Procesi integrues është disi sikur puna e aktit të martesës. Kosova ka vendosur të martohet me BE-në. Të bëhet një union. Të bëhemi pjesë e Unionit Evropian. Në këtë sens, sikur në rastin e martesës, kërkohet një besim në mes palëve. Apo, siç thotë proverbi i vjetër rus, “Beso, por verifiko”. Por ajo çfarë është e patolerueshme, është të mos bësh asgjë. Procesi integrues nuk duron status quo-në
Përderisa në Kosovë ka ende shumë të panjohura rreth krijimit të institucioneve të dala nga zgjedhjet e 9 shkurtit, në Bashkimin Evropian çdo gjë duket e qartë sa u përket pritjeve nga Kosova. Dhe ndonëse në BE tani kemi lidershipin e ri të dalë nga zgjedhjet evropiane të vitit të kaluar, mesazhi për Kosovën ngelet po i njëjti. Kësisoj para dy javësh presidenti i Këshillit Evropian, z. Antonio Costa, sqaroi se “vendi i Kosovës është brenda familjes evropiane”, por për të arritur këtë kërkohet “progres i prekshëm dhe real në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve”. Këtë mesazh e përsëriti javën e kaluar përfaqësuesja e lartë e BE-së, znj. Kaja Kallas, kur tha se “për ata që dyshojnë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve, më lejoni të jem e qartë: normalizimi i marrëdhënieve është shteg i vetëm drejt një të ardhmeje të sigurt dhe të begatshme për rajonin”.
Për t’u siguruar se mesazhet e z. Costa dhe znj. Kallas janë kuptuar qartë dhe drejt u siguruan ambasadorët evropianë në Kosovë. Në disa paraqitje të fundit publike ata nënvizuan rëndësinë dhe obligimin e Kosovës për avancimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, me theks të veçantë tek themelimi i Asociacionit të Komunave Serbe.
Në këtë sfond kurdo që themelohen institucionet e reja të Kosovës, ato do të ballafaqohen me sfidat e vjetra në procesin integrues. Vitin tjetër do të bëhen dhjetë vjet që nga hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Prej dhjetë vjetësh Kosova nuk ka avancuar në rrugën e saj evropiane. Arsyeja kryesore për këtë mbetet mungesa e progresit në dialog. Konkretisht ngritja e Asociacionit të Komunave Serbe.
Ngecja e Kosovës në proces të integrimit ndodh në një sfond kur vendet sikur Shqipëria dhe Mali i Zi janë duke u konsideruar seriozisht si kandidate për anëtarësim deri në vitin 2030. E gjithë kjo rrit presionin ndaj Kosovës që të shfrytëzojë këtë dritare mundësie e cila po u shfaqet vendeve të rajonit si pasojë e pushtimit rus të Ukrainës.
Përgjigjja e Kosovës deri më tani ndaj këtij mjedisi të ri politik ka qenë miopike. Në mungesë të proaktivitetit të institucioneve të Kosovës për të diktuar formën dhe thelbin e Asociacionit, boshllëku i krijuar u mbush me propozimet e palëve të treta për ngritjen e tij. Kësisoj institucionet kaluan në defansivë duke mbrojtur veten nën arsyetimin e përgjithshëm të llojit se ngritja e Asociacionit do të “bosnjëzojë” Kosovën. Pasi që ky pretendim asnjëherë nuk u testua në kuptimin juridik, ai ngeli thjesht retorikë e domenit politik.
Tani në gjithë këtë kontekst, kurdo që ngrihen institucionet e reja të Kosovës, ato do të ballafaqohen me përgjegjësinë e avancimit të ngritjes së Asociacionit të Komunave Serbe. Dhe përderisa unë nuk jam jurist dhe nuk mund të komentoj thelbin e çështjes, ajo çfarë patjetër vërehet është se gjatë gjithë këtij procesi ka munguar një gjë esenciale tek pala e Kosovës. E ajo është besimi. Besimi tek BE-ja. Procesi integrues është disi sikur puna e aktit të martesës. Kosova ka vendosur të martohet me BE-në. Të bëhet një union. Të bëhemi pjesë e Unionit Evropian. Në këtë sens, sikur në rastin e martesës kërkohet një besim në mes palëve. Apo siç thotë ajo proverb e vjetër ruse “Beso, por verifiko”. Por ajo çfarë është e patolerueshme është të mos bësh asgjë. Procesi integrues nuk duron status quon.
Këtë mësim e marrim edhe nga fqinji ynë më i dashur: Shqipëria. Tirana nuk e ka pasur lehtë të pranojë ndërmarrjen e vettingut, por në vend të status quos Tirana ka zgjedhur t’i besojë BE-së dhe t’i nënshtrohet një eksperimenti siç ka qenë ai i vettingut. Frytet e këtij besimi tani i shohim të gjithë. Besimi në fund fare qëndron në themelet e gjithë idesë evropiane. Besimi i verbër i Francës tek engjëjt e mirë të Gjermanisë – së bashku me rolin amerikan – ka qenë themel mbi të cilin është ngritur Evropa bashkëkohore.
Kosova dhe Serbia gjejnë veten sot në një udhëkryq të rëndësishëm historik. Ato mund t’i bashkohen trenit 2030 dhe të bëhen akterë kyç të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit të rajonit tonë, ose mund të humbin këtë mundësi dhe të ngelen vendet problematike të rajonit tonë. BE-ja ka bërë ofertën e saj, e jona është tani të vendosim se çfarë të ardhmeje dëshirojmë.