku i tyre përfundimtar. Këta ishin shokë të çuditshëm shtrati, por të paktën mund të shihnin se çfarë në të vërtetë po ngjante.
(Slavoj Zhizhek, profesor i Filozofisë në “European Graduate School”, është drejtor ndërkombëtar i Institutit Birkbeck për shkenca humane në Universitetin e Londrës, si dhe autor i librit: “Heaven in Disorder”. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë botërore “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)
Përktheu: Gent Mehmeti