OpEd

Borëbardha dhe 7 shkurtabiqët politikë

Politikat e jashtme amerikane, si dhe ato evropiane kanë një mësim për ta nxjerrë nga Mali i Zi, sepse receta e njëjtë është përdorur në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Janë mbyllur sytë ndaj aferave korruptuese të politikanëve të këtyre vendeve, e të cilët për kundërpërgjigje kanë qenë të dëgjueshëm dhe luajalë ndaj politikave të Perëndimit. Por si do të veprojnë tash këto politika perëndimore kur partitë ultranacionaliste do të qeverisin Malin e Zi, dhe dëshira e tyre për përafrim me Serbinë dhe Rusinë do të jetë e pashmangshme

Gjatë javës të cilën e lamë pas pati zhvillime interesante, për të cilat tashmë është thënë dhe shkruar mjaft. Njëra nga to ishin zgjedhjet e përgjithshme në Malin e Zi.

Ajo që rezultoi nga këto zgjedhje dhe e cila do të duhej që të ishte edhe një lloj mësimi për regjionin është se popullata e lodhur nga sistemi korruptues dhe dilenxhinjtë e pushtetit janë të gatshëm që të votojnë edhe të djathtën nacionaliste vetëm që të ndodhë ndërrimi i pushtetit pas 30 vjetësh.

Mirëpo edhe fitorja e opozitës apo fitorja e pozitës së tanishme është e pamundur pa bashkëpunimin me kryetarin e URA (Bashkimit të Aksionit Reformues), Dritan Abazoviq. Si deputet i Parlamentit të Malit të Zi, qysh nga viti 2017, Dritan Abazoviqi u rreshtua kundër Milo Gjukanoviqit dhe në mënyrë konstante e kishte kritikuar atë për aferat korruptuese në pushtet, si dhe për sistemin e oligarkëve të instaluar në Mal të Zi.

S'do mend se Dritan Abazoviqi nuk do t’i jepte votat e tij përcaktuese për fituesin e zgjedhjeve, Milo Gjukanoviqin dhe partinë e tij.

Gjatë 30 vjetëve të qeverisjes së Milo Gjukanoviqit me Malin e Zi, me recetën tashmë të njohur ballkanike, herë si kryeministër e herë si president, ai arriti që nga një pionier i zellshëm i Slobodan Milosheviqit të bëjë një gjysmëkthim në rrugëtimin e tij politik dhe ta pavarësojë Malin e Zi nga Serbia. Rrugëtimi i Malit të Zi pas pavarësimit të vet mori edhe drejtimin e rrugëtimit drejt integrimit të Evropës Perëndimore dhe largimit gradual të ndikimit serb, si dhe ndikimit rus. Në këtë rrugëtim të largimit të Malit të Zi nga ndikimi serb dhe rus ishte pranimi i pavarësisë së Kosovës. Këtë akt Serbia e cilësoi si një thikë pas shpine për të dhe popullin e saj. Gjithashtu edhe deklarimet e Kishës serbe ishin në unison me ato të pushtetit serb, se kjo ishte një tradhti ndaj popullit vëllazëror serb.

Grushti i parafundit, të cilin Mali i Zi ia dha largimit të dominimit serb dhe rus, ishte anëtarësimi i saj në NATO, më 5 qershor 2017. Ndërsa grushti i fundit kishte të bënte me pavarësimin e Kishës ortodokse malaziase nga ajo ortodokse serbe, dhe kjo gjë irritoi si popullatën ortodokse serbe në kuadër të Malit të Zi, ashtu edhe Kishën ortodokse serbe në Serbi. Në fakt, kjo ishte edhe një arsye më shumë për rirreshtimin e partive nacionaliste dhe ultranacionaliste të djathta serbe në Mal të Zi që të garonin të bashkuara kundër pushtetit të Milo Gjukanoviqit.

E vërteta e 30 vjetëve të fundit ishte se Milo Gjukanoviqi bëri ndryshim drastik në politikëbërjen e tij dhe qasjen ndaj Evropës, mirëpo e gjitha kjo ishte përcjellë me afera të panumërta korruptuese dhe partnerët ndërkombëtarë perëndimorë ishin të gatshëm që t’i mbyllnin sytë ndaj këtij fenomeni (se ç'po tingëllon e njohur kjo lloj qasjeje e tyre) vetëm që rrugëtimi i Malit të Zi të vazhdonte drejt rrugëtimit të duhur politik.

Ky rrugëtim i kombinuar me aferat korruptuese, të cilat këmbë e krye ndërlidheshin me emrin e Milo Gjukanoviqit, rreshtuan kundërshtarët e tij politikë, qoftë edhe ata ultranacionalistë. Dritan Abazoviqi edhe pse në asnjë moment nuk e mohoi përkatësinë e tij etnike shqiptare, ai asnjëherë nuk iu kyç politikës nga aspekti etnik, kombëtar, por nga aspekti qytetar. Mirëpo cilin qytetërim dhe ekspertizë do ta gjejë nga partnerët e tij të preferuar ultranacionalistë serbë, mbetet të shihet. Ditën e përfundimit të zgjedhjeve, partnerët e tij të preferuar nuk hezituan që të dedikojnë me ikonografinë tashmë shumë të njohur në këtë regjion gjatë dekadave të fundit. Në Plavë pati edhe thirrje ndaj banorëve boshnjakë dhe shqiptarë të këtij vendi se Plava do të shndërrohej në një Srebrenicë të re. Ç'është e vërteta, Dritan Abazoviqi u distancua nga këto akte të simpatizantëve të partnerëve të tij të preferuar të koalicionit dhe deklaroi se në fakt mentaliteti i viteve ‘90 asnjëherë nuk kishte kaluar në këto troje.

Para zgjedhjeve, diku në një intervistë dhënë një gazetari serb, ndërmjet tjerash, Dritan Abazoviqi deklaroi se Skënderbeu i kishte nënën dhe babanë serbë, dhe me këtë deklaratë të tij ultranacionalistët serbë kanë propaganduar atë që ata asnjëherë nuk hezitojnë që ta bëjnë, të uzurpojnë historinë, rrjedhat dhe të vërtetat historike. Tash pas zgjedhjeve, Dritan Abazoviqi apo Abazi, siç ai iu referua mbiemrit të vet disa herë në një intervistë dhënë një kanali shqiptar, kërkoi falje për shkarjen e tij me ato fakte historike dhe deklaroi se Skënderbeu mbetet dhe ishte hero shqiptar, pajtues ndër këto troje.

Nga ajo që unë po mundem të kuptoj nga ky karakter karizmatik i politikanit është se në kohë të caktuar ai nuk po heziton t’ua thotë njerëzve/palëve atë të cilën ata do të dëshironin ta dëgjonin, përderisa ky e arrin qëllimin e vet. Mirëpo një qasje e tillë për mendimin tim është thikë me dy tehe dhe në vete e bart rrezikun e vet, si dhe çmimin për ta paguar atë rrezik të ndërmarrë.

Sidomos nëse kërkesa e tij ndaj partnerëve të koalicionit, ultranacionalistë serbë, plotësohet dhe ai zgjidhet kryeministër i ri i Malit të Zi, atij do t’i matet secila fjalë, secila deklaratë, secili veprim dhe komoditeti i të qenit opozitar do të tretet plotësisht. Ai qysh tash po deklaron se politika e jashtme e Malit të Zi nuk do të ndryshojë dhe se nuk do të ketë as tërheqje të njohjes së Kosovës e nuk do të ketë as tërheqje nga anëtarësimi në NATO, si dhe rruga evropiane. Duke u bazuar edhe në deklaratat e tij të mëhershme, të cilat jepen sipas preferencës së veshëve që i dëgjojnë ato, mbetet të shihet se si dhe sa do të mund t'iu qëndrojë prapa deklaratave të veta, kur botërisht dihet se partnerët e tij do të dëshironin të bënin çmos për ta bërë të kundërtën. Përndryshe, kritikat ndaj tij nga ana e shqiptarëve të Kosovës, të cilët në Qeveri e kanë partinë me njerëzit e Aleksandër Vuçiqit e që asnjëherë nuk iu dëgjua zëri, më mirë do të bënin sikur ta qepnin.

Tani për tani, unë do të qëndroj i rezervuar ndaj kësaj figure kontraverse politike, mirëpo ashtu si edhe me shumicën e politikanëve, unë kam problem me sinqeritetin e tij, sinqeritet ky i lakueshëm sipas kërkesave dhe nevojave të çastit. Apo ndoshta gabimi kardinal është që unë kërkoj sinqeritet në politikë, sidomos nga njerëz tek të cilët të vetmet që funksionojnë janë egoja dhe ambicia e tyre personale.

Politikat e jashtme amerikane, si dhe ato evropiane kanë një mësim për ta nxjerrë nga Mali i Zi, sepse receta e njëjtë është përdorur në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Janë mbyllur sytë ndaj aferave korruptuese të politikanëve të këtyre vendeve, e të cilët për kundërpërgjigje kanë qenë të dëgjueshëm dhe luajalë ndaj politikave të Perëndimit. Por si do të veprojnë tash këto politika perëndimore kur partitë ultranacionaliste do të qeverisin Malin e Zi, dhe dëshira e tyre për përafrim me Serbinë dhe Rusinë do te jetë e pashmangshme.

Përderisa unë shkruaj këta rreshta të Ditarit tim, diku në një hotel në Washington bën gjumë Borëbardha dhe 7 shkurtabiqët politikë të Kosovës. Mbesin shkurtabiqë politikë, sepse aq i kanë kredibilitetin dhe legjitimitetin, si dhe përkrahjen e votuesve në vend. Të premten, më datën 4 shtator, në Shtëpinë e Bardhë pritet se do të mbahet takimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Se cili do të jetë epilogu i kësaj përralle të vëllezërve Grimm, mbetet të shihet. Unë personalisht mbes skeptik i marrëveshjeve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sepse janë pikërisht problemet politike ato të cilat i determinojnë dhe kushtëzojnë problemet ekonomike midis këtyre dy vendeve. E në atë sinqeritetin e politikanëve e të cilit iu referova edhe në rastin e mësipërm, unë edhe në këtë rast mbes me dyshim të madh. Aq mendoj se i ka mbetur presidentit Donald Trump se çka dhe çfarë marrëveshjesh do të nënshkruajnë këto dy vende, përderisa një marrëveshje e tillë mund të shitet si një sukses storie i politikës së tij të jashtme, edhe pse përbrenda Amerikës mjaft situata thuajse e kanë arritur pikën e vlimit. Ai i ka ftuar palët në rezidencën e vet, por rast që të takohen me të dhe të bëjnë foto çasti me të do të kenë vetëm po qe se arrijnë të nënshkruajnë ndonjë marrëveshje midis tyre, përndryshe ai nuk do ta prishë teraqillëkun e tij për të luajtur golf për vikend.

Përralla në shkallë, dukati në ballë …