OpEd

BE-ja zhgënjen edhe një herë aspirantët për anëtarësim

Kur liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor të pohojnë, siç ka bërë ditë më parë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, se probleme me korrupsion dhe krim të organizuar kanë edhe disa shtete të BE-së, ata e thonë të vërtetën. Por kjo nuk u ndihmon. Sepse në BE nga disa shtete ka një shkollë tjetër të të menduarit: kemi bërë gabim më parë dhe nuk duam ta përsërisim më. Vendet që janë anëtare të BE-së nuk mund t’i përjashtojnë nga BE-ja, por mund të pengojnë që në një të ardhme të afërt shtete tjera të bëhen anëtare.

Se zgjerimi i BE-së nuk është më prioritet, se procesi shkon shumë ngadalë dhe se ka hezitim nga vendet anëtare që të mos përshpejtohet ky proces, ka qenë një gjë e njohur tash e sa vjet. Por në BE gjithmonë janë munduar që të miratojnë disa vendime, si hapa shumë të vegjël, sa për të dëshmuar se procesi po vazhdon dhe me këtë të mbajnë gjallë shpresën për vendet kandidate dhe qytetarët e vendeve të cilat aspirojnë një ditë të jenë anëtare të Bashkimit Evropian. Edhe pse janë hapa shumë të rëndësishëm, madje edhe historikë, dhënia e statusit të kandidatit dhe nisja e negociatave të anëtarësimit janë hapa shumë larg anëtarësimit. Me dhënien e statusit të kandidatit apo edhe nisjen e negociatave vetëm fillon një proces shumë, shumë i gjatë me një përfundim të pagarantuar. Por, edhe pse e dinë se këta hapa nuk nënkuptojnë me automatizëm edhe anëtarësimin, disa vende të Bashkimit Evropian kanë nisur fuqishëm të kundërshtojnë edhe vendime të tilla. Në krye të këtyre vendeve tash është vënë Franca, e cila më parë nuk ka qenë aq e ashpër. Holanda ka qenë edhe më parë dhe po vazhdon me të njëjtën sjellje, ndërsa Gjermania, megjithëse në mënyrë më diskrete, është ndër shtetet të cilat nuk e shohin me simpati vazhdimin e zgjerimit të BE-së. Kur nuk ka entuziazëm nga ana e këtyre shteteve, e sidomos kur ato të jenë kundër, është e pamundur të bëhen lëvizje. Kjo po shihet edhe tash kur do të duhej të merrej vendimi për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Republikën e Maqedonisë Veriore dhe me Shqipërinë. Këto dy vende, sipas Komisionit Evropian, edhe vitit e shkuar i kishin përmbushur kushtet e nevojshme dhe ishte dashur të merrej vendimi për datën e negociatave, por në Këshill nga ana e shteteve anëtare nuk pati pajtim për një gjë të tillë. Ndërkohë Maqedonia ka bërë edhe disa hapa shtesë në përmbushjen e obligimeve nga Marrëveshja me Greqinë për zgjidhjen e kontestit të emrit, ndërsa, sipas vlerësimit të Komisionit, edhe Shqipëria ka bërë progres në përmbushjen e kushteve të nevojshme. Prandaj Komisioni Evropian edhe një herë ka rekomanduar që shtetet anëtare të marrin më në fund vendimin për nisjen e negociatave me këto dy shtete nga rajoni i Ballkanit Perëndimorë.

Por këto vende, dhe me këtë edhe i tërë rajoni i Ballkanit, do të zhgënjehen edhe një herë këtë javë kur për këtë temë do të diskutojnë ministrat në takimin e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme.

Sikur nuk ishin në gjendje në qershorin e vitit të kaluar të vendosnin për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë shtetet e BE-së as këtë qershor nuk kanë konsensus të nevojshëm për një vendim të tillë. Por duke qenë e njohur për imagjinatë në formulimet gjuhësore, BE-ja do të tentoj që “Jo” të paraqitet si “Ndoshta” dhe të kuptohet si “Po”. Maqedonia ka marrë statusin e kandidatit para 14 vjetësh, por ende nuk ka marrë datë për nisjen e negociatave. Shqipëria me mund të madh mori statusin e kandidatit, por po ashtu nuk ka nisur negociatat. Holanda dhe Franca me bllokimin që po u bëjnë vendimeve në procesin e zgjerimit, me pëlqimin e heshtur të Gjermanisë, duan të tregojnë se, edhe kur shtetet kandidate të përmbushin kushtet, BE-ja nuk e ndien obligim që të miratojë vendime pozitive.

Duke mos dashur të thonë PO, e duke qenë të vetëdijshëm për pasojat në rast se thonë “JO” në BE, sipas të gjitha gjasave, do të gjejnë një formulim për të thënë se do t’i kthehen kësaj çështjeje më vonë gjatë vitit, me synimin e një vendimi pozitiv për nisjen e negociatave. Me një formulim të tillë do të mundë të thonë se nuk i kanë refuzuar Shqipërinë dhe Maqedoninë, se njohin përpjekjet e tyre, se në rastin e Maqedonisë ka madje edhe një “sukses historik për tërë rajonin dhe më gjerë” sepse ka zgjidhur një problem shumëvjeçar. Por, përkundër kësaj, në BE nuk ka vullnet të nisen negociatat.

Ndoshta për Maqedoninë do të mundë të arrinin një kompromis, sepse Holanda nuk e kundërshton në mënyrë të prerë vendimin në Këshill për këtë shtet. Por, për Shqipërinë nuk ka gjasa pasi Parlamenti i Holandës nuk i ka dhënë Qeverisë mbështetje për t’u pajtuar me nisjen e negociatave me Shqipërinë. E kur Holanda të thotë njëherë publikisht JO nuk e ka lehtë të ndryshojë mendjen, sidomos nëse nuk ka presion nga shtetet e tjera, e kësaj radhe nuk ka. Është vështirë të thuhet nëse është më e sinqertë Holanda, e cila thotë në mënyrë të qartë JO apo Gjermania, e cila bëhet se kinse pengesë janë procedurat e gjata në këtë shtet, sepse duhet të kalojë edhe përmes Bundestagut.

Ka shumë arsye pse në BE nuk ka vullnet për ndonjë hap të madh në procesin e zgjerimit. Janë problemet e brendshme të BE-së, janë përvojat jo edhe aq të mira me disa shtete gjatë valëve të mëhershme të zgjerimit dhe janë edhe faktet se në vendet e Ballkanit Perëndimor nuk ka në të vërtetë shumë përparim në reformat të cilat kërkohen, sidomos jo në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Kur liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor të pohojnë, siç bërë ditë më parë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, se probleme me korrupsion dhe krim të organizuar kanë edhe disa shtete të BE-së, ata e thonë të vërtetën. Por kjo nuk u ndihmon. Sepse në BE nga disa shtete ka një shkollë tjetër të të menduarit: kemi bërë gabim më parë dhe nuk duam ta përsërisim më. Vendet që janë anëtare të BE-së nuk mund t’i përjashtojnë nga BE-ja, por mund të pengojnë që në një të ardhme të afërt shtete tjera të bëhen anëtare.

Pra në Holandë, Gjermani e Francë mendojnë krejt ndryshe nga ajo që liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor do të donin të mendonin. Në rajon shpesh në dhjetë vjetët e kaluar dëgjohej se “i kanë pranuar Bullgarinë dhe Rumaninë, prandaj me siguri do na pranojnë edhe neve, sepse nuk jemi shumë më të papërgatitur se ata”.

Ajo që duhet thënë qartë është se kundërshtimi ndaj zgjerimit nuk mund t’i faturohet ekstremit të djathtë në Evropë e as grupimeve populiste. Sepse në tri shtetet që janë kundërshtare më të mëdha të zgjerimit në pushtet janë liberalët, nën dy, ndërsa në tjetrin së bashku demokristianët dhe socialdemokratët.

Por edhe vendet e Ballkanit Perëndimor duhet ta shohin veten në pasqyrë dhe ta kenë parasysh se, me gjitha problemet që i ka, BE-ja nuk do të donte që për shembull në Këshillin Evropian më 20 dhe 21 qershor, kur vendoset për të ardhmen afatmesme të BE-së, për liderët e ardhshëm të institucioneve kryesore, në tavolinë si të barabartë t’i kenë edhe kryetarët dhe kryeministrat nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Ata jo vetëm se e kanë të vështirë të pajtohen brenda rajonit, por janë bërë copë mes vete edhe brenda vetë shteteve ku janë në pushtet apo opozitë. Një Ballkan çfarë është sot kurrsesi nuk do të mundë ta stabilizonte një BE çfarë është sot. Prandaj, për sukses në zgjerimin e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor duhet pritur ditë me të mira edhe për BE-në, edhe për vendet e Ballkanit. E kjo pritje do të përjetohet me të drejtë si zhgënjim nga qytetarët gjithnjë e më të lodhur nga premtimet për integrime evropiane, por me shumë pak dëshmi se një gjë e tillë edhe mund të realizohet në një të ardhme të paparashikueshme.